top of page

Shkrimtarët dhe letërsia


Prof.Dr.Resmi Osmani

Prof.Dr.Resmi Osmani

Sprovë


Shkrimtarët dhe letërsia

Një krijues i ri, poet dhe prozator, që ka botuar vëllimin e parë të poezive të tij dhe për të cilin ka patur vlerësime nga krijuesit e tjerë, në nje letërkëmbim, më shkruante me modesti se ai nuk ishte shkrimtar. Të njëjtën kam thënë për vete në disa shkrime apo intervista. Pohimi i mësipërm, më nxiti të bëj kërkime dhe të shpreh disa opinione vetiake,ashtu si unë i mendoj, pas një përvoje krijuese modeste pesëmbëdhjetë vjeçare, qofshin edhe subjektive e të diskutueshme për këtë temë.

1. Ç’është shkrimtari?

Sipas përcaktimeve më të pranuara, shkrimtari- shkrimtarja, është një person, i cili perdor fjalën e shkruar, në teknika dhe stile të ndryshme, për të rrëfyer ngjarje dhe nëpërmjet tyre për të komunikuar ideoemocionalisht idetë dhe pikpamjet për jetën dhe dukuritë shoqërore, të së tashmes apo të së shkuarës. Shkrimtari me punën e tij, nxjerr në dritë forma te ndryshme te artit letrar dhe shkrime krijuese si : skica, tregime, novela, romane, drama e komedi, skenarë filmash, poezi e poema, studime dhe esse etj. Prodhimi i tij, në se mund ta quajmë kështu, puna e materializuar, janë librat. Kontributi i tij është në mënyrë sinjifikative pjesë e kulturës së një shoqërie së cilës ai i përket apo edhe më gjerë, njerëzimit, kur ajo ka vlera universale.

Besoj se ky percaktim e ka brenda peërgjigjen e pyetjes së mësipërme. Letërshkruesi nuk ka pse të jetë modeste dhe të ndruhet për ta quajtur veten poet dhe shkrimtar. Të quhesh poet apo shkrimtar, para së gjithash duhet të njihesh dhe të pranohesh si i tillë nga lexuesit dhe opinioni letrar dhe të përfshihesh në hierarkinë e vlerave. Kjo ndodh, kur krijimtaria ka vlera cilsore e mbresëlënëse, mjeshtëri të thurjes, bukuri të fjalës, figura të gjetura me hijeshi, finesë, elegancë dhe që transmeton mesazhe, shtjellon ide, krijon te lexuesi gjëndje emocionale dhe e bën atë të mendohet dhe ti mbetet gjatë në kujtesë ajo që ka lexuar dhe përjetuar subjektivisht. Letërsia e arrin këtë me forcën e fjalës dhe mendimit, pasi në të shkrimtari ve intelektin, dituritë, përvojën jetësore, zemrën, shpirtin, ndjenjat dhe atë që ka më të mirë në vetvete.

2. Si e arrin ai këtë?

Vështirë të shpjegohet, por së pari të bërit letërsi është dhunti,talent i lindur, prirje, jo domosdoshmërisht gjenetike. Një i lindur me talent, edhe kur nuk është arsimuar, ka thurur bejte, këngë e rapsodi, që shpesh janë perla e kryevepra të folklorit, me bukuri të pashoqe. Ata kanë mbetur anonimë, por krijimet e tyre kanë mbijetuar dhe janë pjesë e trashëgimit tonë kulturor.Talenti, është ajo nxitja e brendshme fillestare për të shkruar. Edhe talenti, në përmasa dhe “madhësi” nuk është një konstate, është madhësi e ndryshueshme dhe me kufizimet e veta. Në lëndinën e letërsisë, çdo krijues, është si një lule, e ndryshme për nga madhësia dhe bukuria. Në ushtrinë e letrarëve ka gjeneralë, por edhe ushtarë, kësisoj krijohet hierarkia e vlerave. Por këtu duhet bërë dallimi: ka persona që kanë dëshirë të shkruajnë e të vargëzojnë, por u mungon talenti. Këta janë ata që rëndom i quajnë grafomanë. Ka plot të tillë. Mjafton të hysh në facebook. Kam njohur njërin prej tyre. Kur e pyeta përse ngulmonte ta botonte atë libër (që i mungonin vlerat), më tha se donte të hynte në bibliotekë dhe ti mbetej emri, si një trshëgim që donte t’ua linte fëmijëve! Në një shoqëri të hapur e të lirë, ca më shumë në fushën e botimeve tek ne, ata nuk kanë pengesa, por në shoshën e letërsisë ata mbeten sipër si krundet, anashkalohen dhe harrohen. Ky është n jë nga mjerimet e letërsisë. Krijuesi i talentuar, paçka se i ngjashëm me të tjerët e kësaj fushe, është i ndryshëm. Ai ka aftësinë që në ndodhitë, ngjarjet apo dukuritë që në pamje duken të rëndomta, të gjejë të veçantën, atë që të tjerët nuk e rrokin dot, te e zakonshmja ai sheh të pazakonshmen. Me aftësinë e imagjinatës, përfytyrimit dhe abstragimit, u vesh sendeve dhe dukurive cilësi të cilat i bëjnë ato disi ndryshe ngasa i sheh syri i një soditësi të pavëmendshëm. Në njëfarë mënyre, një krijues i talentuar, është disi i ngjashëm me një profet dhe magjistar. Profet për atë që parathotë dhe magjistar i fjalës, duke bërë kësisoj që lexuesi t’i shohë me tjetër sy dukuritë dhe ngjarjet,me perceptim artistik dhe trajtim psikologjik e filozofik, të përjetojë e t’i besojë asaj që lexon, duke nxjerrë edhe mësime përkatëse.Shkrimtari nuk e ndryshon dot botën, por ndihmon që kjo të ndodhë.

Është kjo arsyeja, që poeti, shkrimtari, artisti, shihen me nderim e respekt nga masa e gjerë, si pjesë e kulturës kombëtare e ca më gjerë, evropiane apo universale, si kategori më vete, elitare. Vlerësohen për atë që janë, për të veçantat e tyre, sa janë gjall, por disa edhe pas vdekjes, për trashëgimin që lenë, kur ajo i qëndron kohës.

3.Vetëm talenti nuk mjafton.Pjesa tjetër e guximit krijues, është puna. Puna për të studjuar e mësuar dhe pajisur veten me dituri të gjerë nga të gjitha fushat e dijes. Pa këtë pasuri diturore dhe përvoje jetësore, vetëm me njohjen e teknikës së të shkruarit, krijimtaria do të jetë e paplotë dhe gjithmonë diçka do t’i mungojë. Është si të hysh në det pa mësuar notin. Edhe po s’u mbyte, do të pish disa gllënjka ujë të kripur. Puna për të përvetësuar artin e të shkruarit, të gjuhës amtare, pasurinë dhe bukurinë e fjalëve, vargëzimit, stilet, kompozicionin dhe arkitekturën e thurjes, njohjen e rrymave, shkollave dhe drejtimeve letrare është një proces i vazhdueshëm. Në të tjera vende, ka botime me manuale të veçanta per shkrimtarët fillesatare, ka shkolla dhe kurse. Tek ne një fillestar në letërsi, kur nuk kryen studime universitare për gjuhë-letërsi, duhet të mësojë vetë. Mësuesit edhe pse jo të drejtpërdrejtë nuk mungojnë. Janë veprat e tyre. Në varësi të interesave dhe prirjeve vetiake për gjinitë letrare, zgjidhen shkrimtarët e shquar, klasikë apo bashkëkohorë dhe përfaqësues të rrymave dhe drejtimeve letrare, nga letërsia e huaj por edhe autorë vendës. Është një proces i gjatë dhe i lodhshëm, por rezultativ. Në gjithë këtë, duhet ruajtur nga ndikimi i drejtpërdrejtë dhe epigonizmi, çka për një fillestar është vërtet e vështirë, por ai duhet t’i shpëtojë këtij tundimi, duke u përpjekur të krijojë profilin e tij vetiak, apo siç thuhet rëndom, për të qenë vetvetja. Çdo krijues, është një individualitet, me veçoritë vetiake, shijet dhe pëlqimet ideoestetike, fryt i cilsive dhe shprehive të lindura e të fituara, me aftësi për të shprehur sipas mënyrës dhe bindjeve të tij ndjeshmëritë dhe pikpamjet për jetën dhe njerëzit. Kjo i bën krijuesit të dallueshëm dhe letërsinë të larmishme, me ngjyresa të veçanta e të dallueshme, një mozaik, ku lexuesit kanë se çfarë të zgjedhin, të pëlqejnë apo edhe të mos pëlqejnë.

Shkrimtarët e vërtetë janë revolucionarë në artin e tyre. Nuk pajtohen me rutinën, krijimtarinë mediokre. Janë në kërkim të formave të reja dhe ndryshimeve përmbajtësore. Kësisoj kanë lindur rryma e shkolla krijimtarie: klasiçizmi, realizmi, realizmi i quajtur kritik, realizmi socialist, romantizmi, futurizmi, dadaizmi, imazhinizmi, hermetizmi, absurdi, realizmi magjik etj. që kanë përfaqësuesit e tyre të shquar. Shkrimtarët shpesh, në trajtimin e subjekteve, edhe pa qenë filozofë, shfaqen si doktrinarë, me një platformë filozofike të vetën. Predikimet doktrinare të Tolstoit dhe pikpamjet për shoqërinë e kohës së vet, u quajtën tolstoizëm dhe patën ndjekës të shumtë. Si qytetarë të përgjegjshëm dhe qënie sociale, janë aktivë dhe pjesmarrës në jetën shoqërore. Mjafton të përmendim Anatol Francin për çështjen Drejfus, pjesmarrjen e Hemingueit në dy luftrat botërore dhe luftën civile në Spanjë në krah të republikës, apo të Petro Markos dhe Skënder Luarasit, po në Spanjë. Qëndrimet e Ismail Kadaresë për çështjen kombëtare dhe Kosovën etj. Ata shpesh bien nën ndikimin e politikave dhe partive që i përfaqsojnë ato, dhe bëhen përfaqësues të zëshëm të tyre, nga një herë në anën e gabuar. Poeti i shquar amerikan Ezra Paundi ra nën ndikimin e fashizmit italian, krah fashizmit u rreshtua edhe poeti i shquar italian Xhuzepe Ungareti.Poeti nobelist Saramago ishte komunist liberal, kështu edhe Lui Aragoni, Kuazimodo, Nazim Hikmeti etj. Por kjo nuk i pengoj ata të jenë krijues të shquar dhe me emër të madh. Një artist i madh nuk mund të mbyllet në kullën e fildishtë. Megjithate, politika vete e vjen, arti i madh mbetet.

4.Arti i të shkruarit është i vështirë dhe puna për të është vërtet e rëndë. Prodhimi letrar është produkt dituror, i ndijimeve,mendimit, i pleksjes së abstraktes, imagjinares dhe reales, që arrihet nëpërmjet punës, disiplinës vetiake dhe durimit duke u hedhur në letrën e bardhë. Atëhere ,kur është kështu, lind pyetja: përse shkruajmë? Ka kaq shumë trajtesa e përgjigje për këtë pyetje, e të tjera do të shkruhen, por mendoj se nuk duhet të shkruaj për të, por disa gjëra duhen thënë. Shkruajmë kur e mendojmë se kemi për tu thënë dhe transmetuar këndonjësve, diçka të veçantë, apo të zakonshme, ndodhi, në të cilën apo të cilat ngërthehen ide, filozofi, soditje me sy kritik të dukurive jetësore, pikpamje e qëndrime ideo-estetike, që janë pjesë e jetës, pavarësisht se i takojnë së shkuarës apo së tashmes, duke ia lënë këndonjësit që të mendojë, të bëjë vlerësime e të nxjerrë mësime prej tyre. Si i tillë, të shkruarit, veçanërisht në prozë dhe trajtimi i subjekteve, ndryshe nga poezia, nuk është një dukuri e vetvetishme (spontane) por e mirmenduar. Për gjinitë e gjata, duhet të ketë gjithmonë një punë parapërgatitore,që i quajnë sinopse, për grumbullimin e materialit faktik, që i paraprin dhe përgatit indin bazë të hartimit të veprës, i cili në procesin e krijimit edhe mund të ndryshojë apo shmanget.

Puna e shkrimtarit, të shkruarit, është një punë e vetmuar, tepër vetjake. Këtë nuk e them si gjë të re . E kanë thënë edhe të tjerë. Në çdo rast, qoftë para letrës së bardhë, tastierës së makinës së shkrimit apo ekranit të kompjuterit, ai është i vetëm, por jo dhe aq sa duket, ngaqë ai është nën shoqërinë e personazheve të tij dhe i përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që trajton. Është një përjetim virtual, si të thuash një pjesë e dytë e jetës së shkrimtarit, mundësi që nuk e kanë krijuesit e fushave të tjera. Natyra e vetmuar e punës së krijimit, ka bërë që shumë shkrimtarë të veçohen në botën e tyre që të jenë të patrazuar: Tolstoi në çifligun e tij të Jasnaja Polianës, Floberi, në shtëpinë e tij në buzë të Senës, Heminguej në vilën e tij në Kubë, Pasternaku në vilën e tij në rrethet e Moskës, Jakov Xoxa në manastirin e Apollonisë, Kadareja në kafe”Rostand” etj. Por ky mënjanim, nuk ka shmangur nevojën për kontakte e takime me shokë e miq krijues apo admirues të letrave, për një arsye të thjeshtë: në procesin e krijimit, shkrimtari bën sa mundet dhe përpiqet që të japë më të mirën e tij të mundshme, por gjithmonë gjendet para dilemës dhe brejtjes së dyshimit nëse e ka arritur cilësisht dhe idoestetikisht krijimin e vet, që të jetë i pëlqyeshëm nga lexuesi. Në këtë rast ai kërkon mendimin e kolegëve të vet. Gustav Floberi, udhëtonte qëllimisht në Paris dhe shkonte për tu lexuar miqve të vet kapituj nga shkrimet që kishte në dorë. Kështu vepronin edhe Çehovi, Tolstoi, Gorki, Heminguei, Fitzxheraldi etj. Është për tu vënë në dukje, se ata ishin të hapur dhe nuk i kursenin vrejtjet dhe kritikat, pëlqimin apo mospëlqimin, pa menduar për hatërmbetjet. Në SHBA, organizohen në vende publike seanca dëgjimore të shkrimtarëve që lexojnë veprat e veta. Edhe ndër ne, shkrimtarët kerkojnë mendimin e kolegeve. Më kanë dërguar dorëshkrimet e tyre për shqyrtim dhe dhënie opinioni shkrimtarët Arben Kondi e Enver Kushi, në Tiranë, Sotir Athanasiu, ne Athinë, Kristaq Turtulli në Kanada, Illo Foto në Nju Jork, Albina Idrizi në Gjilan dy romanet e saj”Për një mëngjes ndryshe” dhe së fundi për “Përsëri mars” . I kam shqyrtuar me kujdes, më kanë falnderuar dhe i kanë konsideruar vrejtjet dhe mendimet e dhëna prej meje.Të njëjtën kam bërë edhe vetë, pastaj u kam dhënë udhën e botimit librave të mi.Besoj kështu veprojnë (dhe është e këshillueshme të veprojnë) edhe krijues të tjerë seriozë brenda rrethit të tyre shoqëror.Eshtë e shëndetshme për krijimtarinë, kur ajo shqyrtohet kur sapo ka dalë nga “Furra”.

5.Lehtësia e të shkruarit, është veç përvojës edhe shprehi, por edhe kërkesë ndaj vetes.Në ditët tona ka autorë që shkruajnë me shpejtësi të çuditshme: Daniel Sill, shkruan tre romane në vit, disa prej të cilëve bestseler dhe të kërkuar sidomos nga gratë. Ndër shkrimtarët dhe poetët tanë bashkëkohës, shquhen për prodhimtari romancierja Brunilda Zllami, që ka shkruar 19 romane , Amedeo Baçi (në s’gaboj 52 romane) poeti Adem Zaplluzha me mbi 100 libra poetikë etj. Njihet dhe rasti tjetër, që shkrimtarët janë shumë kërkues dhe dyshues për atë që shkruajnë. Shembulli klasik mbetet G.Floberi, jashtzakonisht kërkues ndaj vetes, që prishte dhe rishkruante disa herë të njejtin episod, deri sa të bindesh se e kishte arritur. Me këtë metodë, me stilin dhe kërkesat ndaj gjuhës, vertet ai shkroi pak, por na la kryevepra si “Zonja Bovari”. Kështu vepronte dhe Heminguei që shkruante dhe rishkruante krerë të tërë të romaneve të tij deri sa të arrinte te ajo prozë e “vërtetë dhe e ndershme” për lexuesin, sipas koncepteve të tij estetike. Ai pohon se mbylljen e “Lamtumirë armë” e shkroi 32 herë! Letërsia e madhe është fryt i kërkesave ndaj vetes që shpesh shkon deri në stërmundim. Kjo i bën disa emra shkrimtarësh të shquar dhe që mbeten gjatë në letërsi.Tekefundit,nuk ka vlerë sesa libra shkruan një autor, por sa nga ato mbeten dhe i qëndrojnë kohës. Vlen në këtë rast shembulli i Migjenit, krijimtaria e të cillit përmblidhet e gjitha në një libër të vetëm, apo Lasgush Poradeci, me një tufë poezi. Edhe në opusin e veprave të shkrimtarëve të shquar, që na kanë lënë kryevepra, hasen edhe krijime mediokre, që harrohen, ose që e ndal leximin pas kreut të parë. Jo çdo krijim është një arritje.

6.Letërsia është arti i fjalës.Në se në një krijim letrar veprimi dhe mendimi janë skeleti eshtëror, fjala është mishi,veshja e saj që e formëson , i jep hijeshi, lirizëm, ngjyresën e hapësirës ku zhvillohen ngjarjet dhe veçanti e tipizim të personazheve. Gjuha nxit përfytyrimin, bën materializimin e abstraktes dhe gjallëron gjendjen emocionale. Shqipja jonë është gjuhë e bukur. Thesar, me spektër të gjerë sinonimik, ku krijuesi ka se çfarë të zgjedhë midis fjalëve, ato që shkëlqejnë, me tingëllim e muzikalitet, që thonë shumë kur vihen në vendin e duhur. Kemi në letërsinë tonë modele të admirueshme të ligjërimit gjuhësor e të shkrimit: Nolin,Migjenin, Dhimitër Paskon, Sotir Cacin, Vedat Kokonën, Jakov Xoxën, Ismail Kadarenë, Xhaferr Qosen, Vath Koreshin, Zija Çelën, Anton Pashkun, Ali Podrimjen, Faik Ballancën, Sotir Andonin, Naum Priftin, përkthimet model me gegërishten brilante dhe elegante të Pashko Gjeçit, Gjon Shllakut etj. etj. Prej këtyre mjeshtrave kanë se ç’të mësojnë dhe qëmtojnë gjithë krijuesit, por veçanërisht krijuesit e rinj. E them këtë, ngaqë në publikimet e mediave elektronike, janë të shpeshta masakrimet e gjuhës, përdorimi i barbarizmave, krahinarizmave, dhe fjalëve të marra nga bashkëkohësia ligjërimore. Gjith ky leksik, është si mish i huaj në trupin e shqipes, po t’i shtosh këtyre edhe gabimet drejtshkrimore dhe përdorimet dialektore të panevojshme, krijohet një gjendje e padëshiruar që i shëmton shkrimet, në poezi apo prozë.Ndërkohë, që shqipja jonë ka sinonime të shumta dhe një mundësi e konstrukt fjalëformues të admirueshëm, që krijuesi duhet t’i përdorë.

Liria në të shkruar dhe në publikime, mungesa e kufizimeve dhe censurës, duhet të përbëjë përgjegjësi dhe kërkesë vetiake, pse jo dhe një vetcensurë, e jo rast për krijime e publikime shkeleshko. Shënjtëria dhe hijeshia e fjalës duhen ruajtur me fanatizëm. Asnjëherë nuk duhet ngutur për të publikuar. Një krijim s’duhet të jetë si fryti aguridh, i këputur papjekur, se mbetet i tharët! Për gjuhën, them se duhen mbajtur parasysh edhe tri gjëra: ekonomia e fjalëve, të arrihet që me pak të thuhet shumë, me fjali e paragrafë të ngjeshur. Shembulli më i mirë do të ishte Migjeni. Së dyti: duhet ruajtur nga zhvlerësimi i fjalëve(inflacioni) ngaqë shpesh autorët, sidomos poetët, pëlqejnë disa fjalë veç të tjerave dhe i përdorin aq shpesh, sa ato, sado të bukura, humbin vlerën. Së treti, respektimi i normës drejtshkrimore, të asaj që tashmë është bërë zakon të quhet shqipja standarde.

7. Kur flasim për krijuesit e sotëm të fushës së letrave, na krijohet një pështjellim.Veçoria dalluese është shumësia e prurjeve, veçanërisht në poezi, por edhe në prozë. Prurjet vijnë veç Shqipërisë(londineze) nga Kosova, ilirida, Presheva, nga mërgata e vendeve evropiane, me ngulime më të mëdha: Greqia, Italia, Gjermania dhe sidomos Amerika. Tematika është e shumllojtë sa vështirë të përcaktohet tipologjia. Portalet elektronike dhe internet gazetat, ”Fjala e lirë” (Albanian Post Londër) ”Kritika” “Zemra shqiptare” “Kosovari Media”, “Alb emigrant” etj. përfshi edhe facebook-un janë të tejmbushura. Është krijuar një mjedis virtual, me lexues po virtual. Me qindra e qindra publikojnë në gazetën “Muzgu” të Mark Simonit. Të listosh krijuesit që publikojnë në rrjëtët sociale, bëhet një varg kilometrik,aq sa një studjuese na ka quajtur “popull shkrimtar”. Në poezi më së shumti i këndohet dashurisë, qofshin këta të rinj por edhe poetë të moshuar. O sa shumë poezi erotike: deri në velje e mërzi! Ngjan sikur në jetë s’ka gjë tjetër veç saj! Por ja që s’është ashtu.

Në prozë, bie në sy lëvrimi i tregimit, më pak novelës dhe romanit. Para viteve 90-të, botimi i romaneve numërohej me gishtat e dorës dhe përbënte ngjarje kulturore. Këto vite, janë botuar jo me dhjetra, por pa e tepruar qindra romane, nga autorë me e mër por edhe fillestarë që presin të afirmohen, të lexohen dhe të vlerësohen. S’ka asgjë të keqe nga kjo shumësi autorësh dhe krijuesish, dhe prurjet që ata sjellin në letrat e sotme shqipe, përkundrazi, ka veç mirë. Porse problemi mbetet i hapur: në Shqipëri nuk ka bashkësi krijuesish të institucionalizuar, mungon “Lidhja e Shkrimtarëve”(në Kosovë e kanë)Në disa qytete, si në Durrës, Vlorë ,Sarandë e Korçë, janë krijuar klube letrare, por kjo s’mjafton, ka thjesht vlerë lokale. Ndryshe nga vitet 90-të, mungon një ngrehinë ku krijuesit të mblidhen, ku të njihen, ku të paraqesin në publik krijimtarinë e tyre, as ku të bashkbisedojnë. (Si nuk u gjend vallë në gjithë këtë Tiranë një ngrehinë për Lidhjen e Shkrimtarëve kur janë gjendur për gjithë partitë dhe partizat?) Aktorët kanë Teatrin Kombëtar, Teatrin Eksperimental dhe teatrot e rretheve, Artistët këngëtarë dhe të baletit, kanë Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Akademinë e Arteve. Po shkrimtarët? Askund! Ministria përkatëse, duket sikur letërsinë, nuk e konsideron pjesë të kulturës kombëtare. Mesa duket, nuk e njeh Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe nuk kujtohet për të dhe vlerësimin e krijuesve. Shpesh, për këtë nënvlerësim e bjerradore, ka ankesa nga krijuesit, por nga mënyra si bëhen dhe adresohen, këto ankesa apo protesta, bien në vesh të shurdhër, si zë në shkretëtirën e indiferencës zyrtare.

8.Nga organet përgjegjëse, asnjë ndërhyrje apo interesim. Ka mbi njëqind shtëpi botuese, që më së shumti funksionojnë si shtypshkronja, të pa akredituara, që punojnë me kërkesë-ofertë, që nuk venë asnjë barrierë për botimet, që nuk marrin përsipër asnjë detyrim, pa redaktorë, pa qortues letrarë, pa profesionistë të kualifikuar, një rrokopujë e tollovi gjuhësore ku lejohet të masakrohet shqipja normative. Autorët nuk paguhen,përkundrazi paguajnë, dhe ç’është më keq, libri nuk shpërndahet. Autorëve nuk u tërhiqen libra as për bibliotekat e rretheve. Libri i autorëve shqiptarë nuk promovohet, nuk evidentohet, nuk i rekomandohet lexuesit. Nuk ka politikë botimesh, i mshohet fort letërsisë së huaj, në libraritë e shitjes me shumicë, nga librarët tërhiqet kryesisht libri i huaj. Bëhen përkthime gati shterruese të disa autorëve komercialë apo nobelistë, pa një orientim në aspektin e shpërndarjes gjeografike, gjuhësore apo rrymave e drejtimeve letrare, por thjesht nga parapëlqime të përkthyesve, në shijet letrare të të cilëve nuk ka pse të mos dyshojmë. Në tregun e librit mungojnë vjetarët me listimin e botimeve që lexuesi të njihet me to dhe të dijë ku ti kërkojë.

Sa për çmimet e shitjes në treg, ato janë të pakontrolluara e skandaloze: dy-tre herë koston e prodhimit, çka bëhet pengesë në blerjen e tij nga lexuesi i thjeshtë. Ata që lexojnë,nuk kanë para t’i blejnë librat, kurse ata që kanë para, nuk lexojnë dhe kuptohet nuk blejnë libra. Kësisoj, botuesit me shitjen e gjysmës së tirazhit përballojnë koston, dalin me fitim dhe nuk e kanë problem nëse u krijohen stoqe në rastin e qarkullimit të ngadaltë.

9.Po kritika letrare?Miku im,shkrimtari Përparim Hysi, thotë që kritika bën gjumin e ariut. Dhe ka të drejtë. Ndërsa letërsia është art,kritika është shkencë, si e tillë ajo lëvrohet nga pak autorë. Nuk është se mungojnë kritikët, por ka një mos angazhim të tyre deri në braktisje. Kanë fituar titujt e gradat shkencore,kanë zënë katedrat universitare dhe e ndjejnë veten komodë me mësimdhënien. Shkrimet kritike, si shumë të tjera nuk paguhen dhe ata, tek e fundit, nuk ka pse të punojnë badiava. Kur angazhohen ata merren me “Majat” me patriarkët e letërsisë, me të shkuarën, por jo me talentet e reja, me të tashmen. Jo me prirjet, jo me tendencat, jo me dukuritë, jo me evidentimin e vlerave dhe risive të këtyre afro 25 vjetëve. Në boshllëkun e krijuar, shkrimtarët dhe poetët, shkruajnë reçensione me impresione vlerësuese e miqsore për njëri-tjetrin, shpesh me superlativa të pamerituara, aq sa ato u ngjajnë qokave letrare, për të ledhatuar sedrën krijuese të akcilit.

Në përfundim të kësaj sprove, shoh të nevojshme të ve në dukje se: Lidhja e Shkrimtarëve duhet të riformohet apo riorganizohet mbi bazën e kritereve demokratike, të pajiset me ndërtesën me mjedise të përshtatshme pune. Të ketë organet e saj për promovimin e krijimtarisë letrare, një buxhet modest për pagesën e drejtuesve dhe vlerësimet e çmimeve vjetore, të ndermerren nisma ligjore për botimet, shtëpitë botuese, shpërndarjen dhe tregun e librit. Lehtësi financiare për organizimin e panaireve të librit,për mendimin tim me një pagesë simbolike, të cilët mund të jenë disa, ku letërsia shqipe të ketë pavione ose seksione të veçanta. Pa lënë mënjanë edhe studiot televizive,që duhet t’i japin më shumë vend librit artistik dhe mendimit letrar dhe evidentimin e autorëve të talentuar, për të orientuar lexuesit në përzgjedhjen per lexim te librave dhe autorëve.

Tiranë, 2014-2019


171 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page