top of page

SKËNDER MUÇO, SOCIAL DEMOKRATI I PARË

Updated: Jan 5, 2023




SKËNDER MUÇO, SOCIAL DEMOKRATI I PARË

Esse nga Luan Çipi

Skënder Muço (1904-1944) ishte avokat, veprimtar aktiv i Ballit Kombëtar, themelues i së parës parti Social-Demokrate dhe i gazetës "Zëri i Lirisë, tok me Musine Kokalarin, më 1943 ".

Skënder Muço, lindi në  fshatin Tragjas të Vlorës në vitin 1904. I ati, Dauti, ishte luftëtar i Pavarësisë dhe daja, i shumë përmenduri Alem Memet Tragjasi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920. Ata lanë gjurme të thella Atdhetarie tek Skënderi i vogël. Shkollën e ulët e kreu te Arbreshët e Italisë, në Shëmitër Korone të Kalabrisë, ndërsa fakultetin e Drejtësisë në Universitetin prestigjioz të Bolonjës.

Skënder Muço, siç  shkruan "Halim Xhelo Tërbaçi", qysh student në Itali, punon shumë për çështjen shqiptare. U kthye në Atdhe dhe ushtroi me sukses profesionin  avokat. U arrestua në vitin 1932, si pjesëtar i organizatës politike anti Zogiste, "Lëvizja e Vlorës",  bashkë me Hasan DostinHysni Lepenicën dhe miq të tjerë dhe ishte aq aktiv, sa u dënua me vdekje. Falet prej një amnistie të nënshkruar nga Mbreti Zog.

Më 7 prill 1939, me Isuf  Luzajn dhe atdhetarë të tjerë, mori pjesë në demonstratat antifashiste organizuar në Vlorë, kundër pushtues të Atdheut.

Në fund të nëntorit 1942, Hysni Lepenica dhe Skënder Muço, formuan çetën e parë nacionaliste të Vlorës me emrin "Shqiponja". Në krye të saj, ata morën pjesë në shumë luftëra kundër pushtuesve fashistë e nazistë, siç mund të përmendim betejën e parë masive antifashiste të Gjormit, ku u vra dhe koloneli italian Klementi, luftën e Dukatit, të Qafën e Dushkut, në Vajzë, në Selenicë, në Gorisht, nëDrashovicë, etj., ku tok me forcat nacional çlirimtare, kombinuan disa herë aksione të përbashkëta e të suksesshme.

Skënder Muço ishte misionar dhe iniciator i bashkimit të forcave politike ndërluftuese. Ai, ka marrë pjesë në disa takime gjurmëlënëse dhe efektive në rrethin e Vlorës me të tjera forca nacionaliste si dhe me përfaqësuesit e Nacionalçlirimtares. Skënderi, për shumë kohë, ishte kreu i Ballit Kombëtar për Vlorën dhe pjesëtar i këshillit organizativ kombëtar. Në këtë pozicion u thërrit në Konferencën e Pezës dhe mori pjesë aktive në Konferencën e Labinotit dhe në takime të tjera historike.

Skënder Muço saktësisht ishte një socialdemokrat i mirëfilltë me kahe perëndimor. Vlen të rikujtohet se, bashkë me Musine Kokalarin, themeluan Partinë Socialdemokrate Shqiptare dhe botuan në disa numra edhe gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i kësaj partie, si një alternativë e krahut të Ballit Kombëtar, që kishte një program socialdemokrat, siç konfirmohet dhe me “Dekalogun” e Mit’hat Frashërit.

Merita më e madhe e Skënder Muços qëndron te fakti se ai  ishte koordinator i Ballit Kombëtar me Aleatët e Mëdhenj Antifashistë, sidomos direkt me misionin anglez të Anton Ruejlit dhe me misionin e Togerit amerikan Tomas.

Në një letër informative të  përfaqësuesit politik komunist, Nako Spirut, drejtuar Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, më 9 prill 1944, shkruhet: “Skënder Muçon e kërkojnë gjermanët, pse në Dukat mban njerëzit e tij anglezë” (AQSH f.14 d.9 v.1944). Oficeri amerikan Tomas thotë se “Skënder Muço ka ndihmuar dy oficerë anglezë dhe për këtë arsye e kanë pushkatuar gjermanët”. (AQSH, f.14 d.16 v.1944)

Në Konferencën e Mukjes Skënder Muço ishte një zë i fuqishëm, që dha një ndihmesë të çmuar për arritjen e marrëveshjes dhe të krijimit të Komitetit për Shpëtimin Kombëtar. Skënder Muço frymëzoi e drejtoi disa beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste dhe nacional çlirimtare kundër pushtuesve italianë e gjermanë.

Më datën 9 shtator 1943, Çeta "Shqiponja" e drejtuar nga Hysni Lepenica, ku Skënder Muço ishte Komisar,  hyri në Gjirokastrën e çliruar nga okupatori.

Ja se çfarë njofton e deklaron me shkrim në këtë kohë, drejtuar partizanëve, personalisht Skënder Muço:

1. Gjirokastra është në duart tona. Kemi mbetur të rezervuar për të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me situatën që u krijua, sepse kemi pritur bashkëpunimin tuaj. Për sa i përket luftës, këtë e vazhdojmë dhe do ta vazhdojmë përderisa të lirohet krejtësisht vendi ynë. Aq e vërtetë është, sa edhe pardje kemi pasur një ndeshje me armë me fuqitë gjermane në të cilën kanë mbetur të vrarë tre gjermanë dhe një i plagosur. Nga ana jonë mbeti vetëm një i plagosur.

2. Kundër okupatorit italian ne jemi hedhur në luftë me kohë dhe është kot të bëjmë sot polemika të parëndësishme. Të gjitha forcat tona kanë marrë urdhër që t’u bien gjermanëve.

3. Qëndrimi armiqësor kundra okupatorit konstatohet veçse me vepra; në këtë çështje jemi kategorikë dhe e dimë se, duke vepruar kështu, mbrojmë interesat e Atdheut.

4. Duhet të dini se ne kemi shpirtin e drejtësisë shumë të lartë, nuk pranojmë të na bëhen akuza si organizatë; kush të ketë kryer krime, ka për të dhënë llogari. Përsa i përket tradhtarit Nexho Bejleri dhe të tjerëve si ky, kjo është çështje e brendshme e Partisë, megjithatë këta janë ndëshkuar si të tillë dhe do marrin çka meritojnë.

5. Askush nuk ju ka mohuar të drejtën që kini luftuar për atdheun e përbashkët dhe ftesa që iu bë nga ana jonë (më 11.9.1943) ka kuptimin e saj në këtë drejtim. Veçanërisht nga kjo ne kemi hyrë në marrëveshje me organizatën tuaj në Mukje dhe jo me ndonjë parti tjetër. Nëse organizatës suaj i është atribuuar ndonjë frymë tjetër politike, nuk është faji ynë. Megjithatë, posa na u njoftua që bëni luftë për të çliruar atdheun e përbashkët, muarmë kaq dhe u kënaqëm. Me organizatën tuaj kemi pasur bisedime gjithmonë dhe dëshirojmë që së këndejmi t’i bëjmë gjërat edhe më të mira.

6. Shqipëria është një nga shtetet që njihen si aleatë dhe aleanca jonë me kombet e mëdhenj – Amerikë, Angli, Bashkimi Sovjetik – është një fat për Shqipërinë. Ne njohëm me kënaqësi aleancën mes demokracive dhe dëshirojmë që veprimet tona politike të marrin nisjen e tyre në harmoni me politikën që do të vazhdojnë Aleatët tanë të mëdhenj.

7. Koha ngut, presim të marrin nisjen e tyre në harmoni me politikën që do të vazhdojnë Aleatët tanë të mëdhenj. Koha ngut, presim të marrim kontakt sa më parë me ju.

Rroftë Shqipëria!

Për organizatën e Ballit Kombëtar.

Avokat Skënder Muço

(AQSH, f.222 d.6. v.1943).

Avokat Skënder Muço, kapet dhe arrestohet nga gjermanët, më 7 gusht 1944, kur po shkonte për në qytetin e Vlorës. Ai u ekzekutua tri ditë më vonë pranë fshatin Bubullimë të Lushnjës. Atë ditë, 10 gusht 1944, një patrullë e përforcuar gjermane, i kishte shtuar kontrollet në dalje të urës së Izvorit, në aksin rrugor Vlorë-Orikum, pranë kthesës që të shpie në fshatin Tragjas. Kontrolloheshin rreptësishtë dhe një për një, të gjitha makinat dhe njerëzit që udhëtonin me to, nga Dukati për në drejtim të Vlorës. Gjermanët dikë kërkonin dhe për këtë duket kishin informatën e sigurt, se ai që ndiqnin do të kalonte atë ditë, pikërisht aty. Nuk kishte ndodhur më parë që gjermanët të ushtronin një kontroll kaq të rreptë në atë vend, që ndodhej në zonën e thellë dhe që nuk kishte përbërë ndonjë problem sigurie e qetësie për ata pak ushtarë gjermanë që ishin dislokuar aty. Vendosja e misioneve anglo-amerikane në gadishullin e Karaburunit ishte shqetësim serioz i gjermanëve në zonën e Tragjas-Dukatit. Ata e gjetën atë që kërkonin, informata kishte qenë e saktë: Ndaluan një kamionçinë të vogël, me disa njerëz të ulur lart në të dhe pasi u kontrolluan dokumentet, mësuan se njëri prej tyre ishte i shumë kërkuari, Skënder Muco dhe dy të tjerët, shokët që e shoqëronin kudo që shkonte, Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini. I zbritën nga makina dhe i hipën në një makinë të tyre ushtarake, për t’u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Tre njerëzit më vonë u gjetën të vrarë, të lidhur këmbë e duar, në anë të rrugës.

Përse gjermanët e vranë gjatë rrugës Skënder Muçon, ndërkohë që duhet ta dërgonin në Tiranë, për ta marrë në pyetje, për planet e anglezëve në Vlorë? Çfarë duhet të ketë ndodhur gjatë rrugës që gjermanët e kana ekzekutuar avokatin e njohur? Përse nuk e çuan në Tiranë, por e vranë rrugës? Do të ketë ardhur patjetër një urdhër për ta ekzekutuar nga komanda gjermane, si ai që kishte urdhëruar arrestimin e tij? A kanë tentuar të arrestuarit t’u ikin ushtarëve gjermanë dhe për këtë janë qëlluar e janë vrarë, në anë të një kanali, në Lushnjë? Misteri për vrasjen në atë mënyrë i Skënder Muços, kur ishte i shumëkërkuar nga gjermanët dhe çelësi për të mësuar mbi planet e anglezëve, vazhdon të mbetet enigmë.

 Operacioni për arrestimin e njeriut të shumëkërkuar nga gjermanët, është kryer në fshehtësi të plotë dhe në masa të rrepta sigurie. Burime të kohës kanë rrëfyer, se e gjithë zona ishte e rrethuar dhe në kodrën pranë rrugës ishte vendosur një mitraloz i rëndë. Burime të ndryshme flasin se Skënder Muço mund të jetë spiunuar te gjermanët nga disa burime, që nga prefekti i Vlorës i asaj kohe, Vizhdan Risilia, (i cili me një shkresë të sajuar ndofta qëllimisht, është paraqitur ndryshe) e deri  te komunistët fillo Rus , të cilët e konsideronin të rrezikshëm dhe rival për pushtetin e ardhshëm, për shkak të aftësive të tij personale dhe lidhjeve të forta me anglezët dhe që rrezikonte deri ndërhyrjen e armatosur direkt të tyre dhe do sillte zbarkimi i trupave aleate kundër Gjermanisë naziste, në brigjet e Vlorës, ashtu si zbarkuan në Normandinë e largët në Francë. Misioni anglo-amerikan në atë kohë ishte i vendosur në Memuç të Dukatit, në zonën e Karaburunit, në pritje  për hapjen e një fronti të ri lufte kundër ushtrisë gjermane. Skënder Muço ishte i njohur si një nga njerëzit e besuar të anglo-amerikanëve dhe njeriu i ngarkuar për të organizuar mbështetjen e shqiptarëve, sidomos në zonën e Tragjasit- Dukatit e Vlorës për zbarkimin e aleatëve. Ai në atë kohë gëzonte një popullaritet të madh në zonë dhe ishte i pranueshëm nga të gjitha palët, komunistë e nacionalistë. Ishte koha kur misionet po përgatisnin kryengritjen e përgjithshme kundër gjermanëve dhe në Jug të vendit, avokat Skënder Muço ishte i përzgjedhuri i tyre për faktin se ishte i aftë politikisht, zotëronte disa gjuhë të huaja, kishte mbështetje në popull, ishte për bashkim kombëtar e luftë të përbashkët kundër gjermanëve.

Në rrëfimet e tij “Një dritare burgu”, kaninjoti Petrit Velaj, luftëtar dhe bashkëkohës me Skënder Muçon, do ta kujtojë kështu arrestimin dhe vrasjen e avokatit të njohur: E kam dëgjuar nga goja e Mit’hat Frashërit që na tha – ‘’Ishte avokat Muço, i cili do të na nxirrte nga gjendja katastrofike, ku po jeton gjithë vendi. Ai ishte ndërlidhësi i Shtabit të Mesdheut, me forcat e Ballit Kombëtar Shqiptar. Ai kishte organizuar zbarkimin e shpejtë të trupave aleate në Dukat dhe Bregdet. Siç duket, gjermanët nga agjentët e tyre e kanë marrë vesh punën e bërë nga Skënder Muço.”

Nga arkivat britanike, që i referohen oficerit anglez, Antoni Kuejl, i cili ishte i ngarkuar me misionin “Sapling”, në bregdetin e Vlorës, mësohet ndër të tjera se: “Skënder Muço, shefi i Balkom-it në zonën e Vlorës, dhe përfaqësues i komitetit të Balkom-it, u ka bërë një vizitë oficerëve ndërlidhës britanikë, ku tha, se partia e tij është e gatshme të shërbejë nën urdhrat e britanikëve, por ai dëshiron më parë të vizitojë Kajron dhe të marrë garanci nga aleatët për pavarësinë e Shqipërisë. Së dyti, ai dëshiron që bandat partizane të shtypen. Kërkesat e tjera të tij, për rikthimin e ishullit të Sazanit, në gjirin e Vlorës, Shqipërisë, dëmshpërblimi nga ana e Italisë dhe diskutimi i përfaqësisë shqiptare në Londër, por dhe mundësia e një federate ballkanike që Balkom-i ka prirje ta favorizojë”. 

Në kulmin e luftës në Shqipëri, Balli Kombëtar ndërmori një lëvizje për të siguruar mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe. Në shkurt të vitit 1944,  Skënder Muço, u jep një projekt marrëveshje të shkruar, oficerëve britanikë në Shqipëri. Ai takon majorin Antoni Kuell në Dukat, ku ai kishte shtabin, dhe i kërkoi që këtë marrëveshje ta dorëzonte në komandën ushtarake të Aleatëve në Kajro. Skënder Muço kërkoi gjithashtu që të udhëtojë drejt Kajros për të finalizuar marrëveshjen. Kjo marrëveshje përmban disa pika mjaft interesante. Balli Kombëtar kërkonte nga britanikët që ata të siguronin pavarësinë e Shqipërisë pas lufte dhe në këmbim, ata ofronin gjithë mbështetjen e tyre ushtarake për të luftuar gjermanët, madje nën komandën e oficerëve britanikë. Marrëveshja u shqyrtua nga zyra politike e aleatëve në Kajro dhe iu nis për miratim edhe Ministrisë së Jashtme Britanike. Por ndaj këtij propozimi të guximshëm, britanikët nuk vepruan. Në raportin sekret të zyrës aleate drejtuar Ministrisë së Jashtme britanike, thuhet se aleatët i trembeshin një lufte civile në shkallë të gjerë në Shqipëri nëse Balli Kombëtar mbështetet me armë e municione.

Për më tej, ata kërkuan garanci nga Balli Kombëtar, duke ngulur këmbë, të niste menjëherë luftën ndaj gjermanëve e më pas mund të merrnin ndihma ushtarake të tyre. Por thelbi i paktit sekret të Ballit Kombëtar ishte një marrëveshje politike, e cila do të siguronte pavarësinë e Shqipërisë, e për më tej një Shqipëri jo komuniste. Kjo marrëveshje u la në heshtje, duke krijuar mjaft dyshime te nacionalistët shqiptarë në qëndrimin e britanikëve, shpesh duke i akuzuar se po mbanin një qëndrim pro jugosllav dhe pro grek në dëm të interesave të Shqipërisë, veçanërisht pas lufte, ku Shqipërisë mund t’i prekeshin kufijtë e saj.

Në këtë kohë, ka një reagim më ekstrem të Ballit Kombëtar gjatë shkurtit 1944, ku në një takim të zgjeruar në Berat, shumë prej liderëve të saj kërkuan luftë të pa kompromis ndaj komunistëve, bashkëpunim me qeverinë e Tiranës dhe një armëpushim me gjermanët. Për armëpushimin ne Gjermanët në Berat, u tregua e interesuar dhe pala komuniste me Gjin Markun, çka u bë objekt kritike e denigrimi.

Gjatë kësaj kohe, lëvizja e komunistëve në gjithë vendin, ndodhej në prag dështimi, pas operacionit të dimrit, ndaj sërish britanikët nuk e kaluan tërësisht në heshtje marrëveshjen sekrete të Ballit Kombëtar. Por rrjedha e shpejtë e luftës bëri që kjo marrëveshje, edhe për shkak të mosbesimeve të shumta, të mos realizohej.

Në dokumentet e botuara, jepen detaje interesante edhe nga fshati Dukat i Vlorës, një nga fshatrat më të mëdhenj të vendit. Ky fshat mbështeste Ballin Kombëtar dhe ruhej gjithnjë nga një sulm i UNÇ-së. Dukati, një fshat patriotësh, kishte edhe shtabin më të madh të oficerëve britanikë. Madje, jo vetëm i strehoi ata, por edhe i ndihmoi të koordinonin ndihma nga deti që vinin për luftën në Shqipëri, e që pothuaj të gjitha shkonin për lëvizjen komuniste.

Në kulmin e luftës në Shqipëri, Balli Kombëtar ndërmori një lëvizje për të siguruar mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe.

Propozimi i Skënder Muços kishte këtë përmbajtje:

1-Pavarësinë e Shqipërisë pas luftës.

2-Marrjen e ishullit të Sazanit.

3-Pagesat e dëmeve të luftës nga italianët.

4-Përjashtimin e trupave italiane dhe greke nga operacionet në Shqipëri.

5-Ndihmë për Shqipërinë pas luftës.

Skënder Muços iu tha gojarisht nga Anglezët se politika jonë është të ndihmojë këdo që do t’u rezistojë gjermanëve.

Marrëveshje u shqyrtua nga zyra politike e aleatëve në Kajro dhe iu nis për miratim edhe Ministrisë së Jashtme Britanike. Në raportin sekret të zyrës aleate drejtuar Ministrisë së Jashtme Britanike, thuhet se aleatët i trembeshin një lufte civile në shkallë të gjerë në Shqipëri, nëse Balli Kombëtar mbështet me armë e municione. Në situatën aktuale, ata konstatuan, se vetëm Ushtria Nacionalçlirimtare është duke luftuar me gjermanët, ndërsa Balli Kombëtar, pavarësisht premtimeve deri me shkrim për të luftuar, nuk ka lëvizur qysh nga muaji shtator. Mandej dyshohet se ata tradhtuan lëvizjen e oficerëve britanik, duke plaçkitur shtabin e tyre, gjithashtu bashkëpunuan për dorëzimin e gjeneralit britanik Dejvis, që u kap rob.

Lufta e Dytë Botërore, e përfshiu të gjithë popullin shqiptar. Ajo shërbeu si një filtër i madh social, ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë detyrës së momentit, që ishte lufta kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit, në krah të pushtuesit italian u evidentua qartë grupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve, por duhet theksuar se një pjesë e forcave balliste, që drejtoheshin nga Hysni Lepenica, Abaz Ermeni, Safet Butka, Muharem Bajraktari, etj.,vazhduan luftën edhe kundër pushtuesve gjermanë.

Por, nuk qe një rastësi, që grupi i përfaqësuar nga pinjollë të bejlerëve, krerëve e bajraktarëve të mëdhenj të jugut e të veriut të Shqipërisë, të asaj klase, që kishte qenë mbështetja kryesore e pushtetit osman dhe më vonë, shkaktare e destabilitetit dhe e dobësisë së shtetit shqiptar si: Shefqet Vërlaci, Eqrem Libohova, Eqrem bej Vlora, Kadri Cakrani, Qemal Vrioni, Kol Bib Mirakaj, Isa Toska, Preng Previzi, Vizhdan Risilia, Fiqiri Dine, Marka Gjoni, Xhafer Deva, Selim Kaloshi, Halil Alia, Hysni Dema, etj., u bënë  disa nga emrat që i gjejmë në listën e kolaboracionistëve shqiptarë, të implikuar diku edhe me gjakderdhje civile, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Këtyre iu bashkuan edhe përfaqësues të veçantë të inteligjencës liberal-konservatore si: Ali Bej Këlcyra, Mustafa Kruja, Koço Kota, Mehdi Frashëri,  Rexhep Mitrovica, Kolë Tromara, etj. Pozicionimin e tyre në krah të pushtuesit, përfaqësuesit e këtij grupimi heterogjen, u munduan ta përligjin ideologjikisht me antikomunizmin dhe nacionalizmin e tyre.

Në këtë kuptim, krerët tradicionalë nuk mund të pajtoheshin me ndërtimin e një shteti modern, pak rëndësi kishte nëse bëhej fjalë për një shtet republikan, monarkik apo komunist. Në fund të fundit, disa prej tyre,  patën të njëjtin konflikt si me qeverinë e Ismail Qemalit, ashtu edhe me atë të Princ Vidit, të Ahmet Zogut e të Enver Hoxhës. Ekzistenca e tyre ishte pengesa e fundit për realizimin e shtetit kombëtar, ashtu siç e kishin projektuar Shqipërinë ideologët e nacionalizmit të vërtetë shqiptar, si shtet unitar, si shtet ligjor e si shtet evropian.

Në fakt, një nga arritjet e Luftës Antifashiste ishte zhdukja e pushtetit anakronik e ilegjitim të këtyre krerëve, që u bënë njësh me pushtuesin. Të bindur, dhe me të drejtë, se aleatët anglo-amerikanë nuk e dëshironin një qeveri komuniste pas luftës, këta e justifikonin inaktivitetin, apo edhe bashkëpunimin e tyre me pushtuesin, me nevojën për të ruajtur të paprekura forcat e tyre, të cilat do t’i përdornin pas largimit të gjermanëve për të mënjanuar ardhjen në pushtet të Frontit Nacional Çlirimtar të drejtuar nga komunistët.

Një arsyetim të njejtë përdorte edhe Abaz Kupi ndaj ushtarakëve të misionit britanik të atashuar pranë tij, kur këta e nxisnin të kryente ndonjë aksion kundër gjermanëve, pa harruar edhe faktin se  ‘‘Bazi i Canes’’, kishte qenë mjaft veprues në bashkërendimin e forcave kundër fashistëve italian, qysh nga dita e parë e okupimit të vendit. 

Nuk mund të mohohet, se justifikimi i inaktivitetit me nevojën për të luftuar komunizmin, ngjiti, u përkrah dhe u përshtat sidomos tek disa oficerë të misioneve ushtarake angleze, si J. Amery, D. Smiley, Billy McLean dhe tek ndonjë shef i tyre në Londër e në Kajro. Këta, siç pohon një tjetër oficer anglez, J. Naar, përveç detyrës për të nxitur sulmet kundër gjermanëve, “punonin edhe për të zbatuar një agjendë anti-partizane e anti-komuniste”.

Këtë pikësynimi kishte dhe avokat Skënder Muço, përjashtuar faktit që ai ishte njëkohësisht antikomunist, po dhe antifashist e antinazist  (deri sa ata e vranë) dhe e donte Shqipërinë e Lirë me Kosovë e Çamëri dhe me drejtim perëndimor, sipas vendimeve të proklamuara prej tij në Konferencën e Mukjes.

Janë këto arsyet që Skënder Muçon e nderojnë dhe e respektojnë në mbarë vendin dhe akoma më shumë në fshatin e tij Tragjas të Vlorës. Ai, i pushkatuar nga pushtuesit Gjermanë, metë drejtë legjitime  është  shpallur dhe vendosur në listën e dëshmorëve të luftës për Atdhe.

Për këtë esse jemi mbështetur te materiale nga Interneti si Wikipedia, Ergys Alushi, Uran Butka, Pëllumb Xhufi, Albert Vataj, etj.

Tiranë, më 15 QERSHOR 2020

145 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page