Më ftonte një mik i afërt në “scype”. Nga Amerika. Që mallkuar qofshin këto shpikjet e reja të komunikimit! Vegla të shejtanit! Do s’do, do t’u përgjigjesh. Edhe kur s’ke qejf ose ke ndonjë punë tjetër nëpër duar. Se ata andej këmbëngulin. Cërrr-cërrr! Të sumbon në zemër, të çan timbanin e veshëve ajo piskamë rrënqethëse. Detyrohesh ta hapësh “telefonin me figurë” dhe bëhesh pre i orekseve të tjetrit. Nuk mund t’i fshehësh asgjë. Të dëgjon, të shikon. Spiun i ligjshëm! Unë atëkohë po rrija dhe po mikprisja prindërit e gruas, vjehrrin me vjehrrën, që sapo na kishin bujtur atë ditë nga fshati. E pashë kush më ftonte dhe thashë të mos ia varja hëpërhë. Por ai matanë ngulte këmbë. Cërrr dhe cërrr! Dikur ia hapa. Ishte në qejf, këndonte: “Ç’kam këtu? Tra-la-la! Me rruaza të mëdha…” “Qenka çmendur! - u gëzova përbrënda unë. - Më së fundi!” Por ai i kishte katërqind, më tundëte një shishe bosh para ekranit. - Ç’kam këtu! Tra-la-la! - vazhdonte të këndonte. - Shishe ke! Fute në bythë! - nuk m’u durua mua. - Nuk është për të larë sumën, mor gomar, ilaç është, për gurmazin... - Mirë, na lë rehat tani! Flasim pastaj. Kam njerëz... - Ku shkon! Nuk ke qejf të mësosh për ilaçet? Je me një këmbë në varr, mor rrotë! Dëgjo doktorin këtu! - Ik, ore, të thashë. Kam njerëz. Më bëre rrezil! - Po pse, kur ke qenë në rregull! Eeej, ç’më gjente gjithmonë me këtë hajvan! Shfaqej përherë kur s’e doje. Por e kisha shok të ngushtë, dreqin. Qysh në Atdhe. Edhe pse na ndanin kontinente dhe oqeane, e mbanim miqësinë. Ndjenim një dhëmbshuri të veçantë për njeri-tjetrin. Ndonëse publikisht në internet shfaqeshim si “armiq të betuar”. Nuk linim rast pa thumbuar shoshokun. Në fillim miqtë e përbashkët, por edhe ata që nuk na njihnin nga afër, ishin shqetësuar. Miq të hershëm ne, kolegë në letra, përse të haheshim kështu, si qentë?! Nuk kishte lezet! Pastaj e morën vesh se kjo ishte lojë e të dyve. Një marrëveshje e fshehtë për t’u tallur dhe për të ngatërruar të tjerët. E kundërta ndodhte. Ishim kaq të lirë dhe kaq të sigurtë për miqësinë tonë, sa mund të bënim me të ç’të donim. Mund edhe ta provokonim kaq hapur, në sytë e të gjithëve. Më vonë ngacmimet tona u bënë të dëshirueshme nga të tjerët. Mezi prisnin të dilnim dhe të “shqyenim rrobat” në internet. Ishte një publicistikë e veçantë. Vetëm ne të dy mund ta bënim. Veçse, kjo risi që kishim zbuluar dhe praktikonim për qejfin tonë dhe të të tjerëve kishte edhe të keqen e saj pas. Për mua. Ai nuk kishte kufinj. Më binte në qafë edhe privatisht. Donte të bënte gallatë gjithmonë. E quante lojë, kishe apo s’kishe qejf dhe kohë ti për të luajtur. Si tani... - Kush është? - u interesuan miqtë, ngaqë po vonohesha përpara kompjuterit dhe na kishte mbetur biseda familjare në mes. Ua thashë, se e njihnin budallain. I kishte mikpritur edhe në Amerikë, kur kishin vajtur tek djali i tyre, kunati im. Pastaj, dinin edhe miqësinë tonë të hershme. Ishte i afërt edhe për ata, si njeri i shtëpisë. - Prit t’i flasim dhe ne... - Lëreni, pastaj, kemi punë të tjera tani! - desha t’i largoja. Ia kisha frikën gojës së tij të qelbur. Kur e hap, nuk di ç’thotë. Aq më shumë që atë çast më ngjante i dehur. Provë për këtë, shishja e zbrazur, të cilës i këndonte. - Kë ke aty? - u interesua edhe ai, kurse mua më pickuan gjarpërinjtë, se kur interesohej për diçka, nuk të ndahej. - Ik tani! Më lë rehat... Do të të marrim më vonë... - Bjere, ore, këtu! Kush është që ma fsheh? - u entusiazmua më keq. - Ore, mos mungon motra ime dhe ke futur në strofkullën tënde arushën? Dashnoren ke atje? Pa bjere, pa nxirre këtu! Ndërkohë ishin ngritur vetë mysafirët dhe ishin afruar tek ekrani i PC-së, ta shikonin dhe ta përshëndesnin. Dëgjuan edhe fjalët e tij të fundit. I pa edhe ai. Ngriu. I doli rakia. Mysafirët ishin zbythur në minder. Shikonin njeri-tjetrin. Kishin dëgjuar diçka që i kishte hutuar. Thua të fshihej ndonjë e vërtetë në ato fjalë, që kishin bujtur prej përtej oqeanit si korbë të zinj? Miq të ngushtë ishim, komunikonim... ia dinim të gjitha njeri-tjetrit. - Mor gomar, pse nuk më the... - bëlbëzoi ai. Nuk kisha arritur. Më kishte tradhtuar “spiuni i ligjshëm” - “Scyp”-i, dora e djathtë e djallit. - Është i dehur, - sqarova miqtë, - prandaj nuk ua dhashë. Kur dehet, nuk di ç’thotë. Shpik budallallëqe. Kështu ka qenë gjithmonë... tani do të ndryshojë?
top of page
bottom of page
Ttregimi "SPIUNI I LIGJSHEM" i shkrimtarit te talentuar z. Grigor Jovani, eshte i vecante ne
llojin e tij. Tregimi eshte i shkruar ndryshe. Nuk ka subjekt "klasik". Ka humor, satire, sarkazme,
grimca dhe vertetesira jetesore te besueshme. Tregim bashkekohor moderrn, ne konceptim.
Pa pretendimin per nje analize, do te thosha eshte nje tregim "reportazh" ne kuptimin me te mire te fjales.
Teper origjinal, dhe pse ne reminishence te larget te kujton tregimet Heminguejane per nga forma.
Faleminderit per kenaqesite estetike. Me urime te tjera...Myslim Maska. Athine. 1-Nentor-2022.