Fatmir Terziu: Gjuha tipologjike e tregimit të shkurtër te Istref Haxhillari
- 2 hours ago
- 5 min read

Takimi im i rastësishëm me Istref Haxhillari në Pogradec, gati pesëmbëdhjetë vite më parë, mbetet një nga ato çaste të qeta që marrin kuptim vetëm më vonë. Ishte një pasdite e butë pranë liqenit, ku biseda nisi pa ceremoni, si të njiheshim prej kohësh. Në fjalët e tij kishte një thjeshtësi të menduar, një përmbajtje që nuk kërkonte të bindte, por të kuptohej. Fliste për jetën, për shkollën, për njerëzit e zakonshëm, dhe vetëm në mënyrë të tërthortë për letërsinë, sikur ajo të ishte vazhdim i natyrshëm i të gjithave. Sot, kur rikthehem te ai takim, dhe kur kujtoj shoqërinë e tij asaj dite me poetin Dhimitër Pojanaku, apo me shkrimtarin Bujar Balliu, më duket se aty kuptova se rrëfimet e tij nuk lindin nga dëshira për të treguar, por nga nevoja për të dëgjuar dhe për të mbajtur gjallë atë që zakonisht kalon pa u vënë re.
Istref Haxhillari është një ndër zërat e veçantë të prozës së shkurtër shqiptare bashkëkohore, i cili vjen nga një sfond i pazakontë për letërsinë. Formimi i tij në shkencat ekzakte, konkretisht në fizikë. I lindur në Pogradec dhe i lidhur për dekada me arsimin si mësues dhe drejtues, ai e ndërton profilin e tij letrar mbi një disiplinë mendimi dhe një ndjeshmëri të përmbajtur, që reflektohet qartë në stilin e tij. Ky kombinim midis racionales dhe intuitives i jep prozës së tij një karakter të veçantë, ku vëzhgimi i hollë i realitetit bashkëjeton me depërtimin psikologjik.
Krijimtaria e Haxhillarit përfshin tregime, novela, romane dhe ese, të botuara në disa vëllime si “Përthyerje”, “Pesha e kohës” apo “Grinata”. Në qendër të saj qëndron njeriu i zakonshëm, i vendosur përballë situatave kufitare, ku shpesh përplasen dëshira, kujtesa dhe realiteti social. Ai shquhet për një prozë të përmbledhur, me gjuhë të kursyer dhe me ngarkesë të lartë emocionale, ku detaji konkret merr vlerë simbolike. Tregimet e tij shpesh ndërtohen mbi tensione të brendshme dhe përmbysje të papritura, duke krijuar një atmosferë të dendur dhe reflektuese.
Në tërësi, vepra e Istref Haxhillarit mund të lexohet si një pasqyrë e tranzicionit shqiptar dhe e dilemave ekzistenciale të individit në kohët moderne. Ai nuk i trajton temat në mënyrë deklarative, por i sugjeron përmes situatave të vogla, dialogëve të thjeshtë dhe heshtjeve domethënëse. Pikërisht kjo mënyrë e të shkruarit, që shmang retorikën dhe kërkon thelbin, e bën krijimtarinë e tij të qëndrueshme dhe të hapur ndaj leximeve të ndryshme kritike.
Nëse do ta vendosnim prozën e shkurtër të Istref Haxhillarit në një hartë tipologjike të letërsisë bashkëkohore, ajo do të qëndronte në një pikë ndërmjet realizmit të përthyer ballkanik dhe një minimalizmi emocional me prirje simbolike. Tregimi “Karmençita”, si edhe “Akuarel”, shfaqin një gjuhë që nuk ndërtohet mbi ornamentin, por mbi tensionin e brendshëm, duke e bërë tekstin të funksionojë si një strukturë e kondensuar ku çdo fjali bart peshë semantike dhe ritmike. Në këtë kuptim, analiza komparative mund ta afrojë këtë prozë me traditën e tregimit të shkurtër evropian, nga intensiteti psikologjik i Anton Çehovit deri te lakonizmi i Ernest Hemingueit, por gjithnjë duke ruajtur një idiomë të veçantë shqiptare.
Së pari, në planin tipologjik, gjuha e Haxhillarit ndërton një marrëdhënie të fortë midis trupit dhe fatit. Tek “Karmençita”, erotika nuk është thjesht element narrativ, por një kod gjuhësor: “grisnin terrin me të puthura” nuk është vetëm figurë poetike, por një mënyrë për të shprehur shkrirjen e subjektit në përvojë. Kjo mënyrë shkrimi i afrohet një diskursi ku truporja dhe tragjikja janë të pandashme, duke krijuar një lloj fatalizmi sensual. Në analizë komparative, kjo mund të shihet si një variant ballkanik i pasionit destruktiv që gjejmë te Prosper Mérimée në “Carmen”, por te Haxhillari ai përkthehet në një gjuhë më të ashpër, më të kursyer dhe më të drejtpërdrejtë.
Së dyti, struktura sintaksore është thelbësore për tipologjinë e tij. Fjalitë janë të shkurtra, shpesh të ndërprera, me elipsa që krijojnë boshllëqe ku lexuesi detyrohet të ndërhyjë. Kjo teknikë e afron autorin me një estetikë të heshtjes, ku e pathëna ka po aq rëndësi sa e thëna. Në këtë drejtim, metoda komparative e vendos këtë stil në raport me minimalizmin modern, ku ekonomia e shprehjes është formë e intensifikimit të kuptimit. Në “Akuarel”, dialogu midis Lalo Koçiut dhe “gotës” është një shembull i qartë: gjuha rrëshqet nga realja në një zonë gjysmë-absurde, duke krijuar një hapësirë ku objekti merr status subjekti. Kjo i jep tregimit një dimension ekzistencial, që mund të krahasohet me absurditetin e butë të përditshmërisë.
Një element tjetër tipologjik është përdorimi i detajit konkret si bartës i simbolit. Haxhillari nuk ndërton simbole abstrakte; përkundrazi, ai i fsheh ato në objekte të zakonshme: gota, thika, dritarja, trupat. Tek tregimi “Karmençita”, momenti i zbulimit të tradhtisë dhe akti final i dhunës nuk shpjegohen psikologjikisht; ato shpërthejnë si një reagim instinktiv, pothuaj arkaik. Kjo mënyrë e ndërtimit të ngjarjes e afron tekstin me një tipologji ku narrativa është më shumë një seri goditjesh se sa një rrëfim linear. Në terma komparativë, kjo mund të shihet si një afërsi me prozën e shkurtër të Evropës Juglindore, ku historia kolektive dhe trauma individuale ndërthuren në mënyrë të nënkuptuar.
Në planin semantik, gjuha e Haxhillarit është e mbushur me kontraste: dritë/errësirë, ngrohtësi/ftohtësi, jetë/vdekje. Këto opozicione nuk janë vetëm figura stilistike, por mekanizma strukturorë që e çojnë tregimin drejt një kulmi tragjik. Fjalia e fundit e “Karmençita”, ku lindja e ditës përkon me vdekjen e gjithçkaje, përfaqëson një përmbysje të pritshmërisë, tipike për tregimin modern. Kjo teknikë, në analizë komparative, lidhet me atë që në teorinë e tregimit quhet “ironia strukturore”, ku fundi nuk mbyll, por e hap më tej kuptimin.
Tek tregimi tjetër “Akuarel”, ndërkohë, gjuha tipologjike zhvendoset drejt një realizmi social të filtruar nga ironia. Dialogët janë të thjeshtë, por nën sipërfaqe mbartin një kritikë të heshtur ndaj tranzicionit, varfërisë dhe boshllëkut ekzistencial. Figura e Lalo Koçiut, që bisedon me gotën, është një metaforë e vetmisë moderne, ku subjekti ndahet nga vetvetja. Kjo e vendos tregimin në një linjë me prozën që eksploron alienimin, por pa retorikë të rënduar—gjithçka mbetet e përmbajtur, pothuaj e zakonshme.
Në lidhje me qasjen konkludive, gjuha tipologjike e Istref Haxhillarit karakterizohet nga një ekonomi shprehjeje, një intensitet emocional i përmbajtur dhe një prirje për ta kthyer të zakonshmen në simbol. Në dritën e metodave komparative, ajo mund të shihet si një ndërthurje e realizmit, minimalizmit dhe një simbolike të heshtur, që e bën tregimin e tij të shkurtër të funksionojë si një mikrokozmos i përvojës njerëzore. Pikërisht kjo aftësi për të kondensuar dramën në pak rreshta e vendos Haxhillarin në një traditë ku tregimi i shkurtër nuk është thjesht formë, por një mënyrë e veçantë e të menduarit letrar.








Comments