top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: RAMAZAN HUSHI ME NJË LIBËR QË TË VË NË MENDIME



(Rreth romanit “Përmendorja e Djallit”)


   Po të nisesh nga ngjarjet që rrokin jo vetëm një qytet tonin pas rënies së komunizmit, por krejt Shqipërinë e më tej, dhe mesazhet që na jep shkrimtari Ramazan Hushi te libri i tij “Përmendorja e djallit”, mund të themi se më shumë se te një roman, ndodhemi para një pasqyre fejtoniste, ku autori jo vetëm sheh e kuvendon ironikisht me alter egon e tij, por pasi ajo thyhet, duke i bashkuar ato copa, ku secila përfshin një episod sa qesharak aq edhe tragjik, por gjithmonë me realizëm, krijon një panoramë të plotë të atmosferës politike, ekonomike e psikologjike ku ndodhemi aktualisht. Duke iu referuar metaforikisht Mefistofelit - Djall të Gëtes, ai e di se nuk jemi në fundin e shekullit të XVI - të kur pas shkrimit të librit të Xhejmsit të Parë “Demonologjia”, u dogjën pas Agnes Samsonit shumë gra të quajtura “magjistrica” me vendim të gjyqtarit mizor Roxher Nouell, dhe Rexhinald Skoti që botoi një libër kundër tij e pësoi shumë keq. Nuk mund të mohojmë faktin se sot kushdo mund t`i shprehë pa drojë mendimet e tij. E keqja është se në këtë liri janë të paktë ata intelektualë që e thonë me guxim fjalën e tyre, në një kohë kur sikurse vëren autori i këtij libri, ndodh çudia dhe paradoksi, së bashku: “Fausti, ndonëse njeri si gjithë ne të tjerët, na duket i pabesueshëm, kurse Mefistofeli, ndonëse pa mish e gjak njerëzor, na duket thellësisht i besueshëm”. Shkrimtari, duke mos kursyer as veten dhe duke besuar se edhe ai ka natë brenda qenies së tij, pasi asnjëherë nuk i ndahet Djalli edhe kur do ta braktisë, vendos që për këtë Djall të shkruajë një roman, pra t`i ngrejë një përmendore monstrës, domethënë të keqes. Për të është koha e divorceve të mëdha, ndaj askush nuk duhet të çuditet përse edhe njeriu është i ndarë më dysh. Se ato dy gjysma, edhe pse me sherre e grindje, përsëri plotësojnë të tërën. Ai figurimi i pasqyrës i thotë: “Po sa shpejt harrove ti, more torollaku im, që brenda çdo njeriu ndodhen dy pjesë: e mira dhe e keqja, edhe njeriu i sotëm modern, edhe katragjyshi i tij prehistorik...” Dhe është kjo arsyeja përse ai, si shkrimtar, nuk ka urrejtje për askënd. Del bulevardit dhe bëhet filozof e tepër sentimental: “të gjithë ata njerëz që venin e vinin në drejtime të ndryshme e jetonin jetën sipas mënyrës së tyre”. Le pastaj, sikur të gjithë ata të ishin fëmijë. Se po të ndodhte kjo, atëherë nuk do të kishte krime, vrasje, aksidente, sharlatanë, pijanecë, të droguar, njerëz të vrazhdë, bixhozçinj e prostituta. Por ja që ishte tjetërsoj, dhe tani në rrumpallhanen që kishte pllakosur me njerëzit duhej folur troç. Jo më kot Fjodor Dostojevski mësonte se “Të vërtetën njeriu e do më fort atëherë kur çdo gjë është e rreme”. Se jetojmë në një kohë, kur merr vlerë të veçantë postulati i Frederikut të Madh të Prusisë se “Me  popullin tim kam bërë një marrëveshje: Ai mund të thotë çfarë të dojë dhe unë të bëj çfarë të dua”. Dikush atje në lulishte, herë me dy e herë me tre gishta lart, ka dëshirë të bëjë analistin, le ta bëjë, dikush është i prerë të shesë gënjeshtra, le të hapë një agjensi, Gimçja, budallai më i mençur i të gjitha kohrave, i ka përgjigjet për qeverinë në majë të gjuhës, le të vazhdojë të thotë “Na mbytën budallenjtë!”, Ç. Ç e respektonte së tepërmi mendjen e tij, në rregull, kishte për të burgje e çmendinë, dikush edhe pse trupazgan, kërkon punë pa punë, se medemek ka qenë demokrat, le të trokasë dyerve të zyrave po s`u mërzit, dikush bën sikur beson te Ringjallja edhe pse është plot mëkate, duke ia shitur shpirtin Djallit, le të shkojë në xhami e kishë, pensionistët llomotisin e shajnë se do t`ua ngrenë pensionet, le të shpresojnë e kështu me radhë. Por puna nuk ndalon këtu: te tregu ku plaka nga fshati shet të dielave rigon, sallatë, speca e ushunjëza, vinë edhe shkrimtari, edhe piktori, edhe muzikanti, edhe humoristi për të shitur librat e veprat e tyre, por nuk ua blen kush. Skafistët vijojnë punën e tyre të ndyrë, duke qeshur pa të keq me njëri - tjetrin se po i pikasi policia teksa dërgojnë hallexhinjtë ilegalisht në Itali, do të hedhin ndonjë kinez në det për të lehtësuar peshën gjatë ikjes. Politikanët, ndërsa të tjerët nuk kanë të blejnë ilaçet, dhe bizneset e vogla falimentojnë, i fshehin paratë në bankat më të sofistikuara të botës. Një pijanec që pretendon se i kanë vënë brirë, ngaqë e mashtrojnë të gjithë, deri dhe e shoqja, e ka ndarë mendjen: ne jemi, jo fundi i Ballkanit e i Evropës, por fundi i Botës, o njeri... E shikon sesi po ikin njerëzit tanë nga ky vend...?” Këtu hamë e nuk dimë se ç`hamë, pasi veç të tjerash, nuk ka as sindikata. Beniaminin e gjorë që ka humbur paratë në Firmat piramidale, edhe në Ferr nuk e lënë të qetë, pavarësisht se ai betohet e stërbetohet se nuk ka asnjë faj. Kurse lypsat nuk të ndahen pa të zhvatur sa të mundin. Dhe teksa analizon situatën ndërkombëtare, natyrisht me qesëndi, Ramazani na tregon se “Për afrimin e pleqërisë daulle janë kolla, pafuqia, marrja e mendve herë pas here, dhimbja e kyçeve, zgjimi natën... Kurse luftrat, cunamet, aktet terroriste, vjedhjet me përmasa shtetërore, sëmundjet e shumta, krizat e pamëshirshme, shthurja e imoraliteti, kurthet, pabesitë e kanibalizmi janë daullet e afrimit të një së keqeje të madhe”. Në të gjithë këtë situatë, më i humburi, ai që është katandisur për t`i qarë hallin, është i ndershmi. Se me të ligun, hakmerren vetëm qentë që shkojnë një nga një dhe urinojnë te koka e varrit të tij. Dhe ky është paradoksi më i madh. Paradoksi që e detyron vetë autorin e librit të deklarojë: “Lermë të mbytem! Të bëhem pjesë e kohës e t`i nënshtrohem asaj, meqenëse nuk e ndal e nuk e ndryshoj dot! Jetojmë në një kohë kur e Keqja triumfon ndaj të Mirës, prandaj ajo e meriton ngritjen e një përmendoreje. Se një të tillë e ngriti edhe vetë Gëtja, paçka se kur e quante jetën e tij një aventurë, shkruante: “Kush nuk e ka të fortë bindjen se shfaqja e thelbit njerëzor (ndjenja dhe arsyeja, imagjinata dhe mendja), duhet të jetë e zhvilluar deri në cakun e unitetit të tyre, cilado nga këto anë që të mbizotërojë brenda tij, do të jetë shkak vuajtjesh nga kufizimi”. Këtë besoj se ka pasur parasysh edhe Ramazan Hushi kur vendosi t`i ngrinte Djallit këtë përmendore, pas së cilës vlen të sjellim në kujtesë thënien e shpikësit të shquar Thomas Edisonit se “Detyra më e rëndësishme e civilizimit është të mësojë njeriun të mendojë”.      

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page