top of page

SHORTI I ATENTATIT


SHORTI I ATENTATIT


Nga Timo Mërkuri

Kohët e fundit nuk kanë munguar zërat e disa gazetarëve që atentatin e Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanin të kryer në datën 13 Qershor 1920 t’a quajnë një akt individual aventurier apo terrorist, të kryer pa patur qëllime madhore, madje kanë shkuar deri aty sa ta quajnë edhe të porositur edhe të financuar nga disa bejlerë të Libohovës për çështje rivaliteti politik. Për sa i përket emërtimit “akt individual aventurier dhe terrorist” unë mendoj se gazetarët janë bazuar te vetë deklarata e Avni Rustemit, si gjatë procesit hetimor ashtu edhe në gjyq se: ” këtë vrasje e kreu pa paramendim ai vetë, pa asnjë shtytje tjetër, sidomos nga qeveria e Tiranës[1]”.


I- Unë nuk do eksploroj terenin juridik dhe historik të ngjarjes, por do ju them se në fshatin tim Pilur dhe sidomos në familjen e tim eti në Sarandë, momente që lidhen me këtë atentat si zgjedhja e atentatorit dhe përballimi i shpenzimeve të udhëtimit të Avni Rustemit kanë një pamje tjetër. Ky këndvështrim ndryshe lidhet me emrin e Kol Mërkurit[2], antar i kryesisë së Shoqatës Bashkimi, mik i ngushtë me Avni Rustemin dhe figura të tjera tribunale të Luftës së Vlorës dhe luftës së forcave demokratike në Shqipëri. Për figurën e Kol Mërkurit (xhaxhai i tim eti) në shtëpinë tonë flitej shumë rrallë. Flitej sidomos kur bujtnin vëllëzërit e Kolës, xhaxhallarët e tjerë të tim eti me raste të ndryshme ose në vizitat gati të përditëshme të hallë Sofisë (Sofi Gërdhuqi), vajza e vetme e Kol Mërkurit, që banonte në Sarandë, pranë shtëpisë sonë., por duhet të them se në të gjitha rastet im atë i ndërpriste ose i shmangte këto tema bisede, sidomos kur ishim të pranishëm ne fëmijët dhe kjo bëhej jo pa shkak. Arsyeja ishte se Kol Mërkuri, me gjithë kontributin e tij atdhetar u arestua në 2 Dhjetor 1945 dhe vdiq në internim në Krujë në 19 nëntor 1947. Pavarësisht se Kolë Mërkuri ishte tip konspiratori dhe i heshtur, duke qënë se gjatë luftës së dytë botrore dhe pas saj iku nga Vlora dhe u rikthye në fshat, ishte një periudhë jo e pakët që gjatë bisedave të përditëshme ai të niste e të tregonte historitë e aktivitetit të tij në Vlorë, sigurisht në reth të ngushtë vëllezërish e miqsh. Interes kishin për vëllezërit e tij dhe miqtë e ngushtë sidomos tregime për Luftën e Vlorës, atentatin e Avni Rustemit, vrasjen e varimin e tij, mbështetjen e ndihmesën dhënë Halim Xhelos etj. Ata nuk haronin që Kolë Mërkuri kishte qënë komandanti i forcave të Pilurit, Kudhësit dhe Qeparoit në Luftën e Vlorës, etj. ..Pilurjotët kanë një gjë, po u pëlqeu një gjë apo një njeri, një veprim apo një qëndrim i tij, pa një pa dy ja qëndisën këngën. Kështu shpjegohet që qysh në kohën e Italisë së dytë (1939-1943) për Kolën këndohej me vargjet: “Kol Mërkuri fanolisti/Atdhetari me ide”. Personalisht e kam dëgjuar të kënduar këtë këngë si dhe një këngë tjetër, një varg i së cilës fliste për një “Shorti i burrave me besë”. Me qënë se e dëgjoja rrallë, këtë e kujtoja një këngë familjare, ndaj u habita kur te portali “Piluri” u publikua një këngë e Piro Mërkurit që i kushtohej Kol Mërkurit dhe që kishte vargjet: “Brenda Vlorës së flamurit/U hodh shorti i betimit/ Mes tyre Kolë Mërkuri/Shoqata e dha vendimin”[3]. Realisht kjo këngë doli pas 15 gushtit 2020 kur Kolë Mërkurit ju akordua “Dekorata e Artë të Shqiponjës”, por mua më ngeli në mëndje që edhe këtu citohej “shorti i betimit” i përafërt me “Shorti i burrraave me besë”.

E lexova, por sipas zakonit tim, doja të bëja konfirmimin me dokumenta dhe burime të tjera, prandaj heshta.

II-Rasti e pruri që në ditën e dytë të Festivalit të “Netëve të Bejkës së Bardhë” të takoj në Pilur Piro Mërkurin, i cili kishte ardhur nga Selaniku për të marë pjesë në Festival bashkë me të shoqen, këngëtaren Ermioni Mërkurin. Ishte data 06 Qershor 2021 dhe po gatiteshim të zhvillonim promovimin e disa librave të autorëve të Bashkisë së Himarës. Rastësisht Piro ishte ulur bashkë me mua, duke patur në mes nesh Prof. Bardhosh Gaçe. Aty e pyeta Piron në se ka burime të tjera për faktin e “shortit”, veç bisedave dhe kujtimeve të njerëzve tanë dhe disa pilurjotëve të moshuar.

_Kam unë- ndërhyri Prof. Bardhosh Gaçe- pse nuk e di ti? Dhe pastaj me zërin e tij të qetë vazhdoi:- Shoqata “Bashkimi” nuk donte ta linte të shkonte Avni Rustemi në Paris, sepse së pari Avniu ishte i sëmurë dhe se ai duhej më shumë në Luftën e Vlorës, ku influenca e tij si kryetar i “Bashkimit” do shtonte rradhët e luftëtarëve. Vendimi duhej zbatuar se Esati po e dëmtonte që nga Parisi Shqipërinë.

Duke qënë se shoqata “Bashkimi” nuk donte të linte Avni Rustemin të nisej, atëherë u

vendos që të hidhej me short, kush do shkonte në Paris të kryente atentatin. Për të diskutuar këtë problem u organizua një takim në shtëpin e Ymer Radhimës në Vlorë, ku morrën pjesë Halim Xhelo, Muharem Havari, Myqerem Hamzaraj, Nase Beni, Ramadan Armeni, Kolë Mërkuri, Balil Mete Pelari dhe sigurisht Avni Rustemi. Aty u seleksionuan kandidaturat, psh u përjashtua Nase Beni megjithëse ishte mjeshtër i përdorimit të armëve, sepse do niste lufta dhe ai do komandonte çetën e përbashkët të Himarës (Vuno, Dhërmi) bashkë me luftëtarët e tij të lumit të Vlorës, por edhe me argumentimin se s’kishte si ta justifikonte bindshëm praninë e tij në Paris kur të arestohej pas atentatit. Sepse aty ishte vendosur që atentatori do dorzohej, me qëllim që të bëhej gjyq i hapur, ku do demaskohej tradhëtia e Esat Pashës. Një vrasje pa demaskim s’kishte vlerë.

Kështu pra, pas seleksionimit, u hodh shorti me letër me vrimë mes Avni Rustemit, Kolë Mërkurit dhe Balil Mete Pelari, por fati kishte caktuar Avni Rustemin, të cilit i ra shorti.

-Këto të dhëna –shtoi Prof. Bardhoshi ndodhen te ditari i Mihal Peço Dokos, që e ka i biri dhe do të ti vë në dispozicion.

Biseda u ndërpre sepse filloi promovimi i librave dhe Prof. ishte ndër të parët që do fliste.

I solla këto të dhëna vetëm me një qëllim, kundërshtimin e tezës që quan “akt individual, aventurier dhe terrorist” atentatin e Avni Rustemit, madje i porositur nga bejlerët e Libohovës. Atentati i Avni Rustemit ishte një akt i mbështetur në një vendim, kishte një motiv atdhetar për mbrojtjen e kufijve të vendit nga tradhëtia e Esat Pashës dhe atentatori ishte përzgjedhur me një short të hedhur në prani të një grupi të zgjedhurisht. Veprimi i hedhjes së shortit është një veprim i njohur dhe i pranuar në kodet zakonore të vendit. Ka edhe më, poeti Lefter Çipa flet edhe për dy shoqërues “konspirativë” të Avni Rustemit dhe citon edhe emrat e tyre, por mqse nuk kam gjetur konfirmime të dyta burimore, nuk mund të shprehem.

Ndërsa për burimet financiare të udhëtimit të Avni Rustemit[4], duke kundërshtuar totalisht fjalët se u financua nga njëri prej bejlerëve të Libohovës, do flasim në një rast tjetër të afërt.


Sarandë, më 14 .06.2021


[1] Skifter Këlliçi Me rastin e 100-vjetorit të atentatit të famshëm (III) Dita May 28, 2020. Në sqarim të situatës juridike S.Këlliçi te artikulli I mësipërm shkruan se : Për sqarim, prokurori Blosh Larok në pretencën e tij kërkoi që Avniu të dënohej me vdekje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal, sepse kishte kryer një veprim tërësisht të vullnetshëm, pra me paramendim. Por ishte mbrojtja që Rustemi i bëri vetes me guxim dhe gjakftohtësi, pastaj edhe mbrojtja e avokatit dë Monzi, si dhe dhjetëra e dhjetëra letra dhe telegrame që ishin drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Francës dhe gazetave franceze nga tërë anët e Shqipërisë, madje dhe nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, ku kërkohej lirimi i Avni Rustemit [2] Lindi në Pilur të Himarës, më 20 mars 1880. Vdiq në internim në Krujë më 19 nëntor 1947. Shih dhe te Enciklopedia shqiptare. [3] Bëhet fjalë për këngën e Piro Mërkurit që ka vargjet :Gjëmim I kobures mëmë/Në gji të Evropës plakë/Shënoi plumbi në shënjë/Atë që shiti vatanë/ Jini nder I Shqipërisë/Avni Rustemi me shokë/Tok me ju Kolë Mërkuri/ Lidhur si mishi me kockë..etj [4] Kënga i thotë: “O Avni Rustem Marina, / Shkove burra, shkove trima, sepse Avniu banonte në Llagjen “Marina” të Libohovës dhe jo në lagjen e bejlerëve.

48 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page