Nga Luan Çipi
Në 14 Mars 2015, ndërroi jetë në Tiranë, studiuesi, gjuhëtari, përkthyesi dhe shkrimtari Petro Zheji, një nga figurat më të spikatura, më të ditura dhe më kontribuuese të shqipes.
Nuk mund ta mposhtja hidhërimin që ndjeva për vdekjen e tij, kjo edhe se më takoi ta njihja nga afër e ta kisha mik, në vitet e rinisë, (në vitet 1953-54), kur edhe pse me arsim të lart, u diferencua për të kryer (bashkë me mua) në Ersekën kufitare, “shërbimin e detyruar ushtarak”. Kujtimet, më sjellin bashkëbisedime intime rinore të kohës, një jetë të gjallë aktive, kur ai, ende djalosh i fuqishëm dhe i distancuar dukshëm në dije nga mjedisi,“shfrytëzohej” edhe atje, më shumë për të ndihmuar, në pozicionin e mësuesit të matematikës dhe të gjuhës ruse, “kuadrot ushtarake” që vazhdonin shkolla e kurse pafundësisht. Më kujtohen, me mall e dashuri të pashuar, bisedat tona të ngrohta shoqërore në mensën dhe në fjetoren e përbashkët, si edhe kur aktivizoheshim së bashku, në lojëra sportive, në ekipin përfaqësues të futbollit dhe në grupet artistike të Repartit Ushtarak 4585 Ersekë.
I biri i Gjirokastritit Spiro Ballo, me origjinë nga Zheji, ish oficer madhor (kolonel), laureuar në Itali dhe me shërbim e jetesë në Tiranë dhe vëllai i Gjergji Zhejit, shkrimtarit dhe gjuhëtarit prestigjioz, mësuesit tim të dashur të Gjuhës Shqipe.
Petro Zheji, pak më i vogël nga vëllai i tij Gjergji, lindi në Tiranë, më 18 Tetor të vitit 1929.
Babai i Petro Zheit, shok në ushtrinë mbretërore dhe bashkëveprues me antifashistin Spiro Moisiu edhe pse grishet prej tij dhe përkrah luftën nacional çlirimtare, pas çlirimit si ish oficer dhe i kamur, (dhe pse pa asnjë faj e implikim) përndiqet nga pushtetarët dhe i sekuestrohen pronat nga regjimi komunist.
Petrua, studion Matematikë-Fizikë në nivel dyvjeçar në Tiranë, jep mësim në gjimnazin "Qemal Stafa Tiranë dhe dërgohet për të dhënë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës. Më pas studion për gjuhë shqipe, në Universitetin e Tiranës, punon pranë Ndërmarrjes së Botimeve "8 nëntori" si përkthyes me normë, punon gjithashtu, pranë shtëpisë botuese "Naim Frashëri" në kryeqytet, si redaktor.
Petro Zheji, martohet me aktoren Besa Imami, martesë nga e cila u lind djali i vetëm, energjik dhe i talentuar, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë dhe Petrua, mbas viteve të tranzicionit, largohet jeton e punon në ShBA-së. Kthehet në Tiranë pas shumë vitesh, në një kohë kur edhe vlerësohet si veprimtar e personalit i shquar shoqëror, derisa çmohet me dhënien e një pensioni suplementar.
Petro Zheji, qysh në moshë të re, u shqua për talent të rrallë në njohjen dhe zotërimin e gjuhëve të huaja. Ai ishte edhe një poliglot që njihte me themel, jo vetëm shqipen, po zotëronte edhe gjuhët italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe latinishten.
Petro Zhej nisi të dallohet shumë, si një nga përkthyesit më elitarë, e më produktiv me mbi 13.000 faqe përkthime të botuara në shumë vite. Cilësia e përkthimeve të tij është superiore. Përkthimi i tij i parë, daton më 1958, me vëllimin e parë të romanit "Bruski" të Fedor Panferov, përkthyer së bashku me vëllain, Gjergjin. Tituj të tjerë veprash madhore të përkthyera janë: "Vuajtjet e djaloshit Verter" të Gëtes, "Sojliu mendjemprehtë - Don Kishoti i Mançës" i Servantesit, (që është një kulm saktësie e perfeksioni artistik, i pa dalluar nga përkthimi i Nolit të madh), "Nipi i Ramonit" nga Didero, "Vilet e zemërimit" të Stajnbek, "Njeriu i padukshëm" i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj të tjerë nga letërsia gjermane, spanjolle, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze e deri nordike. Me këto vepra prestigjioze, Petro Zhej, pa mëdyshje, vihet në radhën e parë të përkthyesve të shquar shqiptar, krahas Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, Skënder Luarasi, Robert Shvarc, etj.
Dy nga drejtimet që e kanë angazhuar gjatë gjithë jetës, studiuesin Petro Zheji, kanë qenë filozofia dhe gjuhësia. Në frymën e simbolizmit dallohen sidomos veprat e tij edhe pse të botuara me vonesë: "Roli mesianik i gjuhës shqipe", “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” etj.
Veprat e tij filozofike përcaktojnë raportin botëkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën. Këto studime e kanë zanafillën te Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot dhe pasqyrojnë në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë, që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Sipas Petro Zhejit në këto drejtime ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të ëndrrës së heronjve të tillë të mendimit, si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu, etj.
Për gjuhën shqipe gjithashtu janë me shumë vlerë studimet e Petro Zhejit për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij. Punime si: “Shqipja dhe Sanskritishtja” (në dy vëllime: 1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, "Libri i Aforizmave" (2012), shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Sipas Petro Zhejit, me punën e tyre rilindësit tanë, bënë zhvarrosjen e kombit tonë dhe sollën rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Këto punime, tej zhvarrosjes së kombit, fillojnë ta ngjallin realisht atë, në përmasat e tij e pellazgjike dhe të realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë: të De Rada, Sami Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta etj. e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë.
Këto punime janë vlerësuar dhe nga figura të spikatura studiuesish si Martin Camaj, Robert Elsie, etj., që kanë analizuar dhe çmuar shumë lart përmbajtjen e tyre dhe kontributin direkt të Petro Zhejit në historiografinë e gjuhës shqipe.
Do ta mbyllja i përmallur, këtë shkrim homazh e përkujtimor, me fjalët e thëna enkas për këtë rast, nga shkrimtari i shquar vlonjat, Faruk Myrtaj:
“Ikjet e këtyre përmasave detyrojnë respekt dhe heshtje...Petro Zhej, një altar, ku mund t’i biem në gjunjë Gjuhës Shqipe!”
Comments