top of page

Shpendi Topollaj: Gjet Ndoj me dokumente...


Shpendi Topollaj: Gjet Ndoj me dokumente për të vërtetat tona historike


   Nëqoftëse ka diçka që ende po na ngatërron keqas ne shqiptarëve, ma do mendja se kjo është mënyra e të kuptuarit dhe të shpjeguarit të historisë dhe sidomos të asaj të shekullit të fundit. Dhe kjo është e trishtueshme po të mendosh se dashamirësi ynë, albanologu objektiv Maximilian Lambertz, dikur shprehej se “Historia e vërtetë e njerëzimit do të jetë shkruar, vetëm kur ajo të shkruhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve”. Historiografia komuniste e veshi këtë histori për pesëdhjetë vjet me gënjeshtra për ngjarje, formacione dhe protagonistë me rol të dallueshëm në të, dhe hajde e mbushu mendjen të indoktrinuarve se nuk ka qenë tërësisht ajo që kalemxhinjtë e regjimit na kanë servirur. Por, pavarësisht kësaj, tek e fundit do të dalë fjala e shkrimtarit francez Emile Zola që pas shkrimit “Unë akuzoj” u arratis në 189 duke thënë se “E vërteta është rrugës, e asgjë s`mund ta ndalë”. Thanë e ç`nuk thanë, shpifën e ç`nuk shpifën, për ata atdhetarë që në periudhën e luftës, pra nga viti 1939 - 1944, morën përgjegjësinë e drejtimit të vendit në kushtet e pushtimit italo - gjerman. Elita komuniste, pasi shtiu gjithçka në dorë, manipuloi me dokumentet, dhe me anë falsifikimesh dhe keqinterpretimesh, me epitete të pamerituara, me shkrime, filma e teatro, për të mos harruar edhe ndëshkimet me burgime, internime e pushkatime, shpallje kulakësh e heqje të triskave të Frontit, arriti të krijojë një përçarje të pashembullt në popull e cila për nga përmasat që mori si Luftë Civile, ia kaloj edhe asaj të kohës së luftës, kur shqiptari i vuri pushkën shqiptarit. Filozofi gjenovez Federico Rampini kishte përcaktuar se “Një prej rreziqeve të totalitarizmit është pikërisht aftësia e injektimit në popull të mendimit të një personi të vetëm”. Falë tekave egoiste të udhëheqësit kryesor, dhe narcisizmit të tij, u baltosën deri atdhetarët firmëtarë të Pavarësisë dhe etiketimi armik nuk kurseu si nacionalistët, ashtu edhe vetë komunistët që kishin drejtuar si formacionet e mëdha partizane, ashtu dhe forumet e rëndësishme të partisë dhe të pushtetit. Dhe e keqja më e madhe është se ende edhe sot e kësaj dite, shkrimi i historisë pak a shumë u është lënë në dorë për ta rishkruar, po atyre që i shkrinë dijet dhe talentin e tyre në interes të politikës dhe propagandës zyrtare. Duke iu referuar momentit të ngjashëm me këtë, Princi i filozofëve Baruch Spinoza, mësonte se “Ai që dëshiron të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra duhet të ketë një ide të qartë se ç`është e vërtetë dhe ç`është e gënjeshtërt”. Dhe ndofta askush para tij dhe më mirë se ai, nuk e ka kryer këtë detyrë me kaq përgjegjësi si ish Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit zoti Gjet Ndoj Tarazhi me librin voluminoz “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore”, ku me fakte e dokumente të pakundërshtueshme, na jep kontributin e atyre burrave që u dhimbsej Kombi dhe që tek e fundit ishin ata, nacionalistët pra, që e bënë Shqipërinë Etnike. Dhe në librin e tij, autori tregohet i kursyer në trajtimin e lëvizjes dhe aksionit komunist apo siç quhej nacional - çlirimtare. Dhe këtë e bën, jo se e nënvleftëson rolin e madh që ajo luajti, por ngaqë e di mirë se atë e di kushdo. Ai i mëshon përpjekjeve të pareshtura nga cilado qeveri që erdhi në ato vite për të realizuar bashkimin e ëndërruar të Kosovës me Shqipërinë. Politikanët e asaj periudhe të vështirë ditën të shfrytëzojnë me zgjuarsi e diplomaci koniukturën e krijuar qoftë nga italianët, qoftë nga gjermanët. Autori shpjegon me hollësi përgatitjen e terrenit për pushtimin e vendit tonë me demagogji, si fjala vjen ajo e Pio Bondiolit që e quante Shqipërinë, bregun e pestë të Italisë, pritjen me armë të pushtuesve italianë, ata 160 luftëtarë që ranë dëshmorë dhe rrethanat që çuan në ofrimin e kurorës së Shqipërisë, Madhnisë së tij Viktor Emanuelit të III - të, si dhe entuziazmin me të cilin e priti populli ende i çoroditur nga pushtimi në këtë moment të cilit i kishte paraprirë një gjenocid kriminal i serbëve në Kosovë që prej kohe zbatonin porositë e famëkeqes “Iseljavanje Arnauta” të Vasa Çubriloviçit. Gjet Ndoj, në vazhdim, me mprehtësi analizon Luftën Italo - Greke, ku në plan të parë, synimi i shpallur ishte rivendosja e drejtësisë për Çamërinë e gllabëruar pas masakrave të papara. Në libër dalin me imtësi edhe veprimet e Musolinit për të përfshirë në këtë ndeshje, ku ai synonte Ballkanin, edhe reparte shqiptarësh të cilët thuajse nuk luajtën asnjë rol, pavarësisht se atyre iu hodh përgjegjësia e humbjes së turpshme nga qeveria italiane. Në këto kushte, qeveritë shqiptare që pasuan njëra - tjetrën gjatë atyre viteve, deri te Lidhja e Dytë e Prizrenit të drejtuara nga patriotët me reputacion si Xhaferr Ypi, Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Eqerem bej Libohva, Xhaferr Deva, Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku, Bedri Pejani... morën masa tepër të efektëshme për ta formalizuar edhe administrativisht dhe juridikisht bashkimin me “Tokat e Lirueme” shqiptare, pa lënë mënjanë organizimin e ushtrisë, rendin, krijimin e institucioneve kulturore, deri për albanologjinë, përhapjen e arsimit shqip, duke ngritur shkolla dhe duke dërguar mësues nga Shqipëria në Kosovë e Maqedoni ku theksohet roli i Ernest Koliqit, madje dhe listat e mësuesve që punuan atje, dhe largimin nga influenca italiane, siç pohonte konti Çiano në ditarin e tij për kërkesën e Mustafa Krujës se “Nuk e duam shqiponjën të “burgosur” mes sëpatave të fashizmit e nyjeve të Savojës”, gjë që nga ana e tyre e respektuan gjermanët, duke njohur sovranitetin e Shqipërisë. Ngatërresat e asaj periudhe janë të ditura, pasi lëvizja për çlirim kishte marrë proporcione të mëdha, por është fakt se Nojbaher kishte autorizimin e Fyhrerit që ta lejonte këtë pavarësi, sikurse Xhaferr Deva i shkruante të Plotfuqishmit gjerman që mos na u përzieni në punët tona të brendshme. Jemi krenuar se Asambleja e asaj kohe është qëlluar me top, pra pasi ishin vrarë disa nga patriotët si Idhomene Kosturi me shokë, donin t`i asgjësonin të gjithë ata që qenë mbledhur dhe i drejtoheshin popullit me këto fjalë: “...Të gjithë shqiptarët brenda kufijve etnikë, jetojnë me përfytyrimin e një ardhmërije kombëtare të lumnueshme. Në luftrat tona kombëtare të cilat kanë vazhdue të papreme e në shekuj, kanë ra fli breznitë tona të maparshme. Populli ynë do të jetë gati për me ndjekun gjurmat e tyne për të mbrojtur Lirinë e vet, e fitueme me gjakun e sa dëshmorëve, kundra cilitdo që do të mundohet me ja grabitë”. Është interesante të dihet deklarata e Rexhep Mitrovicës, qeveria e të cilir zgjati nëntë muaj, pra deri në korrik të 1944, ku deklarohet: se objektivi kryesor do të jetë “Mbrojtja e Pavarësisë dhe e tansisë toksore të kombit tonë”. Në libër ndeshim pafund qëndrime të tilla nga ana e ministrave e kryeministrave e megjithatë, nuk munguan atentatet ndaj shumë prej tyre me pretekstin se janë pjesë e qeverive kolaboracioniste. Nga ana tjetër, komunistët shqiptarë nuk e shihnin bashkëpunimin deri në nënshtrim ndaj PKJ dhe Titos, emisarët e të cilëve bënin ligjin tek ata apo dyshimin deri në armiqësi ndaj aleatëve anglo - amerikanë. Ishte orientimi me politikat ndërkombëtare, dhe interesat e pushtetit të ardhshëm ato që çuan në ndarjen e madhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite në forma të tjera. Gjeta, me nuhatjen e një analisti të paanshëm dhe me përvojë i ka krahasuar këto dy rryma mbizotëruese, duke na dhënë pikat e takimit dhe ato të ndarjes ose siç shprehet ai “ngjashmëritë dhe dallimet” mes tyre. Ai shpjegon edhe shkaqet pse jugu e mbështeti më shumë lëvizjen nacional - çlirimtare dhe veriu atë nacionaliste. Ai evidenton edhe cilat qenë arsyet e krijimit të divizionit “Skanderbeg”, por nga ana e komunistëve edhe bashkëpunimin me serbët kundër popullit të Kosovës, deri sa puna shkoi tek ajo masakra e pakuptimtë dhe e pafalshme e Tivarit. Dhe ai nuk i shmanget as krahasimit mes PKSH dhe PFI, si dhe dallimin thelbësor të tyre që konsiston te qëndrimi ndaj pronës. Në kapitull të veçantë vihet në dukje përkrahja dhe shpëtimi i hebrejve nga ana e qeveritarëve të kohës, çka është një nga treguesit e guximit dhe humanizmit të tyre, gjë e cila na nderon të gjithëve. Por edhe pse me fare pak fjalë, Gjet Ndoj tërheq vëmendjen se sot kur janë kushte të krejtësisht të favorshme, përse të mos kemi kurajën e burrave që u mblodhën në 16 shtator 1943 e në vazhdim në Therandë, për të ngritur zërin trimërisht për bashkimin e trojeve shqiptare. Si përfundim, mund të them se ky autor na jep shembullin me elokuent sesi duhet rishkruar historia jonë ashtu siç ka ngjarë, për të cilën Marsel Prusti shprehej se: “Koha kalon dhe pak nga pak gjithçka që ne kemi thënë gënjeshtër bëhet e vërtetë”.       

15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page