top of page

SIRTAR, BRENDA SIRTARIT



"Mirë se erdhe, përfaqësues i xhonturqve! - qeshi Arshi Pipa, me zë. - Vij si diversant! - ia ktheu Muçi Xhepa.

Brendashkruar dialogut, letrat, politika dhe atdheu, bëhen të vërtetë, teksa mbetej jashtë atdheu, politika e letrat siç shtireshin në kryeqytetin Atje...

Muçi Xhepa kishte ribotuar shkrimin për Arshi Pipën. Trondit fraza: “Si ju lamë kështu?!” e lordit Nikolas Bethell, ardhur në Elbasan pas hapjes së Shqipërisë së (vet)izoluar. E pa me sy mjerimin material e shpirtëror të vendit, të njerëzve, ajrin e rënduar.

“Si ju lamë kështu?” Teksa përmendi mes të atjeshmëve edhe emrin e Uran Kostrecit, sikur u bë intim, i prekur në dashjen për të rrëfyer edhe diçka tjetër, për të. Diçka që sikur s’do donte ta rrëfente vet publikisht. Ende ndjente në shpirt ikjen e Uran Kostrecit. E kishte pasur afër tërë kohën pasi ai la burgun dhe internimet, e donte, e nderonte siç ishte, shpërthyes, të pa-korrigjueshëm në natyrshmërinë si antikomunist në secilën qelizë të fjalës që nxirrte nga goja. Edhe syrin ia shihje Muçi Xhepës, teksa tregonte bisedën e vonë të profesor Arshi Pipës me Uran Kostrecin. Madje, si në ende-dilemë, kur arriti në fund të rrëfimit për këto dy figura të më-vetshme të dhimbjes shqiptare.

“Por kjo duhet rrëfyer!”, thashë unë. Jo se kisha të drejtë të ndikoja imazhin për të dy figurat në fjalë. Besoja, edhe unë, do mbeteshin të dëlirë në sy të shumicës publike, edhe sikur të nxirreshin nudo në sy të shqiptarëve. Në një adresim për Ikjen e Uran Kostrecit kisha përdorur pa sforcim fjalën e vetme: “URANIUM”!

Por mbase ia vlen të ndjehemi të detyruar ta rrëfejmë veten, siç dolëm nga ajo katrahurë. Edhe Uran Kostreci, besoj, ashtu del nga kjo histori, ashtu është…Ne të gjithë dolëm nga ajo mjegull ku as Tjetrin, as veten nuk e pamë dot qartë... Arshi Pipa, natyrisht, ishte tjetër gjë. Mote të gjatë jete në liri…Kishte pasur nge t’i qëronte cipët e qepës së tij të dikurshme dhe të vishej me hiret e Perëndimit.

Ne të tjerët, kemi udhë të gjatë për të bërë, ne të Shqipërisë Londineze! Duke rrëfyer vetet, në udhë e sipër do marrim vesh se ku kemi për të arrirë. Ku ende, mbase s’arrijmë dot, tani për tani. Mbase jetët fizike janë aq të shkurtra sa s’kemi për të mbërritur kurrë, hap-rënduar prej baltovinës që u detyruam të çanim, por nuk e besoj dot si merak për ata që e paguan çmimin më të lartë me burgjet… Duke bluar me veten kështushëm, më bëhet se ende e dëgjoja rrëfimin e tjetrit.

Muçi Xhepa e kishte pritur Uraniumin, kur ky erdhi për vizitë në Amerikë. Mes të tjerave, mendoi ta takonte me Arshi Pipën. E dinte se Urani mezi e priste këtë gjë, e donte këtë takim. U gëzua që ai i priste. Që ua tregoi edhe detajet e rrugës për te shtëpia e tij ku, ato kohë jetonte me të motrën. Arshi Pipa kishte dalë jashtë shtëpie për t’i pritur. Kur u ulën, Arshi Pipa e Uran Kostreci po vështronin njeri tjetrin. Si dy njerëz të njohur të qëkurshëm, edhe pse prej vitesh kishin jetuar në planetë të tjetërt. Ndërmjetësi ishte Muçi Xhepa, që s’ia lejonte vetes kurrsesi të ndërmjetësonte edhe aty.

“E nderoj këtë njeri. Mandelë e Shqipërisë!” i tha profesor Pipa së motrës, duke treguar për nga Urani. Të dy kishin kaluar jetë burgjesh, Pipa prej motesh, çarë ferrën. Kishte shpëtuar veten. Gjetur udhë e kushte të shfaqte atë çfarë, atje nga vinte, ishte detyruar ta mbyllte në njëzetë palë dryna. Ndodhur në liri, kishte arritur leximesh në liri të zbulonte sa më shumë, pastaj ta shkruante dhe të fliste për lirinë e munguar të atjeshmëve. Aq ngulshëm sa ndokush, I Atjeshëm, tërësisht I justifikuar, mund t’ia merrte edhe për teprim të së drejtës… Uran Kostreci kishte vuajtur më gjatë. Mbyllur mes mureve dhe hekurave, kishte shtuar edhe vetminë absolute. E kishte ndarë veten prej të gjallëve, të mos vuante askush prej tij. Qenien Njeri I Vetëm, si sfidë për të gëzuar lirinë, vetmia e kthen në manifest, në proverb faktik. Natyrisht, tjetër udhë shtesë, për ta bartur e administruar më tej arritjen… Arshi Pipa ashtu e shihte: njeriu në rezistencë kishte dalë gjallë prej burgut. Kur ra ngrehina e komunizmës, Uran Kostreci qe kthyer në Elbasan. Zë i qartë opozite. Te Hotel Turizmi, mblidheshin tërë demokratët dhe flisnin pa fund. Aty e më pas, tërë jetëve të tij, nuk u lodhë së debatuari. Vetëm ai mundi tua përballte Çlirimtarëve Epopenë e Karkalecave…

“Ti je Mandelë…” i tha sërish Arshi Pipa. Kaq kishte dashur Urani i mirë. Kishte nxjerrë nga gjiri librin e tij me sonete. “Të tëra kushtuar dashurisë!” Dukej sikur ajo grua që e kishte frymëzuar, nëse ekzistonte realisht si e tillë, ishte diku aty, o sikur e dëgjonte prej atje ku ishte. Akademiku Pipa, studiuesi dhe krijuesi, duke vështruar Uran Kostrecin mbase sillte ndërmend veten dikur, nëse jo dot tërë të shkuarën e vet. Ulur aty përballë, në njërin nga divanet e tij, po i shfaqej sikur sapo të kishte dalë prej asaj hapësire të kufizuar, qelia e vet dikur, a sikur sapo kishte dëgjuar diçka fillestare për të. “Interesant!”, tha Arshi Pipa, duke e pasur librin në duar. Tjetri, sa-ardhur në Amerikë, s’e dinte nënshtresën si përdorje të termit “interesant”.

Ai tjetri, i përbashkëti mes miqve aty, Petro Zhej, do t’ia kishte thënë ca më ndryshe. Nuk do ishte dot aq i matur dhe i kujdesshëm si profesor Pipa. “Ti duhet të shkruash burgjet e tu, ti! Jo sonete e lirika dashurore! Tjetërkush le t’i bëj ato…” Se, shfaqeshin hera herës ish-të persekutuar, madje ish-të burgosur, që merrnin përsipër të akordonin falje në emër të tërë vuajtësve, vetëm e vetëm se ata vet merreshin në konsideratë nga të dekretuarit për të zgjatur tranzicionin. Prurësi i tij aty, mbeti pak ngushtë, por Urani ky ishte. Dihej nga tërë bota se Urani shfaqej siç ishte. Profesor Pipa, pas kaq dekadash, ishte tërë ajo dije dhe kulturë e gjerë e ngjizur dhe e artikuluar. Vuajtjet e privimet ishin brenda tij, shndërruar në nderim pa kushte të lirisë së tjetrit. Në asnjë dilemë për tu pajtuar me padijen, qoftë edhe më të pafajshmen.

Urani, përballte të vërtetën. Sonetet qenë shkruar kohët e fundit, lirika dashurie, për t’i ikur gjendjes së trishtuar të kohëve dikur. Privimet e gjata sjellin edhe të kundërtën, robëria sjellë më në fund lirinë. Nëse ke qenë përtej telave në moshën më të bukur, zor se të rren mendja se ke pasur jetë. Dashuria u ikën shtysave fizike dhe merr formë tjetër. Lirika nuk do t’ia dijë për emra a realitete imponues. Shpirtin njerëzor, si marrëdhënie dashurie me botën, sado cinike a shtiranake, nuk ta ndërpret kurrkush. Uran Kostreci këndoi lirinë e shpirtit të vet, e vetmja gjë që kurrë se kishte braktisur. Mrekulluar në lirikë të shpirtit, mbeti përjetë romantik i dashuruar me njeriun sipas tij, jo të diktuar nga rrethanat apo të joshur nga materialja. Sonetet s’ishin tjetër veç mos dorëzimi i tij ndaj fatit të rreptë. Nuk druhej të shfaqej i tillë. As në sy një njohësi të madh të letrave dhe analizës psikike të sistemeve, që po e nderonte si njeri në shtëpi të vet, edhe si Mandelë, në qasje të asaj shoqërie që rrekej të gjente Udhën... Uran Kostreci shprehu dëshirën që Arshi Pipa t’ia dëgjonte dy-tri sonete, aty. Zëri i Uranit rrezatonte thellësinë e vetes. Asnjë shenjë errësire prej ditëve dikur. Mëkat t’i bëhej vërejtje këtij shpirti në pëllëmbë të dorës. Muçi Xhepa, që i njihte të dy, ndërmendte tërë-sa secili prej të dyve ndjente në atë prani.

Ka vetëm një problem në këto poezi, mbase donte t’i thoshte Arshi Pipa Uran Kostrecit. Pa dashur të lëndonte njeriun real, brenda tjetrit. Mbase sonetet, si lloj, meritojnë të shkruhen në gegnishte. Nuk tha kush pse Uran Kostreci i kishte shkruar në toskërisht. U tha se gegnishtja ka zanoret e hapura! Nuk u tha që sonetet mezi arrijnë në toskërishte.

Me merakun se mos tërë ajo flakërimë në sytë e në zërin e Uranit, terej, hollohej e këputej, në mos edhe shuhej në çast. Vetëtimthi, nëse do thuhej se “ë-të” e toskërishtes ia marrin frymën sonetit… Mbase nëse do ishte ngeja e marrjes me të mirë të së shkuarës, ose duke bërë shaka, do arrihej të thuhej, nëse do kishin ca më shumë nge të qëndronin ca më gjatë bashkë, të kishin kohë të këmbenin shije e përvoja gjuhësh e kulturash se si bota i kishte harmonizuar diferencat në dialektet e gjuhët dhe brenda tyre. Edhe vetëm tërë-kujdesja për të mos e lënduar, arriti në syrin depërtues të Uran Kostrecit. Dhe ai sigurisht që s’do rrinte dot pa folur.

“Ka evoluar gjuha shqipe, profesor, s’ka më dialekte, është unifikuar gjuha, është mbajtur një kongres i tërë, është bërë gjuhë me rregulla strikte drejtshkrimi!”

Arshi Pipa dhuroi një buzëqeshje të kujdesur për nga prurësi. Kurrsesi s’do ta kundërshtonte Uranin, që kush e di në cilin burg a vend internimi do kishte qenë ditëve të Kongresit të Unifikimit. Asnjë shenjë reje zhgënjimi s’gjeje dot tek Arshi Pipa.

Asnjë fije lëkundje, a krisjeje, nuk ishte shfaqur në “bustin Uran Kostreci”, ngritur prej tij në kohë të gjatë dhe në distancë, rënduar pafundësisht nga ajo sagë privimesh, të cilat Mandela i tij nuk do kishte pasur kollaj t’i bartte në daljen nga shpella e vet... Për herë të parë, as Urani s’po ndjehej. Dukej se, pas fjalëve që kishte hedhur, s’do kërkonte të dëgjohej më. I sigurt se në liri, aq më tepër me miq të nderuar mund të bëheshe i qortueshëm, pa u ndëshkuar prej tyre.

Mezi e kishte pritur takimin me profesor Pipën. E kishte nderuar, do ta nderonte si rrallëkush: si version të dëshiruar, sado tjetër, të vetes, jo thjesht se kështu mendonin thuajse tërë antikomunistët. Ajo që vet Uran Kostreci s’do ta thoshte aty, por që vetes nuk ia fshihte, ishte se ende nuk e kishte harruar dot atë imazh gruaje, më saktë atë subjekt që e kishte shtyrë të shkruante ato sonete. Mbase s’do ta shlyente kurrë nga shfaqja përpara syve të brendshëm. Përpara kësaj stepjeje të pakëmbyeshme, për të pak rëndësi kishte në cilën dialekt sonetet për të qenë shkruar…

Uran Kostreci u nda pafundësisht mirënjohës, thellësisht ngrohtë me Arshi Pipën. Edhe pse të dy mbase e menduan se mund të mos shiheshin më. Pas pak kohe Urani do kthehej në Shqipëri, atje ku Arshi Pipa kishte kryer një vizite të shkurtër, brenda iluzionit të parë, fillestar, të menjëhershëm që liria magjishëm sajon për ata që duan ta arrijnë sa më shpejt atë. Shqipërinë e xhonturqve të rinj, mbase edhe më tej do ta shihte si kohë të humbur, marrjen me ta, dhe pasuesit e tyre. Mbase e kishte merakun, do të vinte një kohë kur të sapo-dalët nga robëria e gjatë do ndaheshin e rindaheshin sa herë, pikërisht prej paqartësive që ai kërkoi t’i dinin dhe t’i pranonin, paqartësi të shumtat të imponuar qëllimshëm, që ai nisi t’i artikulonte në ditët e para të brishtësisë së lirisë. Ata në fuqi pushtetërore, por edhe ata në pafuqi për të pritur aq gjatë, s’ishin gati t’ia dëgjonin.

Distanca e mëparshme e tij me ta, qe rritur edhe më. Të shumtët e atjeshëm, ende s’po mundnin dot të jetonin në mungesë të kufizimeve të pa-lirisë dhe të ngrehinës që sapo e kishin parë të shembej befas në këmbët e tyre. S’dinin ç’duhej bërë më tej, por jo aq kollaj edhe tu thuhej se si. Për shkak të tërë asaj zulme propagande fjalësh dëgjuar aq gjatë, ishin gati të bënin më shumë për barazinë e harmoninë mes të tërëve, se sa për lirinë e duhur për secilin individ.

Mbase prandaj, të gjithë atje, ata që ishin rrëzuar por edhe ata që po ngjiteshin, u gëzoheshin kufizimeve e mbylljeve, pra edhe rregullave të një gjuhe standarde të mbyllur nga frika e rritjes së vet-vetes. &

Atë ditë, në përcjellje deri atje jashtë në oborr, profesor Arshi Pipa i dha Muçi Xhepës, origjinalin e pamfletit “Xhonturqit”. Shkruar me dorë. Ai nuk përdorte makinë shkrimi, as kompjuter si të mëvonshmit. Ngaqë për në Amerikë e kishin propozuar miq të sërës, bënte shaka kur e thirrte “ilegal të xhonturqve”, vajtjet tek ai.

Në atë moshë të caktuar, arsyetohej se po ia linte dorëshkrimin si shenjë të veçantë, në mos si njeriut që mund t’ia ruante origjinalin. Qarkullonin libra të tij – së fundi edhe në Tiranë, por ato faqe, dorëshkrim, me radhë të drejta, si të qëndisura, dhuruan ndjesi të veçantë.

Mbase për ta rikthyer ngrohtësinë pas asaj pak zbehje të dritës mes tyre, ia dha Uran Kostrecit, për ta lexuar në ditët ende aty. Që ashtu të ndjehej sa më afër së këndejshmes ku kishte mbërritur prej kohësh Arshi Pipa. Të mund të kuptonte ç’kishte lënë pas në frazën midis shqipes dhe dialekteve të saj.

Urani e mori, pa asnjë dilemë. Pa menduar kurrë se ai libër mund të mos ishte shkruar për të gjithë. Ato fjalë të thëna lirshëm, pa auto censurë për Gjuhën e Drejtë-shkruar mbase s’do ta lejonin të shijonte tej-e-krejt origjinalin e Arshi Pipës. Mbase si pamflet, jo si sonet, do të ishte urë e afrimit të mëtejshëm me Pipën.

Në bërje gati të nisej për Tiranë, ia solli ndërmend dorëshkrimin. Po, Urani do t’ia sillte, po sikur s’po e gjente, s’dinte ku e kishte lënë?! OK-, ia bëri me vete Muçi Xhepa. Mbase ka dëshirë ta marrë me vete! Ende dhemb pa-liria e shqipes si vështirësi për t’i holluar distancat...

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page