top of page

SIMBOLIKA E KOMPLEKSIT "BABA" NË POEZI





Fatmir Terziu

Në një botë të tillë të ngarkuar me stres dhe me detyrime familiare, natyrshëm emri më jetik dhe më domethënës ende mbetet babai. Edhe pse në “modë” letrare, kjo risi është vënë në disraport nga teknologjia. Por poezia, si fjala më magjike e artit të Fjalës, ka marë përsipër më shumë se çdo gjë tjetër në fushën krijuese të mbajë ende gjallë ‘rolin e babait’. Teknologjia dhe shkenca kanë krijuar mënyra dhe risqe tipike për të thënë se, „kemi arsye të tjera, … le të themi është kohë ndryshe(!)“. Poezia, ndryshe nga teknologjia, ndalet tek „Babai“, e jep ende me forcë të natyrshme tradicionale, e qas si një figurë qendrore (centrike) në marëdhëniet e familjes. Kjo risjell në vëmendje autoritetin, jo thjesht patriarkalitetin, por krijon arsyen e „baba-tezës“ (‘father-tezës’). Të krijosh dilemën e ‘father-tezës’, që teknologjia na e ka dhënë peshqesh në shekullin ku jetojmë, është ndryshe nga ajo që poezia e krijon rolin e kësaj teze me fuqinë e saj, duke interpretuar marëdhëniet e rrëndësishme familjare, sidomos ato baba-bijë, baba-bir, apo edhe në një sens tjetër atëror. Këtë "peshqesh" modern, duke sjellë metodat riskuese për figurën, rolin dhe aktin e babait, apo figurën për babain dhe familjen, e përjashton disi poezia. Herët në poezi ka qenë marë si shembull krijimtaria e poetes së mirënjohur Sharon Olds. Ajo figurën e babait e cilëson në vargun e saj, jo thjesht si një lidhje jetike mes kontekstit baba-bijë. Ajo e cimeneton dhe e zgjeron kompleksin e kësaj figure në detaje tejet të guximshme. Dhe guximi vjen deri tek pragvdekja. Shkon tek intimiteti fizik i babait të saj, që vjen e shkrihet para syve të saj si një trup i vdekur, ku edhe elementët mashkullorë gjejnë kënvështrim tjetër dhe fuqi poetike, edhe në atë çast kur trupi fizik i tij është i mbaruar, por që gjithnjë ka siglën e dhimbjes dhe dashurisë së babait edhe në sytë e bijës.

Kjo poete e njohur, ka shkruar poezi që gjatë leximit të tyre e bëjnë lexuesin të mendojë se poezitë janë „intime“ dhe është e vështirë të besohet, se ato janë thjesht poezi të përfytyruara. Te poezia "Heqja e këmishës" shihet më mirë ky këndvështrim i saj. Në këtë poezi, figura e babait është një kompleks dual që lidh elementët e psikoanalizës së Frojdit, në lidhje me ëndërrën e bijës për të ngjarë me babain. Këmisha ngrihet si një element tipik në poezi dhe forcohet me shumë arsye të këtij integrali psikoanalitik. Kështu poezia është ajo që krijon trazim ndryshe në mendjen e lexuesit dhe e shtyn lidhjen që prodhon teknologji-shkenca me burimet e saj në jetën tonë. Këtu kur procesi ‘eprovetë’ tenton të luajë rolin e babait, apo ç’figurimin e tij mbetet thjesht një trazim.

Babai si arsye jetike në poezinë femërore

Në këtë trazim mendoro-teknologjik janë edhe dy pena që sjellin lajtmotivin me poezitë e tyre për të tërhequr vëmendjen ndaj figurës së babait. Babai në poezinë e tyre mbetet një arsye jetike e poezisë femërore, që vjen nga dhimbja dhe dashuria për të. Julia Gjika me poezinë, “I vetëm babai im”, kushtuar babait të saj kremton mendimin ndryshe me ‘teknologjinë’ dhe prurja e saj mbetet e mrekullueshme tek ndalesa ‘traditë’, ku “I vetëm babai im” është një poemth që zhvillon mendimin e saj në “I vetëm brenda katër mureve”. Një sfidim poetik që vjen i dhimbshëm, por i qetë. Një varg që depërton brenda mureve katërshe, ku babai qëndron me orë të tëra, ashtu i shtrirë në divan “për të na pikturuar” me spatullën e saj tipike një labyrinth jete me emrin e sigluar: Baba deri përtej dhimbjes.

Ndërsa autorja Eliana Leshaj (Alien) promovon lirshëm një mesazh piktoresk në tërë resemblancën ushqyese dhe poetike duke rifreskuar në një tablo jetike figurën e saj më të dashur që paraqitet si “Babai jetim në pleqëri”. Alien depërton në strukturën lineare të vargut dhe tregon poetikisht në itinerarin kohor, çdo ndodhi që peshohet tek ideja dhe tematika jetike e poezisë së saj për babain. Lineariteti kohor në vargun e Elianës është një sfidë nomenklature për riskuesit e poezisë tradicionale, të cilën ajo e ka paraqitur tashmë të arrirë në thelb dhe në detaj.

Të dyja sjedhin baballarët si arsye jetike, si fakte për një simbiozë metaforike të jetës, por të dyja kanë një emergjencë që në gjuhën e Roland Barthez, mbart ekliptiken e mitit të babait në edukatën dhe jetën tonë. Babai në poezitë e këtyre dy autoreve është një baba në kohë, në vend dhe në arsye, por ai është dy herë arsye për të kuptuar rolin e tij përpos mitit, përpos logjikës së analizës poetike. Ne kemi një shans të gjejmë këtë baba në arsyen e Gjikës dhe Alien, por kemi edhe një domosdoshmëri për të sfiduar tendencën për kopleksin shkencor dhe atë letrar „baba“.

Rievokimi i emocioneve dhe eksperiencave

Kompleksi i babait në poezi është arsyetim logjik. Është një sfidë reale, një sfidë jete e vënë ndjeshëm në varg, në poezi. “Brezat”, është simbolika që mpikset tek kompleksi baba. Këtu në fakt poema dhe poezia gatuajnë simbolikë për baballarët, nënat, bijat, apo bijtë. Në vitin 1988 Melanie Hart dhe James Loader, sollën si me magji një argument tipik për britanikët në 366 faqet e librit të tyre, që më pas në analizën e Margot Waddell u gjet përshtatja, të cilën unë e shoh tek poezitë e dy krijueseve shqiptare. Në këtë pikëtakim poetik dhe analitik unë në fakt zbulova arsyen e ekzistencës së një ligjësie midis poezisë dhe psikoanalizës që më në fund duhet të gjendet si domosdoshmëri lidhëse. Gjetja e kësaj domosdoshmërie si pjesë e simbolikës dhe formës eluzive është një mundësi për të njohur në brendësi emocionin dhe statiken e psikologjisë, të cilën Shekspiri e përshkruan si një dhënie arsyetuese ‘në ajri’ pra një “habitat lokal dhe thjesht një emër emocional” (A Midsummer Night’s Dream, V, i, 11. 16-17) që është një proces i ndarë midis poeteve dhe psikoanalistëve të ndryshëm, secili duke arritur atë që synon për kuptimin i cili bëhet evident dhe identifikues tek ata që janë “frymëzuar të punojnë dhe të jetë krijues në të vërtetën jetike” (Ëordsëorth, “Preludi”, XIII, faqe 100). sidoqoftë rievokimi është proces. Në këtë proces poezia ka vetëm një qëllim, rimodelimin e konceptit baba në principialitetin e thelbit, jetës dhe të vërtetës, që sfidohet nga dashuria dhe dhimbja.

Poetet kërkojnë të rievokojnë intensitetin e ndjenjës për babain, të angazhohen me mendimin e jetës njerëzore, me vlerat materiale, të emocioneve dhe eksperiencave. Langer thotë “poezia është mjeti për zbulimin e vlerave dhe jetikes, ku prindi, natyrshëm babai, apo nëna kanë simbolikën e jetës…” (Langer, 1978:23).

Kodi i gjuhës për shoqërinë

Të dy poetet përdorin gjuhën e fantazisë dhe ëndërrave për të krijuar dhe fiksuar esencën e dashurisë dhe marëdhënieve prindërore në rastet konkrete për baballarët e tyre të dashur, që janë një simbolikë përgjithësuese. Vetëm si një treguese klasike poetet prodhojnë kodin e gjuhës për shoqërinë që të diskutojë pasionin dhe tabunë e konfliktit dhe jetikes në familje, botën sureale të poezisë që premton një histori në vargje për të përshkruar ndjenjën që autoret apo lexuesi të ndjehen krenarë dhe të dhimbshur, apo edhe “poete-borxhlije” ndaj babait.

Gjika dhe Alien, nuk janë të vetmit shembuj të krijimtarisë poetike që përdorin këtë stil për të krijuar ‘kathartik’, poezi të fuqishme për baballarët e tyre të dashur. Poetet e tilla janë shumë, madje kanë racionalitetin e vet poetik në këtë pikë. Gjetja e imazheve për emocionalen që situata gjeneron, për të mos bërë vetëm thjesht të përshkruajnë faktet apo strukturimin e tyre, është një teknikë që e afron lexuesin ngushtë tek shikimi i gjërave të skenës jetiko-poetike nëpërmjet syve, nda dhe poetet janë vlera në këtë fragmentim.

Hapjet poetike, në të dy krijimet e autoreve poete, na dimensionon thelbin logjik si lexues nëpërmjet vargut, na jep të qartë realitetin e hijeve, ku çdo gjë që ne zbulojmë duke lexuar ka një signifikim personal, një histori personale apo ndjenjë për baballarët. Specifikimi i kohës dhe ambientit, vendndodhjes së babait te poezia e Gjikës, po ashtu edhe tek poezia e Alien thërret për një përqëndrim të vëmendjes tek vetvetja, si në ratet konkrete: “Brenda katër mureve babai,/Qëndron me orë të tëra./I shtrirë në divan…”, tek poezia e Gjikës dhe: “T’kam ardhur te shtrati, mbrëmë/Në orën 12:00/Unë dhe mosha jote e re/Të puthem, të puthem…/Ti flije/E kishe gjumin e trazuar/Si shpirtin/Cila ëndërr të mundon, i vogli im i rritur!”, tek poezia e Alien, ku rithirja krijon një mundësi rilidhjeje midis së njohurës dhe të panjohurës, apo edhe midis ‘së lënës apo së fiksuarës në memorje’ dhe “së mbarturës momentale” po aq edhe të një numeriku besueshmërish ku dymbëdhjeta është një numër mjaft i fuqishëm.

Veprimi si veçori dalluese

Tek poezia e Gjikës: “Prek gjethet e gjelbëra të mëllagave/I gëzohet lules që çel./Këput piperkat e kuqe djegëse/Në dimër do ti shijoje me fasulet.”, tregohet për ne një arsye më shumë për të dëgjuar treguesen përcaktore poetike ku kumtimi dhe kushtëzimi janë kapur urgjentisht, por ndoshta jo deri në pafundësi. Thumbi poetik pasqyron atë që bota e babait në të cilën ai jeton, është një imagjinatë e pikturuar nga realiteti, një sureale ku jeta jetohet sin ë premisa reale, ashtu e ndarë nga një membranë që cfilitet midis misteriozes, ekzistenca e së cilës nga ana jonë me vështirësi kapet, pasi ajo është një praktikë personale që lexohet për shumicën sublime. Në këtë mënyrë ne kemi kapërcyer mbi realen e së panjohurës, në anën tjetër të vetmisë sip rag-vdekje pleqërie për babanë e vemuar.

Në poezinë e Alien vargu: “ Në orën 12:03/Flinte mosha jote e ere/E malli im i vjetër.”, është si një kanvas i bardhë ku ëndërra moshore jeton nën ombredhën e Zotit në tërë dimensionalen e jetikes njerëzore që siglon nga bija për babanë, si një klauzolë brezash jete. Piketimi i kohës për arsyen e prezantimit të ndjesisë qeshje në fytyrën e babait është shumë domethënëse dhe është një anaforë e vdekjes, apo shqetësimit ku vargu pikëlidh momentin simbolik.


Përfundim


Në të dyja rastet poezitë ‘aktrojnë në distancë’ duke siguruar anonimititetin. Asnjëra nuk përjashton simbiozën e pamores për të marë detyrimin e gjykimit për arsyen në gjendjen e babait. Këtu figuracioni merr në dorë mesazhin e mesazhierit, që i bën këto poezi të jenë të paraqitjes së domosdoshme, të arsyeshme e të motivuar në thelbin tradicional të qasjes tek figura dhe konfigurimi letrar i babait. Në fakt të dyja janë jashtë simbolikës së kompleksit dhe kontekstit baba, por kanë një arsye më të ngjizur për të parë lidhjen mitike dhe jetike me ktë figurë të vetë jetikes dhe jetës. Jo më kot Wade Boggs shprehet: "Çdokush mund të jetë baba, por duhet dikush i veçantë për të qenë baba, dhe kjo është arsyeja pse unë ju quaj baba, sepse ju jeni kaq i veçantë për mua."

65 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page