Fatmir Terziu: “Nantë herë grue”- Imazheri stilistike që ndërton dhe zhbirron botë të tëra semantike
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 32 minutes ago
- 5 min read

“Nantë herë grue”- Imazheri stilistike që ndërton dhe zhbirron botë të tëra semantike
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Libri me poezi i poetes Marsela Neni Haxhimusai është botuar nën logon e shtëpisë botuese “Klubi i Poezisë” dhe në përkujdesin mbresëlënës të poetit Rexhep Shahu. “Nantë herë grue” është një produkt i së tejkohshmes diskursive, një kohë induksioni, sakrifice dhe ndjesie sistematike globale. Libri është i konceptuar me art poetik, duke përfshirë krijime nga hapësira dhe situata të ndryshme të autores. “Heshtje që flasin”është i përqendruar në psikologji, por jo si një ndjenjë ndjesie psikologjike, apo një kujtim qetësie të ndjeshme, por si një paralajmërim i pashmangshmërisë së heshtjes që flet, edhe kur “Bota s'ndalet, se s'flasim ne”(faqe 156). Bota e tillë pulson përmes diskursit të vëzhgimit të zbrazëtisë, me të cilën Heidegger na vjen në ndihmë, dhe ne duke marë shembull vargun e poetes:
“Sypërvëluar në gotën pambarim
Ulur përballë, me heshtjen ngrejmë dolli
Në xham hijet tona bëjnë dashuri”.
Pesha, çmenduria e ekzistencës, e pamëshirshme në ashpërsinë e saj, përballet me të pafajshmin si një kolos tmerri dhe fillon të shkërmoqet ngadalë, të gëlon dhe të transformohet në ankthe. Ëndrrat e padurueshme ilustrojnë traumën, pritjen e errët të një të ardhmeje që nuk do të vijë. Pavarësisht kësaj, dhe pikërisht për shkak të kësaj të nesërme të ëndërruar, por të (pa)realizuar, “Dhimbja vishet nuse”:
“Të gjithë po ikin, s'dihet ku, gjithkund,
Qiejqëndisur nga velloja e bardhë
E aeroplanëve”. (po aty, faqe 157)
Poezia që titullohet “Nji poeti që due” ka më shumë se një mesazh brilant në të. Është foilozofi e tëra, është art dhe aestetikë, është një fakt jetik, është në vetevete, dhe me vetveten udhëton si relikë e çmuar. Ajo është dhe mbetet brenda relikës, duke i dhën formë estetikës, duke i transmormuar vetë forcën e lirikës, dhe kështu natyrshëm “Pranë nji poeti që due/jam nji Rebëkë”, apo dhe më tej “Pranë nji poeti që due/jam nji Sarë”e kështu me radhë “jam nji Abigail”, “jam nji Lidia”, “jam nji Elizabet”, “jam nji Dorkas”, “jam nji Ester”, “jam nji Magdalenë”, ndërsa përfundimi është mjaft efikas dhe shumë konkludiv:
“Pranë nji lexuesi që due
Lutem me qenë Maria”(ibid)

Diku autorja e këtij vëllimi poetik shprehet “Botimin e këtij libri ia kushtoj prindërve të mi dhe veçanërisht të gjitha grave të forta, të mira, të ditura, të mrekullueshme që më kanë shoqëruar në udhën time”. Me këtë rast nënkuptojmë se vetë gjuha e shkruar ndryshe, vetë konteksti i poezive të prura me këtë gjuhë, kanë në thelb kontekstin e thelbit të të njohurës/të dashurës, detyrimi për t’u ngritur shpejt mbi këtë themel të lashtë e të sigurtë dhe të një konteksti muresh që vijnë nga dhe brenda një realiteti brutal të luftës për ekzistencë që fryjnë në çdo varg, si goditjet e një mitralozi automatik. Me këtë kontekst e mirënjohura Lili Kristuli shkruan si më poshtë: ““Nantë herë grue” të Marsela Nenit, e bëra telef: palosa vesh faqet në krye të kushedi sa fletëve, për ti rilexuar poezitë që veçanërisht më pëlqyen. Si përfundim i rilexova, e i rilexova të gjitha, pa përjashtim; një poezi e mirë përtypet ngadalë, me shije... Poezia “Në mundsh të më krijoje dhe një herë” është ODE për gruan! (po postoj një pjesë shkëputur)
II
Kur gruan krijove, o zot,
ç’ mister, ç’ mmrekulli,
si vallë s’ mendove
për një palë sy,
mashkullit t’ia jepje,...
Të më shihte si TY?!
III
Në mundsh, o zot, të më krijoje
për së dyti dhe një herë
do mundje vallë të më ribëje
Të bukur, por kaq të mjerë?!
Adriatik Mema shprehet: "Nantë herë grue", si nantë shpirtrat e një krijese të përvujtun që lind, mbart e shenjon vetveten; më shumë se nantë herë grue, kësaj krijese "lehonë" që josh, trallis e kuturis cilindo që magjepset pas saj. (Gazeta Letrare).
Sikurse mbështetet fuqishëm kjo risi poetike e poetes, ashtu dhe vetë thelbi i poezive të saj kanë një formacion të gjerë vlerash. “Vdekjet që pritet të jetojmë” është më shumë se kaq.
“Duhet forcë dhe guxim
për të themeluar
një parim të ri rezistence
që të durojmë vdekjet që kemi jetuar
e që pritet të jetojmë…”
Libri është i ndërtuar dhe ridimensionuar me një strukturë të veçantë nëndarjesh që janë vendosur në 4 cikle. Në poezinë e saj “Gruaja me sytë e prushtë” jeta as nuk paqtohet dhe as nuk pajtohet, po aq dhimbja dhe ngushëllimi pulsojnë në të, mbjell ekzistencë dhe shpresë:
“E shoh shpesh një grua
mes lulesh në ballkon,
si një fotografe e talentuar
buzëmbrëmjen inkuadron” (faqe 107).
Duke hyrë thellë në diskursin e kësaj poezie poetja na jep më shumë detaje të cilat e bëjnë atë më të fuqishme nga tërësia e mesazhit, vlerës poetike, mënyrës se si vargu emeton vetë diskursin: “Ç'histori ka?! A Ka dikë që e dashuron?!” Jo më kot poeti Rexhep Shahu, si redaktor i librit shpreht: “Në një fushë të paanë sa ëndrra, me rërë në gri të bardhë, Marsela Neni mbledh me durim, me dashuri e përkushtim thërmia ari. Me to ndërton një byrzylyk për dorën e dashurisë, ndërton një varëse për qafën e dashurisë, ndërton një lumë të kthjelltë sa loti të lundrojë ëndrra e dashuria, ndërton një statujë të mrekullueshme gruaje të dashuruar dhe na magjeps tek e shohim dhe lundrojmë me të.”
Nuanca të tjera shtesë shtohen nga poezitë me motive të ndryshme, sikurse janë “Burrat që kërkojnë dashurinë”, “Gruaja vdes në këmbë” apo dhe vetë “Balsami i Galaadit” ku personazhi lirik i të cilave kërkon mbështetje dhe dëshiron siguri në traditë, në të kaluarën, në rrënjët e thelbit dhe ekzistencës. Por prejardhja nuk fshihet, familja nuk shterohet. Vazhdimi që vijon është edhe më i thellë.
Në ciklin e tretë të librit me poezi, çdo poezi mban thelbin e një diskursi, dhe çdo diskurs është një poezi. Diksurset e tilla janë edhe fate njerëzore, edhe ndjesi fatesh të thyera në zhurmën e ekzistencës. Forma e zhanrit të poezisë kodifikon mesazhin e vërtetë, dëshmitë e dikurseve që luajnë rolin e protagonistëve okularë në varg.
Disonancat e tilla në korin e zërave shndërrohen në britma të heshtura e të zgjuara, pastaj në pëshpëritje, pastaj bashkohen në heshtjen e realitetit, duke akuzuar dhe duke falur në të njëjtën kohë. Në këtë tërësi diskursive të ndjeshme lexuesi papritmas transportohet në universe paralele të padukshme për shqisat, të banuara nga njerëz të padukshëm që bërtasin derisa mbyten, por askush nuk mund t'i dëgjojë. Askush nga bota reale, e cila vazhdon të ekzistojë përtej barrikadave. Jeta vazhdon pa ta. Jeta e tyre tjetër, joreale është si një fije që vetëm gjumi mund ta fusë në ditë, ditë pas dite, pa fillim dhe pa fund.
Një histori e një hapësire tjetër mendore mbetet ajo e gjuhës në përsosmërinë e vetëmjaftueshme të krijimit. Edhe kur kalimi është lakonik fjala “dashuri” mbetet, pavarësisht gjithçkaje. Por edhe kur e ardhmja qëllohet para se të lindë, edhe kur e kaluara dhe e tashmja takohen dhe ndahen, ato kërcejnë mbi njëra-tjetrën, kapërcejnë njëra-tjetrën, kryqëzohen, duke galopuar, duke i rënë dhëmbëve njëra-tjetrës si demonë djallëzorë, duke gromëritur, duke lehur, duke u ulëritur, duke kërcyer, duke lëshuar pështymë…, me të cilën autorja krijon atë që i mungon një vargu të bukur, një bargu që flet e determonon thellë në të gjithë gjuhët poetike.
Poezi të tilla të thella, kuptimplote, elitare, që nuk kursejnë asgjë, as viktima, as lotët e nënave, as zemërimin e të pafajshmëve. Gjuhë e përzgjedhur, nganjëherë tipologjike, por mbi rrënjë të gjalla. Imazheri stilistike që ndërton dhe zhbirron botë të tëra semantike njëkohësisht përmes termave të përzgjedhur saktësisht dhe një shprehjeje shumështresore që nuk humbet asgjë edhe në përkthim. Përkundrazi, ruan dhe zgjeron pasurinë dhe virtuozitetin plastik të një talenti të shkëlqyer poetik.









Comments