Skënder Zogaj: PËRVOJA HISTORIKE TE POEZIA E MËRGIMIT

Valës së shpërnguljeve të shqiptarëve nga Kosova drejt vendeve të Evropës Perëndimore, veçanërisht pas vitit 1999, i përket edhe Liman (Zekë) Zogaj, i njohur edhe me pseudonimin Guri Zogaj, nga Lladroci i Malishevës. Formimi i tij krijues shfaqet që në rininë e hershme, me prirje për aktrimin, dramaturgjinë dhe poezinë. Angazhimi në grupin dramatik të fshatit, si aktor dhe regjisor, e afirmon emrin dhe krijimtarinë e tij edhe në nivelet më të larta të jetës kulturore të Kosovës. Për vlerësimet pozitive ndaj veprimtarisë së tij krijuese dëshmojnë edhe shkrimet në shtypin e kohës, përfshirë gazetën “Rilindja”.
Kjo fazë e hershme është veçanërisht produktive në jetën e tij krijuese, por rrethanat politike dhe shoqërore të Kosovës në vitet e fundit të shekullit XX bëhen pengesë e drejtpërdrejtë edhe për jetën dhe veprimtarinë e tij. Për shkak të rrethanave të pasigurta dhe të presioneve, ai detyrohet të largohet nga Kosova dhe merr udhën e mërgimit. I vendosur në Gjermani, krahas përpjekjeve për të siguruar jetesën dhe mirëqenien e familjes, Liman Zogaj nuk shkëputet nga arti. Prirjet e tij artistike shfaqen edhe në mjedisin e ri, ndërsa poezia bëhet një hapësirë gjithnjë e më e rëndësishme e artikulimit të përvojës personale dhe kolektive.
Deri më sot, Liman Zogaj ka botime të shumta, por zgjodhëm pesë vëllime poetike: “Kosovë, nuk ta mora diellin” (Tiranë, 2006), “Shtigjet e dritës” (Prishtinë, 2009), “Loja mbi gurë” (Prishtinë, 2010), “Ikje nga buzëqeshja” (Prishtinë, 2011) dhe “Dielli përtej murit” (Bukuresht, 2014). Në këto vepra, bota poetike është ndërtuar kryesisht mbi tri boshte të ndërlidhura: përvojën e mërgimit, kujtesën e vendlindjes dhe lidhjen emocionale me atdheun. Mërgimi, në vargjet e Liman Zogajt, bart përvojën ekzistenciale, kujtesën e vazhdueshme dhe gjendjen shpirtërore që e mban autorin të lidhur me vendin prej të cilit është larguar. Autori e ka shprehur dilemën se jeta mërgimtare është kufizuese dhe ndrydhëse dhe se, po të mos ishte larguar nga Kosova, rruga e tij krijuese do të kishte pasur një zhvillim më të mirë.
Mirëpo, ky është një vlerësim subjektiv i autorit, sepse, nga këndvështrimi kritik, jeta reale i demanton këto aludime. Arti i Liman Zogajt është një krijimtari me vlerë letrare që kapërcen kufijtë autobiografikë dhe merr përmasat e kujtesës kolektive të një brezi të shpërngulur, i cili, në rrethana të vështira, e realizon me dinjitet përpjekjen për mbijetesë. Këtë e shpreh autori në pesë librat e tij, të cilët përbëjnë një rrjet të ndërlidhur semantik, ku përsëriten dhe transformohen disa nga shenjat themelore të poetikës së tij: Kosova, dielli, drita, guri, ikja dhe muri. Në këtë sistem simbolik, largimi fizik nga atdheu shoqërohet me një përpjekje të vazhdueshme për ta ruajtur lidhjen shpirtërore me vendlindjen.
POETIKA E MALLËNGJIMIT MËRGIMTAR
Vëllimi poetik “Kosovë, nuk ta mora diellin” (2006), që e merr titullin nga poezia me të njëjtin emër, zë një vend qendror në poetikën e Liman Zogajt dhe mund të lexohet si tekst programatik i këtij libri, i cili paraqet një dialog intim ndërmjet subjektit lirik dhe atdheut të lënë pas. Në strukturën poetike ndërthuren disa nga motivet themelore që do të shfaqen dhe zhvillohen edhe në krijimtarinë e mëvonshme të autorit: mërgimi, atdheu, kujtesa, humbja, identiteti, toka dhe shpresa.
“Dielli” ka një funksion përtej kuptimit të tij natyror dhe shndërrohet në metaforë të dritës, shpresës, lirisë, kujtesës dhe identitetit. Subjekti lirik niset nëpër terr:
U nisa nëpër terr
Kosovë e, nuk ta mora hënën
edhe pse drita më duhej
as yjet s’ti mora Kosovë
eca e eca
arave të korrura e maleve të paprerë
dhe prapë më zuri nata
edhe pse dritë nuk kisha
Diellin nuk ta mora Kosovë.
(f. 55)
Përsëritja e togfjalëshit “nuk ta mora” është mjeti kryesor i ritmikës semantike të poezisë, që shpreh besnikërinë e subjektit lirik ndaj atdheut; në planin më të thellë, ajo e shndërron aktin e largimit në një akt të ruajtjes. Mërgimtari mund të largohet fizikisht nga vendi, por nuk e merr me vete diellin, sepse ai i duhet Kosovës. Kështu, paradoksi poetik është i fuqishëm: mërgimtari e humb hapësirën fizike të atdheut, por e ruan atë në hapësirën shpirtërore. Në këtë logjikë realizohet edhe motivi i tokës. Subjekti e merr me vete vetëm “një grusht dheu të përvëluar”, si relikt simbolik të atdheut: “...Kosova ime/ ta mora vetëm një grusht dhe të përvëluar/ e natën s’ta lashë jetime/ pa hënë e pa yje/ as qiellin s’ta lashë pa dritë/ as diellin nuk ta mora...” (fq.55)
“Dheu” këtu shndërrohet në shenjë të përkatësisë, kujtesës dhe identitetit. Ai është fragmenti fizik i atdheut që mund të bartet nga mërgimtari, ndërsa hëna, yjet, qielli dhe dielli mbeten në hapësirën e Kosovës. Kjo ndarje mes asaj që merret dhe asaj që lihet krijon një sistem të qartë simbolik: toka përfaqëson lidhjen konkrete me vendin, ndërsa drita përfaqëson vazhdimësinë shpirtërore të kësaj lidhjeje. Gjurma historike e shkëputjes është e rëndë si “guri” dhe “muri”, ndërsa simbolika e gurit lidhet me tokën e mbetur larg, por edhe me praninë e saj të pashkëputshme në zemrën e mërgimtarit:
E lamë dheun, varret, diellin…
Ecëm shtegut, udhë pa udhë,
Nëpër terr e netë të zeza
Kapërcyem lumë e male, e breg, e gur.
(“Pragu”, f. 6)
Në të njëjtën linjë kuptimore, motivi i gurit fiton një dimension më të gjerë, atë të ruajtjes së gjurmëve të historisë:
Amanet gurë të përgjakur,
mos m’i humb shenjat me gjak,
gjallë a i vdekur, t’mos humb shtegun,
nuk vonohem, kthehem prapë.
(“Gurët”, f. 10)
Pengu poetik qëndron në bindjen e kthimit, i cili pritet të ndodhë. Në këtë kuptim, pesë vëllimet mund të lexohen si një cikël i gjerë poetik mbi përvojën e mërgimit: nisja nga Kosova, kalimi nëpër shtigjet e errëta të kujtesës, përballja me errësirën dhe mosheqja dorë nga kërkimi i dritës, të cilën autori e vendos në qendër të universit të tij poetik.
Poezia fiton kështu funksionin e një çelësi simbolik të vëllimit, sepse përmes saj përcaktohet edhe mënyra se si do të zhvillohet përvoja e mërgimit në tekstet pasuese. Në ciklin e parë, “Atdheu me pranga”, Kosova shfaqet përmes historisë së dhunës, humbjes dhe robërisë, por njëkohësisht edhe përmes kujtesës dhe shpresës. Ndërsa në ciklin “Pëllumbat e përgjakur në udhë”, përvoja merr formën e një udhëtimi konkret dhe simbolik: nga pragu i shtëpisë drejt rrugëve të panjohura, përmes lumenjve, maleve, brigjeve dhe gurëve. Udhëtimi, megjithatë, përmbyllet me rikthimin në vendlindje – në fshatin Lladroc që e trajtëson përvojën individuale të poetit drejt kujtesës historike dhe kolektive. Emrat e dëshmorëve: Xhevës dhe Fehmi Lladrovcit, Habibit, Afrimit, Avniut, Aliut dhe të tjerë, e zhvendosin fokusin nga historia personale e mërgimit te historia e përbashkët e vendit. Në këtë kontekst, lapidari bëhet vazhdimësi e historisë, ku, me shkronja të arta, rrezatojnë emrat e dëshmorëve të lirisë.
Në këtë kuptim, “Kosovë, nuk ta mora diellin” është metafora e pamundësisë së shkëputjes shpirtërore nga vendlindja. Terri i rrugës së mërgimit, që e ka lënë diellin në Kosovë, bëhet vetëdije e subjektit lirik: dielli poetik nuk është vetëm figurë e dritës, por edhe simbol i lirisë së atdheut.
LIBRI “SHTIGJET E DRITËS”
Drama shpirtërore e kurbetçarëve trajtohet edhe në vëllimin e dytë, “Shtigjet e dritës” (2009), ku autori, përmes anamnezës së burgut, rikujton kalvarin e vuajtjeve personale dhe kolektive nëpër burgjet politike të ish-Jugosllavisë:
Kur më burgosën
As nuk gjëmova
As nuk vajtova
…kurrë s’u përkula
Prapa grilave
Qëndrova drejt
Qëndrova vertikalisht.
(“Prapa grilave”, f. 9)
Kjo sakrificë lidhet me vlerën e lirisë, e cila është më e shtrenjta e jetës:
Kur je rob
Kurrë mos kërko
As bukë, as ujë
Sepse të mungon liria.
(“Robëria”, f. 10)
Për mbijetesë dhe ruajtjen e shpresës se një ditë do të vijë liria, subjekti ka marrë udhën e dhimbshme të kërkimit të saj në mërgim, duke mos u shkëputur kurrë nga fati i vendit të origjinës. Lajmet janë lidhja e tij me atdheun. Por nga vendi i robëruar, në të shumtën e rasteve, vijnë lajme të hidhura, si vdekja e motrës Rukie, që ia bën zemrën krua lotësh. Me kalimin e kohës, megjithatë, zemra kalitet dhe bëhet gur:
Më thanë
Ka vdekur Mimoza
Unë nuk qava…
(“Dhimbja”, f. 24)
Autori, me mallëngjim, kujton familjarët, shokët dhe miqtë që jetojnë në atdheun e robëruar, duke kultivuar shpresën dhe duke ecur drejt lirisë. Në poezinë “Shtigjet e dritës”, që i ka dhënë titullin edhe vëllimit të dytë, poeti, me mburrje e krenari, kujton vëllain e tij, profesor Shemsedin Zogajn: “...Gjithmonë fyt për fyt/ Me shtrigat e territ/ Nëntë rrathët e Ferrit të Dantes/ I ke kaluar zbathur...” (fq.35)
Por përmallimi merr ngjyrime gëzimi në poezitë kushtuar nipave – Diellit, Endritit dhe Orgesit, të cilët poeti i quan “Pranverë e re”. Në këtë varg përkushtimesh zë vend edhe shkrimtari Din Mehmeti, njëri prej zërave më të dallueshëm të poezisë shqipe në Kosovë, të cilit poeti ia drejton këto vargje:
Ka kohë që s’të pashë poet
As në Grykë të Rugovës
As te Drini i Bardhë
Shkrimtarët mërgimtarë të presin
Ta lexosh deri në agim
Librin “Fatin tim nuk e nënshkruaj”.
(“Nuk e nënshkruaj”, f. 27)
Dy ciklet e fundit të librit “Shtigjet e dritës” sjellin një frymë më çliruese, me vargje dashurie dhe me rrezatimin e lirisë që afrohet në atdhe. Shpërthimi i ndjenjave të dashurisë shprehen me një fjalor historik, si në poezinë “Unë e ti”:
Në teatër
Shfaqej tragjedia e Trojës
Unë dhe Helena
Veshur me vello prej tymi.
…
Nuk e di pse
Në aktin e parë
Vritem unë –
Në aktin e fundit
Ringjallet Helena.
(f. 72)
Pikërisht këtu merr kuptim figura e ringjalljes së Helenës – si metaforë e Kosovës së ringjallur pas luftës çlirimtare. Me këtë ndryshim historik, zemrat hapen dhe përhapet aroma e ngrohtë e lirisë së shumëpritur; shqiptarët, nga të gjitha anët, ngarendin drejt atdheut të tyre. Udhën drejt atdheut e merr edhe mërgimtari, i cili me padurim pret çastin e arritjes:
Si gjarpër i plagosur
Zvarritet treni i ndryshkur
…Nga malet e Çiçavicës
Zbresin të gjithë
Me kobure në brez.
Më prisni edhe mua
Ushtonte mali e fusha.
(“Më prisni”, f. 88)
Gjithçka ndryshon në çast dhe krijohet harta e re e jetës: bariu i tubon delet, fillojnë dasmat, ndërsa biografia e dhimbjes nis të shërohet. Gjithçka frymon lirshëm. Megjithatë, në zemër mbetet pengu i fjalëve amanet të nënës, e cila e kishte porositur: “Eja me kohën, biri im”. Por poeti, me zemër të thyer, e pranon: “E di se jam vonuar”, dhe kështu rikthehet te vendi i ikjes.
LIBRI “LOJA MBI GURË”
“Loja mbi gurë” (2010) është vazhdimësia e veprimtarisë krijuese të poetit mërgimtar Liman Zogaj. Ndonëse shumëçka ka ndryshuar në botën frymëzuese të autorit, ai vazhdon të jetë i preokupuar me anamnezën e së kaluarës, për ta vënë atë në shërbim të realitetit të ri. Sipas poetit, e tashmja nuk duhet të shkëputet nga e kaluara, por të jetë në shërbim të traditës, e cila domosdoshmërisht duhet të pasurohet me përmbajtje të reja të kohës dhe të vihet në shërbim të së ardhmes.
Kjo ide përbën edhe një nga objektivat tematike të “Loja mbi gurë”, ku guri bëhet simbol i qëndresës, ndërsa “loja” mbi të shndërrohet në një kërkim të peshës dhe kuptimit të tij në vendin ku ndodhet, aty ku realizon funksionin e vet në shërbim të jetës. Guri lidhet me tokën, lashtësinë, qëndresën dhe kujtesën, ndërsa “loja” krijon një kundërvënie me fortësinë dhe peshën e tij. Në këtë përplasje krijohet ideja e një ekzistence të vendosur mbi një truall të vështirë, ku individi përballet me kohën, fatin dhe rrethanat historike.
Guri, në këtë kontekst, nuk është vetëm pjesë e peizazhit; ai bëhet bartës i gjurmës dhe i kujtesës. Gjeografia poetike është e gjerë dhe e larmishme: nga djepi i gdhendur me brisk nga dora e gjyshit, deri te ofshamat në burgjet e tmerrit, në Goli Otok dhe në Burrel. Nëpër dallgët e jetës, loja e saj shfaqet e ëmbël dhe e hidhur, si te “Tri gotat” e Latif Berishës, ndërsa Liman Zogaj mbetet këmbëngulës në përpjekjen për të qenë vetvetja. Këtë e shpreh në poezinë e fundit të librit, “Nuk jam unë”, me rrëfimin përmbyllës:
Unë jam vetëm unë
Me shpirt pa mur
Pa ty jam vetmia
Në vetmi jam gur.
(f. 84)
Kështu, “guri” qëndron në qendër të një simbolike të dyfishtë: ai është njëherësh shenjë e qëndresës dhe metaforë e vetmisë. Përballë tij, “shpirti pa mur” shpreh nevojën për të ruajtur lirinë e brendshme dhe identitetin, pavarësisht rrethanave të jashtme.
“IKJE NGA BUZËQESHJA” DHE “DIELLI PËRTEJ MURIT”
Përvoja e lëvrimit poetik, e zgjedhur dhe e sistemuar me përkujdesje të veçantë profesionale, bartet edhe te dy librat e tjerë, “Ikje nga buzëqeshja” (2011) dhe “Dielli përtej murit” (2014), i pari me poezi në gjuhën shqipe, ndërsa i dyti me poezi në gjuhën shqipe dhe rumune. Këto dy botime janë të një rëndësie të veçantë, sepse e zgjerojnë dimensionin komunikues të poetikës shqipe në një rreth më të gjerë lexuesish, duke u mundësuar atyre të njihen me artin bashkëkohor letrar të shqiptarëve të Kosovës. Është e rëndësishme kjo përpjekje për afirmimin e poezisë së krijuesve shqiptarë te popujt miq, sepse, përmes përkthimit dhe komunikimit kulturor, krijohet mundësia që përvoja historike dhe shpirtërore e shqiptarëve të Kosovës të bëhet pjesë e dialogut më të gjerë letrar.
Shkrimtari i mirënjohur shqiptar që jeton dhe krijon në Rumani, në parathënien e librit “Ikje nga buzëqeshja”, e vlerëson lart librin dhe për autorin shkruan: “L. Zogaj nuk është i njohur si Ali Podrimja apo Azem Shkreli, por fati i tij është më i madh se i tyre, sepse e ka kultivuar atdhedashurinë shqiptare në atdheun e Hegelit e të Schellingut, duke thithur materien legjendare të krishterimit… duke na prurë një buqetë vargjesh që e fisnikërojnë shpirtin e shqiptarit në diasporë.”
Në këtë libër, përvoja e kurbetit, krahas temës së largimit nga atdheu, i shton edhe vëzhgimet e mbetura në kujtesë si barrë shpirtërore nga një pjesë e jetës së dikurshme. E kaluara nuk shfaqet vetëm si kujtim, por si përvojë që vazhdon të jetojë në vetëdijen e subjektit lirik dhe të ndikojë në mënyrën se si ai e përjeton të tashmen.
Ndërkaq, libri “Dielli përtej murit” (2014), që përbëhet nga poezi të zgjedhura nga opusi poetik i Liman Zogajt dhe të përkthyera nga Baki Ymeri, e zvogëlon distancën simbolike të diellit të mbetur “përtej murit” dhe e sintetizon harkun e gjerë të laboratorit poetik të autorit, duke iu rikthyer motivit themelor: dritës.
Edhe pse bota shqiptare ka ndryshuar shumë, dielli është i njëjti dhe rrezaton njësoj, duke u përpjekur të lëshojë rrezet edhe nga “përtej murit”. Drita e këtij dielli i thërret njerëzit të heqin ndarjet, të eliminojnë muret dhe kufijtë që i ndajnë. Dielli ruan kështu funksionin e tij si simbol i vazhdimësisë së jetës. Në këtë mënyrë, poetika e Liman Zogajt nuk përfundon te humbja: ajo e vendos shpresën përtej pengesës.
Sprovë konkrete për heqjen e pengesave ndarëse paraqet edhe libri “Dielli përtej murit”, i cili, përmes përkthimit në gjuhën rumune, krijon një urë të re komunikimi ndërmjet letërsisë shqipe dhe asaj rumune. Libri është pritur nga lexuesit rumunë dhe ka kontribuar në përhapjen dhe afirmimin e poezisë bashkëkohore shqipe në hapësirën letrare rumune.
Si përfundim
Në tërësinë e pesë vëllimeve, poezia e Liman Zogajt dëshmon një proces të vazhdueshëm të transformimit të përvojës personale në përvojë poetike. Nisur nga trauma e largimit, kujtesa e atdheut, vuajtja, burgu dhe mërgimi, poezia kalon drejt shpresës, kthimit, lirisë dhe komunikimit kulturor. Në këtë rrugëtim, simbolet e diellit, dritës, tokës, gurit dhe murit krijojnë një sistem të qëndrueshëm poetik, përmes të cilit autori artikulon marrëdhënien ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, vendlindjes dhe mërgimit, humbjes dhe shpresës.
Prandaj, pesë librat nuk duhen parë vetëm si vëllime të veçuara, por si etapa të një përvoje të pandërprerë poetike. “Kosovë, nuk ta mora diellin” shënon dramën e shkëputjes; “Shtigjet e dritës” e shndërron vuajtjen në kërkim të lirisë; “Loja mbi gurë” e thellon marrëdhënien me kujtesën, tokën dhe qëndresën; “Ikje nga buzëqeshja” e artikulon përvojën e kurbetit dhe barrën e kujtesës, ndërsa “Dielli përtej murit” e çon këtë përvojë drejt komunikimit përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë.
Në këtë kuptim, përvoja historike në poezinë e mërgimit të Liman Zogajt nuk mbetet vetëm dëshmi e një jete të kaluar, por shndërrohet në një formë të kujtesës aktive. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga veçoritë e kësaj krijimtarie: mërgimi nuk paraqitet vetëm si humbje e vendit, por si një udhëtim i vazhdueshëm drejt dritës, kujtesës dhe identitetit.
Skënder Zogaj








Comments