Shkëlzen Halimi: FILTRA PËR “SHKRIMTARËT”
- Feb 19
- 3 min read

Kemi shumë ngjarje kulturore - letrare, të cilat as për së afërmi nuk e arsyetojnë qëllimin e përcaktuar paraprakisht në letër. Ndaj, këto ngjarje sikur kanë filluar ta humbin kuptimin, sepse me to gjithnjë e me shumë po dirigjon subjektivizmi që përsëritet jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje, përfshi edhe pjesëmarrësit që vit pas viti janë të njëjtë. Rreziku që këto ngjarje të shndërrohen në takime të grupit të njëjtë tashmë është real, për të mos thënë se janë bërë organizime private të monopolizuara, ku motivi i letërsisë përdoret vetëm si maskë.
Në ngjarje të tilla, në prezantime, në promovime, në antologji të ndryshme, por dhe në organizime tjera, çuditërisht vend gjejnë emra me vlera të dyshimta morale-letrare, emra, të cilët kanë blerë dorëshkrime, emra, të cilët huazojnë (përkthejnë) vargje, bie fjala, nga poetë më pak të njohur anglezë e irlandezë, emra të cilët nuk janë të njohur (si “shkrimtarë”) as në familjet e tyre, por që gjejnë shtigje të përshtatshme për t’u ngjitur aty ku nuk e kanë vendin. Janë pikërisht këta që përfaqësojnë letërsinë shqiptare, pavarësisht faktit se ky lloj përfaqësimi është një shëmti, të cilin disa e gëlltisin fare lehtë.
Ndaj, që të mos bëhemi gaz i botës, nevojiten mekanizma mbrojtës, siç do të ishin filtrat në formën e vlerësimit dhe fjalës së fundit të njerëzve kompetent me bagazh të fuqishëm letrar. Vendosja e filtrave për pjesëmarrjen edhe të “shkrimtarëve” shqiptarë në ngjarje e ndryshme kulturore- letrare nuk ka për qëllim përjashtimin arbitrar, por ruajtjen e integritetit kulturor, profesional dhe etik të vetë këtyre ngjarjeve.
Duhet të jetë e qartë, ngjarjet e këtilla nuk janë tubime miqësore apo të grupimeve që kanë të njëjta interesa, por ngjarje ku prezantohet në mënyrë të denjë kultura dhe letërsia kombëtare. Nevoja për filtra profesionalë duhet kuptuar si mekanizma mbrojtës, në të kundërtën rrezikojnë të mbushen me zëra injorantësh, duke zbehur në përmasa tragjike vlerën e krijimtarisë letrare.
Shkrimtari i mirëfilltë nuk është vetëm një individ që shkruan, por njëkohësisht është edhe bartës i fjalës publike dhe i kujtesës kulturore. Pikërisht filtrat do të ndihmonin që në skenën publike, në ngjarje të rëndësishme, në antologji e të ngjashme, të dalin e të përfshihen autorë që kanë dëshmuar përgjegjësi intelektuale, etikë shkrimi dhe koherencë krijuese, duke mos e shndërruar figurën e shkrimtarit në një etiketë formale, propagandistike apo edhe si një paçavure.
Prandaj, pikërisht në mungesë të kritereve, hapësirat kulturore gjithnjë e më shumë uzurpohen nga individë që letërsinë e përdorin si një lloj mjeti për vetë-promovim apo përfitim personal. Filtrat shërbejnë për të ndarë krijuesin autentik nga zhurmuesit oportunistë, nga matrapazët dhe keqpërdoruesit e mungesës së filtrave.
Publiku ynë duhet t’i shijojë vlera reale dhe jo produkte pa shije e të papjekura, të prodhuara nga injorantët e lazdruar. Në veçanti në ngjarje ndërkombëtare, mungesa e filtrave e dëmton rëndë imazhin e letërsisë shqipe. Përfaqësimi duhet të bazohet në meritë dhe cilësi dhe jo në lidhje personale e grupore. Gjithsesi organizatorët e këtyre ngjarjeve kanë përgjegjësi të veçantë në vendosjen e kritereve, por edhe të filtrave, sepse në të kundërtën, fundi do t’u dalë një karikaturë e thjeshtë dhe e mërzitshme. Mbase, ngjarjet e vërteta kulturore-letrare nuk karakterizohen nga kostumet e kollaret, por nga zëri i vërtetë, të cilin me zemër e ndjen publiku.
Qasja serioze ndaj këtyre dukurive (të shëmtuara) shmang rrezikun që ngjarjet kulturore letrare të shndërrohen në panaire të vetëreklamimit të organizatorit. Prandaj, filtrat krijojnë imazhin e seriozitetit dhe ngjarjet e këtilla i kthejnë në hapësira të vlerave dhe të dialogut që, duke e mbrojtur dhe nderuar, letërsinë dhe librin i çojnë më afër lexuesit. Ky është një mision, mbi të gjitha, kombëtar. Vlerësimi i këtillë na bën më të pasur shpirtërisht dhe më të ndërgjegjshëm para të vërtetës.








Comments