Shkëlqim HAJNO: E DELEGUARA.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 6 min read

E DELEGUARA.
- Tregim satiro-humoristik-
Nga Shkëlqim HAJNO
Ditën që më thirrën në seksionin e arsimit të rrethit, nuk do ta harroj. Isha lindur e rritur në qytetin P. në një lagje pranë një kalaje ikonike dhe në vogëli gjunjët i kisha grirë si bashkëmoshatarët e mi nëpër muret e kalasë dhe frëngjitë e saj.
Kisha mbaruar universitetin për gjuhë dhe letërsi dhe në diplomë shkruhej e zeza mbi të bardhë: "I jepet titulli mësues i gjuhës dhe letërsisë për shkollat mesme.". Shkolla 8-vjeçare ku jepja mësim prej dy vitesh, ndodhej në fshatin Vranorë.
As që e kisha menduar kurrë se një ditë do më ngarkonin në kurriz edhe një barrë të re. E quaja një agari. Ç'punë kisha unë me drejtorllëkun.! Nisesha përditë me kolegët nga qyteti në mëngjes. Pas një copë rruge me autobuz e një orë më këmbë, mbërrinim në fshatin malor ku më pisnin nxënësit e bekuar.
Por një ditë më thirrën pikërisht për të më njoftuar për spaleta*) (këtu:detyrë) të re. Me siguri mendova, do më thonë: Partia ka menduar që tani e tutje do të japësh mësim në gjimazin e qytetit sikurse shkruhet në diplomën tënde që e kemi këtu në kartotekën e kuadrit.
Nuk besoni, por tani, nuk doja të ikja nga fshati. Si mund të largohesha nga nxënësit që i doja aq shumë: nga buzëqeshja e paharruar e Sharafit, në klasën e shtatë, nga humori i Benit dhe Tares në estradën e fshatit ku unë bëja edhe skenaristin, edhe regjisorin. Po si mund të harroja recitimet me shpirt të Xhezos dhe Rozanës, po edhe përgjigjet në mësimin e sintaksës dhe leximit të Najlesë, Rozanës, Hatixhes? ...
Po më gënjente mendja. Në katin e dyte të komitetit ekzekutiv, në paradhomën e kryetarit më priti shoku Gani, si gjithmonë me flokë e lëpira majtas, që s'di pse me kujtonte mosozot, stilin e krehjes së flokëve të Adolfit.
-Urime!-më tha Ganiu!-Nuk je i gëzuar? Me largimin për studime në shkollën e Partisë të shokut Sabahudin, Komiteti të ka emërur drejtor të ri në shkollë ku je sot, në Vranorë . Sa të përfundojë studimet e larta të Partisë Sabahudini.
-??...Si?...Fa...Fa...Faleminderit! Por...
-Nuk ka "por"!. Kjo është vendosur nga Komiteti dhe pikë. Bota lëvizin të gjithë gurët e lumit për një nder të tillë!
***
Muajt e parë si drejtor kaluan shpejt dhe ja ku erdhi nëntori. Në mbledhjet e zgjeruara të këshillit pedagogjik, nisnin parashikimet e kalueshmërise për çdo klasë dhe krejt shkollën. Po dardha e ka bishtin prapa se, ka protokolle zyrtare në kësi rastesh.
Kush do të ishte i deleguari/apo e deleguara në mbledhjen bazë shkolle nga ana e Partisë dhe pushtetit lokal?
Kjo ka shumë rëndësi, më tha Luftar Kadëna, mësuesi veteran i shkollës, që kishte qejf të bëhej edhe njëlloj mentori im si i ri dhe axhami*(i ri,pa eksperiencë) që isha në rolin e drejtorit.
Kureshtja u shua si me një broke uji nga Kroi i Peçe kur në korroriorin e shkollës u shfaqën dy masafirë zyrtarë: Shoqja Sanie Gagaj, sekretarja e organizatës bazë te Partisë për sektorin social-kulturor ( shkolla, kopshi, çerdhe) dhe një burrë që unë e njihja nga larg vetëm si marangoz por atë çast, m'u prezantua edhe me një spaletë* (këtu: detyrë) tjetër : shoku Besim Syfeti ishte zëvendës i shoqes Sanie. Domethënë, numri dy i Partisë në fshat, i biri i botës.
Nisa nje fjalën përshëndetëse të shkurtër dhe i ftova kolegët të flisnin për parashikimet e tyre në kalueshmërinë e klasave për fundin e semestrit të parë sipas profileve. Për histori gjeografinë, ligjëroi mësuesi veteran Luftar Kadëna, për kimi-biologjië, Rako Zardeli, për matematikën dhe fizikën, Fatlum Zgudhi, etj, etj,.
Fill pas tyre, fola vetë si drejtues i ri. Sa mbarova, shoqes Sanie nuk iu durua:
-Sa për qind do të dalë kalueshmëria e shkollës sonë këtë semesër, shoku drejtor?
Te gjithë në sallë më ngulën vështrimet si shtiza të përvëluara.
-Po ja, me shqyrtimin e detyrave me shkrim të klasave në matematikë e fizikë, me mësues Fatlumin, parashikojmë të dalim afërsisht me një kalueshmëri bazë shkolle me rreth.....-heshta pak dhe lexova dyfletëshin e tabelës me vija të kuqe,-shtatëdhjet e pesë përqind deri në tetëdhjet përqind.
Shoqen Sanie sikur e shpoi diçka nga poshtë karriges.
-Shkolla jonë shtatëdhjet deri në tetëdhjet për qind!? Po si kështu, shoku drejtor? Si kështu? Kaq ulët?
-Kalueshmëria është bazë shkolle.-thashë për sqarim.
Por shoqja Sanie qënkesh këmbëngulëse e madhe.
-Po, po, e dëgjova shumë mirë. Po si kështu? Kaq poshtë rezultatet në fshatin tonë?
Kolegët nisën të mërmërisin me njeri-tjetri ne tavolinat përballë podiumit apo panelit drejtues, siç i thonë sot në kohërat më moderne.
-Parashikime jane këto. Krahasuar edhe me grafikët e viteve te tjera, aty rrotullohemi, afërsisht,-thash i qetë.
-Po a e dini ju, shoku drejtor se brigada a foragjerve në NB tonë (ndërmarrjen bujqësore) "Drita e Kongreseve" ka dalë me rezultatin 120 përqind? A e dini ju, se, brigada e serave "Vallja e Aksioeve", del me 110 për qind? Ajo e blegtotirë 101 për qind? -lëshoi breshëritë si rrufe Sania.
Mblodha buzët nga habia si shumë kolegë.
-Ku vemi me këto rezultate? Edhe kur? Tani, në prag te Kongresit të Partisë, të Plenumit dhe konferencës se Partisë të rrethit?
-Ku të mbytemi, thuaj?-plotësoi zëvendës sekretari i organizatës Besim Syfeti, me një zë prej basi pas marrësit kryesor.
Në sallën e madhe të mësuesve mërmërimat e rritën fuqinë me dy oktavë dhe disa nisën edhe të qeshnin nën zë. Në fillim tek -tuk por më pas, edhe më thekur.
-Dhe ç'ka këtu për të qeshur, shokë mësuesa dhe mësuese? Ne bëjmë krahasimin me sektorë të tjerë të jetës në NB-në tonë, ndaj jemi shumë të shqetësuar! Partia pret rezultate më të larta dhe kërkon fjalën dhe premtimin tuaj.
Zallahia e sallës e bëri të dyshonte disi të deleguarën, shoqen Sanie dhe zëvendësin e saj, shokun Syfet, me detyrë zëvendësekretar i organizatës bazë të Partisë.
Duhet të thosha medomos diçka. Në kokë më mbeti si gozhdë pritshmëra e shoqes Sanie: "Partia pret rezultate më të larta dhe kërkon fjalën dhe premtimin tuaj."
Nuk kishte faj shoqja Sanie. Aso kohe kishin shpërthyer anëkend atdheut socialist dallditë me ritme vallesh mbaje-krahu, nisma novatorësh, blegtorësh, tornitorësh, shoferësh pararojë që punonin për llogari të viteve e dekadave që do të vinin në të ardhme e ndritur, të verbër mes arave me grurë që shprehnin me zemër të gufuar nëpër kinodokumentarë dhe në lajme që, Partisë famëmadhe , që ua bëri mirë disave; t'i shtohej jeta dhe për këtë po qe nevoja, ose edhe pa qenë fare nevoja, Ajo, Partia të merrte edhe nga ditët e tyre!
Dhe në këtë vrundull, e kuptoja që e deleguara nuk mund të rrinte në bisht të situtës.
-Ne shoqja Sanie, si shkollë nuk mund ta arrijme dhe as ta tejkalojmë rezultatin e shokut Sejko te brigada e foragjereve me 120 për qind dhe as te të blegtorisë me 101 për qind. Por ama, do të përpiqemi që ta rritim rezultatin që kemi. Dhe, do ishim të kënaqur ta arrijmë 90 për qindëshin si shkollëp se, 120 për qindëshen e shokut Sejko e pamundur që ta arrijme, shoqja Sanie.
- Po përse nuk e arrini xhanëm? Madje edhe ta tejkaloni edhe njëqind për qindëshin si shkollë për ta ngritur lart edhe emrin e fshatit tonë?-këmbëngulte me vrullin e paepur të militantes komuniste, e deleguara.
-Me leje?- u ngrit nga vendi mësues Luftar Kadëna.-Janë punëra pak më të thella dhe të vështira këto rezultate për kalueshmërinë mbi njëqind për qind, nëpër shkolla, shoqja Sanie.
-E kuptoj fare mirë, -tha me vrull e serbes e deleguara.- Por ajo, që, nuk kuptoj është: çfarë ju mungon juve si shkollë dhe këshill pedagogjik që ta arrini dhe ta tejkaloni njëqind për qindëshin sikurse ka vepruar prej dy vitesh brigada e shokut Sejko?
-Dhe nëse më lejoni shoqja Sanie, të pyes edhe unë: Në mos 120 për qind sa ajo e shokut Sejko, të arrini 110 për qind si shkollë-kërceu e tha Besimi, zëvendësi i shoqes Sanie.
Në këtë çast, nga salla, u dëgjuan të qeshura. Por shoku Besim, kërceu përsëri mbi bankën ku ishte ulur, duke pandehur se salla u entusiazmua nga mënçuria e ndërhyrjes së tij.
-Dhe të themi të drejtën, brigada e shokut Sejko punon gjithe vitin jashtë. Nëpër shi e suferina, në kokrrën e dimrit në llohë e dëborë dhe, në pikun e zhegut të verës ku çahet edhe guri nga vapa dhe kënga e gjinkallave merr dheun. Ja kështu, kurse juve nuk u zë as shiu dhe as lloha, as dëbora dhe as dielli. Përse të mbetet shkolla jonë te bishti i urës, xhanëm?
Pashë nga kolegët në sallë. Shumica qeshnin.
-Rrite, rrite parashikimin, shoku drejtor-thoshte me ironi për masafirët, mësues Luftari, më i moshuari nga stafi pedagogjik.
-Rrite, bëje mbi 100!- tha duke qeshur edhe Fatlumi i matematikës i cili notën 4 dhe 2-shin nëpër regjistrat e klasave e shkruante me kaligrafinë më të bukur nga të gjithë kolegët.
Ndërkaq, si me një urdhër dirigjenti në sallën e mbledhjeve po qeshnin të gjithë, edhe mësuesit e ciklit të lartë edhe ata të ciklit të ulët. Dhe, të gjithë me sytë tek unë.
-E po , ç'kërkoni të them.Të marrë ndonjë një agazhim?
-Po!--i lëshoi frenat shoqja Sania..-Partia po pret!
-Të themi, të zotohemi që shkolla jonë do të ketë një kalueshëmri jo 120 për qind si brigada e shokut Sejko po ...110 për qind?
-Pooo!-tha shumë e kënaqur dhe e lumtur e deleguara.-Kështu po! Kështu e gëzojmë edhe Partinë.
Zallahia dhe të qeshurat në sallë gurgullonin. Ishim bërë si estradë fshati.
-Bëjmë një pushim shoqja Sanie? - i drejtohem të deleguarës.
-Po patjetër, shoku drejtor.
-Sa të qetësohen edhe kolegët po edhe ne, dhe pas pushimit, do të sqarohemi ku ndryshon shkolla jonë nga brigada e foragjereve, e shokut Sejko,- i them mes zhurmave të sallës prej estrade.///








