top of page

SHPENDI TOPOLLAJ FESTON DITËLINDJEN E TIJ ME LIBRA TË RINJ

KADRI TARELLI


Shpendi Topollajt më 14 shkurt 2020, në ditën e shenjtë të “Shën Valentinit”, mbush 73 vjeç. Për të si njeri, poet, tregimtar, novelist, romancier, publicist e kritik letrar, mund të flasësh gjatë, pasi ke se ç`të

thuash si për veprën e tij shumëdimensionale, plot talent e kulturë të jashtëzakonshme, ashtu edhe për vlerat e spikatura njerëzore e atdhetare që si rrallëkush ka. Me karakterin e pathyer të ish oficerit, me sensin e drejtësisë si jurist, por dhe me shpirtin e bukur e të ndjeshëm poetik, ai gëzon dashurinë dhe respektin jo vetëm të të gjithë qytetarëve durrsakë, por edhe të kujtdo që e njohu apo lexoi nga krijimtaria e tij. Dhe ja, ku vjen tani me librin e porsa botuar studimor nga Shtëpia botuese “2Mprinting”, “Dantja… e të tjerë”, ku ka përzgjedhur korifejtë e letrave ndër shekuj (…Petrarka, Bokaçio, Shekspiri, Hygoi, Pushkini, Tolstoi, Esenini, Cvajgu, Eminesku, Shollohovi), përfshi shkrimtarët tanë Fishta, Lasgushi, Kadareja e Dritëro Agolli. Është një libër serioz, me gjykime të thella dhe plot kureshtje, i shkruar me aq kompetencë dhe dashuri, i cili i bën nder jo vetëm këtij autori, por edhe vetë letërsisë shqipe. Kush do ketë rastin ta lexojë do të më japë plotësisht të drejtë, ashtu sikurse ngjau edhe me librin tjetër të tij “Ese rreth shprehjeve mitologjike”, që është pritur aq ngrohtësisht.

Po e uroj me gjithë shpirt këtë autor që përherë i feston ditëlindjet me një tufë librash të rinj, me një poezi timen, pavarësisht se për të janë shkruar volume të tëra.

PAK VARGJE PËR URIM MIKUT TIM SHPENDI

Linde ti në dit dashnie,

Porsi zog në koh furtune,

Nuk lakmon kuror lavdie,

Veç aromë e djersë pune.

Ti o Shpend me shokë shumë,

Nuk e di kur bën pushim,

Se, dhe natën kur fle gjumë,

E braktis për një shkrim.

Fjala jote ndër kuvende,

Sa në Durrës e në Tiranë

Si skulptor portrete gdhende,

Hedhur librash anë e mbanë.

Tregimtar, me shpirt poeti,

Kritik arti, romancier,

Krahët ngjyer mbi valë deti,

Kripur fjalën, bukur nxjerr.

S`shan askënd, nuk mban inat,

Në çdo çast mbetesh njeri,

Shën Valentini pati fat;

Kur të dha kaq dashuri.

Mbi pesëdhjetë libra në duar,

Gdhendur shpirtin aty ke,

Fjala jote, zjarr i pashuar,

Për shqiptari e mëmëdhe.

JETA DHE VEPRA E SHPENDI HULËSI TOPOLLAJ

Është lindur më 14 shkurt të vitit 1947 në Berat. Babaj i tij Hulësiu, partizan nga të parët, e më pas oficer, jurist dhe shkrimtar, ishte nga Novosela e Kolonjës, kurse e ëma Hatiqeja, ishte nga fisi i dëgjuar për atdhetari i Agallinjve në Vlorë. Fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Shkodër dhe Tiranë. Sot, punon e banon në Durrës prej më se pesëdhjetë vjetësh. Me të përfunduar shkollën shtatëvjeçare “Misto Mame”, nis studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, të cilën e mbaron në vitin 1964. Më tej vazhdon shkollën e Bashkuar të Oficerëve, dhe në vitin 1966 titullohet oficer këmbësorie. Emërohet në repartet e Durrësit, ku kryen detyra të ndryshme, si instruktor i stërvitjes me universitarët, shef i strërvitjes së Brigadës së Katërt të Mbrojtjes Bregdetare, komandant batalioni. Por duke qënë se i ati i tij goditet rëndë, si bashkëpunëtor i “grupit puçist”, me argumentin se kishte shkruar dhjetë vjet më parë një libër për luftën Nacionalçlirimtare, ku lartësonte figurën e Heroit të Popullit, Petrit Dume dhe të drejtuesve të tjerë të kësaj lufte në Kolonjë, ndëshkohet me pretekstin se ka lexuar një libër me kritika letrare të prof. dr. Rexhep Qosjes dhe pas një sërë masash, çohet me një detyrë të ulët, në një repart të largët, ku qëndron i harruar për rreth njëzet vjet. Me formimin i tij intelektual, edukatën e marrë në familje dhe përkushtimin në detyrë, ai dallohet për rezultate shumë të larta. Të gjithë që e njohën apo punuan me të, e kujtojnë si një kuadër të talentuar, të kulturuar, të guximshëm, të ndershëm dhe me shpirt krijues që e donte ushtrinë me gjithë zemër. Ai gëzonte respektin e veçantë të shokëve dhe vartësve të tij, oficerë dhe ushtarë.

Ndërkohë, kryen studimet në Universitetin shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e shkencave Politike - Juridike dhe studion me pasion, jo vetëm artin ushtarak, por edhe në fushën e letërsisë, artit, historisë etj.

Me gjithë vështirësitë e njohura, ai është nga të parët kuadro të ushtrisë që mbështeti me entuziazëm proçeset demokratike në vend, duke predikuar gjithmonë mirëkuptim mes vëllezërve të një gjaku.

Duke parë aftësitë e spikatura të tij, pas përmbysjes së diktaturës, i jepet grada nënkolonel dhe emërohet shef i Mbrojtjes Civile të rrethit të Durrësit. Pas largimit nga ushtria, caktohet në detyrën e Shefit të Seksionit të Mbrojtjes Shoqërore në Këshillin e Rrethit. Bëhet promotor i organizimit dhe zhvillimit të dhjetra e dhjetra veprimtarive, kushtuar figurave të shquara, të goditura dhe lënë qëllimisht në hije apo të promovimit të krijimtarisë letrare të autorëve të ndryshëm, sidomos durrsakë. Puna e tij në këtë drejtim është krahasuar me atë të një institucioni të tërë. Këto veprimtari kanë qënë përherë mbresëlënëse dhe janë pasqyruar gjërësisht në të gjitha stacionet televizive, në radio apo gazeta të ndryshme.

Mbas suprimimit të seksionit që drejtonte, duke qënë jurist, fillon punë në Gjykatën e Rrethit, ku qëndron për shtatë vjet dhe prej dymbëdhjetë vjetësh, kryen detyrën e Përmbaruesit gjyqësor, gjersa doli në pension.

Nuk ka rreshtur së kryeri dhe detyrat shoqërore, si anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, nënkryetar i Shoqatës kombëtare “Skënderbegasi”, kryetar i degës së kësaj shoqate në Durrës, anëtar i Kryesisë së shoqatës të miqësisë Shqipëri - Rusi, nënkryetar i degës së SHKUR - it, sekretar i shoqatës së Intelektualëve në Durrës, kryetar i Bordit drejtues të teatrit “A. Moisiu”, anëtar i Këshillit Kombëtar të OBVL-s dhe është zgjedhur Ambasador i Paqes. Pas viteve nëntëdhjetë, fillon të shkruajë dhe botojë krijimtari të mirëfilltë letrare, thuajse të të gjitha zhanreve të letërsisë, si poezi, tregime, novela, romane, publiçistikë, kritikë letrare etj. dhe qindra e qindra artikuj të shkruar e botuar nga ai, në shtypin e kohës, gjë që e bën të njohur kudo. Shumë nga librat dhe krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, janë botuar jashtë shtetit dhe janë vlerësuar shumë nga kritika e specializuar dhe lexuesit. Në Nëntor të vitit 2015 nga ana e Lidhjes dhe Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë i është akorduar çmimi “Pushkin” me motivacionin “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”. Për të dhe krijimtarinë e tij, janë botuar librat voluminozë “Të shkruash në liri - Shpendi Topollaj: poeti, prozatori, kritiku, njeriu”, dhe “Liria e të shkruarit”.

Ai është vlerësuar shumë lart për cilësitë e tij të rralla artistike, tematikën e zgjedhur dhe mesazhet që përcjell, nga penat tona më të njohura. Në një nga librat e fundit, “Ishte koha kur…”, kritiku Kostaq Xoxa duke folur për të shkruan: “Autori i palodhur dhe i talentuar i letrave shqipe të kohës së pasdiktaturës, Shpendi Topollaj, të befason me prodhimtarinë e tij aq të shumëllojshme në gjinitë letrare më të larmishme: në poezitë, në tregimet, në novelat, dhe në romanet e tij; në kritikën letrare, në zbulimin, e thesareve të lashtësisë dhe veçanërisht të mitologjisë greke; në reportazhin artistik, në pasqyrimin dhe portretizimin e figurave të nëpërkëmbura nga një sistem totalitar gjysmëshekullor…”

Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Ka botuar këto libra:

- Lirikat e Zemrës - poezi (përkthyer në italisht) 1996

- Gjithë dashuritë e mia - poezi 1996

- Akropol për të gjithë - poezi (përkthyer në greqisht) 2000

- Mjaft u grindën Perënditë - poezi 2001

- Tekat e Perëndive - poezi 2004

- Magjistari i dashurisë - poezi 2004

- Kumte nga Olimpi - poezi 2009

- Ishte koha kur… - poezi epigramike 2011

- Metaforë malli - poezi me b/autorë 2013

- Perla më e bukur - poezi 2014

- Ironia e moshës - poezi të zgjedhura 2015

- Rrëfimi i Kapitenit - tregime (përkthyer frëngjisht) 1998

- Një njeri i çuditshëm - tregime 2007

- Fisniku dhe horri - tregime dhe novela 2008

- Autografi - tregime 2011

- Arratisja - tregime 2011

- Amaneti - tregime (përkthyer në rumanisht) 2014

- Adulteri - tregime 2012

- Mobiliet e vjetra - tregime 2019

- Allamanët - novelë (përkth. italisht, gjermanisht) 2008

- Pushkatimi - novelë (përkthyer italisht, rusisht) 2008

- Ahu në mes të pyllit - tregime e novela të zgjedhura 2015

- “Kurva” - novelë (përkthyer në rusisht) 2012

- Lotët e Zambakut - roman (përkthyer në rusisht) 1998

- Mashtruesi - roman 2006

- Mallkimi - roman 2010

- Luani i kafazit - roman 2011

- Zhgënjimi i partizanit të Gramozit - roman 2011

- Unë kam qenë në Mat`hauzen - roman 2013

- Biri i Golëmit, Adem Meta - roman 2015

- Jetoj në kujtimet tuaja - monografi 2016

- Romancë me letra dashurie - roman 2018

- Flakët e fjalës - kritika letrare 1998

- Jemi vëllezër - kritika letrare 2000

- Shoku më i mirë - kritika letrare 2002

- Paqja - virtyt i civilizimit - kritika letrare 2003

- Triumfi i arsyes - kritika letrare 2004

- Porta e dijes - kritika letrare 2007

- Vepra dhe vlera - kritika letrare 2008

- Armiq pa dashje - kritika letrare 2009

- Vagoni i mallrave - kritika letrare 2011

- Homazh librave - kritika letrare 2012

- Libri si Papirus - kritika letrare 2013

- Kur qesh dhe qan Kadare - kritika letrare 2013

- Vargmali i letrave - kritika letrar 2014

- Stile dhe Lapsa - kritika letrare 2014

- Po thahet shpirti - kritika letrare 2016

- Shkolla ime “Skënderbej” - kritika letrare 2017

- Urat e librave - kritika letrare 2017

- Purgatori i librave - kritika letrare 2018

- Flas për ju – kritika letrare 2019

- Flas për ju - kritika letrare 2019

- Esse rreth shprehjeve mitologjike 2019

- Dantja… e të tjerë - kritika letrare 2020

Për të dhe veprën e tij janë shkruar librat voluminozë:

- Liria e të shkruarit 2009

- Të shkruash në liri 2014

- Kur bashkohet mendja me zemrën 2020


43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page