Shkrimtari vlonjat Eqerem Canaj


Prof Dr Eshref Ymeri

Për bashkëpatriotin tim nga Smokthina, shkrimtarin dhe poetin origjinal Eqerem Canaj, pata shkruar në një ese me titull “Në Vlorë, mes katër njerëzve të penës”, të botuar në internet më 01 gusht 2018. Në atë ese ndalesha në krijimtarinë e figurave të tilla të letrave shqipe, si Vilhelme Haxhiraj, profesori Bardhosh Gaçe, Eqerem Canaj dhe Idajet Jahaj.

Por në portalin “Fjala e Lirë” të ditës së djeshme (06 shkurt), zotëria Gëzim Llojdia kishte botuar një ese interesante me titull “Eqerem Canaj: Më frymëzoi Ali Asllani”. Eseja më preku thellë se më kujtoi lagjen Parika të fshatit tim, Mesaplikut, ku linda dhe u rrita, derisa mbarova Shkollën shtatëvjeçare në Ramicë në qershor të vitit 1955. Me familjen e Eqeremit kemi qenë fqinj. Shtëpitë i kishin ballë për ballë. Na ndante vetëm një rrëke e vogël që kishin në mes. Nëna ime. Hanko Ymeri, dhe gjyshja e Eqeremit, teto Gjylsoja, ishin shoqe të ngushta dhe i gjendeshin njëra-

Eqerem Canaj

tjetrës me kohë e pa kohë. Ka pasur raste kur vinte ndonjë mysafirë me darkë bashkë në njërën ose në tjetrën familje, nëna ime dhe teto Gjylsoja hiqnin byrekun nga prushi dhe ja jepnin njëra-tjetrës. Teto Gjylsoja njihej në gjithë Smokthinën si një zonjë shumë e nderuar. Ajo ishte nga Rexhini i Kurveleshit dhe në moshën 18-vjeçare kishte ardhur nuse në Smokthinë për gjyshin e Eqeremit, Xhafer Musain, i cili, fatkeqësisht, pati ndërruar jetë në moshë tëre. Kështu që teto Gjylsoja pati mbetur vejushë në moshën 22-vjeçare, me dy fëmijë të vegjël, Hysenin, babain e Eqeremit, dhe Bejrenë, hallën e tij. Teto Gjylsoja, si një burrëreshë e vërtetë, mori situatën në dorë, rriti dhe edukoi dy fëmijët, derisa ata u bënë me familje.

Eqeremi është stërnip i Cane Miftarit, një figurë e shquar atdhetare e shek. XIX, të cilin pushtuesit otomanë e prenë në besë, duke e helmuar me kafe në Vlorë. Dhe trimat e tij në Smokthinë asokohe filluan të këndonin këngën e famshme:

O Cane Miftar Smokthina!

Pse s’na more neve trima,

T’ia bënim në Vlorë prima?

Cane Miftar Smokthina ka qenë mik dhe bashkëluftëtar me Tafil Buzin.

Në një këngë të asaj kohe thuhej:

Nga do ta shkojmë Tafilë?

Anames Labërinë.

Seç pyet miku për miknë:

Ku e ka Cania shtëpinë?

Në Bashaj përmbi Smokthinë,

Kullat bardha në brinjë,

Te porta me llamarinë.

E falënderoj zotërinë Gëzim Llojdia për esenë që i ka kushtuar shkrimtarit dhe poetit Eqerem Canaj, i cili, si njeri i letrave shqipe, ka nxjerrë nga pena vepra të bukura në prozë dhe në poezi. Poezia e Eqeremit bie në sy për vargun e rreptë, kurse proza e tij të bën përshtypje për pasurinë e leksikut dhe për metaforat e guximshme.

#Eshref #Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

07 shkurt 2020

13 views

Shkrimet e fundit