top of page

Shqiptarja thesprote, princesha rumune, Elena Gjika


Vilhelme Vranari Haxhiraj


Fragment nga libri im , “Elitat e Mohuara...,krenari kombëtare”f.133-138

Elena Gjika -Dora D’Istria, kjo elitë e vjedhur, lindi në Pargë të Çamërisë, më, 22 janar, 1828 – dhe vdiq në Firence, më, 17 nëntor, 1888. Elena Gjika, shkrimtarja, publicistja iluministe kërkoi barazinë gjinore dhe u rendit mes 10 femrave më përparimtare të shek. XIX. të Europës.

Dora D’Istria përmes një letre të shkruar prej saj, e cila gjendet në bibliotekën e Vatikanit, ku ajo u kundërvihet shpifjeve se është me origjinë greke apo nga një fshat pranë lumit Vjosë. Ja si shkruan ajo: “Deri tani është shkruar dhe folur shumë për origjinën time. Atë që s’e kanë thënë të tjerët, po e them unë. Quhem Elena Gjika, kam pseudonimin tim “Dora d’Istria”, jam jetime çame nga Parga. Rrjedh nga familja e Gjikajve. Kur u prish Suli, shkobva në Korfuz. Aty u njoha me një zonjë rumune , e cila më mori në Rumani, ku u shkollova për letërsi. U martova me një kont rus, i cili vdiq shpejt. U largova nga Rumania dhe u vendosa në Itali. Kam patur lidhje me Jeronim De Radën, me të cilin këmbeja mendime për Pavarësinë e Shqipërisë. Shpesh herë ndodh nga pseudohistorianët e huaj që shqiptarët trima e të ditur t’i mohojnë si të tillë , sepse duan t’u përvetësojnë lashtësinë .”vo:( Jasin Bala, Çamëria lëngon, Çamëria denoncon”f.25)

: “Të mos ketë më gegë, as toskë, as lebër, as çam, por vetëm Shqiptarë, bijë të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh, të Pirros e të Skënderbeut”.

Elena Gjika, ishte shkrimtare e publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. Familja Gjika kishte emigruar nga Përmeti dhe ishte vendosur në Rumani. Elena lindi në Pargë të Çamërisë, më, 22 janar1828. Ishte vajza e Mihal Gjikës, vëllai i Princit të Vllahisë Grigor Gjika. Arsimin e plotë Elena e mori në Rumani. Vazhdoi studimet në Dresden, Vjenë, Venecia dhe Berlin.

Elena Gjika, iluministja me origjinë çame, që e shtriu më tej fenomenin emancipues, duke e përgjithësuar veprimtarinë e grave shqiptare, në aspektin e barazisë gjinore, ecila theksonte ”Trima burrat, Trimëresha gratë”.

Më 1849, ajo u kthye në Rumani dhe u martua me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski. Jetoi disa vite në Rusi, në Shën Petërsburg, por kurrë nuk u përshtat me pikëpamjet nacionaliste të burrit të saj dhe nuk u pajtua as me fanatizmin Ortodoks të Oborrit perandorak despotik të Car Nikollës. Klima e ashpër ruse nuk i priu. Me përkeqësimin e shëndetit, me këshillën e burrit, shkoi në Evropën Qëndrore. Jetoi për disa vite në Zvicër, pastaj udhëtoi nëpër Greqi dhe Anadoll. Përfundimisht, shkoi në Itali, ku jetoi në një vilë në Firence. Herë pas here Gjika udhëtonte për në FrancëIrlandë dhe ShBA.

Si publiciste dhe shkrimtare (kryesisht në frëngjisht) Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855. Si autore përdorte emrin Dora D'Istria, pasi mentaliteti mesjetar nuk e vlerësonte femrën si shkrimtare. Për botën mashkullore, femra kishte lindur për të krijuar familje, t’i shërbente burrit dhe anëtarëve të tjerë të familjes e të lindëte fëmijë, t’i rriste dhe t’i edukonte ata.

Lind pyetja: -Femra pa kulturë a është në gjendje të rrisë një brez të edukuar, që të jetë i aftë për të ardhmen e kombit?! Kurrë... Duhej emancipuar femra që të integrohej familja, shoqëria dhe vetë shteti.

Gjika botoi një numër shkrimesh që e tregonin atë jo vetëm një njohëse e gjuhëve rumanisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht, greqisht (e vjetër dhe e re ), si dhe rusisht, por edhe njohuritë e saj në fushën e shkencës, fesë, politikës, si dhe talentin për të paraqitur pikëpamjet e saj.

Dora D’Istria

Vepra e saj e parë ishte “La vie dans l'Eglise monastique Orientale” - "Jeta monastike në Kishën Lindore" (Bruksel 1855; Bot.i II-të, Paris1858),ku bënte thirrje për shfuqizimin e urdhrave të manastirit. Më pas botoi: “La Suisse allemande” - "Zvicra gjermane"(Gjenevë-1856-në 4 vëllime,gjermanisht); (Bot.i II-të, Zürich 1860, 3 vëllime), ku përshkruan Zvicrën dhe popullin e saj. Ajo përshkruan një ngjitje në malin Monk, një rrëfim real pasi ajo ishte alpiniste. Në shkrimin “Les femmes en Orient” - "Gratë në Orient" (Zürich 1859, 2 Vëllime), ajo shkruante për emancipimin e grave në Levant( lulja e Lindjes në Mesdheun Lindor). Një tjetër libër, “Des femmes, par une femme” - "Rreth grave, nga një grua" (Bot. II, Bruksel 1869, 2 vëllime),ku krahasonte gjendjen e grave në Evropën latine, me ato në Gjermani dhe kërkonte me forcë trajtimin e barabartë të burrave dhe grave. Përpara kësaj, ajo botoi  “Ekskursions en Rouméllie et en Moree” - "Ekskursione në Rumeli dhe More" (Zürich 1863, 2 Vëllime), ku ajo përpiqej të tregonte se edhe Greqia e lashtë, kishte të njëjtën detyrë civilizuese si Gjermania e kohës së saj. Ajo gjithashtu botoi tregimin“Au bord des lacs helvétiques”, "Lundrim në liqenet zvicerane" (Gjenevë 1861). Boton romanet “Fylétia e Arbenoré prej Kanekate laoshima”(Livorno 1867), “Gli Albanesi in Rumenia”, një histori e familjes princërore Gjika, në shekujt 17-të, deri 19-të (Bot. II, Firenze 1873).Botoi “La poésie des Ottomans”  (Bot. II, Paris 1877), si dhe shkrime të shumta mbi historinë e letërsisë, poezisë, çështje politike, shoqërore dhe fetare, historike, arti etj. në revista të mirënjohura franceze (sidomos në Revue des Deux Mondes), belge Libre Recherche, italiane Diritto,  Antologia nuova, Rivista evropea etj,si dhe në revistat zvicerane, greke, rumune dhe amerikane.

Elena Gjika, ishte gjithashtu piktore. Ajo ishte anëtare e shumë shoqërive të studiuesve, të tilla si Akademia italiane, ajo u emërua edhe qytetare nderi nga parlamenti grek dhe shumë qytete italiane. Gjithashtu Elena ishte alpiniste.

Ajo mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropëssi kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare. U radhit në mes të 10 femrave intelektuale më të ngritura në botën e shek.XIX. Përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de RadaDhimitër KamardaZef JubaniZef Serembe,  Thimi Mitko etj. Me vlerë të jashtëzakonshme janë; 110 letrat e saj me Jeronim de Radën. Ajo rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Një seri studimesh të Dora d’Istrias, si: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore(La nationalité albanaise d'après les chants populaires, 1866), “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore” (Les ecrivains albanais de l'Italie Méridionale, 1867), “Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia, 1873),etj. Nëpërmjet këngëve popullore dhe historike ajo vuri në dukje luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes Shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull:”Dora d'Istrias-Shqiptarët” (A Dora D'Istria - Gli Albanesi, 1870),një përmbledhje vjershash patriotike.

Elena Gjika vdiq në Firence më, 17 nëntor1888.

Letërkëmbimet e Dora d’Istrias me De Radën kanë vlera të jashtëzakonshme.

Letra e parë i përket dates, 10 nëntor, 1859, dërguar nga Vejto, (Vo, Zvicër) ndërsa e fundit është e datës 11 prill, 1887 dhe është e dërguar nga Firence. De Radën e patriotët e tjerë i bashkonin të njëjtat interesa me Dora d’Istrian, që e quajtën propaganduese të zjarrtë. Si një intelektuale e njohur në rrethet e kulturës përparimtare, ajo hapi portat e Evropës për çështjen shqiptare. *vo:Merita Bruci “Standard, 2004

Në letrën e 17 janarit, 1865, Dora d’Istria i shkruan De Radës, nga Livorno:

“Prej kohësh po merrem me një studim në të cilin propozoj të vë në dukje cilësitë e kombësisë shqiptare në sytë e botës së qytetëruar. Kam lexuar me shumë interes faqet që ju i keni kushtuar në veprën “Parimet e estetikës”. Kam vënë re që në këtë shkrim ju keni si projekt të afërt të botoni epopenë kombëtare të popullit shqiptar. A do të kishit mundësi të më jepni ndonjë detaj mbi këtë botim të rëndësishëm si edhe mbi poezitë tuaja, të cilat filologu i shquar Max Müller i lëvdoi shumë e që Z. Sier ia bëri të njohura Gjermanisë dijeplotë?! Nga ana ime do të isha e lumtur t’ua paraqitja vendeve frëngjishtfolëse dhe të kisha në dorë kështu një provë të re të gjallërisë së kësaj race fisnike së cilës i përket familja ime (Gjikajt).Kombit shqiptar i kam kushtuar tanimë, në veprën “Gratë në Lindje”, një libër të tërë (libri IV). Shtypi e ka pritur me shumë dashamirësi këtë panoramë, megjithëse e paplotë. Kjo provon se Perëndimi është i prirë në mënyrë të favorshme për një komb të sprovuar nga shumë fatkeqësi, por që duhet të ndiehet i lumtur, se në përpjekjet e tij ka mbrojtës të tillë si autori i Parimeve të estetikës.”

*Ja se ç’i shkruan De Radës më, 11 qershor, 1865, Dora d’Istria nga Livorno:

“Ju falenderoj për informacionet interesante mbi rolin e shqiptarëve të Italisë në fund të shek. XVIII, që patët mirësinë të më dërgonit. Kuptohet fort mirë, siç ma thoni ju, roli që ata kanë luajtur asokohe. Nëse në një rast fatlum ia mbrrini të zbuloni ndonjë dokument mbi këtë periudhë të historisë së bashkatdhetarëve tanë, do t’jua dija shumë për nder, po të më vini në dijeni.

E kuptoj fare mirë vështirësinë që keni të gjeni në Kalabri botime të huaja. Këto vështirësi e bëjnë edhe më të admirueshëm zellin që dëfteni për ringjalljen e poezisë dhe traditave kombëtare. Po ju dërgoj me postë studimin tim mbi Serbinë dhe fragmente nga vepra Ekskursione në Rumeli.”

Nga Livorno, princesha Gjika, i shkruan De Radës më, 29 qershor, 1865:

“Patët një ide të shkëlqyer që të më dërgonit fashikujt tuaj, doradorës që po shtypen. Kjo do të më lejojë që të merrem menjëherë me këtë vepër. Unë besoj, ashtu si ju që është thelbësore – në interes të kombësisë e të letërsisë shqiptare, që ky botim i rëndësishëm të bëhet i njohur sa më parë” *Më, 16 prill, 1879, nga Firence Elena Gjika, i shkruan bashkatdhetarit të saj:

“Shqiptarët nuk janë as sllavë, as helenë barbarë, por përfaqësuesit e një qytetërimi më të vjetër (pellasgo-ilir), një nga më të lashtit e Evropës, i cili ka lënë monumentet dhe kujtesën në të dy brigjet e Adriatikut dhe të detit Jon, si në “fushat ku qe Troja” (ubi Troja fuit), aty ku Hektori është përfaqësuesi i lashtësisë, ashtu si Skënderbeu është ideali i Mesjetës, dhe Boçari personifikimi kalorsiak i kohëve moderne; mbi të cilat shekujt, shqotat, revolucionet, tiranët, pushtimet, fetë, mynxyrat kaluan si shkulme të tërbuara pa arritur ta shfarosin dhe që një ditë është e destinuar ta thyejë gurin e rëndë të varrit të tij. Qoftë thënë të ndodhë kështu! Të gjithë shqiptarët që e kuptojnë gjuhën frënge, do të duan ta lexojnë veprën,“Greqia para grekëve”

( studim i Luis Beonlew-shën:Vivra). Për të tjerët, do të ishte pa dyshim e lakmueshme një përkthim, ose të paktën një analizë thelbësore se ky volum përmbledh të gjitha punimet e mëparshme të Ksilanderit, Bopit, Hanit, etj, për të cilët pjesa më e madhe e shqiptarëve as që ia ka idenë”

Nga Firence, më, 16 prill, 1879, Dora d’Istria i shkruan mikut të saj arbëresh:

Filologu i shquar (Luis Beonlew), nuk e kupton indiferencën e përgjithshme të shqiptarëve lidhur me gjithçka që ka të bëjë me gjuhën e tyre. Dijetarët,- thotë me të drejtë ai, kanë peshën e tyre në peshoren e botës”. Ai mendon pra, ashtu siç e thoja unë dikur me shumë këmbëngulje:” “eruditët shqiptarë duhet të ishin organizuar me zell në trupa shkencorë, për t’u marrë gjallërisht me hartimin e fjalorit dhe të gramatikës dhe për t’ju ofruar eruditëve të kombeve të tjera të gjithë materialet që ju mungojnë e që ata po i kërkojnë gjithandej. Ai shton, se në kohën kur çështja e Lindjes së krishterë po troket në dyert e Gjykatës së Evropës, ata që nuk do të mund të paraqesin meritat e të drejtat e tyre, mund të përballen me shumë zhgënjime.” Këta dy korifej të mendimit intelektual shqiptarë (De Rada dhe Dora D’Istria) arrijnë në të njëjtin përfundim: “Nuk mund të ketë Rilindje kombëtare, pa pasur rilindje letrare. Dhe kjo arrihet vetëm duke hartuar alfabetin shqip, gramatikën, dhe fjalorin shqip. Lëvrimi i gjuhës shqipe do krijojë të gjitha kushtet që ne mbështetur në të dhëna shkencore do të jemi në gjendje t’i tregojmë botës për lashtësinë e kombit dhe gjuhës sonë që bota po e kërkon me ngulëm.”- mendim i drejtë se, përmes gjuhës sonë do të jemi në gjendje ta mbrojmë identitetin tonë kombëtar të nëpërkëmbur.

Këto letra tregojnë se Dora d’Istria është gjithmonë në kërkim të librave, studimeve, artikujve të botuar që kanë lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët. Shkëmben të dhëna dhe libra, kërkon nëpër arkivat e Vjenës, Berlinit, Kostandinopojës, përsiat në enciklopedi e fjalorë historikë në mënyrë që njohja e saj të jetë sa më e plotë dhe përfundimet e saj të jenë të sakta.Të tillë, kërkues dhe të paepur janë Elitat,që për fat –in e tyre të keq janë mohuar apo harruar.


104 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page