top of page

Sidoqoftë, kjo botë rufjane feston çdo fundvit



( Në Skelë, buzë lokalit " Piazza" ka kohë që rri një përderëse cigane. Ditën lyp, kurse natën shtrihet e fle në atë Parajsën e saj " të virgjër " Askush nuk e di nga ka ardhu nuk bëhet merak për të. Eh,, e gjora, është pjesë e kësaj bote ! )

Miliarda ylbere artificialë zbukuruan Botën Plakë, shtrigën e thinjur, hipokrite. Ka një muaj Toka që i ngjan kalit të arixhiut, tërbuar në një garë të ethëshme me yjet.

Ngjyra të ndezura, fishekzare që do të nxitnin në marrëzi të papërshkruar bizonë dhe dema kundër Toreadorëve, zotërve të jetëve tona.

Veç bizonë dhe dema nuk duken gjëkundi.

Duket janë kthyer në specie në zhdukje.

Ka veç Toreadorë që mbajnë kurora dafine të fitoreve të rrëmbyera pa u ndeshur në arenat e mbetura shkretë, mbetje arkeologjike të të kaluarës,

Poedhe arixhinjtë nuk duken gjëkund.

Në kujtim të tyre pushtetarët, të përmalluar, zbukurojnë Botën për të sjellë në përfytyrim Kalin e Arixhiut.

Vallëzime ngjyrash dhe në vend të zileve të Kalit të Arixhiut, fishekzaret që trembin netët e fundvitit.

E ndërsa rrugët llamburisin dhe zhurmojnë nga dritat dhe gjëmimet hipokrite, gënjeshtare, tejane, në pragjet, varfëria dhe pasiguria, pabesia dhe zhgënjimi këndojnë zëulët polifoninë e vjetër sa vet Bota.

Andej Gëzim rufjan, , veshur me rrobat e mjegullta të pandershmërisë, për të virgjëruar zhvirgjërimin kurtizan. të përjetshëm...Pasurinë dhe Paratë.

Tejane trishtimi, dhëmbja, brenga, kënduar në tragjeditë Eskiliane, ardhur nga shkallët e gurta të Amfiteatrove të lashtësisë, si jehonë për jetën e mohuar në pëtejjetët e fantazmave Epikuriane.

Bëni kujdes ju që do kaloni andej nga çapita këtë mbrëmje unë.

Para "Piacës ", buzë atyre përsihatjeve të pakuptimta të zbritura në sheshin e dikurshëm si mbetje meteorësh në nënvetëdijen e vyshkur të kohës para Krishtit, ngadalësoni hapin para një togu ngatërresash të çuditëshme, mos u habisni nga ajo që do t'ju shohin sytë.

Mbuluar me rrecka të vjetra, smbledhur kuspull si një qen i braktisur, e palëvizur, si një jetë e harruar nga koha dhe nga kjo botë!

Është një njeri.

Është një grua.

Është një përderëse...

Një hije vdekjeje mes të gjallëve.

Deri në muzg ishte ulur me dorën e shtrirë, me një kuti kartoni përpara, ku shiheshin disa qindarka që zemërmirët e paktë, të mbetur akoma në këto anë i kishin hedhur për mëshirë.

Po, po, për mëshirë.

Me neveri e kishin parë me bisht të syrit qindra të tjerë.

Disa , madje i kishin bërtitur me inat :

" Ne jemi bërë për vete që të lypim si ti! "

Një tjetër kish shkuar edhe më tej në mallkimin e tij të çuditshëm : " Ti , të paktën, e paske zënë edhe një kryqëzim të përshtatshëm ! "

Kujt vallë i drejtohej ky mallkim i zbutur, i sherbetuar ?

Të gjithëve dhe askujt.

Sepse në vorbullën e ciklonit që ka mbërthyer botën janë përzier e njehësuar të mirë dhe të liq.

Një përzierje dhe njehësim që zor të zhbëhet.

Përderësja fle e qetë, e patrazuar nga asgjë e kësaj bote.

Mbase në atë gjumë të virgjër nuk ka as urrejtje, as mllef, as hakmarrje.

Dhe Bota rreth saj ndriçon e llamburit me ylbere hipokrite që të kujtojnë Kalin e Arixhiut.

Mbase pushtetarët ndjejnë mall për arixhinjtë që kanë emigruar bashkë me të tjerët dhe e zbukuruar botën siç zbukuronin kuajtë e tyre ciganët e dikurshëm, arixhinjtë.

Kjo përderëse është njera nga ata.

Kemi kohë që nuk kemi parë arixhinj me kuaj të zbukuruar me ngjyrat e ylberit.

Ja tek e keni këtë kurbatkë lypsare.

Le ta ruajmë si specie të rrallë të Hipokrizisë njerëzore..

Ajo lyp dhe nuk është hajdute...

Për këtë duhet respektuar.

Kur të zgjohet në atë Parajsë të Virgjër, që fati i ka dhuruar, hidhni te kutia e kartonit ndonjë qindarkë.

Mëshironi o njerëz viktimën tuaj të pafajëshme !


14 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page