Arqile V. Gjata, tashmë një poet shqiptar i njohur për ndjeshmërinë artistike të fjalës, ka sjellë në vëmendjen time kontekste e detaje të shprehjes së individualitetit të tij poetik në poezinë e tij.
Në këtë analizë gjuhësore, do të fokusohesha së tepërmi në kontekstin dhe ngjyrimet poetike të përshkuara nga një unikalitet deiktik, të cilat i japin vlerë artistike subjektivizmit poetik të krimtarisë poetike të A. Gjatës.
Studimi i poezisë, që ai ka lënë të shkruar, është një moment i rëndësishëm dhe e vendos atë në raporte e marrëdhënie përfshirëse me lexuesin, të tilla që i japin dritë subjektivizmit poetik të tij.
Tek poezia e Gjatës fshihet potenciali deiktik ku mes fjalëve e shprehjeve, mes situatave të krijuara del qartë se si “deiksi” është pjesë e pashmangshme në ndërtimin e poetikës së tij. Aty poeti e përdorë deiksin për të shpërndarë ngarkesa emocionale dhe për të ndihmuar lexuesin të përfshihet në përjetimet e tij personale.
Por, ç'është “deiksi poetic” dhe çfarë vlere unikale i jep poezisë së Gjatës?
“Deiksi” është një koncept gjuhësor që lidhet me treguesit të cilët i referohen në mënyrë specifike situatave të komunikimit. Fjalët ose shprehjet deiktike janë ato që marrin kuptimin e tyre nga konteksti i përdorimit, si vendndodhja, koha, apo karakteret e imagjinuar, artistik, real apo edhe të konceptuar të tillë, në fjalë.
“Deiksi” është një temë e rëndësishme në diskutimet dhe studimet e linguistëve. Ai i referohet përdorimit të fjalëve ose shprehjeve që kanë kuptim të ndryshëm në varësi të kontekstit, siç janë përemrat (unë, ti, ai), fjalët që shprehin nocionin kohë (tani, dje, nesër), dhe vendi (këtu, atje).
Përdorimi i deiksit ndihmon në përcaktimin e lidhjeve të fjalëve me situatën e komunikimit dhe natyrisht, ndikon në interpretimin e një fjale ose fraze në varësi të kushteve të caktuara të kontekstit.
Fjalët apo shprehjet deiktike shihen si:
• Deiksi personor, i cili i eferohet folësit, dëgjuesit ose të tjerëve.
• Shembuj: unë, ti, ai/ajo, ne, ju, ata/ato
• Deiksi kohor, i cili i referohet momentit të të folurit ose një kohe specifike, sot, dje, nesër, tani, atëherë, para pak, pas pak.
• Deiksi vendor, i cili i referohet vendndodhjes në raport me folësin ose dëgjuesin, këtu, atje, afër, larg, përballë, në këtë vend.
• Deiksi tekstual, i cili i referohet diçkaje në tekst ose bisedë, ky, ajo, këto, ai (për referim në tekst).
• Deiksi social, i cili idhet me marrëdhëniet shoqërore midis folësit dhe dëgjuesit, përdorimi i formaliteteve si ju në vend të ti.
...dhe nëse do të shihnim përdorimin e tyre, vërejmë:
"...Unë jam këtu tani" , ku "unë" është deiktike për folësin; "këtu" është deiktike për vendndodhjen; "tani" është deiktike për kohën.
Do të theksoja për ta kuptuar më mirë, se domethenia e këtyre shprehjeve varet plotësisht nga konteksti i përdorur, si edhe konceptimi i lexuesit!
Shprehjet dhe fjalët deiktike luajnë një rol të rëndësishëm në letërsinë poetike, sepse ato ndihmojnë në krijimin e një lidhjeje të ngushtë midis lexuesit dhe botës poetike. Ato përdoren për të vendosur një marrëdhënie hapsinore, kohore ose emocionale dhe i japin poezisë një dimension më personal dhe dinamik.
Subjektivizmi në letërsi
Në letërsi, sidomos në periudhën e romantizmit, në shekullin e 19-të, është periudha kur subjektivizmi bëhet një element qëndror, poetët dhe shkrimtarët romantikë, si William Wordsworth, Samuel Taylor Coleridge, dhe Johann Wolfgang von Goethe, theksuan rëndësinë e përvojës dhe emocioneve personale si burim i artit. Ata e shihnin individin si një qenie që është e lidhur ngushtë me natyrën dhe që e shpreh vetveten përmes krijimtarisë.
Subjektivizmi përkufizohet si një këndvështrim që e vendos emocionin dhe përvojën subjektive të individit në qendër të artit. Shumë teori, si ato të David Hume dhe Immanuel Kant, argumentojnë se përvoja është gjithmonë e lidhur me subjektivitetin e individëve dhe se nuk ka një vlerë objektive të bukurisë apo artit, përveç atij që individët e përjetojnë.
Në letërsi, ky koncept ka pësuar një zhvillim të madh gjatë periudhës romantike dhe është i pranishëm gjithashtu në poezinë moderne dhe bashkëkohore. Një përvojë e subjektivizuar poetike bëhet pjesë me përdorimet e fjalëve e shprehjeve deiktike dhe ndihmon në paraqitjen e botës nga perspektivat e poetit, duke i dhënë lexuesit akses në ndjenjat dhe mendimet e tij.
Poeti Arqile V. Gjata botën e tij e sjell në vargje për të shpërndarë ngarkesa emocionale, si edhe për të ndihmuar lexuesin të përfshihet në përjetimet e tij personale.
Shembull:
Në poezitë e Gjatës, përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve deiktike i "unë", "shumë pak e dinë", "një ditë prilli" , "në qiellin e kohës", "sa shumë" , "kur" etj., shprehet dashuria personale me nota dhëmbshurie, një marrëdhënie e çuditshme, subjektive, e cila e çon lexuesin në hamendësime poetike.[1]
Shpesh herë, deiksi përdoret për të lënë diçka të papërcaktuar, duke krijuar hapësirë për interpretim. Përdorimi i shprehjeve deiktike në poezi mund të jetë qëllimisht i paqartë për të simbolizuar ndjenja ose ide abstrakte. Siç ndodh edhe tek Gjata:
"kur jeta...", "pak nga pak", "kur del hëna", "kur shkrihet bora", "rrëshqet posht" etj.,[2]
shprehje këto, të sjella artistikisht, të lidhura ngusht me botën e brendshme të poetit dhe të prezantuara me finesë brenda poezisë, për të sjellë një tablo të perceptueshme siç lexuesi mund ta përfytyrojë atë.
Në momente e situata të jetës dhe natyrës, shpesh përdor elemente deiktike për të krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes lexuesit dhe përvojave që ai përshkruan. Deiksi në poezinë e tij nuk është thjesht një mjet gjuhësor, por një element thelbësor që shton vlera në kontekstin artistik dhe emocional të krijimeve të tij.
Kur deiksi i referohet përforcimit të ndjenjës së hapësirës, si në "deiksi hapësinor" (këtu, atje, larg, afër etj.), i cili ndihmon në përcaktimin e një vendi fizik ose simbolik, i jep lexuesit ndjenjën e pranisë ose largësisë.
Në poezinë kushtuar "Kadaresë",[3] deiksi hapësinor përforcon ndjenjën e përfytyrimit dhe marrëdhënien e ngushtë që krijon lidhja e karakterit me vendlindjen e tij.
"ku", "në këtë stinë", "tej portës", "nën jehonën e tingujve", "atje", "deri aty", është deiktika e shprehjes së botës së konceptuar nga vetë poeti, e cila i pëcillet lexuesit si një përvojë subjektive me përmasa artistike dhe e vesh poezinë me elementë që kontribuojnë në ndërtimin e kuptimit, emocioneve dhe përvojës estetike. Ajo ndihmon poetin të krijojë një botë të gjallë, ku lexuesi bëhet pjesë e saj, duke orientuar ndjenjat, mendimet dhe interpretimet.
Por, gjithashtu dua të nënvijëzoj edhe faktin se ka raste kur deiksi krijon dykuptimësi. Ky lloj përdorimi deiktik në ligjërim, mund të marrë konotacione kuptimore dykuptimësie, sidomos kur referencat e tij nuk janë të qarta ose kur kuptimi varet shumë nga konteksti i komunikimit. Kjo ndodh për shkak se fjalët deiktike, kanë kuptime të cilat ndryshojnë në varësi të rrethanave të ligjërimit...
Dykuptimësia e përdorimit deiktik është një sfidë dhe një mundësi, në varësi të qëllimit të ligjërimit. Nëse është e paqëllimshme, ajo mund të shkaktojë konfuzion. Por, në letërsi dhe art, ashtu siç ne e vërejmë tek poezia e Gjatës, ajo sjell imazhe për të krijuar efekte estetike dhe kuptime të shumanshme.
"Ke kohë që i humbur je"(sa kohë?)[4]
Dinamika dhe lëvizshmëria në kohë, shpesh e vendos poezinë midis të kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, ku deiksi kohor ndihmon për ta ndërtuar këtë rrjedhshmëri.
Tek Gjata gjejmë fuqishëm dinamikë të tillë si..."kur", "përtej", "përherë", "tani", "fare pranë", "atyre", "ende", "diku", "atë", "ajo", etj., janë shembuj që krijojnë një ndjenjë nostalgjie dhe i japin poetikës lëvizshmëri, energji dhe vitalitet.[5]
Gjithashtu deiksi bëhet prezent edhe për ti dhënë poezisë arsyen e përforcimit të emocionit dhe ndjenjave të shprehura në të. Me përdorime të tilla ai kanalizon në kontekstualitetin e tij ndjenjat personale të poetit në një mjedis kuptimor të caktuar, duke i bërë emocionet më të gjalla dhe më konkrete për lexuesin.
Në poezinë "Kafka gjeni", me deiktikën e pa munguar, gjejme "dikur", "pas vdekjes", "përsëri" poeti ynë, Arqile Gjata, përforcon ndjenjën e dhimbjes dhe të vlerësimit. Vargjet e Gjatës as më pak e as më shumë, kanë botë poetike për tu lexuar e rilexuar, ku mes rreshtave, poezia e tij të befason. Imagjinata dhe koherenca e sjellin poetin drejt lexuesit sa kuptimplot aq edhe mistik. Ai ka nje botë të pasur jo vetëm shpirtërore, por mbi të gjitha është i artikuluar mirë për nga formimi kulturor.
Me përdorimet e shumta deiktike Gjata sjell një ‘lojë me perspektiva’ për lexuesin.
Aty, deiksi e ndihmon poetin të ndërrojë perspektiva dhe t'i japë lexuesit liri për të interpretuar.
"Vështroni qytetin...,
plakur nga uria, me duar pas shpine.
Të uriturit buzëqeshin si era e dimrit malor.
Koha për ta është e rreme e si gjethe,
këputen ngadalë të uritur
e një këngë shiu vajton për ta!"
Efekti deiktik bën që lexuesi të përpiqet me imagjiantën, aftësinë lexuese, kulturën dhe logjikën artistike të tij, të zbulojë se kush ose çfarë simbolizon referenca, duke krijuar një efekt artistik të shtuar. Përdorimi i deiksave të papërcaktuar merr konotacione kuptimore të thella dhe krijon një atmosferë misterioze, ku lexuesin e bën të gërmojë brenda vetes.
Kjo është shpreje e poezisë së poetit Arqile V. Gjata, e cila, sot konsiderohet si një poezi e brendshme, ku fokusi vendoset mbi përjetimet personale, emocionet, dhe reflektimet e autorit mbi tema universale si dashuria, koha, natyra, identiteti etj. Në këtë kontekst, deiksi luan një rol thelbësor, duke i dhënë poezisë një shtresë të shtuar emocionaliteti dhe kuptimi.
Kjo bën që lexuesi të ndihet sikur ndan përjetimin personal të poetit, duke e bërë poezinë e Gjatës më të ndjerë dhe më të afërt.
Poezia të tij shpesh përqëndrohet në dimensionet emocionale dhe filozofike të jetës, dhe deiksi shërben si një mjet për të theksuar përvojat e brendshme, si edhe dhe për të lidhur poetin me lexuesin në një mënyrë të drejtpërdrejtë në komunikimin e ndërsjelltë.
Dr. Shpresa Gjergji
Dhjetori 2024
[1] A. Gjata, poezi " Kur dashurova kukuvajkën", vëllimi poetik "Mik me ajrin" Tiranë 2017.
[2] A. Gjata, poezi "Dhe dimri vdes" nga vëllimi poetik "Mik me ajrin" Tiranë 2017.
[3] A. Gjata, poezia "Kadares", vëllimi poetik "Mik me ajrin", Tiranë 2017.
[4] A. Gjata, poezia "Ndezur i tëri si qiri" vëllimi poetik "Mik me ajrin" Tiranë 2017.
[5] A. Gjata, poezia "Kur skicova një flutur", vëllimi poetik "Mik me ajrin", Tiranë 2017.
Comments