top of page

Shënime për librin “Kohëbota” të Fatmir Terziut



KUR KOHA DHE BOTA NUK BIEN NË GJUMË

Siri Sulejmani

Siri Sulejmani Sa herë na bie syri mbi një libër të ri, padashur themi me vete; more, çfarë ka mbetur ende për tu thënë nga kjo botë ku janë derdhur në shekuj me miliona faqe librash nga mijëra mendimtarë, poetë, shkrimtarë ?! E ndërkohë, ngrihet mendimi tjetër; pa ta shfletojmë një herë dhe këtë libër, ç’hall ka autori e me ç’këndvështrim e ka parë botën! Kështu ndodhi edhe me mua kur më ra në dorë libri i studiuesit dhe poetit Fatmir Terziu, “Kohëbota”. Sa u futa në faqet e para, një thirrje e autorit më ndali, më bëri të mendohem: “Zgjohu edhe natën njeriu im I imi njeri i natësuar Mos lejo që një elektron i paaftë Të të bëjë të tjetërsuar Në këtë natë ti je ndryshe Edhe pse ndryshe nuk është kjo natë Mendo, sikur ti të mos ishe Kush do të numëronte 365 a 366 nga e para prapë?!...” E thjeshtë, e kuptueshme! Brengë e ngujuar, ankth i hershëm apo filozofi e ngatërruar? Të gjitha bashkë të rrëmbejnë e të futin në mendime; Ç’bëhet o njeri me ty, ç’bëhet me mua, me ne të gjithë?! E kemi gjumin të natyrshëm apo jetojmë në përgjumje të përhershme? Mos vallë përjetojmë ndjesinë e një kafshe (ndoshta gomarit), i cili, ndërsa ujku po e hante, ai thoshte ishalla jam në ëndërr...! Krejt padashur më ikën mendimet larg, te Çajupi i rilindjes kur bënte thirrje: Shqipëtar mos rri po duku... Eshtë i njohur fakti që historia përsëritet, por me thirrje të largët në shekuj, kurse për ne është mesa duket krejt ndryshe, përsëritja ka qënë e përafërt në mos e njërrjedhëshme. Po le të shkojmë më tej në shqetësimet e poetit, te një titull i thjeshtë : “Një pikë ujë E gjitha nga goja në gojë Ajo pikë uji u bë kiamet Edhe pse njeriu e dinte që ishte lojë Edhe pse njeriu eksperimentonte jetën e vet...” Ti i nderuar lexues që mund t’i lexosh këto rradhë, mendoje pikën e ujit si të duash, quaje fare të thjeshtë apo edhe të parëndësishme, por unë kërkoj domethënien e autorit, shqetësimin e tij e për rrjedhojë unë në atë pikë uji shkrij edhe një sistem shoqëror gjatë të cilit njeriu eksperimentoi për dekada jetën e tij dhe së fundi eksperimenti doli i dështuar. Pra edhe vitet e jetës të humbura! Ç’të keqe mund të presësh më shumë?! Këtë të keqe poeti e zbulon hapur në vazhdim të poezisë, në rradhët e mëposhtme: “Një grusht njerëzish gjithmonë bëjnë bujë Të ruajnë marrëzisht pushtetin e vet Dhe pa dhimbje mbysin me një pikë ujë Kundërshtarët qindra, mijëra vetë...” Duke “korrur” nëpër faqet e librit mësoj se autori ka shëtitur nëpër Shqipëri dhe më gjerë, nga ku ka përjetuar mbresa të cilat i ka derdhur në vargje. Kështu e gjejmë në Janinë tek mediton për qytetin e Ali Pashës, e gjejmë në Manastir e në Strugë, të cilën e quan qytet të poetëve: “Qytet simbol i pastërtisë I bardhë ditëve dhe netëve Ë zemrën e Shqipërisë...” Në përgjithësi, autori Terziu, fshikullon me vargje të këqiat që pengojnë lirinë, gëzimin e përparimin e shoqërsisë, por bota nuk është vetëm e trishtë, ajo ka dhe dritën e saj. Ka diellin nga ku ai merr dritën e ngrohtësinë, nga liqeni merr “borxh” qetësinë, nga lumi ecjen e pagjumësinë, nga yjet largësinë e nga oqeani pafundësinë. Natyrisht, frymëzimi në një shtrirje të tillë, ka marrë më tepër hapësirë, ka marrë më tepër ngrohtësi e realizëm gjatë gati dy dekadave të fundit, që ai ka jetuar jashtë vendlindjes, në Angli. Me fjalë malli, autori i këndon dhe Elbasanit, ku ka kaluar fëmijërinë, pjesën më të ndjeshme të natyrës njerëzore. Me respekt të veçantë, poeti i ka thurur vargje këngëtares së paharruar nga të gjithë shqiptarët, Tefta Tashko Koço. Për mendimin tim, zoti Terziu është i prirur nga vargu i lirë, ku bie dukshëm në sy mendimi filozofik, por edhe metafora, aludimi, ironia dhe nënteksti, të cilat të shtyjnë të kërkosh thelbin e idesë. Po a ka ndonjë të metë? Mund të pyesi lexuesi i këtyre mendimeve. Po ku ka libër në botë pa të meta?! Për të ilustruar këtë pyetje, po marr një shembull nga maja e piramidës së letërsisë botërore: në qoftë se do ti heqim tragjedisë së famshme të Shekspirit, Hamleti, faqen e fantazmës së të atit, prej të cilit mëson se ka gjetur vdekjen nga i vëllai, për t’i marrë fronin dhe gruan, gjë që realisht në jetë nuk ndodh, atëherë tragjedia do humbiste dhe nuk mund ta ngrinin në këmbë as të famshmit aktorë, Lorenc Oliveri, Basermani, Moçallovi apo i madhi ynë Aleksandër Moisiu. Pra së fundi, për mendimin tim, autori në të ardhmen duhet ti ruhet rënies aty – këtu në prozaizmë. Them në të ardhmen, pasi të kërkosh “qimen në qull, në një libër të dalë në dritë është njësoj si t’i kritikosh dhëndërrit ditën e dasmës, kostumin që ka prerë dhe veshur...!


6 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page