top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: GËZIM BARUTI SHKRIMTARI, PËRKTHYESI DHE QYTETARI DINJITOZ

SHPENDI TOPOLLAJ: GËZIM BARUTI SHKRIMTARI, PËRKTHYESI DHE QYTETARI DINJITOZ


   Edhe pse libri që ju po promovoni sot, nuk ka mbërritur në Durrës, e ndieva jo vetëm si detyrë, por edhe si kënaqësi që të jem i pranishëm, pasi ndaj autorit të nderuar, kolonjarit Gëzim Baruti, të gjithë kemi detyrime, jo thjeshtë për hir të vuajtjeve që ai ka pësuar nga padrejtësitë e pashpirtësisë e mizorisë komuniste, por edhe për gjithësa ai ka bërë në fushën e krijimtarisë letrare dhe kryesisht duke sjellë në shqip Mishel dë Montenjin, filozofin - shkrimtar që kurrë nuk harroi se ishte njeri. Dhe ndihem i lumtur, kur vërej se gatishmërisë së kolegëve, punonjësve të Bibliotekës dhe lexuesve, u bashkohet Kryetarja e Bashkisë, zonja Eriselda Sefa, për të cilën së bashku me Kadri Tarellin, i cili për arsye shëndetësore nuk mundi të vijë, u kemi folur miqve tanë në Durrës e më gjerë, si një dashamirëse e përherëshme e kulturës në përgjithësi dhe e librit në veçanti. Me sa më tha në telefon Gëzimi, dhe aq sa dëgjova nga diskutimet tuaja këtu, ky libër bën fjalë pak a shumë për dashuritë e pamundura të të rinjve, për zhgënjimet e brengat e mëdha shpirtërore që marria e asaj kohe, u shkaktonte atyre si rezultat i shpikjes djallëzore me emrin luftë klasash. Por duhet pranuar, se vuajtjet e vetë djaloshit Gëzim Baruti, janë ku e ku më të dhimbshme. Dhe është kjo arsyeja përse ai vepron sipas porosisë të Montenjit se “Të shkruash nuk përbën shqetësim, por lind nga shqetësimi”. Nisur nga kjo, ai në epilogun e jetëshkrimit “Pushtimi i fundit” shprehet: “Të gjitha “bëmat” e pushtetit komunist si vrasjet, vjedhjet, përdhunimet, pabesitë, gjyqet e montuara, vendimet e marra para se të zhvillohej gjyqi, torturat, demaskimet publike, shpronësimet, kurvërimet në radhët e tyre, vrasjet pa gjyq, vrasjet prapa krahëve, vrasjet me porosi të shqiptarëve të ikur që jetonin nëpër metropolet e Europës dhe Amerikës, prishjet e xhamive, kishave e mekameve bektashianë, denigrimet, divorcimet me detyrim, pushimet nga puna deri dhe privimin nga e drejta për të blerë një biletë për në kinema në ditën kur në kinema do të asistonte edhe sekretari i parë i partisë etj. etj. duhet të pasqyrohen nëpër tregimet e shkrimet tuaja të ardhshme”. Dhe shihni paradoksin; vetë Gëzim Baruti, bir një familje nga më atdhetaret, që pa asnjë faj, i kaloi vitet më të bukura, nëpër internime, mes varfërisë, urisë, përbuzjes, dëshpërimit dhe privimeve për arsimim, mbetet fisnik;

studion në heshtje e gati fshehurazi kulturën botërore dhe tani që është qytetar i lirë, pa asnjë mllef apo ndjenjë hakmarrjeje, përkthen, shkruan e boton libra të rëndësishëm në interes të vetë shoqërisë. Peripecitë dhe vuajtjet e familjes së tij nisin fill pas çlirimit dhe vazhdojnë pandërprerje derisa komunizmi e këputi qafën. Mjafton të kujtoj atë që thotë vetë ai: “Në verën e vitit 1989 punoja në vaditje natën. Më heqin nga ajo punë e më çojnë në transport me zetor. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer ajo punë. Mungova nja dy ditë e si dënim më çuan në prashitje misri. Në fund të dhjetorit më pushuan nga puna fare. Librezën ma dhanë me vijë të kuqe për të mos gjetur punë asgjëkundi”. Tani mendoni se çfarë do të thoshte vetë Montenji për përkthyesin e tij, këtë intelektual të shquar, po të ishte gjallë. Besoj se do t`i kishte shtuar veprës së tij edhe një roman tronditës, sipas bindjes që kishte se “Një njeri i talentuar e mendjemprehtë nuk humb asgjë nëse zotëron veten”. Prandaj edhe Gëzim Baruti, pikërisht pse ka qenë një njeri i talentuar dhe mendjemprehtë dhe ka ditur të zotërojë veten në çdo rrethanë, sado e vështirë të ketë qenë ajo, ka mbetur një qytetar dinjitoz që i bën nder si Kolonjës prej nga vjen, ashtu edhe qytetit tuaj, Lushnjes, që di ta respektojë dhe ta vlerësojë.    

2 Comments


Guest
3 days ago

Urime Shpendi. Shkrim i bukur dhe përmbledhës për jetën dhe veprimtarinë e Gëzim Barutit , shqipëruesit të filozofit të madh Mishel së Montenj.

Më vjen mirë që në atë kuvend libri ishin të pranishëm edhe autoritetet e pushtetit lokal. Një dukuri që rrallë e ndeshim në veprimtari të tilla.

Kur autoritetet vlerësojnë vlerat. I kam në shërbim të madh kulturës kombëtare por edhe vetvetes. Çdonjëri nga ne vlerësohet për atë se çfarë bën për qytetin dhe shoqërinë.

Miqësisht......

Urime Fjala e lirë!

Kadri Tarelli

Durrës.

Edited
Like

Fatmir Terziu
3 days ago

Një shkrim i ndjerë dhe i fuqishëm i Shpendi Topollajt, që me gjuhë të qartë, dinjitet moral dhe ndjeshmëri njerëzore, sjell në vëmendje figurën e Gëzim Barutit si shkrimtar, përkthyes dhe qytetar shembullor. Teksti është një dëshmi e vyer jo vetëm për vuajtjet e padrejta të një brezi, por edhe për fisnikërinë, përmbajtjen dhe misionin kulturor të atyre që, pa mllef e hakmarrje, zgjodhën të shërbejnë shoqërisë përmes librit dhe mendimit të lirë.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page