top of page

Stavri Frashëri, shqiptari i parë i Linkolnit


Stavro Thoma Frasheri

Stavri Frashëri, shqiptari i parë i Linkolnit


Dr Fatmir Terziu


Stavri Frashëri është shqiptari i parë që ka vizituar Linkolnin në Mbretërinë e Bashkuar. Ai e ka vizituar atë në vitin 1927 dhe ka qenë i ftuar për specializim nga kompania inxhinierike, “Ruston e Hornsby”. Këtë e ka zbuluar një libër-palosje e zonës së Linkolnit që ka sybuar të fiksojë në letër gjithë të shkuarën e jetës së këtij qyteti. Në këtë memorje fiksohet me fakte se Stavri Th. Frashëri, është dhe besohet plotësisht të jetë shqiptari i parë që ka vizituar këtë qytet.

“Anglia, ashtu sic unë e pashë atë më 1927”, është shkruar nga Stavri Th. Frasheri, që ka shpenzuar më shumë se një vit të jetës së tij në këtë qytet. Kjo në fakt është e publikuar nga i biri i tij Edgar Stavri Frasheri, sipas kujtimeve të të atit.

Zoti Frashëri erdhi në Britani të Madhe në vitin 1927 për të marë pjesë në një program trajnimi për një periudhë gati nëntë mujore. Ky lloj specializimi professional kryhej në kompaninë inxhinjerike Ruston & Hornsby.

Në këtë libërth zoti Frashëri, ka përshkruar takimin me shefin e polcisë së Linkonshires, kur në fakt atij i është thënë se është shqiptari i parë që ka vizituar qytetin. Zoti Frashëri gjithashtu ka diskutuar shumë tema si ato në lidhje me akomodimin e punonjësve, sjedhjet e fëmijëve lokalë dhe idealitetet e bashkëpunëtorëve të tij.

I riu Frashëri ka shprehur se ai dëshiron, në kujtim të babait të tij, tu tregojë qytetarëve të sotëm se sa miqësor dhe i ngrohtë ishte shpirti i qytetit të tyre. Kopjet e këtij botimi, sipas medias lokale, janë dërguar tek kryebashkiaku i Linkolnit, Ron Hills dhe në arkivën e qytetit.

Udhërrëfyes i antropologëve amerikanë

Për të vijuar më tej me lidhjet e Stavri Frashërit me këtë fakt ne kërkuam edhe fakte të tjera. Gjatë kërkimeve tona mësuam se ai është një studiues korçar që ka kaluar edhe në shumë vise të tjera të huaja dhe mjaft vise shqiptare, sidomos ato përmes Mirditës në dimrin e 1930-s. Në një material të përgatitur nga Gjergj Marku mësohet se i jepet lexuesit ky material me një udhëpërshkrim të para 80 viteve të studiuesit të njohur korçar që u prin viseve të Veriut, dy antropologëve amerikanë, burrë e grua. Sipas Markut “Kalon malësinë e Lezhës, më pastaj i bie tërthor rajonit të Mirditës dhe më tej. Por nga shënimet e mbajtura preferon që të shënojë në një libër të veçantë Mirditën, duke e kalëruar në kuaj a në këmbë mepërmes atë në një dimër të acartë. E gjitha kjo nuk sillet pa synim, kur sot pikërisht udhëtime të tilla mund të jenë në kërshërinë e mëtejshme të të huajve e vizitorit vendas .

Gjergj Marku shkruan “Jemi mësuar që nëpër udhëpërshkrime, studime apo hulumtime, vendin tonë të para shumë viteve, ta njohim vetëm përmes shënimeve të të huajve, që kanë qenë aq të interesuar për doket, zakonet, kulturën e jetesës dhe të sjelljes së këtyre njerëzve në këtë cep mistik të Europës. Duket se Shqipëria e Epërme, ka qenë kërshëria ndjellëse për shumë syresh në hulumtimin e miteve, doket, ritet, vetqeverisjes përmes Kanunit të Maleve, gjuhës dhe antropologjisë. Ndër ta përmenden Hahn, De Grand, Durham, Nopça e të tjerë. Por ndërkohë shënohen në kujtimet e njerëzve dhe plot emra të panjohur sidomos antropologësh të huaj dhe kryesisht amerikanë, që i ranë kryq e tërthor viseve të Veriut, Mirditës, Pukës, Zadrimës, Malësisë së Madhe, Lurës, Dibrës, Lumës, Hasit, Malësisë së Gjakovës dhe Dukagjinit. Në këtë aradhë ardhësish aty nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, bien në sy dhe dy “matës-antropologë” të tillë, dy dijetarë irlandezo-amerikanë, burrë dhe grua, të cilët vijnë në Shqipëri me kërshërinë për t’u vënë në gjurmë të Eposit të Kreshnikëve. Janë pikërisht këta, që shoqëron studiuesi i njohur korçar, Stavri Frashëri. Por, përpos shoqërimit, ky i fundit, ndalet dhe kundron me kujdes në çdo vatër malësore, shtëpi, kullë, dasmë a morte, për të sjellë detaje tejet jetësore mbi organizimin e jetës shoqërore, kulturës popullore dhe materiale autentike pa kurrfarë stisje a ngjyresa ekzotike, duke e qëmtuar faktin direkt në burim, për ta mbledhur me kujdes në ditarin e tij që më vonë do të botohej si trajtë monografike e një udhëpërshkrimi nga këto vise.

Pas pak kohësh, Stavri Frashëri, në kolanën e botimeve të tij, është ndër të paktët shqiptarë, që i shton një libër monografik bibliotekës së varfër të librit shqip për “Vendin e Shqipeve”.

Në këtë shoqërim që Frashëri u bën antropologëve amerikanë, burrë e grua, nëpër trevat e Veriut në vitet ’30, të cilëve u intereson thjeshtë antropologjia e njerëzve të këtejshëm, Stavri Frashëri shtyhet më tej në shënimet e tij, në relievin e përgjithshëm historik, dokësor, social e kulturor të Mirditës, ishte një qëllim shumë fisnik i tij, të njiheshin krahinat e vendit me njëra tjetrën, pasi ta zëmë Veriu me Jugun në mes veti dukeshin si dy botë të largëta, falë dhe prapamabejtjes dhe varfërisë së tejskajshme që përjetonin njerëzit e maleve.

Mitrush Kuteli në një “shoqërim” që i bën librit të tij në botimin e para 75 viteve, duke falenderuar autorin, por dhe shoqërinë e Grave të Korçës që ndihmuan daljen në dritë të një libri të tillë thellësisht shoqëror, duke shpresuar se ky do të jetë një manifestim jo i izoluar e sporadik, konkludon se përtej maleve zgjaten të tjera male dhe midis tyre janë vëllezër, të cilët fatkeqësisht as i njohim e as i dimë. Koha me karvanin e brengave të ndryshme, mjegulla e hedhur prej shumë armiqsh dhe mungesa e mjeteve të udhëtimit na kanë shtrydhur formën e egër të një individualizmi egoist kundrejt vëllezërve. Njohim vise të huaja si asnjë tjetër popull, por për malet tona nuk kemi përveçse dijeninë e një ushëtime legjende.

Kush është Stavri Frashëri?

Lindi në qytetin e Korçës më 1900, me prejardhje nga Frashëri i Përmetit. Kryen shkollën fillore në Selanik, të mesmën në Janinë në gjimnazin “Zosimea”, ku dikur kishin mësuar dhe vëllezërit Frashëri e figura të tjera të shquara të Rilindjes Kombëtare.

Në 1920 familja kthehet në atdhe dhe ai punon si shkrues në bashki, deri më 1923 kur merr një bursë studimi nga Fondacioni amerikan “Near East” për në “Robert Kolege” të Stambollit, studime që i kryen në 1927 duke u diplomuar si inxhinier mekanik. Degët e letërsisë dhe shkencave humanitare i kishte shumë për zemër. Punon në Korçë disa vite dhe dërgohet nga Ndërmarrja Elektrike e asaj kohe për specializim në Angli pranë firmës “Ruston”, më pastaj kthehet dhe vendoset në Durrës, aty emërohet mësues i lëndëve profesionale në shkollën amerikano-shqiptare bujqësore të Golemit ku punon nga vitet 1930-1940. Gjatë luftës u muar me mësuesi, ndërsa pas luftës do të provojë burgjet komuniste, pas daljes nga burgu, punoi si inxhinier mekanik deri sa mbylli sytë më 25 tetor 1965.

Stavri Frashëri, sipas studiuesit të njohur të mitologjisë prof. dr Mark Tirta, është një nga intelektualët më të mirënjohur të kohës së tij, shkroi për çështje të natyrës sociale, për histori e tradita popullore, la shkrime në fushë të poezisë e të prozës artistike.

Pos librave udhëpërshkruese e studimore, me vlerë është vepra e tij “Folklor shqiptar”, librin me poezi “Lule dhe gjemba”, disa metoda për mësimin e anglishtes, librin “Këtej kaluan hordhitë gjermane”, shkruar gjatë luftës, librin e shkruajtur në Angli “Anglia në syrin e një të huaji”, ndërkohë që ka shumë dorëshkrime të fushës kulturore, shkencore, poetike e pedagogjike, që presin dritën e botimit nga bijtë e tij në Korçë.

Libri “Përmes Mirditës në dimër”, është risjellur për lexuesin e sotëm nga shtëpia botuese “Mirdita”, nën drejtimin e studiuesit të njohur mirditor Ndue Dedaj, ndërsa botimi i tij i parë ka qenë në vitet 1930, nën kujdesin e bashkisë Korçë dhe Shoqërisë së Grave të këtij qyteti.


25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page