top of page

SHPAGA E PANDERSHMËRISË



Tregim

Kisha shkuar në qytetin K. pranë kufirit me Çamërinë, për të parë gjyshen e dashur nga nëna dhe sapo zgjohesha nga gjumi i mesditës. Muret e shtëpisë së vjetër, kishin të çara aq të mëdha, sa mund të dëgjohej fare mirë çdo fjalë, që flitej në dhomën tjetër. Gratë matanë bisedonin me zëra tronditës, për një ngjarje që më bëri të rrëqethem: -Derveni e zuri kunatën e vogël me pahir, kur e motra kish marrë kalistirin që pa gdhirë, të potiste bahçet e kjo e mjera qe akoma në jatak… -tha gjyshe Taibeja me një zë krejt të prishur. -Sa vjeç ishte, korba ? - pyeti njëra nga gratë. -Sapo kish shkelur të katërmbëdhjetat. -u gjegj zëri i gjyshes Taibe. Gratë shpërthyen njëra pas tjetrës: -Ua, ua, ua, ç'bëri gomari, ç'bëri hajvani!... -Fëmijës së tij ia bëri atë punë, sojsëzi!... -Motrën e gruas e kish si motrën e tij, si s'pati një çikë turp, edepsëzi !... Pastaj gjyshja u tha grave, se vajza i kish treguar vetëm asaj dhe askujt tjetër në rrethin familjar. -Edhe mua më dëftoi, vetëm kur e pikasa që kish filluar t'i anjtej barku. Pak i anjtur, jo shumë, po gjene kuptohej. Nuk e kish më atë mesin e hollë si gjishti i unazës... -tha zëri i gjyshes. -E mora Melushen mënjanë e i thaç të më zbulonte barkun. Nuku donte, kish shumë turp. Klidhosa derën me kiç dhe e ula në kanape. Shtrëngonte oshkurin e nuku donte për qamet. I thaç: "Hajde, të pastë nana, hë, paç uratën, qasu dëftoma mua të fshehurën që mban atje bërna, se të bëj derman të shpëtosh nga e liga!." Atëherë i zglidha mbathjet dhe ia zbulova barkun të tërë. I dukej toidho si pjepër i vogël, po tamam bark barre. U pataksa, m'u errën sytë e u alivanosa, nga ajo gjëmë që kish mbirë e rritej në barkun e vajzës axhami. Atje bërna rritej sherri dhe kuja e llahtarisur që do plaste një ditë në shtëpinë tonë. Atje bërna barkut të saj, ishin fshehur vrasjet dhe vdekjet e kësaj shtëpie të madhe… -Kallogreja ajo, kallogreja!... -tha zëri i irrituar i një gruaje. -E mora Melushen me të mirë e i thaçë: “mos u bëj merak se unë di ca marifete, që jo vetëm të shpëtosh, po edhe të mos e marri vesh ytat e jotëmë. Po dëftomë më përpara, kush ta bëri atë palopunë dhe si ta bëri?”. Melushja e kish karfosur gojën e zuri të klante. Po unë i fërkova kokën, e mora me të mirë, më pas ajo ma molloisi ukubetin e zi, fill e për pe. Nga ato hupe, që shprazi goja e saj, m'u bë sikur ra tavani e më zuri nënvete. Derveni i kish zbuluar papllomën në gjumë e si e kish parë ashtu pilikuri, me kombinezonin e hollë të natës, i kish mbyllur gojën me dorë e i kish hipur sipër. Sefte vajza e përgjumur kish shklyer sytë e llahtarisur, nga njeriu që iu fut papandehur në jatak e nuku merrte vesh ç'bënej. Po kur Derveni i zglidhi mbathjet me pahir, e këptoi të keqen... -Gomari, gomari, ç'bëri ashtu derri i derrit! -tha një grua. -Kushedi ç'ka hequr ajo e mjera... -tha tjetra. -"Më zaptoi si ulk i tërbuar me sy të kuq, -më tha vajza e pamësuar me ato nepse burrash, -më shtrëngonte, më cimbiste, më lëpinte e më ndukte mishrat me dhëmbë, sikur donte të më kullufiste të tërën..." -Ua, ua, ruana zot mendtë e kokës, paska pasur nepsin e hamshorit të tërbuar edhe me fëmilën! -Po si e duroi dot kërthija gjithatë dem balash! -“M'u duk sikur më futi nënvete një thikë të madhe, të skuqur në zjarr", - më tha vajza, -shtoi më tej zëri i gjyshes Taibe. -Doemos vajzë e vogël, e pahapur, pastaj Derveni ishte sa një derr i majmur me misir korite dhe e shkarfosi menjëherë... -Pu, pu, pu, ç'i panë sytë të mjerës! -I kish plasur gjaku pizgë, po ai gomari e kish vënë ta lante njollën me sapun e ta thante në oxhak. -u dëgjua gjyshe Taibeja me zë të dhimbshëm. -Jazëk i qoftë, atij mashkulli të fëlliqur, si përdhoset ashtu kurmi i një vajze njomështirë? -Korba ajo, korba ajo miturishte ç’ka hequr! -tha zëri tjetër. –As dashi që është bagëti, nuk e ndërzen shelegen kurrë… -Prisni pak, -tha befas gjyshe Taibeja, -sa të shoh matanë, se mos është zgluar nga gjumi ai nipi që më ka ardhur dje nga Saranda e i dëgjon këto hupe!... Unë i ktheva shpinën derës dhe qëndrova symbyllur, sikur isha në gjumë të thellë, po veshët i mbaja ngritur si të lepurit. -Moj, mori vesh gjë e motra? -Melushe korba, nuk dinte ç'të bënte, - vazhdoi gjyshja. - T'i dëftonte së motrës, apo jo. Derveni e kish tromaksur: “Po i the gjë sat motre, atë e ndava ta dërgonj tek jotëmë dhe ty të mbyta në lumë...” Nuk dinte ç'të bënte e mjera dhe e klidhosi gojën për fare. Derveni, si dhjakonar që ishte, u mundua ta shtinte gjene në dorë. Shkoi bleu dy fustane të shtrenjtë, për të e për të shoqen, sapun venus, livando e kufeta të ëmbla, po nuk e kandisi dot. -Uh, maskarai, cipëplasuri! Ç’janë këta meshkuj kështu, që u daltë një murdallëk mu në atë vënd! Se edhe qeni që është qen, nuk shkon me të kasolles së tij... - Ajo, me sebepin se e kish marrë malli shumë, mori udhën fshehur e u kthye në shtëpi. Nuk e hapi gojën me asnjë, deri atë ditë që m'u hap mua... Gjyshja u ndal pak sekonda, pastaj shfryu dufin e gjoksit e tha: -Eh, sa m'u prish gjaku, sa u sëkëlldisa e sa rashë në siklet me Melushen e mjerë. S'dija si të bëja. Ajo mbante në bark farën e burrit të motrës... Hall edhe po t'i bëja derman ta kërrente. Qe mbi tre muajshe e do kuptonej nga të gjithë të shtëpisë, po edhe mund të vdiste. Po, po, do vdiste nga rrjedhja e gjakut, pa një pa dy, se ashtu e kishin pësuar edhe gra të tjera që e kishin shtënë, kur u qe rritur fëmila në bark. Dhe më shkoi mendja për një marifet tjetër. Gjeta një brez mëndafshi të gjerë dhe ia përmblodha barkun, aq sa s'binte në sy. Më pas u thaç grave të shtëpisë, se i qenë bledhur zakonet, që ahere që u sumur nga gripi. Po do t'i vinin gjene më vonë, se ish e vogël nga mosha. E mora vajzën e ia vura stromën e papllomën të flinte në dhomën time. I bëja hizmet vet dhe e ruaja deri sa të mbushte muajt, ta kërrente bashton, ta hidhnim gjëkundi në nonjë gropë e të lefterosej. Mirëpo nusja e vëllait të saj, Reshatit, diç këptoi. Ajo shkonte keq me të shtëpisë dhe bënte ç'bënte, ia hidhte sytë te barku e përgjonte. -Lanet pastë! Grua e të kish atë shpirt... -tha zëri i njërës. -Mbante inat me vjehërrin e vjehërrën, që nuk e deshën përpara martesës, për ca fjalë që i kishin dalë. Po Reshati nguli këmbë e mori dhe tani ajo kërkonte të merrte hak. -tha gjyshe Taibeja. -Muajt e fundit e mbajta Melushen shtrirë, gjoja ish e sumurë. Po qëlloi ajo ditë, kur shkova të pajgoris në varrimin e Madanit, dhe atë kallogrenë e zunë të prerat. Vajti vet në halé. Shtërzohu e shtërzohu, gjersa i dollën sytë kllokomaqe dhe e lëshoi plluq në llagëmin e halesë... -Ua, ua, aman o zot, ç'thua, moj korbë !... -Po, moj, po, e lëshoi në llagëmin e mbushur plot dhe foshnja zuri të klante pa pushuar, au, au, au! E dëgjoi nusja e të vëllait dhe briti, sa u tundën muret e shtëpisë, me një zë si kukumjaçe: "E hodhi bashton, moj, e hodhi në gropën e halesë!" dhe shkoi i tha të shoqit. Reshati, po i egër siç ish, vajti mori kazmanë, zbuloi rrasat përsipër llagëmit dhe e gjeti. Bashtua ish sa një lepur i rrjepur dhe kish vdekur. Ai ua tregoi lepurin të tërëve. Pastaj e ngritën atë korbën nga jataku, ku dergjej me zorrët nëpër këmbë dhe e shtrënguan t’u dëftonte me kë e kish bashton. Dhe ajo, nga e keqja, ua dëftoi të tëra ... -Pu, pu, pu, ç'janë këto ukubete që na mollois, moj grua? -Dale, dale, -tha zëri i gjyshes Taibe. -Kur u ktheva nga pajgoria, më luajti fiqiri nga fesati, që kish plasur në shtëpinë tënë. Ishin prishur të tërë nga çehreja. Njëri thosh të shkojmë të vrasim Dervenin, tjetri t'i djegim shtëpinë. Gratë çirrnin faqet e burrave u kullonte farmak nga hundët, shuaj e ndiz cingarro nga sëkëlldia. E ëma kish zënë qoshenë dhe klante me lemeri, për turpin që u kish rënë mbi kokë. Si më e vjetër që isha, u bëra rixha të përmbaheshin, sa të zbuteshin gjakrat e të mos e merrnin vesh gjitonët, se do bëneshim gazi i dunëjasë, të na mbante në gojë tërë fshati. Pu, pu, për ato siklete e adhape që hoqëm... Në shtëpinë tënë, pllakosi mënxyra e vdekjes. -vazhdoi gjyshe Taibeja. -Ishnë errur, ishnë nxirë e ishnë vrerosur i tërë buluku, aq sa, t'i prisje, gjak s'u dilte. Po asnjë llaf nuk kërryen jashtë mureve të dëgjonin gjitonët dhe as i ranë në sy Dervenit. -Po ai qelbësira andej nga shtëpia e tij, s'kish marrë vesh gjë? -pyeti zëri tjetër. -Nuk dua ta fëlliq gojën më shumë me ëmrin e tij, po kish marrë, -tha gjyshja. -E shoqja ish bërë merak dhe kish ardhur të shohë të motrën e sëmurë. Unë ia mbusha mendjen, se i qenë mbledhur zakonet dhe do bëhej më mirë. Ajo ia kish treguar atij dhe ai, që e dinte zararin që kish bërë mbi kurmin e saj, kish kohë që nuk shkonte në shtëpinë e tyre. Mirëpo një ditë u bashkua me ca fshatarë që venin për pazar dhe shkoi të shiste misër... Qëlloi atë ditë në vakt të akshamit, që ai kaloi në dhromin sipër shtëpisë. Reshati dëgjoi zërin e Dervenit, i dolli përpara me të qeshur dhe e zuri për qafe, sikur s'kish ngjarë gjë prej gjëje. I tha, bujrum nga shtëpia, ke kohë pa ardhur, eja ta pimë nga një bardhak me raki. Dhe ai budallai u gënjye. Erdhi... -Si moj, si erdhi ?!... -Erdhi, se e pruri zoti, për të larë turpin, -tha Gjyshe Taibeja dhe psherëtiu. -E pritën me tërë të mirat. Reshati theri një sheleg dhe atë natë burrat ia shtruan të gëzuar, që erdhi dita të vinej në vend nderi i shtëpisë. Ajo gosti me sufranë plot, ishte për mortjen e tij. Po ai s'kish këptuar gjë prej gjëje. Gjëma e priste në sabah. Sa u përshëndosh me të shtëpisë e zdrigji shkallët, Reshati nga prapa i thërriti nga kreu i shkallëve, me dufek në duar: "Dëgjo o Derven lapërdhari, kështu bëhet me barrë motra e gruas që të dhamë, jo ashtu siç bëre ti !" Dhe shkrehu përmbi të tre fushekë me sira. Kur ai u këput e u gremis shkallëve, Reshati rrëmbeu të motrën për krahu nga bërna shtëpisë dhe e xorri xvarrë, që ta shihte gjunahqarin të vdekur. Po në kohën që mbushi dyfekun prapë, ajo kallogreja e këptoi dhe vrapoi xathur nëpër avllinë e shtruar me pllaka guri. Porta e jashtme e oborrit qe klidhosur që në darkë, për të mos dalë njeri përjashta pa u bërë gjëma. Dufeku bamp, e Melushja vraponte e kërcente si sorkadhe e mbyllur në gardh, sa në një anë, në tjetrën e për çudi, nuk e zinte plumbi. Alurinte: "Amani, mos e lini të më vrasi edhe mua, amani !" Eh, më ndjeftë perëndia, kur s’mu ça zëmra aty në atë vënd e s’luajta nga fiqiri, paskesha klënë shumë e fortë… Dufeku, bamp për të pestën herë, ciflat e gurëve ngriheshin rëpjetë e atë nuk zinte plumbi për qamet. Ishte e pafajshme korba… Uh! -ofshajti Gjyshja dhe ndaloi një copë herë, se iu zu fryma. U kuptua që qante. Gratë e qetësuan pak nga pak dhe pastaj ajo tha me zë të copëtuar: - Kur vajti u fut te koçeku i misirit në fund të avllisë, Reshati shkoi ia shprazi dufekun mbi kokë. Pastaj e hoqi xvarrë, e hodhi si nonjë cergë afër Dervenit dhe shkoi u dorëzua në polici... Ja, kështu, me këtë gjëmë të zezë, u nis e u bitis ai turp i zi... Vetëm zoti që është atje sipër, e di sa lot kam derdhur për atë vajzë errmi, unë që derimë atë ditë s’e kisha lënë veten të më pikonte loti mbi faqe… -Po e motra? -pyeti njëra nga gratë. –Ajo u kthye këtu vetëm fare, se fëmilët ia bajtën ata të Dervenit... Për shumë vite më gjëmoi në kujtesë zëri i zvargur, gati i përqarë i gjyshes Taibe. Derisa subjekti makabër i kësaj ngjarjeje tragjike, të shkruar në trurin tim, të kalonte lirshëm, nga truri në letër. Dhe asnjëherë s'e kam kuptuar dot, atë forcë të turbullt në shpirtin e një burri, atë instinkt rudimentar që shpreh animizimin me kafshën; Përse njeriu me logjikë normale, për pak sekonda epsh, arrin deri aty, sa të humbasë jetën e tij, të të tjerëve dhe të shkatërrojë ekuilibrat harmonik, të vendosur mes njerëzve?...

21 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page