top of page

Shefqet Meko: “MINISTRI”- KULMI I NJË TRILOGJIE TRONDITËSE

  • 4 hours ago
  • 6 min read

    -Ahmet Prençi e kthen letërsinë në një “moral” që na mungon-

 

Romani “Ministri”, si pjesa përmbyllëse e trilogjisë së Ahmet Prençit, shënon një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të  autorit në prozën shqiptare të viteve të fundit, duke sjellë një rrëfim të fortë mbi pushtetin, drejtësinë dhe fatin e njeriut në një shoqëri në tranzicion pa fund.

Kur në fillim të kësaj dekade bota u mbyll, Ahmet Prençi u fut në një “guvë”: la mjekërr e mustaqe, rriti flokët dhe u bë një Robinson Kruzo në një kodër diku rreth Tiranës, jo për të mbijetuar, por për të testuar instinktin krijues. Një natë të vonë më shkroi: “Po bëj një roman… A ta nis t’i hedhësh një sy?” Mbeta i ngrirë. I kisha lexuar librin e parë “Udhë në pasqyrë” me poezi, por nuk mbaja mend t’i kisha lexuar ndonjë tregim të tij; ndaj guximi për të kapërcyer nga poezia te romani, pa lëvruar qoftë edhe një tregim, m’u duk “marri” e kohës së COVID-19. “Ma nis. Do ta shoh me sy kritik”, i thashë, pa e ditur se bashkë me mikun tim po nisnim,  së bashku, në mënyrë të habitshme, një udhë të bukur: prozën e gjatë.


Unë dhe Prençi po “fluturonim” paralel në fantazitë tona të fshehura, tashmë jo thjesht si shëmbëlltyrë pasqyre, por në një prozë që mbante emrin e secilit. Falë punës dhe talentit të Prençit, krijimtaria e tij mori një rrugë të veçantë, që kaloi mundimshëm në netët e pagjumta, duke realizuar me sukses një trilogji shqiptare, e cila do të dëshmojë jo thjesht artistikisht, por edhe më gjërë. Në fakt, ne po i jepnim “benzinë hua” njëri-tjetrit dhe nuk besoj se dy autorë të tjerë mund t’i ngjajnë rrugës interesante të prozës sonë. Por, ndryshe nga unë, Ahmet Prençi filloi me një “dashuri rufjane” (“Anja”), për ta mbyllur me një “protofol”  qeveritar si “Ministri”. Një trio letrare e bukur: Anja - …Prokurori - Ministri. Ndërkohë, unë, në gati të njëjtin hark kohor, kisha shkruar “Viza Amerikane”, “Saga përtej Atlantikut” dhe “Rënia”, Prençi kishte mundur të ndërtonte një strategji më moderne: realizoi një trilogji me emrin e vet.

Romanin “Ministri” e kam “shfletuar” në ekran, ende jo fizikisht mbi tryezë. Kam në duar “Anjën”, heroinën e një romani që nuk harrohet, e cila i rrëmbeu dashurinë Anton Hilës me një të puthur, njeriut që e ringjalli një çapkëne shqiptare nga Parisi dhe që u largua duke lënë vetëm imazhin e dashurisë. Ky roman hedh, në fakt, “themelet” e kësaj trilogjie, ku kemi dy “grabitje” spektakulare me përfundime befasuese. Romanin “Anja” Prençi e mbyll me një frazë emocionale dhe paralajmëruese: “Aty të gjithë vijnë dhe ikin… Vijnë duke qarë dhe ikin të heshtur. Gjithmonë vetëm.” Kjo mbyllje, edhe pse duket si një “kapak” i heshtur, në thelb është vijimësi e ciklit të jetës që na çon te “Brenga e Prokurorit”, ku lexuesi e mbyll faqen e fundit i tronditur nga fati i Martin Gurit, por gjithsesi me një shpresë: se e drejta nuk vritet. “Mbase shpëton, mbase nuk ka vdekur” mendon një grua e moshuar e bërtet për ndihmë pas krismave mbi Martin Gurin dhe nuk largohet si të tjerët, por, mes lotësh, i drejtohet një djali me biçikletë: “O bir, ndalu e më ndihmo! Më bëhet sikur ka vdekur…, po mbase ka ndonjë shpresë…” Kjo është dashuria e dhimbja e një të paanjohure, madje edhe pa emër, për jetën dhe njeriun. Prençi, me shkathësi krijuese, tërheq drejt atij zjarri të çuditshëm të shpresës, që, edhe kur ndodhemi përballë sasaj më tragjike e më fatale, përsëri nuk e besojmë plotësisht; duam që ajo të mos ndodhë, edhe pse është para syve tanë. Shpresa, pra, për autorin është ajo që nuk vdes. Shpresa dhe e drejta në një shoqëri janë si një “betonarme” që mban gjallë një sistem e një bashkësi njerëzore, që, në kompleksitetin e vet, mbetet “trari” që as digjet, as bie në stuhitë e kohës...

Të tria romanet, që më pëlqen t’i quaj “Trio-Prençi” kanë në qendër njeriun: atë që e ndeshim përditë, me fate të ndryshme, ose që na vjen në ekran me bëmat e frikshme dhe befasitë e jetës. Personazhet mbeten në mendje jo vetëm për përshkrimet e gjalla dhe ravijëzimet e qarta, por edhe për misionet që bartin. Autori na zhyt sa në botën e heshtur të Anton Hilës, aq edhe në botën e lirë të Anjës; sa te përkushtimi profesional dhe skrupuloziteti i Martin Gurit, aq edhe te bota e errët, por “e retushuar”, e Marjan Bojës-një personazh kompleks i së keqes, që nuk i shpëton vëmendjes profesionale të Arsenit. Kjo galeri personazhesh që mbeten në mendje e bën autorin një mjeshtër që “skuqet” në çdo radhë  e fjalë që shkruan, sepse kërkon të jetë sa më afër jetës dhe së vërtetës, sa më afër asaj që quhet “e pikuar” artistike. Ky tipar i shkrimtarit Prençi, në fakt, të kujton thënien e Heminguejt, i cili në letërkëmbimet e tij diku shkruan se gjatë tërë jetës “…unë i kam parë fjalët sikur t’i shihja për herë të parë”. Këtë ngazëllim përballë fjalës e kam vërejtur personalisht tek autori i “Minsitrit” dhe trilogjisë-Prençi.

Është e njohur se rastësia është një fat i madh i njeriut, por për krijuesin ajo kthehet në një galeri thesari që nxit kërkimin dhe zbulimin letrar. Rastësisht, pas diplomimit si ekonomist, Ahmet Prençi iu fut karrierës në fushën e zbatimit të ligjit, ku, përballë ngjarjeve dhe sfidave të profesionit, u bë edhe një faktor me kontributin e vet  në procesin e shtetformimit. Një jetë e tillë ka ndikuar fort që, me librin më të ri, por të fundit të trilogjisë, ai të shënojë një sukses të ri si autor dhe ëndërrimtar i një shoqërie më të mirë.

“Ministri” është një prozë emocionale dhe rrëqethëse, me thekse të qarta sociale,politike e ligjore, ku autori sikur i bën shoqërisë shqiptare një “operacion cezarian”, me dëshirën për të shpëtuar të mirën dhe shpresën nga botët e errëta që kërkojnë të asfiksojnë çdo ëndërr, duke u shfaqur me “emra lavdie”. Një shoqëri që, e çoroditur nga liria, ende nuk di të “frenojë” për të shmangur katastrofën. Por, edhe pse herë pas here bie në fatalitetin e rrethanave, autori nuk dorëzohet dhe beson se “fytyrat e shformuara” nuk do të mund të asgjësojnë dëshirën e kahershme për një mjedis të së drejtës dhe meritës shoqërore. Romani “Ministri” është mishërim i këtij besimi: se përmes shtrëngatash vjen paqja dhe shteti i së drejtës.

Edhe pse romani ka një mbyllje të errët dhe disi fataliste, kur lexon rreshtat e fundit: “Në errësirën që e rrethon, me një nënqeshje të hidhur që i rrudh cepat e buzëve, hija mërmërit: ‘Unë jam Marjan Boja!’”, pikërisht në këtë errësirë, ku “krenohet” e keqja, lind drita e shpresës përmes personazhit si Arsen Gashi, heroit që lufton heshtazi me të keqen dhe nuk tërhiqet kurrë derisa çjerr maskën. Në faqet e librit, Arsen Gashi të ngjan me autorin, ndërsa “Ministri” me “hijet” e shumta të shoqërisë që, sa në parlament, politikë apo në pushtet, kërkojnë të errësojnë jetën, duke menduar vetëm për vete.

“Trio-Prençi”, sipas mendimit tim, është një tablo shoqërore komplekse, ku pasqyrohet në mënyrë dramatike relievi i vështirë i tranzicionit drejt një Shqipërie të së drejtës dhe sundimit të ligjit barabar për të gjithë. Metamorfoza e së keqes shfaqet si një “front i fshehtë” i një lufte pa fund, por me fillime gjithmonë optimiste. Në këtë këndvështrim, shkrimtari Ahmet Prençi sjell një letërsi problemore, ku e papritura dhe rreziku i disfatave, njeriu dhe ndërgjegjja kanë kosto të dhimbshme, por edhe leksione që nuk duhen harruar. Letërsia e tij  krijon atë “moral” që na mungon dhe na duhet aq shumë.

“Ministri” është një mesazh për kujdesin që duhet në një shoqëri të lirë, e cila mund të kthehet lehtësisht në “furrikun” e së keqes. Figurshëm, Prençi na rrëfen se jo “çdo gjë që ndrit është flori”, se jo çdo njeri që vjen nga Perëndimi është “vlerë perëndimore”; përkundrazi, në një botë të lirë, po aq e lirë është edhe egërsia njerëzore të “pjellë veten”. Ky është mesazh i fuqishëm i një letërsie të shkruar me dashuri. Le të kujtojmë se tek “Anja” pati dy rrëmbime të njëjta në thelb, por krejt të kundërta: Anja e bukur “rrëmbeu” dashurinë e përgjumur të Anton Hilës, duke sjellë në jetë një hero të heshtur, Arbërin, djalin modern të shoqërisë;(që nuk kuptoj pse autori e harron fare) ndërsa “grabitja” e frikshme që ndodhi me Martin Gurin, adoleshentin që “atëzoi” biologjikisht Marjan Bojën, mbylli jo vetëm jetën e përkushtuar të prokurorit, por tronditi një shoqëri të tërë, duke rrëzuar edhe qeverinë. Sepse e keqja kur bëhet “fytyrë” e pushtet, lehtësisht kthehet si xhebrahili i lirisë, paqes dhe jetës që meriton çdo individ në një shoqëri të emancipuar dhe  modernizuar, siç  bëhet zhurma e madhe në Shqipëri.

Letërsia e Ahmet Prençit është një prurje e krijimtari që vjen për të mbetur, ndërsa autori me “ethet” e njohura të çdo  shkrimtari: Si do pritet libri im?!...

Shefqet Meko

Minneapolis, 4 prill 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page