top of page

Simbol-metafora në penën e Fatmir Terziut


Simbol-metafora

në penën e Fatmir Terziut

 

            Disa ditë para Vitit të Ri, Prof.dr. Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh, botoi përmbledhjen voluminoze me tregime, me titull Në errësirë nuk ka vend për shenjtorë”.

Tipari themelor i tregimit artistik të Fatmir Terziut është saktësimi i përpiktë, i qartë i hollësirave, i cili e bën rrëfimin sidomos tërheqës, mbresëlënës dhe të papërsëritshëm. Përmes zgjedhjes së goditur të fjalëve dhe të frazave, ai synon të përcjellë te lexuesi mjedisin e veçantë të zhvillimit të ngjarjeve, tingëllimin bindës të rrëfimit, aromën e tij, pamjen e jashtme dhe karakterin e personazheve. Prandaj lexuesit i krijohet ndjesia sikur ai vetë ndodhet në mjedisin e përshkruar në tregim. Kësisoj,  në përfytyrimin e tij tregimi i përvijohet si një kronometrazh i jetës njerëzore ose si një episod nga jeta, që, në kujtesën e tij, lë një gjurmë të veçantë.

            Detyra e rrëfimtarit-artist Fatmir Terziu është që të ngjallë interesimin, kërshërinë e lexuesit dhe ta bëjë atë të bjerë në meditime të thella brenda një periudhe të shkurtër kohore. Pra, rrëfimtaria e tij në gjininë e tregimit është një art i vërtetë që mishëron në vetvete një variant të shkurtuar të një vepre të të tjera niveleve shumë më përmasore.

            Tregimet e kësaj përmbledhjeje bien në sy për intensitetin emocional dhe thellësinë psikologjike. Autori ka përfshirë në to një sasi maksimale momentesh mbresëlënëse dhe përjetimesh fort domethënëse brenda caqeve të një hapësire të kufizuar. Në morinë e tregimeve hasen si përshkrime të zakonshme realiste nga jeta e personazheve të ndryshme, ashtu edhe nga ato që janë të ngjeshura me elemente fantastike dhe surrealiste.

            Duke  ndjekur me kujdes përmbajtjen e çdo tregimi, lexuesi vëren se sa rëndësi ka gjuha dh stili i secilit prej tyre, çka e nxit së tepërmi kërshërinë e tij.

            Me kompaktësinë dhe saktësinë e rrëfimit, autori ka bërë të mundur t’i përcjellë idetë e veta në mënyrë të përmbledhur dhe shprehëse.

   


Autori Fatmir Terziu: Gëzimi me librin “Në errësirë nuk ka vend për shenjtorë”.

         Tregimi artistik ka një histori të gjatë, duke filluar që nga antikiteti. Në Greqinë e lashtë tregimet shërbenin si “blloqe ndërtimi” për shumë vepra të njohura epike, të tilla si “Iliada”  dhe “Odisea”.    

            Gjatë mesjetës tregimi artistik u bë gjini e parapëlqyer në letërsi. Shkrimtarë të mëdhenjë, si Xhovani Bakaço (Giovanni Boccaccio - 1313-1375) dhe Uiliam Shekspir (William Shakespeare - 1564-1616) e patën përdorur këtë gjini për të rrëfyer histori të ndryshme dhe për të përcjellë mësime moralizuese.

            Tregimet e kësaj përmbledhjeje bien në sy për disa tipare themelore. Ata kanë një formë të ngjeshur. Autori ka përcjellë thelbin e idesë, të mishëruar në disa faqe teksti.

Tregimet karakterizohen nga figura tepër mbresëlënëse që mbahen mend me lehtësi. Autori përdor mjete të ndryshme artistike për t’i bërë ato sa më shprehëse. Ai krijon njëfarë enigme ose problemi, i cili zbulohet në fund të tregimit, duke nxitur kërshërinë e lexuesve dhe duke ngjallur interesimin e tyre.

            Heronjtë e këtyre tregimeve janë elemente kyç. Figurat e tyre autori i ka tipizuar mjeshtërisht dhe përmes tyre ka prekur disa tema ose probleme, të cilat e bëjnë lexuesin të bjerë në përsiatje të thella.

Të gjitha tregimet i ngjallin lexuesit emocione të fuqishme. Autori përdor mjete të ndryshme artistike për të përcjellë ndjenjat dhe përgjithësisht gjendjen shpirtërore të heronjve.

Në këto tregime bie në sy mjeshtëria e autorit në gjetjen e metaforës së duhur, e cila luan një rol të rëndësishëm si stoli stilistikore e tekstit për përcjelljen e idesë kuptimore që ngërthehet në një objekt ose dukuri përmes analogjisë me një objekt ose dukuri tjetër. Pra, metafora i ka krijuar mundësinë autorit t’i shprehë mendimet dhe idetë e veta në një mënyrë sa më figurative dhe emocionale

            Aristoteli e përcaktonte metaforën si krahasim të një sendi të papërmendur me një tjetër send, mbi bazën e ndonjë tipari të përbashkët. Ai, përgjithësisht, krejt artin e kuptonte si një imitim të jetës. 

Përdorimi mjeshtëror i metaforave nga ana e autorit, i ka krijuar mundësinë lexuesit ta perceptojë tekstin e këtyre tregimeve jo vetëm në nivelin e logjikës dhe të të kupturit racional, por edhe në nivelin e emocioneve dhe të përfytyrimit, të krijojë një tablo edhe më të qartë në mendjen e vet, duke e bërë tekstin edhe më tërheqës, edhe më interesant.

Metafora e ka ndihmuar autorin të shprehë nocione abstrakte, duke i bërë ato më të kuptueshme dhe më të kapshme për lexuesin. Ajo është përdorur në këto tregime për përshkrimin e ndjenjave, e mendimeve dhe koncepteve, të cilat është e vështirë t'i përcjellësh me fjalë drejtpërsëdrejti.

Fatmir Terziu, si një shkrimtar mjaft i talentuar, penën e vet e ka vënë në shërbim të lexuesve bashkatdhetarë. Si një krijues me vlera të rralla intelektuale, domosdo që është mjaft i interesuar për problemet që vërehen në  atdheun e vet. Pa rënë absolutisht në prehrin e politizimeve, shqetësimet e veta ai ia përcjell lexuesit përmes figuracionit artistik. Metaforën ai e përdor si krahasim, ku një objekt ose dukuri zëvendësohet me një tjetër objekt ose dukuri, për të përcjellë një kuptim ose një figurë të caktuar. Ai e ka përdorur atë për përshkrimin e ndjenjave, e  nocioneve abstrakte ose madje për krijimin e figurave artistike dhe të simboleve.

            Midis tregimeve, hasen edhe të tillë që të kujtojnë prozën poetike, domethënë për nga ritmi dhe intonacioni janë organizuar në të njëjtin mikronivel me intensitetin që është karakteristik për vargun. Po të ndalemi te tregimi Pedalimi mbrapa”, i cili është vërtet një prozë e bukur poetike, do të vërejmë elegancën metaforave dhe të figuracionit artistik:

            “Lëreni dhimbjen të kalojë në cepin e grisur të Historisë dhe të vetë histerisë”.

            “Le të gjejnë paqen viktimat e aksidentit propagandistik”.

            “Gjak u mbush koha, historia,..”.

            “Ftojeni panikun të shkojë në këndin e vet”.

            “Sheqerpare është një ëmbëlsirë e kohëve të arta të nënave tona që e ëmbëlsonin me lotë kurbeti, lotë mallkimesh, lotë paresh...”.

            Pra, fjala artistike e shkrimtarit hedh dritë mbi realitetin e jetës në vendin tonë plot makth dhe kotashpresa.

Kësisoj, figuracioni artistik në këtë tregim, i përcjellë me “vellon” e metaforës apo të simbolit, përmban në vetvete një kuptim të fshehtë dhe përdoret nga autori për shprehjen e ideve dhe të emocioneve të caktuara.

Shkrimtari dhe publicisti anglez Xhorxh Oruell (George Orwell - 1903-1950), në romanin me titull “1984”, ka përdorur simbol-metaforën “Vëllai i Madh”, me çka nënkuptohet një regjim totalitar që ushtron kontroll mbi njerëzit. Në këtë mënyrë shkrimtari zbërthen idenë kryesore të romanit, duke demaskuar natyrën e egër të diktaturës komuniste në Bashkimin Sovjetik, i cili mbahej si “kryeaga” për të gjitha vendet socialiste të Evropës Lindore.

Në romanin “Mjeshtri dhe Margarita”, shkrimtari rus Mihail Bullgakov (1891-1940) ka përdorur simbol-metaforën “magjia e zezë”, me të cilën nënkuptohet arroganca e pushtetit dhe shtypja e individit. Kësisoj autori përcjell te lexuesi idenë kryesore të romanit, duke përdorur një perde misterioziteti dhe fshehtësie.  

Shkrimtari francez Antuan de Sant Ekzyperi (Antoine de Saint-Exupéry - 1900-1944), në romanin “Le Petit Prince” (Princi i vogël), ka përdorur metaforën “trëndafil” për të dhënë idenë e dashurisë dhe natyrën e ndjeshmërisë. Kjo metaforë ndihmon për krijimin e një figure artistike, e cila zgjeron kuptimin  e simbolit dhe e bën atë edhe më emocionues.

            Në një tregim tepër prekës, i cili e mallëngjen lexuesin gati deri në përlotje, autori ka përdorur simbol-metaforën “loti”. Madje edhe tregimin e ka titulluar Pesha e lotit tjetër”. Për ta bërë sa më emocionuese përmbajtjen e tregimit, ai ka përdorur antitezën si mjet stilistikor: heroi kryesor, me zemër të vrarë për paralizën e bashkëshortes së vet, gjendet përballë një mjeku të ri, i cili reagon në një mënyrë tepër shpërfillëse, gati revoltuese, ndaj gjendjes së tij shpirtërore tejet të rënduar. Kur e mbaron së lexuari këtë tregim, me një vëllim prej pak më shumë se një faqe kompjuteri, kushdo bie në përsiatje të thella:

            “Kjo botë, në penën e shkrimtarit të talentuar Fatmir Terziu, përvijohet si një ndërthurje e gëzimit me trishtimin, si një lojë e përhershme e komedisë me tragjedinë”.

            Në tregimin Zinxhiri i qenit”, autori përdor simbol-metaforën “kaos”, me të cilën nënkuptohet mungesa e ligjit, çka sjell si pasojë cenimin e lirive të individit, i cili, për t’i shpëtuar zinxhirit të varfërisë, detyrohet të marrë rrugët e mërgimit dhe të bëhet objekt hetimi në gjykata të huaja. Në vendin tonë, të mbetur pa zot, me qytetarë “jetimë” dhjetë vitet e fundit, gjejnë mishërimin e plotë fjalët e kryeministrit hungarez Viktor Orban, fjalë këto me vlera aforistike:

“Kur të majtët janë në pushtet, historia përfundon në varfëri dhe kriza”.

Tregimin Roja i vilës së madhe”, Profesor Fatmiri e ka skalitur mjeshtërisht mbi bazën e antitezës, si mjet stilistikor - varfanjaku përballë pasanikut -, një realitet ky sa trishtues, aq edhe tragjik. Deri dje kishim Bllokun famëkeq, ku shporta e karavidheve politike bënte jetë parajsore, përballë mjerimit ekonomik që ishte ulur  këmbëkryq në vatrat e thjeshta shqiptare.

Tani, po aq hijerëndë sa Blloku i politbyroistëve, kemi “Bllokun” e Gjirit të Lalësit që po ndjek me shpërfillje varfërimin e pandalshëm të njerëzve të thjeshtë.

Ky tregim më kujtoi qytetaren e talentuar shqiptare, Silvana  Begaj, e cila vite më parë pati braktisur vendin me një dëshpërim të thellë në zemër. Që prej vitit 2014, Silvana është asistent-pedagoge në degën e menaxhimit të Universitetit Gävle në Suedi. Ja si e përshkruan ajo dëshpërimin e vet me pak fjalë:

Mirupafshim, o Shqipëri e pasur për 0.001 përqind të popullsisë dhe mjerim për pjesën tjetër” (Silvana Begaj. “Mirupafshim, Shqipëri! Le të digjen ata që të duan ty në zjarr, mua do të më marrë malli, por do të iki se jam shumë e re të vdes”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 30 korrik 2022).

Tepër prekës është tregimi më titull Edhe të vdekurit fliskan gjuhë të huaj”. Këtu autori e kthen lexuesin disa dhjetëvjeçarë prapa, në periudhën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur në vendin tonë, në kuadrin e luftës së klasave, të shpallur nga Enver Hoxha, filloi përndjekja e intelektualëve të shquar, të pajisur me kulturë të gjerë në disa universitete perëndimore. Heroi kryesor i këtij tregimi është njëra nga figurat e shquara të inteligjencies shqiptare - Ibrahim bej Biçakçiu (1905-1977), i cili kishte përfunduar dy fakultete në Vjenë. Pikërisht një intelektual të tillë të shquar, zotërues të katër gjuhëve të huaja, Enver Hoxha e mbajti 18 vjet në burg dhe pas burgut e punësoi si roje varrezash dhe më pas patrues të nevojtoreve publike në qytetin e Elbasanit.

            Në këtë tregim, autori e shtjellon ngjarjen përmes dialogut të dy zonjave dhe një qytetari që kanë ardhur nga jashtë për të vizituar në varrezat e Elbasanit vendprehjen e dikujt që dikur kishte qenë gjeneral. Por mbetën të befasuar nga roja i varrezave, i cili ngjante si gjysmënjeri nga rraskapitja. Ata bashkëbisedonin në anglisht, të bindur se ai nuk po i kuptonte. Por roja reagoi:

Në këtë jetë nuk ka rëndësi, se je gjysmënjeri, apo një njeri i bëshëm, por më e rëndësishmja është të dish të mbetesh Njeri”.

Për “t’iu fshehur” rojës, bashkëbiseduesit vazhduan të flisnin italisht, por gjysmënjeriu reagoi edhe në këtë gjuhë. Dhe “odiseja” e bisedës së tyre dhe e reagimit të gjysmënjeriut vazhdoi edhe në turqisht.

Realiteti që autori pasqyron në këtë tregim, është plotësisht i besueshëm. Sepse dihet që realiteti të jep mundësinë t’i afrosh lexuesit shumë më tepër natyrë të larmishme dhe të papërsëritshme. Kjo për arsye se trurit të njeriut i krijon boll hapësirë bota që na rrethon, natyra, në raport me të cilën lexuesi përfaqëson tashmë një sistem kujtese.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme baza faktike, e dokumentuar, në krijimtarinë artistike. Por kjo nuk e lehtëson aspak, përkundrazi, e bën më të komplikuar detyrën e shkrimtarit, si mjeshtër i fjalës artistike, në mënyrë që e vërteta faktike të ngrihet deri në nivelin e së vërtetës artistike.

Në këtë tregim, Profesor Terziu zbulon mundësitë dhe rolin e mekanizmit të përgjithësimit artistik në shkathtësimin e të menduarit figurativ të lexuesit. Duke u mbështetur në natyrën nivelore të vetëdijes dhe në strukturën  e figurës, ai e përshkruan me hollësi ecurinë e transformimit të fjalëve në figura, të kuptimeve në ide në procesin e perceptimit nga ana e lexuesit.

Pra, me këtë tregim, autori ka përgjithësuar artistikisht realitetin tragjik që krijoi Enver Hoxha në vendin tonë me shpalljen e luftës së klasave pas vitit 1944. Si pasojë e asaj lufte të përbindshme të shqiptarit kundër shqiptarit, Enver Hoxha përndoqi, burgosi dhe pushkatoi elitat intelektuale të vendit tonë. Duke demaskuar artistikisht pasojat e politikës së Enver Hoxhës në qëndrimin ndaj elitave në fjalë, autori, me artin e fjalës artistike, ka çmitizuarar vetë Enver Hoxhën dhe krejt sistemin diktatorial që ai instaloi në vendin tonë. Intelektualë të tjerë të letrave shqipe, në veprat e tyre, çuditërisht, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk e kanë çmitizuar Enver Hoxhën artistikisht. Përjashtim bën vetëm shkrimtarja e shquar Mira Meksi, e cila, në romanin saj me titull “Diktatori në kryq”, të botuar në vitin 2019, artistikisht e ka rrëzuar përtokë mitin e Enver Hoxhës, të cilin e bluante kompleksi i inferioritetit të tmerrshëm para elitave kombëtare me kulturë perëndimore.

Nuk mund të lihet pa u nënvizuar një veçori karakteristike e tregimeve të kësaj përmbledhjeje. Në të janë përfshirë 104 tregime. Përgjithësisht janë tregime të shkurtra, madje deri edhe në më pak se një faqe kompjuteri apo një çikë më tepër.

Në Britaninë e Madhe, në vitin 1980, u shfaq një gjini e tillë tregimi që u quajt Drabble. Përshkrimi i ngjarjeve në këtë gjini jepej me 100 fjalë, me të cilat demonstrohej aftësia e autorit për të shprehur një mendim të përfunduar në një formë të shkurtuar dhe sa më të ngjeshur. Në Universitetin e Birmingamit (University of Birmingham) kjo mënyrë të shkruari ekzistonte si formë e lojës me fjalë, kurse më pas, në vitin 1987, u kthye në konkurs letrar. Më vonë, redaktori i revistës “New Times”, Stiv Moss (Steve Moss - 1948-2005) i rishikoi kanonet e kësaj gjinie dhe shpalli një konkurs, pjesëmarrësit e të cilit duhet të shkruanin nga një tregim me jo më shumë se 55 fjalë. Kërkesat e tjera mbetën të pandryshuara: një subjekt konçiz, një paraqitje e përpunuar e personazheve dhe një zgjidhje e pazakontë. Moss-it i patën ardhur kaq shumë reagime nga pjesëmarrësit e konkursit, saqë në përfundim të tij ai arriti të hartonte një përmbledhje të tërë, me titullin “Tregimet më të shkurtra në botë” (The World’s Shortest Stories).

Me këtë përmbledhje me tregime, Prof.dr. Fatmir Terziu, i cili në fushën e letrave shqipe zë një vend të nderuar në thesarin e kulturës sonë mbarëkombëtare, mund të radhitet denjësisht pranë tregimtarëve të tillë të shquar në botë, si Rei Bredberi (Ray  Bradbury - 1920-2012), shkrimtar amerikan,  Artur Konan Doil (Arthur  Conan Doyle - 1859-1930), shkrimtar anglez, Henri Bëjl (Heinrich  Böll - 1917-1985), shkrimtar gjerman, Karlos Ruis Safon (Carlos Ruiz Zafón - 1964-2020), shkrimtar spanjoll, Zhulio Kortasar (Julio Cortázar - 1914-1984), shkrimtar argjentinas, Edogava Rampo (1894-1965), shkrimtar japonez, Stanisllav Lem (Stanisław Lem  1921-2006), shkrimtar polak.

Kaliforni, 18 janar 2024

45 views9 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page