top of page

SHERIF BALI, TITANI I LIRIKËS SHQIPTARE


BAJAME HOXHA - ÇELIKU

Kjo poezi i kushtohet poetit Sherif Bali.


Nga provincat larg zbritën poetët me syrin e pa fjetur,

Që andej zbriste dhe gdhendësi i vargut pa u ndalë.


Dukej poeti lirik, me poezitë që shtrëngonte nën sqetull,

Vrullshëm nxitonte monopateve me hap djaloshar.


Gjelbërimi i moshës dhe i kodrinave që shtriheshin përballë,

Me vete i jepnin frymëzimin e epërm djaloshit myzeqar.

Gjethet e ullinjve si kurora kur atij i binin përmbi sy e ballë,

Lirikat e tij, joshnin të dëlirin shpirt me ndjenja qelibar.


Sa shumë që ngjante gdhendësi i vargut me poetin Skocez!

Mëngjeseve bashkë zbresin nga provinca me vargje në gji.

Romantiku me zë të lartë ia merrte këngës në çdo mëngjes,

Tjetri, fluturonte me krahë shqiponje e dritë dielli në sy.



Nga mesi i viteve 60-të të shekullit të kaluar (saktësisht në dhjetor ‘64, kur ishte në klasën e tetë), u ngrit mbi skenën letrare shqiptare ylli i ri i lirikës së asaj kohe, poeti Sherif Bali, nga fshati Balaj i rrethit të Lushnjës. Fillimisht si një dritëz që dridhej mbi Darsi e Myzeqe. Dritëz që e çonin erërat sa nga fshati i tij Balaj në Lushnjës, sa nga Lushnja - në Balaj. Xixëllonjë, thanë e aq, si të gjitha xixëllonjat, do të fiket në fund maji në të hyrë të Lushnjës, pa e ndjekur nëpër rrugë asnjë fëmijë qyteti (i atij qyteti vrastar ku talentet si Sherif Bali i fundosnin thellë duke përdorur grushtin e fortë të partisë, por dhe intrigën e sëmurë e të pa shmangur të tyre!), vetëm në cigaret e të atit ndoshta do të tentojë të feksë ndonjëherë më të rrallë mbasandaj e tutje. Por, në fillim të viteve 70-të, ai shpërtheu akoma më me vrull me ciklet e tij mahnitëse poetike, dy në revistën letrare “Nëntori” ( Shtator ‘70,Janar ‘72), dy në gazetën “Zëri i Rinisë” ( Prill ‘71- Dhjetor ‘71). Vjersha që e lanë shtangur lexuesin dhe artdashësin. Lirika si të shkruara në ajër nga një dorë e padukshme. Figura e rima që të godisnin e të vrisnin si rrufetë, por të ringjallnin aty për aty përsëri : madje të bënin më të bukur seç qe!

Ciklin e fundit tek “Zëri i Rinisë” (Dhjetor ‘71) që kishte 5 vjersha, ia botoi me kokë krisjen e saj ish redaktorja e faqes letrare, Emine Sadiku, një nga adhurueset e tij më të zjarrta, madje dhe me skica të piktorit Zamir Mati. Fjala ishte dhe për 5 cikle të tjera me nga 5 vjersha (një libër i plotë) nga që u prit mjaft ngrohtë nga publiku, por …u ul Trau …duke e lënë Eminenë brenda dhe Sherifin jashtë, por kjo në të ardhmen i rëndoi asaj shumë, se ia llogaritën, kur e çuan për riedukim në Metalurgjikun e Elbasanit. Kështu ndodhi dhe me ciklin e fundit në “Nëntori” (Janar ’72): u botua falë këmbënguljes së dashamirësit tjetër të tij, poetit të Kitarës së Jugut Sulejman Matos.

Më kujtohet, në fillimet e demokracisë , një mikesha ime artdashëse, dhe unë si një krijuese e penguar nga regjimi, kur ra fjala për poetët e ndaluar lushnjarë si Faslli Haliti, Bajame hoxha, Elmaz Qerreti etj, veçanërisht u përqendruam te vargjet mbresëlënëse të poetit Sherif Bali, një nga të përndjekurit. Një vjershë të atyre cikleve botuar në “Nëntori” 9 (Shtator ‘70) me titull: Lumturi Peqini, mikja ime çuditërisht e kishte mësuar përmendësh dhe e recitoi aty për aty. Po e jap atë të plotë, këtu më poshtë, për të parë se sa e freskët është ende kjo kryevepër poetike dhe pas dyzetepesë vjetësh.

LUMTURI PEQINI

Përsëri në fusha erdhi vjeshta

Me motive misri dhe shalqini

E në ara shkon me këngë buzës

Myzeqarka Lumturi Peqini.

Tok me vjelësit shkoj dhe unë në ara

E mbi një kokërr shalqini

Krejt instinktivisht me majë të thikës

Shkruaj emrin: Lumturi Peqini.

Në dyqan kur sot ajo të shkojë

Do shohë emrin shkruar mbi shalqi

E do thotë heshtur: E ka shkruar

Për të luajtur ndonjë djalë i ri.

Por prapë nesër, kur t ‘lexojë gazetën,

Do shohë emrin: Lumturi Peqini

Dhe ahere do mësojë kush është

Ai djali që shkroi tek shalqini…

Para tre vjetësh, pas kaq shumë vitesh, tek kafeja në Tiranë takohem përsëri me miken time të hershme, që tashmë është edhe ajo poete, ku midis të tjerash më tha : Këtë herë do të të bëj një surprizë të këndshme, do të të jap dhe dy dorëshkrime origjinale të poetit Sherif Bali të pabotuara deri më sot. Meqenëse edhe ti je një poete e mirë, një krijuese e njohur tashmë në fushën e letrave, do t’i ndjesh akoma më shumë, dhe do t’i quash: perla të poetit sherif Bali!. Këto ditë, kur erdha nga Brukseli në Shqipëri, e takova poetin në Tiranë, po në të njëjtin vend, e ia bëra atij si surprizë këto dorëshkrime të hershme e i mora leje për t’i botuar në librin tim të ri. Po i jap të plota dhe këto dy lirika të papërsëritshme të fillimeve të krijimtarisë së tij.

ASAJ

Asaj që lozhën e zemrës sime

ka zënë pa qira…

Ç’t’i dhuroj?

Tufa lule shirash

Të lidhura me kordele vetëtimash?

Por më mirë, po i dhuroj të dy buzët

Me të kuqen e tyre të shpuzët !

PASKA SHUMË NJERIU PËR TË UDHËTUAR

Eh, moj çupë të kam dashuruar

(Edhe kokën e lija për ty)

Mjaft idile të ëmbla m’ u zgjuan

Kur t’i pashë idilikët sy.

Ti më shihje shpesh indiferente,

Nuk më falje një herë një buzëqeshje.

N’ atë moshë n ‘fytyrëzën tënde

Unë shihja veç atë që më dehte.

N’atë moshë nuk isha i denjë,

Them dhe vetë - për të tillë dashuri.

Laureshën e merrja mëllenjë

Dhe ullastrën, kuptohet, ulli.

Shkuan vite mbi rrugët e shtrembëria

E i prishën gjithë gjerdhet e kalbura.

Laureshën tani ma njeh zemra

Pasi flaka gjykimet e varfra.

Eh, moj çupë, të kam dashuruar,

(Por sot kokën s’e lej më për ty.)

Paska shumë njeriu për të udhëtuar

Paskan shumë për të parë këta sy.

Pas këtyre cikleve në “Nëntori”, “Zëri i rinisë”, opinioni letrar e më gjerë, filloi të pyesë: Cili është ky letrar? Nga vjen? Ku shkon? Ç‘moshë ka? Ç‘punë bën? Ç’arsim ka marrë? I kujt është? Pse ka një emër të tillë “Sherif” si të sherifëve amerikanë ?! (nëse e ka pasur në familje nga ndikimi otoman - prindërit s’duhej ta përtërinin, nëse s’e ka pasur, është e qartë sfida që na bëjnë me këtë emër: Do të vijë koha e Sherifëve dhe këtu!, Aq më shumë kur në qiellin e muzikës një vit më pas u ngrit dhe një Sherif tjetër i madh: Sherif Merdani!) Sidomos mediokrit, pasi ai ua çau tullumbacet e vjetra poetike, qenë të parët që u alarmuan e u idhnuan nga shfaqja e talentit të tij, por… dhe ahere kishte sy magjik (si sot) nga shikoje që pas derës kush ishte mysafiri i ri që vinte nga jashtë: Ishte syri i partisë! - Si ? Birit të kulakut, po i ndizni dritën jeshile ju? ulëriu ky sy. Si guxon ai të shkruaj një emër femre mbi kokrrën e shalqirit, kur poetët tanë të ndritur të realizmin socialist shkruajnë dhe mbi bukën që hanë e mbi ballin e grave e të dashurave të tyre (pale të vjershave!) PPSH e PARTI – ENVER, JEMI GATI KURDOHERË?! Kaq u desh që të fikej drita jeshile për të. Të ndizej drita e kuqe (i mjeri diell, që sillte jetën në të gjithë rruzullin, në Shqipëri përdorej për ta shuar atë!

U duk sikur poetin e përpiu dheu, aq sa çuditeshin kur e shihnin rrugëve të qytetit : si paska dalë nga andej ky ?! Të të ndalohej botimi ahere e të të quanin armik, aq më shumë kur vije nga një familje e pasur pronare tokash, e shpallur kulak, ishte një dënim i pakufizuar në kohë, të cilin mund ta kufizonte vetëm vdekja fizike. Ishte më ndryshe kur dënoheshe me burg : I pandehur, dënohesh me 5 vjet heqje lirie për sabotim prone të përbashkët; i pandehur dënohesh me 10 vjet për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor…vinte dita e liroheshe. Mund, ndonjëherë, dhe të rehabilitoheshe. Kurse armiku i klasës si Sherif Bali ishte përherë një i lirë i pa liruar. Aq e vërtet qe kjo, sa jo vetëm s’e lejuan të vazhdonte shkollën e lartë si të gjithë shokët e tij, por dhe pas vdekjes së Diktatorit s’i botuan një varg. Mendo kur në gazetat e revistat letrare asokohe qenë redaktorë letrarë e studiues të njohur si : Dalan Shapllo, Xhezair Abazi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Rudolf Marku etj. ( hiq Teodor Kekon dhe Petrit Rukën, që patën tentuar si dashamirës të poetit për ta ndihmuar disa herë por kishin hasur në pengesa) Kjo madje dhe pas demokracisë deri ne vitin ’94. Por, a heshti poeti? Ai, si kokrra e rërës në guaskën në fund të detit, formonte margaritarin e tij. Vetëm se ai, pasi mbaronte margaritarin brenda një guaske, dilte prej andej dhe hynte në një guaskë tjetër për të formuar margaritarin e ri, gjë që s’e bënte dot kokrra e rërës! Kjo u duk qartë kur poeti botoi në gusht të vitit 94 librin e parë poetik “ Koncert sipas kërkesave të dëgjuesve”, libër që erdhën e blenë në Tiranë dhe letrarë të njohur nga Kosova! Për të u shkruan shkrime të bujshme nga Dalip Greca (gazetar i “Vatrës” sot në New Jork ) Çelik Petriti, Vladimir Çuni, Halil Jaçellari, Faslli Haliti, etj. Por, QERSHIA mbi TORTË, për atë libër, qe eseja e jashtëzakonshme “Koncerti i Sherif Balit “e kolosit të Letrave Shqipe, shkrimtarit Koço Kosta. Por …çudi për tu çuditur!, megjithëse ky libër atë vit u përfol për çmim si libri më i mirë i vitit , çmimin (si gjithmonë!) e morën të tjerë!

Kulmi arriti deri aty, kur poeti i shquar lushnjar Faslli Haliti nisi për Gazetën “Drita” një shkrim kushtuar librit dhe cikleve të Sherif Balit. Me gjithë dëshirën e madhe për ta ndihmuar dhe për ta bërë të njohur këtë poet kolos, Faslli Haliti nuk mundi t’ia delte, edhe pse konsideratat e Kadaresë, Ndoc Gjetjes(gojore) e të tijat për Sherif Balin ishin pozitive, por ngeci te ish kryeredaktori i saj Bardhyl Londo i cili s’e botoi me pretendimin: më humbi! Pra, Trau i Ulur për Sherifin, s’paskësh qenë nga biografia por nga poezia! Pas koncertit erdhi libri i dytë “Hënë, përkthemë në qiell” (ç ‘guxim !) i botuar më 97, ku vetëm titulli është një libër më vete! Një Metaforë Aliene! Pas këtij, libri tjetër nga më të çuditshmit, i pa parë dhe në lirikën botërore , “Autoportreti im në pjepër”, i shkruar në rininë e tij të hershme ( viti ’75) por i botuar 23 vite më pas: më, 98. Për këtë libër çuditërisht heshtën, përveç parathënies së mikut të tij të ushtrisë, poetit Demir Gjergji, megjithëse libri u përpi nga lexuesit, aq sa poeti e ribotoi më të plotë në vitin 2000.Për këtë libër nuk heshtën vetëm legjendat. Sidomos një legjendë urbanes - tiranase : Pas vitit 2000, poetit që qe pa shtëpi në fshatin e tij Balaj, shtëpinë e re në Lushnjë ia ngriti donatori austriak, artdashësi i madh vjenez, zoti Alfred Kasses. Po pse, kush është Sherif Bali që t’i ngrejë një vilë Vjena? tha legjenda. Në këtë kohë në Shqipëri, pas librit “Autoportreti im në pjepër”, u përkthye nga Nasi Lera e u botua romani “Portret ne sepje” i romancieres kiliane Isabel Ajlende. U gjet dhe arsyeja e ngritjes së shtëpisë së poetit: “Autoportreti im në pjepër” i Balit me “Portret në sepje” i Ajlendes, ai gjoja ishte ankuar se do ta hidhte në gjyq për plagjiaturë Ajlenden. Mos, i kishte thënë ajo, mos e bëj këtë, se do të ta shpërblej: do të të ngre një vilë e do të të përkthej në spanjisht. Ja, pra, megalomanët dhe smirëzinjtë deri ku arritën! Pas këtij libri, erdhën me radhë librat e tjerë të Balit , njeri më i bukur se tjetri: “Letër me 33 faqe” ( 2000 ), “Poet: A do nuse? “ ( 2004), “ Vjeshta është mizore” ( 2009) , dhe dy kryeveprat e fundit të sponsorizuara e të botuara nga Shtëpia Botuese “Fan Noli“ prej mikut të poetëve, artdashësit e botuesit Rexhep Hida,: “Autoportretet e mia ne lejlek” (2011), krejt ndryshe nga “Autoportreti im në pjepër”, por njëkohësisht dhe vazhdim i tij, siç janë Kosova dhe Çamëria vazhdime të Shqipërisë, apo një kontinent vazhdimi i një tjetri, britmë për artistët e nëpërkëmbur, ndërtuesve të shteteve moderne, dhe : “Kunata e vogël në mur” (2013) duke e kthyer përmbys legjendën e Rozafës, e duke na i paraqitur atë kokëposhtë, ashtu siç është ne të vërtetë, atë legjendë me të cilën mburremi përpara botës, legjendë e cila ka mbyllur në mur një femër për të mos vazhduar jeta!, as një mashkull të paktën !, e cila thërret nga muri: O udhëtar / Djalin tim a e ke parë? /Dhe thuaji kujdes / Dy të tretat e njerëzve janë të pabesë! Por, më në fund, fatmirësisht atë na e nxori nga muri Sherif Bali! Si do t’ia bëjmë tani pa këtë legjendë? Si do të mburremi tash e tutje para botës për këtë mur pa Rozafë ? Ani, kemi fituar një Titan të lirikës! Pse heshtet ende për këtë Titan ?!

121 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page