top of page

SHPIRTËRISHT JETOJ ENDE ATY…


NDONËSE FIZIKISHT JAM LARGUAR NGA LIBRAZHDI, SHPIRTËRISHT JETOJ ENDE ATY…

(Intervistë me studiuesin Avni Alcani)

Nga Caush Kullafi

Shpesh takoj dhe bisedoj me personalitete të fushave të ndryshme të Librazhdit dhe, në veçanti, të Çermenikës.Gjithmonë i kam pritur me interes bisedat e shpeshta me studiuesin Avni Alcani, autorin e rreth 12 librave dhe i mbi 200 artikujve studimorë.Bisedat me Avniun më kanë dhënë ndjesinë për të qenë më afër vendlindjes tonë të përbashkët. Avniu, në çdo bashkëbisedim, shkrim apo botim të tijin, me patjetër do ketë të hedhur rreshta për vendlindjen. Ai vlerësom dhe dashuron historinë e vendit të të parëve të tij.Avni Alcani ka lindur në qytetin e Elbasanit dhe rritur e edukuar në qytetin e Librazhdit. Formimi i tij intelektual ka ardhur gjithmonë në rritje në fushën e dijes, me studime dhe hulumtime në fushën e historisë, kulturës tradicionale dhe publicistikë. Një pjesë e librave të z. Avni Alcani ndodhen të vendosura në radhë në bibliotekën e shkollës time "Vëllazërimi" në Tiranë. Për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij, vendosa që të realizoj një intervistë të shkurtër me studiuesin Avni Alcani.



1 - Mirëdita z. Avni!Përsa kohë njihemi bashkë jam ndier mirë që njoha një mik dhe studiues të pasionuar. Dëshiroja të dija se përse fshatin Neshtë tëÇermenikës e ndeshim pothuaj në shumicën e shkrimeve tuajat?

Mirëdita, Çaush! Po e fillojmë bisedën tonë nga vetja ime.Unë kam lindur në qytetin e Elbasanit, jam rritur në qytetin e Librazhdit dhe kam mbi 37 vjet që jetoj në qytetin e Tiranës. Me fshatin Neshtë të Çermenikës më lidhin rrënjët e mia, pasi atje kanë lindur prindërit e mi, gjyshërit, stërgjyshërit, katargjyshërit... Siç më tregonte nëna ime, kam qenë një fëmijë i dobët fizikisht dhe sëmuresha shumë shpesh.Kur i mbusha 2 vjeç, unë ende nuk isha ngritur në këmbë.Prindërit e mi vendosën të më dërgonin te gjyshja në Neshtë, që të shëndoshesha ndopak. Atje ndenja rreth një vit, deri sa u “ngjalla”(shëndosha) disi. Kur u rrita unë shkoja çdo vit në Neshtë, aq sa u lidha shumë me fshatin tim të origjinës, lidhje e cila vijon të ekzistojë dhe sot e kësaj dite.Pata shijuar bukuritë natyrore të fshatit, si dhe ushqimet më të mira të kuzhinës tradicionale të gjyshes sime, e cila gatuante ushqime të mrekullueshme.Unë dhe nëna ime i kujtonim sa here me nostalgji gatimet e saj. Fatkeqsisht, në vitin 1967 familja e gjyshes sime u largua përgjithmonë nga Neshta dhe unë i ndërpreva vizitat e mia të përvitshmë në fshat. Por i ruaj ende në memorien time kujtimet e mia për fshatit tim, disa nga të cilat i kam hedhur në librin “Neshta e Çermenikës” (2018), që e kam shkruar me kushëririn tim mësues,z. Kujtim Cysa.

2- Cili është edukimi (arsimimi) i juaj?

Kam kryer shkollën 8-vjeçare në qytetin e Librazhdit.Nuk kam qenë nxënës i shkëlqyer në mësime, por kam qenë tip kureshtar, i vëmëndshëm dhe i lexueshëm, pasi kam pasur një etje të madhe për librin, e cila nuk më është shteruar as sot. Gjithashtu kam qenë tip i zhdërvjellët, pasi jam marrë nga pak me sport, si me not, atletikë, futboll, volejboll, pingpong dhe basketboll, por nuk kam qenë i angazhuar me ndonjë ekip apo skuadër. Jam marrë edhe me aktivitete kulturore, pasi kam pasur një pasion të madh për muzikën (ndonëse kurrë nuk e mësova një instrument muzikor), kam kënduar dhe vallëzuar, por pa dalë kurrë në skenë. Ne në lagjen tone organizonim shfaqje të improvizuara me fëmijët e lagjes, në të cilat unë isha këngëtari kryesor.Pasioni më i madh që kam pasur dhe që më bëri shumëtë njohur ka qenë ai i pikturës.Kur mbarova shkollën 8-vjeçare, për të vijuar më tej shkollën e mesme, zgjodha pikturën.

Në qershor tëvitit 1969 konkurova në Tiranë për picture dhe fitova, por më pas shkollën e vijova për skulpturë, të cilën nuk e zgjodha vetë, por ma caktuan. Skulpturën e dashurova aq shumësa m’u bë pjesë e pandarë e jetës sime, ndonëse kam patur periudha pauze, por asnjëherë ndarje përfundimtare prej saj.

Gjatë viteve ’80 – te bëra kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë pa shkëputje nga puna, e cila u miratua për të studiuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Fillogji,dega gjuhë-letërsi, të cilën e përfundova në vitin 1990.

3 - Në vitin 1973 ju filluat punë në shtëpinë e kulturës në qytetin e Librazhdit si skenograf.Mund të më thoni disa mbresa dhe kujtime nga fillesat e punës tuaj në këtë institution?

Pas mbarimit të shkollës së mesme, u emërova skenograf në shtëpinë e Kulturës të qytetit tim të Librazhdit. Unë kurrë nuk kisha punuar në një institucion shtetëror, as kulturor, ndaj emërimin në këtë institucion e përcolla me emocion të gërshetuar me një kënaqësi të veçantë.

Duke qenë se Librazhdi është qytet relativisht i vogël, unë i njihja pothuajse të gjithë punonjësit e kulturës dhe qysh në takimin e parë që unë pata me ta,u prita shumë ngrohtë.

Gjatë një viti që punova në Shtëpinë e Kulturës kam provuar të gjitha kënaqësitë që s’ikisha pasur kurrë në jetë, siç ishin dalja ime për herë të parënë ne skenë si valltar, me grupin e valles të drejtuar nga Sadi Halili, si këngëtar, pasi isha pjesmarrës në korin e burrave të krijuar dhe drejtuar nga Arben Kurani dhe si aktor, pasi regjisori Resul Duro më dha një rol në dramën “Familja e Peshkatarit” e S. Pitarkës. Gjithçka që e përjetoja si njëëndërr të mrekullueshme. Fatkeqësisht,e gjitha u përmbys pas një viti, pasi më 1 shtator 1974 shkova ushtar, në Shërbim të Detyrueshëm Ushtarak, i cili zgjati tre vjet (1974-1977), që mua m’u duk sa një jetë e tërë.

4 - Ndryshimi i profesionit nga skenograf në mësues vizatimi në një nga shkollat e Librazhdit ishte dëshirë e juaja apo e diktuar?

Më 10 shtator u lirova nga ushtria, por unë kurrë nuk u ktheva më në Shtëpinë e Kulturës.Punova rreth tre muaj përkohësisht si mësues fiskulture dhe vizatimi në shkollën 8-vjeçare të Librazhdit. Më 12 janar 1978 u emërova mësues vizatimi dhe muzike në shkollën 8-vjeçare në fshatin Stravaj, në të cilin punova rreth pesë muaj. Më 1 qershor u emërova në Muzeun Historik të rrethit të Librabrazhdit, me detyrë spjegues muzeu(apo ciceron).

5–Si ju lindi dëshira për të shkruar për historinë dhe traditat etnokulturore të trevave të Librazhdit? Në gjithë veprimtarinë tuaj të sukseshme kujt ja dedikoni këto arritje?

Gjithçka ia detyroj punës sime që kam bërë në Muzun Historik të Librazhdit.Para se të filloja punë aty, unë nuk kisha njohuri për historinë dhe traditat e Librazhdit.Ishte ndihma e jashtëzakonshme e prof. Ilir Gjipalit, drejtori i muzeut, i cili më ndihmoi dhe më sugjeroi që të studioja ngjarjet dhe figurat historike të trevave të Librazhdit.M’u desh që të shfletoja libra të tërë, kryesisht botime akademike dhe veçanërisht ato që shkruanin për trevat tona.Me keqardhje konstatoja se kishte shumë pak botime për Librazhdin.Shumë nga ngjarjet dhe figurat historike,i mësova nga z. Shahin Zharri, icili ishte një enciklopedi e gjallë.Brënda një periudhe të shkurtër krijova skedarin e shkrimeve për historinë dhe traditat etnokulturore të trevave të Librazhdit.Ndofta mungesa e botimeve për Librazhdin më motivoi që unë të shkruaja për historinë dhe për traditat etnokulturore të kësaj treve.Kështu filluan shkrimet e para, të cilat njohën dhe botimet e para në shtypin e kohës.

Pas ngritjes së Muzeut Etnografik, krijova lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë me punonjës të Institutittë Kulturës Popullore dhe ish Qendrës së Studimeve Arkeologjike të Akademisë së Shkencave, me të cilët organizuam ekspedita dhe sesione shkencore të përbashkëta.Nuk kam lënë fshat të Librazhdit pa shkelur me këmbë dhe në të cilat mblodha shumë nga ngjarjet historike, si dhe tradita etnokulturore të trevës së Librazhdit.Si rezultat i këtij bashkëpunimi ne patëm organizuar disa aktivitete shkencore të përbashkëta, të cilat sollën dhe botimin e parë të librit “Almanak, Librazhdi-1” (Tiranë 1985), i cili ishte libri i parë me përmbledhje studimesh shkencore për Librazhdin, pjesë e të cilit ishim dhe ne, autorët vendas.

6 - E kam vizituar disa herë muzeun e qytetit të Librazhdit të para viteve ‘90 - të. Në çdo kënd të tij prekje nga afër objektet kulturore dhe etnografike të Librazhdit.Mund t'më thoni diçka për kontributin tuaj në këtë institution?

Unë kam punuar plot 8 vjet (1978-1986) në këtë institucion dhe ruaj kujtimet më të bukura të jetës sime, pasi ajo periudhë ka qenë një shkollë e rëndësishme për mua, veçanërisht në formimin tim profesional. Gjatë asaj periudhe unë nisa të shkruaj dhe kam botuar shkrimet e mia të para, si dhe të parin libër me përmbledhje studimesh (Almanak, Librazhdi-1).

Në vitin 1979, në katin e parë të Muzeut Historik u ngrit Muzeu Etnografik, si i pari i këtij lloji në Shqipëri.Në oborrin e jashtëm të Muzeut u vendosën objekte origjinale etnografike me madhësi natyrore, të cilat krijuan të parin ansambël muzeor në natyrë në Shqipëri. Ky muze u transformua menjëherënë një nga muzetë më të bukur dhe më tërëndësishëm të vendit, pasi ruante vlerat më të mira dhe më të bukura të trashëgimisë sonë etnokulturore të një treve të rëndësishme siç është Librazhdi, por që ruante dhe disa objekte unike me vlera të mëdha që përbënin një prej pasurive më të mëdha të kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare shqiptare. Pas dy viteve (1981),Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e kategorizoi muzeun tonësi: Muze i Kategorisë së Parë.

Për fat të keq sot ky muze pothuajse nuk ekziston, pasi gati është rrënuar. Unë nuk i di arsyet e vërteta se përse një nga muzetë më të bukur në Shqipëri u shkatërrua deri në atë masë, sa të mbyllet përfundimisht. Ndofta shakatërrimi u bë nga neglizhensa, ndofta dhe qëllimisht, por e vërteta është se ai u rrënua dhe lënia ende në atë gjendje është akoma më katastrofike dhe e pafalshme, pasi dëmi është gati i pariparueshëm.

7 –A mund të na flitni diçka dhe për punën tuaj si restaurantor në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë?

Shkaktari për fillimin e punës në ish Qendren e Studimeve Arkeologjike (sot Instituti i Arkeologjisë) është bërë nga miku im, prof. dr. Ilir Gjipali. Në ato vite ne ishim afirmuar në rrethet akademike për shkak të Muzeut Etnografik. Iliri më prezantoi te prof. dr. Myzafer Korkuti, ish drejtori i QSA-së, të cilin e kisha pritur dikur në muze dhe kishim biseduar gjërësisht mbi zbulimet më të fundit arkeologjike në Librazhd.Më pas zhvillova me prof. Korkutin një tjetër takim në Tiranë dhe mora premtimin prej tij për të filluar punë në QSA. Pas disa peripecive, që nuk ishin të pakta në atë kohë dhe që zgjatën rreth një vit, më në fund,më 16 gusht 1987,fillova punë në QSA në Tiranë.Tre vitet para kam punuar në administratë dhe në vitin 1990 prof. Neritan Ceka, drejtori i Institutit të Arkeologjisë, më kaloi në sektorin e restaurimit, pasi punonjësja e këtij sektori kishte emigruar në Itali.Gjatë viteve jam trajnuar në disa laboratore restaurimi, si në Tiranë (Loboratori i Arkeometrisë), Athinë (Greqi) dhe Këln (Gjermani).Punën si specialist-restaurator në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë e kam bërë me një përkushtim të veçantë. Pas vitit 2011 kam punuar si restaurator në Institutin e Arkeologjisë në Prishtinë (Kosovë),me rezidencë në Prizren.Kam marrë pjesë në rreth 40 projekte dhe ekspedita arkeologjike në terren, si në Butrint, Apolloni dhe Durrës. Kam restauruar me mijëra objekte arkeologjike, të cilat ndodhen në stendat dhe fondet e muzeve arkeologjike, si dhe kam marrë pjesë në ngritjen e disa muzeve arkeologjikë, si Muzeun Arkeologjik të Durrësit, Muzeun Arkeologjik të Butrintit, Muzeun Arkeologjik të Prizrenit etj.

8 - Ju nuk rreshtni së marruri me studime dhe hulumtime në trevat e Librazhdit. Keni botuar me qindra studime dhe artikuj në shtypin shkencor e atë periodik kushtuar ngjarjeve dhe figurave të historisë, traditave të kulturës tradicionale(etnografi dhe folklor) të trevave tona.Cilin nga botimet do veçonit si arritjen më të madhe të punës tuaj?

Ndonëse u largova fizikisht nga Librazhdi, shpirtërisht unë ende jetoj aty. Interesat e mia studimore i kam pasur dhe vazhdoj t’i kem për qytetin tim, ku jam edukuar dhe formuar si njeri dhe si intelektual. Edhe gjatë këtyre viteve që jetoj dhe punoj në Tiranë, vijoj të merrem me hulumtime dhe studime, kryesisht në fushat e historisë dhe kulturës tradicionale (etnografi dhe folklor) të trevave të Librazhdit. Kam botuar rreth12 libra dhe mbi 200 artikuj në revista shkencore dhe në shtypin periodik kushtuar ngjarjeve, figurave historike të trevave të Librazhdit, traditave etnokulturore, si studime etnografike, folklorike etj.Unë nuk mund të veçoj asnjë nga librat apo artikujt e mi si arritjen më të madhe të punës sime, pasi gjithçka e kam shkruar me një dashuri dhe përkushtim të madh.

9 - A mund të na flisnipër librin tuaj më të fundit "Shkrime për Librazhdin"?

Në vite pata shkruar mjaft artikuj, të cilat qenë botuar dhe shpërndarë nëpër organe të ndryshme, si revista, gazeta etj. E pashë të arsyeshme që një pjesë e tyre, ato më të spikaturat, t’i grumbulloja në një libër,të ciline titullova: “Shkrime për Librazhdin” (2023). Librin e kam ndarë në katër kapituj: 1. Studime historike, 2. Portrete personalitetesh të shquara, 3. Tradita etnokulturore dhe 4. Publicistikë. Në libër nuk janë përfshirë studimet e botuara në revistat shkencore dhe në librat e mi me përmbledhje studimesh.

10 – Ju keni dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin e turizmit në Çermenikë.Dy fjalë për këtë zone dhe përse duhet vizituar?

Ju falenderoj për këtë pyetje, të cilën unë e kam shumë për zemër.Në librin e përmendur më sipër i kam kushtuar dy shkrime kësaj teme, pasi krahina e Çermenikës ka një pozicion gjeografik dhe klimë mjaft të favorshme për zhvillimin e turizmit malor, siç janë malet e mbuluara me pyje të mëdhenj shekullorë, lëndina, livadhe (çajre), shpella karsike, liqene akullnajorë, burime (gurra) me ujë të ftohtë, katarakte, përrenj të rrëmbyer etj. Atje gjendet ariu i murrmë, ujku, dhelpra, macja e egër (riqebulli), derri i egër, kaprolli, dhina e egër, lepuri i egër, kunadhja etj. Disa prej tyre janë kafshë mjaf të rralla.Ata vizitorë që kanë kureshtje për t’i njohur, apo për t’i gjuajtur nga pasioni i gjuetisë sportive, do të mbeten shumë të kënaqur.

Krahina e Çermenikës ka mjaft monumente historike për t’i vizituar.Në mesjetë ka qenë qendra e Principatës së Aranitëve, familjes më të njohur aristokrate. Nën udhëheqjen e princave Gjergj Aranit Komneni, Moisi Golem Araniti, Muzhaqi i Angjelinës (Komnen Araniti), Gjuric Vladan Araniti etj.,gjatë shek. të 15-të, i bënë një rezistencë të madhe ushtarake pushtimit Osman. Çermenika ka disa vende historike dhe monumente kulturore për t’u vizituar, siç janë kështjellat e aranitëve, Ujëmbledhësin antik të Funarsit, banesat me telize, të cilat, me arkitekturën e tyre të veçantë, janë unike nëShqipëri etj.

Një destinacion tepër i rëndësishëm për tu vizituar nga turistët vendas dhe të huaj është Shpella Emerite e Koshorishtit në Letëm, ndërtuar në shekullin IX - të nga një Emerit. Në tavanin e saj janë shumë piktura të realizuara nga Satani i cili tregon Shën Marinë dhe shtatë dishepujt duke ju lutur zotit .

Një pjesë e rëndësishme e kulturës materiale të trashëguar ndër shekuj janë veshjet popullore dhe tradita e prodhimit të tyre.Veshjet çermenikase, veçanërisht ato të grave, për nga hijeshija, janë nga më të bukurat në Shqipëri.

Një tjetër pasuri e rëndësishme në traditën popullore zë kulinaria (ushqimet).Në Çermenikë gatuhen disa lloje gjellësh tradicionale shumë të veçanta, të cilat kanë një llojshmëri dhe shije të jashtëzakonshme.Sheqerxhitë e Gurakuqit, të njohur me emrin “gegë”, kanë qenë të famshëm në të gjithë Shqipërinë për prodhimin e ëmbëlsirave tradicionale.

11- U bë një kohë e gjatë që unë po e drejtoj gazetën "Zana e Çermenikës", me botues z. Behar Almeta, dhe vë re që shkrimet tuajat në këtë gazetë paraqesin interes. Përse pikërisht ju ia besoni shkrimet tuaja kësaj gazete?

Sepse gazeta "Zana e Çermenikës"është gazeta më e mirë, mëcilësore,jo politike dhe e panashme. Gjithashtu, sepse ka stafin më të mirë dhe më të aftë profesionalisht.

12- Jeni kontribues në veprimtaritë e Shoqatës Kulturore "Çermenika 2017", çfarë ju shtyu të jeni i tillë?

Çermenika dhe vetëm Çermenika…

13- Bashkëbisedimet tona për fushën e studimenë dhe krijimtarisë kanë qenë të shpeshta dhe të gjata.Si u ndje sot Avni Alcani në këtë intervistë të shkurtër, dhe a do vijoni dhe në të ardhmen te jeni një kontributor i rregullt i gazetës "Zana e Çermenikës"?

Në lidhje me pjesën e parë të pyetjes suaj, dëshiroj t’ju them se të gjitha bashkëbisedimet që ne kemi bërë bashkëgjithmonë kanë qenë interesante dhe të frutshme. Kurse pyetjes së dytë do t’i përgjigjem shkurt: do të pushoj së shkruari për gazetën tuaj kur tështeroj, kur mërziteni ju dhe lexuesit tuaj me shkrimet e mia.

- Faleminderit Avni Alcani për kohën që më kushtuat në këtë intervistë!

- Faleminderit ju, Çaush Kullafi!



99 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page