Shpendi Topollaj: INTRIGA, AKUZA DHE VRASJE...

INTRIGA, AKUZA DHE VRASJE NË TRILOGJINË E AGRON ARANITASIT
Për shumë gjëra, me plot të drejtë mund ta shash dhe akuzosh Enver Hoxhën, por kurrë për të vërtetën e pamohueshme; se kishte një mendje aq djallëzore dhe një talent të paparë tek asnjë politikan tjetër, për të thurrur intriga nga më të habitshmet, sa edhe vetë dramaturgu i shquar William Shakespeare do ta kishte zili.
Dhe po t`i shtosh kësaj aftësie aspak humane, edhe pashpirtësinë neronike e deri paturpësinë për të marrë jetë njerëzish të pafajshëm, kundërshtarë të ideve të tij çmendurake, e deri shokë të tij besnikë që i qëndruan pranë qysh gjatë luftës nacional - çlirimtare, duke e mbajtur në pushtet gjer ditën që shkoi në Ferr, mendoni se çfarë monstre qe ai. Njihen krimet e përbindëshme që ky despot me pamje engjëlli, bëri në popull me anën e pushtetit që ndërtoi; pushkatime deri pa gjyq, burgosje, internime, hakmarrje, ndëshkime për të para dhe pas lindur, vendosjen e një regjimi rreptësisht të kontrolluar nga spiunët, varfërimin dhe mjerimin e popullit, izolimin e pashembullt të tij, miqësira dhe armiqësira sipas humorit dhe manive me shtete të mëdha që e çuan në një megalomani dhe kult individi të pa njohur më parë. Por ende kanë mbetur të mbuluara nga misteri, enigma dhe e panjohura, ato që ai bëri me anë shpifjesh e sajesash, me skenarë dhe regji të shkruar nga vetë ai, brenda oborrit udhëheqës. Aq e vërtetë është kjo, sa ende ka trushpëlarë, me arsye të kufizuar, me reminishenca për privilegjet e të shkuarës apo të inkriminuar me atë sistem, që besojnë fjala vjen, se Mehmet Shehu ishte poliagjent, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako ishin puçistë, se Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi donin të sillnin se Kiço Ngjela solli banane se donte t`i vinte minat pushtetit popullor, se drejtuesit e naftës, i bënë naftën asaj me konshiencë sabotimi, se në art e kulturë Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami donin të zbatonin idetë liberale e konservatore etj. etj., pa shkuar te Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu me shokë që e ruanin për vite e vite nga çdo rrezik, por në mendje mezi prisnin rastin për ta vrarë, me ndonjë nga disa mënyra që u kishin rekomanduar agjenturat e huaja, me përjashtim të Bangladeshit, dhe pa folur për gjithçka ishte bërë me drejtuesit e formacioneve partizane, me anëtarët e tjerë të Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror, deri sa vajti puna te diskreditimi, deri në planin moral, i figurave me të cilat ai ishte mburrur, si Haxhi Lleshi e Myslym Peza, heronj të hershëm të Popullit. Dhe aq mjeshtërisht luajti Enveri me ato që urdhëroi të bëhen, sa edhe pse kanë ngjarë jo në kohën e mbretëreshës Teutë apo dhe në kohën e Skënderbeut, ne jemi të rrethuar nga një mori pyetjesh e paqartësishë, që duke i pasur ende nëpër këmbë, sjellin pasoja, deri dhe përçarje mes nesh. Për t`iu afruar sa më saktë asaj që ka ndodhur në shtëpinë e Atridëve (se një familje i konsideronte Enveri shokët udhëheqës), janë bërë përpjekje nga autorë të ndryshëm, por ndofta askush më drejtë se inxh. Agron Aranitasi, nuk ka mundur ta bëjë këtë, ashtu si e ka realizuar ai në trilogjinë voluminoze “Të vërtetat që besoj”, me nëntituj “Rënia e Triadës dhe pasardhësi”, “Kur foli Kadri Hazbiu” dhe “Agjenti francez”. Dhe ja pse mendoj kështu: e para se Agroni ka një mendje të rrallë analitike, e dyta: se Agroni ka një durim të pazakontë për të gjetur dokumentet e nevojshme, e treta: se Agroni ka një kujtesë të rrallë, e katërta: se Agroni është i guximshëm, e pesta: se Agroni është plotësisht i sinqertë, e gjashta: se Agroni e ka provuar vetë zhgënjimin, se Agroni ka parë se ç`do të thotë të vuash deri në shkatërrimin e avenirit dhe të familjes për gabimet e dikujt tjetër, e shtata: se Agroni ka qenë në një vend pune siç është TVSH ku ka ndeshur karaktere nga më të ndryshmet, e teta: se Agroni ka dalë shpesh në botën perëndimore dhe ka jetuar ca kohë në Moskë, ku i ati ishte atashe ushtarak, dhe ka ditur qysh herët t`i bëjë krahasimet, e nënta: se ishte bir i dy prindërve luftëtarë antifashistë që u ishin besuar detyra të rëndësishme dhe e fundit: se Agroni ka qenë dhëndrri i njeriut shumë të pushtetshëm, i cili ka qenë për shumë e shumë vite në drejtimin e sigurimit të shtetit, deri ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Mbrojtjes, deputet, anëtar i Byrosë Politike dhe pjesë e Sekretariatit të K.Q. gjë që i dha mundësinë të njohë nga afër thuajse të gjithë ata që ndër vite mbajtën funksione të larta dhe luajtën role me shumë peshë në drejtimin e këtij vendi, dhe e ka ditur mirë fundin e tyre të palavdishëm. Vetiu lind pyetja: a do të merrte përsipër Agron Aranitasi shkruarjen e një libri të tillë të stërmundimshëm që i mori disa vite nga jeta e tij, sikur të mos kishte atë lidhje me figurën e Kadri Hazbiut? Dua të besoj se jo. Por ai duke shkruar për të, nuk merr përsipër ta shfajësojë aspak Kadri Hazbinë, pra nuk i bën apologjinë një njeriu që ishte pjesë jetike e atij mekanizmi të egër, që sado vlera të kishe, vetë sistemi të shndërronte në një ministër të Brendshëm, që edhe Fusheja do dukej tepër normal. Ai e di mirë se nuk mund të shfajësohet kurrsesi ai që zbatoi deri në një urdhërat e porositë për armën e zezë të sigurimit shqiptar. Pra, nuk ia lehtëson përgjegjësitë historike për sa ajo me në krye Koçi Xoxen, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Hekuran Isain, Zylyftar Ramizi etj. etj. u bëri njerëzve, duke u krijuar një situatë frike e terrori si askund tjetër. Një situatë nënshtrimi, mosbesimi dhe bindjeje pa kushte ndaj diktatorit, ku kërcënimi, tortura, tërheqja në bashkëpunim ishte mjeti i vetëm për t`i përkulur e depersonalizuar ata.
Këtë stil e metodë pune të huazuar nga emisarët jugosllavë, Partia Komuniste e kishte nisur qysh gjatë luftës, ku vrau plot nga bashkëluftëtarët e saj, dhe e vazhdoi duke e perfeksionuar në vitet e pas çlirimit. Por tani, eliminimi nuk bëhej me dy fjalë e pas shpine nëpër prita tinzare, por me fjalime pa fund dhe raporte e analiza plenumesh e kongresesh partie, me futjen në valle të komiteteve të Partisë nëpër Rrethe e organizatave bazë, për të mos thënë edhe të kolektivave punonjëse në fshat e qytet. Goditjet ishin tepër të rrafinuara dhe tepër të llogaritura, aq sa të gjithë sugjestionoheshin prej tyre dhe jo vetëm e dënonin “armikun”, por edhe shpifnin ndaj tyre dhe solidarizoheshin me masat e marra, duke ngritur në qiell, shpëtimtarin e Atdheut, magjistarin Enver Hoxha. O Zot, sa raste demaskuese ka në jetën e gjatë të asaj partie e cila mbulonte krimet deri në gjirin e saj me elektrifikimin, shkollat, spitalet apo fabrikat që paska ndërtuar. Së pari, ato ashtu si piramidat i ndërtuan njerëzit e thjeshtë. Dhe më thoni një shtet të vetëm, që nuk i bën këto. Neroni që përmenda pak më sipër, pra ai që e kanë quajtur Antikrishti, nuk mund të quhet perandor i nderuar, vetëm pse pasi ju vu flaka në korrik të vitit 64, urdhëroi ringritjen e Romës me shkëlqim të paparë dhe mori masa të jashtëzakonshme kundër zjarrit. Ai mbahet mend për mizoritë që bëri; si vrasjen e nënës së tij Agripinës, të shumë e shumë të afërmëve, të krishterëve që masivisht i dënoi me vdekje dhe si i veshi me lëkurë kafshësh, ua hodhi luanëve apo i kryqëzoi, pa shkuar tek ajo që i detyroi shumë nga miqtë e tij të vrisnin veten, si p.sh mentori i tij, filozofi Seneka. Dhe kur vendosi të vrasë veten në moshën 31 vjeçare, pati paturpësinë të thosh: “Çfarë artisti po humbet bota”. Po kujt i duhen këta “artistë” si Hitleri, Stalini, Musolini, Pol Poti, Kim Jong Uni. Putin, Natanjahu e sa të poshtër të tjerë ngaqë paskan futur njerëzit në punë, kur krimet e tyre nuk i lajnë as oqeanet? Në rastin tonë, përgjigja është: shihni se ç`bëri Enveri me shokët e tij të luftës e të punës, që paskan qenë të gjithë agjentë e poliagjentë dhe ai me dorën e tij na i bëri peshqesh për dekada të tëra, pa ndierë asnjë lloj përgjegjësi. Për më tepër, i shpallte dhe heronj të Popullit dhe u fuste pa pikën e gajles, plumbin kokës. Më falin: pas kokës. Hidhini një sy Tabllosë Sinoptike që pasoi vetëvrasjen e ish kryeministrit Mehmet Shehu, dhe më thoni në ka tragjedian më të zotin për të shkruar një “kryevepër” të tillë. Një “kryevepër” që ai duke e ndjekur hap pas hapi, e vuri në skenë me një aftësi të jashtëzakonshme me disa aktorë sa mediokër e servilë, aq edhe pa pikën e personalitetit. Agron Aranitasi nxjerr nga arkivat dosje pas dosjeje, mbushur me dëshmi të rreme, spiunime, e deklarata të paskrupullta frikacakësh. Gjithëçka kishte bërë Kadriu, gjatë luftës nacional - çlirimtare apo në ndeshjet dhëmb për dhëmb me bandat e armatosura, iu mohua dhe iu quajt se ishte hi për t`ia hedhur syve dhe për të mashtruar partinë. Por partia ishte vigjilente, për taktikë e paskej quajtur armën e sigurimit besnike, majë e mprehtë e shpatës dhe zbuluese të gjithë grupeve armiqësore, se atë e paska zbuluar vigjilenca revolucionare e Partisë, pra e vetë udhëheqësit të saj i cili ishte Zeusi i vërtetë, se ai nuk paskej lindur nga Rea në një shpellë në ishullin e Kretës, por nga Gjylihania, m`u në mes të Gjirokastrës. Teatri në Shqipëri është shumë shekullor, por duke iu referuar vetëm atij që nisi në kuadrin e Rilindjes kombëtar me Koto Hoxhin në 1874 dhe Sami Frashërin një vit më pas, u garantoj se nuk ka pasur intrigë më të sofistikuar dhe gënjeshtare se ajo që vuri në skenën e një populli të tërë Enver Hoxha. Kjo del më se e qartë në librin e Agronit. Ai ndiqte nga afër gjithë seancat gjyqësore, gajasej e shkrihej i tëri me Nexhmijen e Ramizin, kur shihte sesi torturoheshin shokët e tij, jepte udhëzime sesi duhet ndërtuar më tej platforma hetimore, dhe formulonte pyetjet që do u bëheshin armiqve - gjarpërinj, derisa të pranonin ato që donte ai. Kuptohet që shumica e tyre u thyen, filluan të pohojnë ato që nuk u kishin shkuar ndonjëherë në mendje, vetakuzoheshin e sajonin të pa qëna për kolegët e deri për bashkëshortin dhe fëmijët, siç qe rasti i FISAR - it e kështu me radhë. Fakti është që Kadriu dhe Feçorri, quaj si të duash, por nuk u thyen nga torturat; pranuan gabime pune, shumica bërë me dijeninë e Udhëheqësit, por asnjëherë se kishin qenë spiunë në shërbim të të huajve. Por Udhëheqësi vazhdonte në të tijën, duke i ndërsyer njërin kundër tjetrit, deri sa ata bëheshin pjesë e kësaj loje të ndyrë. Dhe dekllaronte se ja, shiheni sesi i pohojnë vetë fajet e tyre. Kështu doli tërësisht e saktë “profecia” e komandantit. Dhe populli besonte…
At Zef Pllumi thosh se “Proçesverbalet e gjykatave komuniste kurrë nuk mund të merren për bazë të së vërtetës, mbasi janë të manipulueshme me dhunë, terror, tortura e rrena. Ai historian që i merr për bazë, o asht servil i së keqes, ose i cektë nga gjykimi”. Agron Aranitasi, nuk i merr për bazë ato, por nëpërmjet tyre, ai sheh të kundërtën, falsitetin e hipokrizinë e cila arrinte deri te verdikti që do të jepej nga drejtësia socialiste më e (pa)drejta në botë. A ka poshtërsi më të madhe sa ajo që u shkruan Enveri Kryetarit të Gjykatës së Lartë Aranit Çela dhe pisburrit Prokuror i Përgjithshëm Rrapi Mino, të cilët i cakton vetë, ashtu sikurse edhe sallën ku do të bëhet gjyqi, madje dikton edhe vendimin që duhet të marrin? Lexojen atë: “…dhe duhet të jepni dënimin kapital, pasi janë armiq të betuar dhe e meritojnë. Ata nuk mund t`ia hedhin Partisë (kupto; mua)”. Libri është me shumë histori trishtuese, si mosmirënjohjet, gënjeshtrat, deri vetëvrasjet e djemve të mirë si Vladimir Shehu e Agron Dauti. Ka aty lidhje hipotetitke, deri me agjentë francezë e bandën e Xhevdet Mustafës, fejesa do të kishin reperkursione apokaliptike, veprime të çuditshme për fshehjen e vrasjes të të akuzuarve, varrosjet dhe çvarrosjet e tyre me interesimin e vetë Udhëheqësit, mohimin prej tij të urdhërimit të gjoja komplotit të Teme Sejkos që e masakruan me shkopinj dhe e mbytën me litar, pra të të ashtuquajturit “Grupi çam”. A mund të mendohet që ka çam që t`i shërbejë grekut, përveç ndonjë mendjeje me fantazi të sëmurë? Shumë personazhe dalin në skenë gjatë leximit të librit; të pushtetshëm dhe njerëz fare të thjeshtë, dhe portreti i secilit ravijëzohet nga karakteri që ka. Ka mes tyre nga ata që dinë shumë se kanë qenë protagonistë të atyre ngjarjeve dhe ende heshtin, ka njerëz krejt të zakonshëm që i gjenden dhe e përkrahin inxhinierin e internuar në Fush - Arrëz. Por ka edhe të tillë që kur vjen demokracia dhe ai rinis punë në TVSH, e luftojnë pas krahëve, nga zilia, smira e xhelozia që kanë për të aftin e të ndershmin. Po le t`i kthehemi Kadri Hazbiut, i cili zë vendin kryesor në këtë libër: nuk duhet pasur asnjë keqkuptim: ai si kushdo kishte edhe sjelljen e ngrohtë me vartësit, kolegët e njerëzit që takonte. Kur vinte nëpër repartet ushtarake, ulej shtruar me oficerët dhe ndante bukën me ta, linte përshtypjen e një shtetari të thjeshtë, nuk linte rast pa dërguar letra e telegrame urimi etj. ishte njeri që e çmonte besën, qoftë edhe ndaj kundërshtarit, por nga ana tjetër, me emrin e tij lidhet një faqe historie që nuk e ndan nga gjithë ligësitë e Enver Hoxhës, i cili përlotej së bashku me të tjerët për ikjen e serbomadhit Dushan Mugosha që mbolli mes nesh farën e gramit të përçarjes që po e vuajmë edhe sot e kësaj dite. Për Agron Aranitasin vlerat e vërteta të LANÇ duhen ruajtur e shpënë më përpara, por “Mendja që shtriu luftën e klasave në gjirin e popullit, ishte mizore. Nuk ka rëndësi në u vranë, dhjetë vetë apo gjashtëmijë. Edhe vrasja e një të pafajshmi është krim. Për këto duhet shkruar, është një detyrim para historisë.” Dhe ai e kryen me nder këtë detyrim.








Comments