top of page

SHKËLQIMI I Z.GORILLA




Tregim nga Kozma Gjergji


U habita shumë (edhe të tjerë), kur z.Gorilla me vetëm gjysëm arsimi të mesëm dhe përvojën e fermerit e rojtarit, e emëruan në një post të rëndësishmë në Prefekturë, ndërkohë që sa e sa me diplomë të lartë, madje dhe me tituj e grada, qëndrojnë pa punë ose shesin banane.

Kam pasur e kam respekt dhe i çmoj njerëzit e thjeshtë të punës. Gjykoj, se vërtet unë jam arkitekt e shkruaj libra, ama s'bëj dot pa bukën, qumështin, mishin, perimet, frutat e shërbimet e tjera që ata më sigurojnë. Kështu në këtë drejtim jemi partnerë e plotësojmë njëri-tjetrin. Njëherësh nuk e shoh me vend t'i vënë në poste drejtuese, sepse nga padija pengojnë ose i kundërvihen progresit.

Çuditërisht me z.Gorilla doli ndryshe. Po shkëlqen me ca aftësi si prej magjistari, duke e bërë të mundur edhe të pamundurën. Tek ai gjen rrugën çdo çështje sado e vështirë. Demonstron kompetencë e kurajo për të firmosur e u përballur me problematika nga më të ndryshmet.

S'kuptohet qartë ç'post mbanë realisht. Herë shfaqet si zëdhënës i institucionit, herë si zvendësprefekt e herë si këshilltar special. Prefekti përgjithsisht qëndron i tërhequr, në hije, i padukshëm. Mbase për t'iu shmangur përplasjeve e përgjegjësive.

Qytetarët, ngaqë s'e njohin e ngatërrojnë. Shpesh e marrin për vartës të z.Gorilla, i cili tërë simpatinë e fituar nga devotshmëria dëshiron t'ia shprehin me ryshfete. Dhe nevojtarët ashtu veprojnë, bile me kënaqsi. I merton, thonë, se të zgjidh. Kur ndonjë guxon të reagoi, ia shrëngojnë fytin dhe zhurmojnë të mos dëgjohet. Rrallë ndodh të të mbrojë vetë populli.

Harrova të kujtoj që z.Gorilla e lavdërojnë dhe për dhënien e shërbimit pa asnjë lloj dallimi për bindjet politike, racën apo vendin nga je. Është krejt e kundërta e shefit të policisë, një tinëzar arrogantë që të preferuar ka veç bosët e krimit.

Mirëpo ky milet, siç shprehen admiruesit, e ka gjuhën e gjatë dhe s'rri dot pa folur. Nuk e kurseu as këtë shërbetor të përkushtuar ndaj qytetarëve. E nxiu dhe sterrosi gjoja zotëron ca biznese grabitqare e një vilë pesëkatshe, megjithëse emri i tij s'figuron kërkund. Gjithashtu e akuzojnë se e paska kthyer Prefekturën në një digë ku kalojnë ujërat më të pista të korrupsionit dhe për afera të tjera.

Për t'i sqaruar këto, z.Gorilla është ftuar sonte në një intervistë në TV e qytetit. E ndjek me kërshëri edhe nga njohja e hershme që kam me të. Befasia e parë më erdhi kur gazetarja iu drejtua: "Doktor Gorilla… ".Si ka mundësi?! Paska bler qerratai dhe diplomë e doktoratë!

Intervistuesja, pasi i mundëson të flasë për arritjet e disa punëve publike e pyet më konkretisht për gjithçka flitet rreth tij. Përgjigjet menjëherë.

-Jetojmë në demokraci dhe është e drejta e secilit të shprehet ashtu siç mendon e dëshiron. Janë vetëm shpifje. Ligësia s'mund të rrijë kurrsesi as një minutë në paqe pa goditur e luftuar cilindo që punon me ndershmëri e krijon histori suksesi. Duhet të durojmë e mësohemi dhe me trillimet, gënjeshtrat e mashtrimet e gjithëfarë kameleonëve të paguar super… Po le t'u bien sa të duan atyre daulleve bosh. Hiçgjë s'ka ç'i bën malit tërë ajo mjegullnajë si çarçaf i pëgërur…

Shikoj e dëgjoj një Gorill krejtësisht të tjetërsuar. Vetëm llafollogjira e asnjë argument bindës. Pushteti e paraja të shndërrojnë në majmun, klloun, ujk… I kërkoj një mendim time shoqe, viktimë e "Reformave demokratike" të spastrimeve e vjedhjeve.

-Përse mahnitesh, -ma kthen. -Gorillat i ke kudo, në komuna, bashki, ministri e deri në Parlament. Janë më të kërkuarit e vlerësuarit. Kohë e gorillave! Tmerrohem kur e çoj në mënd ç'mund të ndodhte në gorillazohej gjithë shteti! Skëterrë!…

Kam kujtime me Gorillën. Banonim në të njëjtin fshat deri kur mbarova Gjimnazin. Më është fiksuar në kujtesë si një djalosh miqësor, interesant, i prirur pas qejfeve e aventurave. Me kalin e mrekullueshëm e të shpejtë i fitonte gjithnjë garat. Ndonëse më i madh në moshë më konsideronte të barabartë.

Keqardhesha që natyra e kishte modeluar aq shëmtuar, me trupin prerë trash, vetullat si kreshta gjeli, hundën e stërmadhe në formën e gërmës "L" dhe veshët e tejdalë. Prej kësaj e thërrisnin jo me emrin e vërtetë Gori, por Gorilla. Në fillim e kundërshtojë, pastaj u pajtua dhe e pranoi.

E thoshte drejt një koleg, po ta ngjitën damkën, duhet të kalojnë dy-tre breza të të hiqet. Dhe e ilustronte me veten. Ndërsa gjatë regjimit komunist e quanin kulak, në demokraci ish-kulak. Prapëseprapë s'iu nda ai emër.

Për një kohë atëhere, pamjen e Gorillës e kam përjetuar si një padrejtësi e ndëshkim të rëndë të natyrës. Nuk arrija ta shpjegoja, prandaj pyeta mësuesin e biologjisë, i cili më habiti me përgjigjen. Për të ishte krejt normale, dhe diversitetin e llojshmërinë e vlerësonte pasurinë më të mrekullueshme të natyrës. Pa tërë atë larushi kontrastesh tejet interesante si do e dallonim dhe çmonim të bukurën e të shëmtuarën, inteligjencën e budallallëkun dhe të tjerat.

Njeriu, sido ta ketë pamjen, është krijesa më e lartë dhe më e përsosur e planetit. Natyrës i është dashur rrugë mjaft e gjatë dhe jashtzakonisht mënçuri e mjeshtëri për ta realizuar. Provoi e eksperimentoi shumë e pa u ndalur, që me gjallesat e ujit e ajrit, me të tokës, rrëshqanorët, krimbat, minjtë, qentë, çakejtë, hienat, ujqërit, xhirafën, lepurin, gomarin, dhelprën, ariun, luanin, drerin, kalin, tigrin dhe plotë e plotë, gjersa arriti tek njeriu. Prandaj ai i mishëron që të gjitha.

M'u duk bindës shpjegimi dhe kuptova që natyra edhe Gorillës ia kishte dhënë bukurinë së brendshmi. Ndryshe nga ne e pati pajisur me talent për të kënduar, vallëzuar e luajtur në instrument.

Në gishtat e tij të gjatë e të trashë defi merrte ritmet e zemrës së dashuruar, drithmat dhe tringëllimat e një gazi valavitës e çapkën. Kurrë nuk i rrëzohej nga koka gota përplot me ujë, të cilën e godiste me dy pirunj kur vallëzonte si ndonjë akrobat cirku. Me zërin mjaft melodioz e gjithë epsh të fuste në ngasje e të dehte.

Në një rast pasi e përfundoi këngën për rakinë iu drejtua dy miqve që punonin në ndërmarrjet e naftës.

-Shumë puse nafte keni zbuluar ju, naftëtarët, po si nuk na zbuluat një pus rakie, mor burrat e dheut!?

Kur këndonte, kërcente e luante në instrument mbante në krye kurdoherë takijen. Dinte diçka rreth saj dhe i pëlqente ta tregonte e ritregonte me mburrje e krenari.

-Është shënja jonë e veçant. Nuk e çmojmë sa duhet. Dikur ka qenë ndryshe. Sharja: "Të dhjefsha takijen! " ishte e barabartë me atë për nderin e nënës e motrës dhe çonte në përleshje fizike. Flet tepër ajo kënga qindravjeçare: "Kur ma ke takijen / Ç'ma do festenëëë…"

Lufta dhe qëndresa e takijes kundër festes osmane na mbrojti e shpëtoi shpirtin dhe që mos e ndryshonim fenë e të parëve…

Ndoshta nga shpirti prej artisti popullorë Gorillës i qe fiksuar të martohej me më të bukurën e asaj ane. Për fat të keq kërkimet e ethshme nuk sollën asnjë rezultat, dhe nëse do vijonte gjatë rrezikonte ta ngryste beqar.

Prindërit dhe familjarët të shqetësuar në kulm i dhanë karar me një shpërblim të majmë t'i kërkonin ndihmë mblesit të famshëm T., i cili ofroi menjëherë zgjidhjen. Kështu pala kërkuese nxitoi të shihej sa më shpejt me krushqinë e re dhe më kryesorja me vajzën. Ndjeheshin besimplotë se kësaj here Gorilla s'do refuzonte.

Mrekullisht ndodhi ashtu. Që në daljen e parë të gostitjes vajza i hipnotizoi e verboi me hiret e bukurisë. Dhëndri krejt i magjepsur e i hutuar e dha menjëherë pëlqimin me dhuratën pa pritur gjer në tabakanë e tretë sipas zakonit. Krushqit e të dy krahëve uruan.

-Buka e ëmbël e ta kemi të pandarë!

Ngritën dolli dhe u dakorduan për datën e dasmës.Dita e bekuar erdhi shpejt dhe në dasmën e Gorillës festoi i gjithë fshati. U bënë kurban njëzetë krerë bagëti, u pajtuan dy palë saze dhe zbukuruan gjashtë karroca për tek nusja.

Ardhja e saj e mbushi me më tepër dritë e hare oborrin, kopshtin. shtëpinë, tendën e burrave dhe odën e grave ku ajo nusëroi.

Me pretekstin për të mos e lodhur, nusen e tërhoqën dhe e futën në gjerdek. Pak më vonë, ashtu si e kërkonte riti, disa djem e kapën dhëndërin si me forcë e duke e goditur me grushte e shtynë brenda dhomës ku e priste nusja.

Gorilla me emocionet e të lumturuarit nisi ta zhvesh. E filloi me vellon. Mezi priste të shihte atë fytyrë ëngjëllore që e pati magjepsur para dy javësh, mirëpo pabesueshmërisht në vënd të saj iu zbulua duke i buzëqeshur e vet shtrigës. U trondit e tmerrua. Iu dha shpejt këmbëve e doli jashtë.

Në çast e rrethuan të tijtë dhe të shqetësuar e pyesnin ç'i kishte ndodhur. Ai qëndronte në gjëndje shoku e s'përgjigjej. Vazhdoi kështu për një kohë. Meqenëse nuk shpjegohej, njerzit filluan të hamendësonin: Përse?! Mos vallë nusja e ka bërë si ajo mëzia e sertë e me huqe që i vërvit shqelma kalit kur i vërsulet ta ndërzejë? Mos i është thyer shpata?!… Mos e ka trëmbur e frikësuar shpella?!… Mos…

Mbas një heshtje e ngurrimi të zgjatur Gorilla mori kurajo e tregoi se nusja nuk ishte ajo që kishte parë. Kësisoji s'mund të jetonte me të…

-Bah, e pamundur, -iu hodhën zërat në kor. -Të kanë gabuar sytë… Vetëm kjo s'mund të ndodhë!… Çudira kemi me këtë djalë!... Ku nuk i shkon mendja!... Pishman ka qenë që kur lindi… Ky flet me fantazma… Korba ç'na gjeti!... Hej bela!… Mjer ne! Do i kenë bërë magji të zezë… Na ndihmo o Perëndi!... Të keqen Gori, kthjellohu e kthehu te nusja. Mos na turpëro!... Ke parë ndonjë ëndërr mavri dhe e beson si të vërtetë… Na, na… Pa dëgjomë pakëz: Provoje njëherë e pastaj… Dhe shiko, punoje sa më thellë se trëndafila çelin…

Në fakt dhëndëri s'kishte gabuar kurrsesi. Vajza për të cilën pati dhënë pëlqimin ishte një tjetër, të cilën mblesi e solli enkas sa për të bindur djalin të vendoste të martohej.

I gjendur para faktit të kryer dhe nën breshërin e lutjeve, këshillave, presionit Gorilla nisi të lëkundej e tërhiqej nga vendimi. Në të gdhirë, ashtu zemërthyer u rikthye në gjerdek. Gradualisht, pak nga pak, tamam si i thanë, po ëmbëlsohej me nusen. Brenda pesë viteve çifti solli në jetë tre fëmijë.

Lumi i trazuar i lumturisë së tyre u qetësua e hyri në rrjedhën normale. Vetëm në sipërfaqe se hera-herë pakënaqësia e djaloshit rebelonte nga thellësia. Ja si e shprehte antipatinë për bashkëshorten: "Më mirë kafsho mollaqen time sesa të puthësh fytyrën e saj." Ose kur flitej për tradhtinë bashkëshortore: "Unë e bëj gjumin fare të qetë. Gjynah për ata që i kanë të bukura, i griu veremi i xhelozisë mos i tradhëtojnë. Kam sigurinë më të lartë për besnikërinë, sepse kësaj times ka frikë t'i afrohet dhe dreqi… "

Ktheheshim bashkë nga qyteti për në fshat me autobusin e linjës. Gorilla i kish rrëkëllyer ca gota e këndonte me zë të ulët. Befas futi duart në trastën me shpenzime, i mbushi plot me karamele e nisi t'ua jipte nuseve e vajzave, duke anashkaluar plotësisht të moshuarat dhe meshkujt.

E pikasën që ishte i mjegulluar nga pija, ndaj e falenderonin sikur t'iu falte monedha floriri. Njëra për t'i nxjerrë ndonjë xhevahire avancoi më tej.

-Aman ore, sa i ëmbël je, mjaltë fare!…

Gorillës i xixëlluan sytë dhe ia ktheu.

-Eheeee!… Kështu më tha dikur edhe njëra, por ç'e do…

-Pa hë?!… Qysh?!… Si?!… Pse?!…

-Lëre, lëre, ç'ta hap atë kapak, -pohoi për ta bërë më kurioze dhe vazhdoi. -Pas lindjes së radhës gruaja me fëmijën shkoi tek prindërit për një muaj. M'u duk sa një vit. Më iku kapaku i kokës e s'po duroja dot më. Guxova dhe vajta e trokita tek fqinja. Nuse ajo, flakë e re dhe e hijshme, ja kështu si ty. Për fat ishte vetëm, se burri i punonte turni i tretë. Hë, më tha, ç'hall tani në mes të natës?! Ah, psherëtiva duke m'u dridhur gjunjët, një filxhan sheqer se mbarova nga një siklet përvëlonjës e i hidhur… Oh, ofshajti e habitur, më pa thellë-thellë në sy e m'u përgjigj me fjalën aq të ëmbël: "Mjaltë!… " U gëzova jashtzakonisht dhe shpresëplot prisja të më ftonte brenda, kurse ajo krejt qetësisht mbylli krap derën, rrotulloi katër herë çelësin në bravë dhe e siguroi portën edhe me llozin. Çfarë shpirtkatile! S'e di si u përmbajta që nuk e shqeva derën….


Kozma Gjergji.

68 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page