SHEFQET DIBRANI: LIRIZMI SI DRITË E BRENDSHME E DASHURISË SË JUGUT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 12 min read

Fatmir Terziu, “DASHURI JUGU”, poezi, botoi Shtëpia Botuese, ACPE & Lulu USA", Tiranë, 2021, faqe 168. ISBN 9781471798504
Hyrje
Leximi i poezisë, po aq dhe pas kësaj force lexmi, më ysht të lexoj dhe njoh edhe më tepër poetët. Më së shumti ata poetë, që shkruajnë, bëjnë vlerë estetiko-poetike dhe heshtin. Nuk mburren, por krijojnë vlera letrare, poetike, estetike, dhe pse ta fsheh edhe shumë konkuruese. Të tillë janë këta poetë, e tillë është poezia e tyre. Poeti i kësaj kategorie është poeti i dhjetra vëllimeve poetike, e ai është Fatmir Terziu. Poezia e Fatmir Terziut i përket kësaj kategorie të rrallë. Sikurse citova ai është autori i gjashtëmbëdhjetë librave në poezi, si më poshtë:
1. „Mos Hesht“ (Elbasan, „Sejko“ 1990)
2. „Ecje në qelq“ (Elbasan, „Silver“ 1994)
3. „Kohëbota“ (Tiranë, „Emal“ 2003)
4. „Lumenjtë e ëndrrave“ (Tiranë, „Arbëria“ 2007)
5. „Borxh ajrit“ (Lulu, 2013)
6. „Miriapodë“ (Lulu 2012)
7. „Xhungël mendimesh“ (Lulu, 2014)
8. „Era nuk jepet me qira“ (Lulu, 2015)
9. „Pas shiut“ (Lulu, 2016)
10. „Sytë e Egnatias“ (2018)
11. „At…“ (Lulu, 2020)
12. „Dashuri Jugu“ (Lulu, 2021)
13. „Dashuria bekohet në Elbasan I“ (Lulu, 2019)
14. Princesha Elize“ (Lulu, 2022)
15. „Dashuria bekohet në Elbasan II“ (Lulu, 2024)
16. „Perla- thellë në ëndrra“ (Lulu, 2024)
17. „Rrëshiq morali“ (2025)
Fatmir Terziu në librat e tij me poezi ka sjell me një kumt të lartë poetik modern dhe postmodern diskursin e një rrugëtimi jetik, të cilit i këndohet me melosin më të lartë tipologjik, Dashurisë. Por unë me këtë analizën time u ndala tek vëllimi i tij poetik „Dashuri Jugu“ (Lulu, 2021). E më tej dua të theksoj se në fillim mund të duket se kjo ndjesi lidhet me leximin e shpesht të poezisë së tij, por nuk mund të them se ky shkrim i shmanget ndikimit të pranisë së fjalës së redaktorit Timo Mërkuri, dhe vlerësimeve nga Kristo Çipa e Alma Zenellari, që i ngjajnë rënies së shiut mbi detin e etur për lirikën e mirë kushtuar kësaj dashurie në Jug të Shqipërisë!...
Vargjet e bardha të një dashurie jugore
Sikurse e citova, tërë vëllimi është një lirikë e mirë kushtuar e dashurisë së Jugut të bukur të Shipërisë. Leximi im i vëllimit “Dashuri Jugu”, nuk përpiqet ta zhvendos këtë perceptim nga mungesa e fjalës së bukur, e cila shtrihet deri në fund të këtij publikimi, por synon të thellohet nga ndikimi i brendësisë lirike që ka vëllimi “Dashuri Jugu”, kundruar nga drita që vargu dhe poezia lëshojnë, edhe kur poeti flet për mot të vrenjtur, për re të dendura, po sidomos për dhimbje nga dashuria. Sikurse diskursohet nga një sintagmë, e që ajo është e “dhimbjes nga dashuria”, që në fillim të këtij vëllimi poeti shprehet: “E kaluara ime është pjesë e rrugës “Kush jam”/ ndoshta nuk është rrugë me miratim Këshilli Bashkiak/ nuk është në pritje për tu varur në ndonjë sokak/ është udha ime, miqtë e mi/ nuk mund ta fshij”, (fq.8), andaj çdo rilexim i kësaj poezie ndjehet një ngrotësi e re, një tingëllim tjetër dhe një zjarrmi përvëluese, si vera e nxehtë në pjesën jugore të atdheut. E me të përfunduar leximin, krijohet një fllad i bukur, i qartë, i sinqertë, enigmatik, që gjithnjë gjendet në një kuadrat të pashpjegueshëm plotësisht, por si një diskurs që pret të gjej zgjidhjen nga vetë leximi i përqëndruar. Fatmir Terziu, nuk është thjesht poeti që e ndjen dashurinë për të kërkuar pikëtakim të ri lirik. Kjo ndoshta, sepse kjo ndjenjë lidhet me vargun, dhe ndoshta është fryma magjike që si puhizë deti freskon shpirtin tim dhe të lexuesit tjetër, sigurisht! Por vëllimi me poezi “Dashuri Jugu” e lind dashurinë dhe me të edhe lirikën që shndëritë si dritë e diellit, ndërsa “mesditave të lodhura nga britmat”, gjithnjë sipas vëllimit,“dashuritë zbresin në konak”, dhe si gratë ato “përveshin mëngët”, për ti gatitur “bulëzat që bëhen gjerdanë”, (poezia “Hieroglife”, fq.19). Nga ky këndvështrim duket se hieroglifet, janë vet vargu i mbuluar me dashuri, sikurse edhe Jugu kur mbulohet nga qiell i dashurisë:
MALI I VASHËS*
E zhvesh natën
mbi furkën e ngulur majëkrahi
nga mushti i bardhësisë si shapkë
tjerr fustanellën
në vallen që zbret pikiatë
në mendjen time
tek “Mali i Vashës”.
* Është një majë mali në verilindje të rrethit të Elbasanit, që quhet "Mali i Vashës".
Faqe 15.
Poeti Fatmir Terziu, si në këtë poezi “Mali i vashës”, mjaftë të shkurtër, si dhe poezia “Gishti tregues”, (fq.12), artikulon një mendim të kondensuar, të njëjtë sikurse ajri kur shndërrohet në pika shiu, sëkëndejmi vargu bëhet strukturë estetike e kësaj lirike. Vargu i hapur hapë mundësi reflektimi, ndërsa përjetimi i shprehjeve metaforike mjaftë të arritura e bëjnë vlerën një art të vërtetë. Drita dhe dielli, veçmas ndjenja që frymon nëpër këto vargje e bëjnë poezinë mjaft tërheqëse, të lehtë për tu përjetuar dhe megjithë estetikën e vargut, ka mendim të plotë me simbolikë të pasur. Edhe kur poeti shkruan për shiun, lagështia nuk mungon, edhe kur e kërkon dushin metaforik, deti i rishfaqet përballë. Poezia e Fatmir Terziut nuk është dekorative, po mbetet retrospektive, estetike si një varg i strukturës më të përparuar. Vargut gjithnjë i krijohet një hapësirë frymëmarrjeje, ndërsa motivit i hapen “dritaret” drejt Jugut, ku ajri dhe drita ledhatojnë natyrshëm edhe motivin e poezisë. Madje edhe atëherë kur qielli është i vrenjtur, kjo poezi ndriçon nga brendësia e saj:
Edhe nëse bie shi,
retë mbajnë peng vetveten mbi Himarë
dhe një tufë pulëbardhash,
si një ogur i mbarë,
mbeten mysafirë në sytë e mi,
ndërsa shkruaj vargjet e bardha
për këtë poezi.
Poezia, “RETË MBI HIMARË”, faqe 55-56.

Në këtë rast shiu nuk është trishtim, por gjendje meditimi. Edhe kur qielli errësohet, mbi vargje ndriçon diçka e padukshme dhe e ndjeshme. Këto vargje janë lirikë që e bëjnë poezinë e Fatmir Terziut të pranueshme, një lirikë që ngroh më shumë se sa ndriçon. Ritmi i brendshëm i këtyre poezive ecën lehtë, si në majë të gishtave. Poezia nuk ka mbingarkesë mekanike por është një metaforë e peshës meditative. Ky zë poetik vjen si thirrje, si e qeshur, si ftesë e natyrshme. Vërtetë poezia është lirikë që nuk të ftoh, por përjetimi i saj të ngroh, sepse metafora e saj ecën lehtë, dhe i ngjan ecjes së të dashuruarve mbi gurë e lule, pa peshën e rënduar dhe pa zhurmë të sforcuar. Me një fjalë vargu është ritmi i thirrjes, i të qeshurës së të rinjve, i zërit që del natyrshëm:
Flitet instiktivisht në këto këngë
i kanë këto rakia dhe kënga
ai shkund kokën me më pak serbes
duke ndarë lodhjen si gllënjkë nga gllënjka
me dolli të tillë deri në mëngjes.
Dil o Yll i mëngjesit dil,
si atëherë mbi Skambil!
Poezia, “KSAMIL”, faqe 49.
Ky ritëm nuk imponohet por të merr me vete. Poezia si e tillë ecën, ecën dhe nuk ndalon, dhe kjo është arsyeja pse e bën metaforën e saj të besueshme. Kjo lehtësi ritmike e bën poezinë e Fatmir Terziut varg të përjetuar, me shpirt e me mendje. Pastaj vargjet e një kënge popullore jo rastësisht janë futur në fillim të poezisë “Gumenicë”, “Heshti Gumenica, ullinjtë zgjoi Filati,/ Malit të Bozhurit iu rregjua shtati”, (fq.50).
gurrë e hijshme e së cilës është e njohur për shtojzovalle
që këndojnë në det
…dhe përfundojnë në male.
Zëri është si një vajzë e cila, del në muzg,
do të kalojë dallgët e pastra të Jonit...
Po aty, poezia “GUMENICË”, (fq.50)
Dashuria si mënyrë shikimi: Jugu, njeriu, kujtesa
Një libër i dashurisë përmes Jugut dhe jo thjesht një libër me poezi për Jugun
“Dashuri Jugu”, nuk është vetëm një libër me poezi për Jugun, por është edhe një libër i dashurisë përmes Jugut. Këtu hynë hapësira joniane që shfaqet si sfond piktural, dhe ndjehet si trup i gjallë, ku poeti projekton dashuritë lirike të tij. “Jugu” bëhet gjuhë, është frymë, po aq kujtesë dhe përkatësi. Poezia e Fatmir Terziut, shkon në Jug, dhe e gjen poetin si pushues, vizitor, po më shumë si poet-vëzhgues, në largimin e tij prej Jugut të Shqipërisë, ai me këtë kontekst bëhet poet i tërësisë, i vlerës estetike, i asaj që quhet poezi e vërtetë, poezi e munguar. Poeti sheh, dëgjon, përjeton gjithçka, e pastaj si mjeshtër i fjalës së bukur poetike, ai dinë për ta shndërruar në varg, në lirikë dhe në përjetim. Pra, pa hamendje, poezitë e këtij vëllimi janë të mbushura me kaltërsi të qiellit në Jug të Detit Jon, dhe si fryma e jodit, mushkëritë janë mbushur me oksigjen dhe dashuri:
Mendja lëviz si një dallgë që kolovitet në ajër
nën shtypjen e një varke
endet për të vizatuar imazhin e fytyrës së ujtë
dhe tendosjet e këmishës sime
copat e tendosura të blusë që pi
dhe çka nëse dua të pi kafenë nga ai filxhan
joshur nga stërkalëzat e gëzuara të detit
në Liman,
gjurmë të lehta të parfumit të joduar,
në fytyrën e dashur që kam pranë.
Po aty, poezia “KAFE TEK LIMANI”, (fq.97)
Vëllimi me poezi “Dashuri Jugu” nuk është një libër me poezi për një hapësirë të kufizuar gjeografike, por është prizmi i shikimit universal, një përkujdesje poetike e ndërtuar mbi dashurinë dhe ndjeshmërinë. Jugu i Atdheut, në këtë vëllim nuk është vetëm peizazh, por gjendje shpirtërore, frymëmarrje, kujtesë dhe përkatësi. Siç e përmendëm edhe më parë, poeti është vizitor i shpeshtë në viset Jugore, por gjithnjë largohet nga atje me vargje që i kemi në vëllimin “Dashuri Jugu”. As qielli mbi Detin Jon, nuk është gjithëherë vetëm me ngjyrën blu, janë metaforat e ndërtuara si mozaik artistik, siç përjetohet dashuria shpirtërore vetëm atje. Prandaj them se aq sa poezia merr frymë, po aq dashuria shfaqet “sikur drita mes syve”:
E putha,
i gjithë trupi u drodh
faqet e tij shkruanin historinë
nënshkrimi mitik
dhe dielli u ngrit nga shpirti i tij blu
dhe poetët harruan netët e pritjes
u pikturua
Dea e madhërishme në qiell
dhe në atë mëngjes shumëngjyrësh
vargjet e mia fjetën në një shtrat
me mjaltin e dashurisë.
Poezia “LIQENI I BUTRINTIT”, (fq.97)
Dashuria në këto vargje është konkrete, tokësore dhe e mishëruar në njerëz, dhe në historinë e atij vendi. Dashuria, a më mirë me thënë lirika e dashurisë shfaqet si valë deti, dhe ndezë zjarrmi që sikur dallgët që përplasën shkëmbinjëve, edhe ky varg rrah pa pra zemrën e lexuesit. Ajo lind buzë detit dhe si tallazet e tij që përplasën në rrënojat e kohës, vargu i Fatmir Terziut i kthehet Jugut:
Si rregull, pak njerëz e lexojnë këtë të shkruar.
Errësirra nuk i zbulon fjalët,
por fjalët e tilla janë gjithkund e dashur,
kjo rrugë nuk të çon askund.
Në këtë tokë të shkelur duhet kuptuar diçka,
nuk duhet hartë,
dashuria shfaqet: gjithnjë sikur drita mes syve,
një farë drite ka lindur nga ajo baltë.
Poezia “ARKEOLOGJIA E KOHËS”, (fq.53-54)
Vetëm poetët dijnë të dashurojnë pa e zhurmuar dashurinë. Ata dijnë të jenë dashuruar me vajzat e ëndrrave, por sikurse një bir i përulur përballë nënës, Fatmir Terziu është mik i njerëzve të thjeshtë, vëzhgues i nënës minoritare, ku sheh dritën e shpirtit atje ku të tjerët shohin vetëm rrudha. Poezia “Në Finiq” është një manifest i kësaj etike poetike dhe njerëzore:
NË FINIQ
Para një nëne të moshuar
përkulem,
i jap një lule të freskët me duar
Ajo: pëshpërit me vete,
një fjalë të huaj,
„Efkharistó polý“
Unë: e mbaj fort në sy.
Si një lutje e qetë
fjalët e nënës dalin nga shpirti:
një njeri që nuk ka dashuri të vërtetë
nuk mund të dhuroj një lule vëllazërimi,
në jetë.
Ka lule në shpirt, pa shpirt s'ka dashuri!
S'ka poezi.
Faqe 46.
“Dashuri Jugu” dashuri fisnike e vargut isnik
Kjo dashuri është fisnike dhe e shumëfishtë: për natyrën, për detin dhe për thellësinë e tij. Kjo dashuri e poetit e cila shpesh e vendos tjetrin - të dashurën, nënën, plakën minoritare, mikun - mbi veten e tij është edhe humane. Vërtetë poezia “Në Finiq” është shembulli i dashurisë etike, ku edhe një lule e dhuruar bëhet provë e vërtetësisë njerëzore siç shprehet poeti në vargjet e fundit të poezisë: "Ka lule në shpirt, pa shpirt s’ka dashuri/ S’ka poezi.", (fq.46).
Në këtë vëllim, dashuria është gjithmonë e lidhur me respektin dhe përgjegjësinë. Prandaj poeti zbret edhe në themelet e dhimbshme të historisë, aty ku heshtja flet më fort se fjala. Në poezitë kushtuar Sarandës, dashuria shndërrohet në kujtesë të ndërgjegjshme, në alarm të butë poetik dhe është gjithmonë e lidhur me respektin. Ajo shtrihet edhe mbi dhimbjen, mbi historinë e heshtur, mbi rrënjët e mbuluara nga betoni. Poeti nuk i shmanget asaj; përkundrazi, e zbërthen me qetësi arkeologjike, si te poezia “Nën themelet e një hoteli në Sarandë/ nën beton/ shfletoj mes heshtjes historinë e dhimbshme/ të racës sonë.”, (faqe 98), ku historia flet nga poshtë nëntokës, përmes heshtjes dhe pa dilemë, dashuria merr trajtë përgjegjësie.
DY BUZË
I shtrij. I palos. Horizontal. Paralel …
dy të mishta në portën e frymës
as nuk më ngjan, as nuk më del
zjarri i tyre të djeg edhe tinëz.
Dualitet i zjarrtë, dyfish kur e prek
lëpihen me gjuhë të shuhen në qetësi
lëkura përskuqet zemra e ndjen kur djeg
kur dy fytyra përskuqen, e kthehen në hi.
Në fakt në këtë rast bëhen katër
hiri fshin gjurmët e tij gri në brendësi
zemra godet me ritëm ndërton një vatër
një strehë të re enkas për dashuri.
Faqe 52.
Ngrohtësia njerëzore dhe bukuria si qëndresë poetike
Tipari më i dallueshëm i kësaj lirike të Fatmir Terziut është ngrohtësia shpirtërore, e shprehur edhe në poezinë “Carpe noctem, Poet!”, kushtuar poetit Agim Mato, në ditëlindjen e tij. Vargu nuk është efekt stilistik, por mënyrë e qenësisë. Poeti sheh gjithmonë më të bukurën dhe më të mirën te njeriu, edhe atëherë kur realiteti është i ashpër. Kjo ngrohtësi përthehet në vargje që nuk të lodhin, por të ndriçojnë ditën. Sidomos bukuria joniane në këtë vëllim është e jetuar, e medituar, e kthyer në kujtesë poetike. Vargjet shpesh duken si pamje filmike, si fotografi që koha nuk i zbeh, por i thellon. Prandaj poezitë e tij të duken të reja edhe kur flasin për lashtësitë:
“Bukenvilet shpotisin mes vetes
shpërndajnë majanë e bojës
ndërsa pëshpëritjet e kohës,
mbledhin rima,
vargje të bardha si stërkala,
çdo poezi ka sfilatën e saj. ”
Poezia, “QAFA E GJASHTËS”, faqe 44.
Tipologjia poetike e Fatmir Terziut dallon qartë për ngrohtësinë shpirtërore. Kjo nuk është vetëm cilësi estetike, por qëndrim njerëzor. Ai sheh gjithmonë dritën te tjetri, bukurinë te e përditshmja, njerëzoren edhe aty ku të tjerët kalojnë pa vëmendje. Prandaj vargjet e tij të duken të gjalla, të reja, si vajza që sfilojnë bukurinë pa vetëdije, natyrshëm:
DY BUZË
I shtrij. I palos. Horizontal. Paralel …
dy të mishta në portën e frymës
as nuk më ngjan, as nuk më del
zjarri i tyre të djeg edhe tinëz.
Dualitet i zjarrtë, dyfish kur e prek
lëpihen me gjuhë të shuhen në qetësi
lëkura përskuqet zemra e ndjen kur djeg
kur dy fytyra përskuqen, e kthehen në hi.
Në fakt në këtë rast bëhen katër
hiri fshin gjurmët e tij gri në brendësi
zemra godet me ritëm ndërton një vatër
një strehë të re enkas për dashuri.
Faqe 52.
Në thellësi të vargjeve pulson edhe ndjenja atdhetare, por jo si parullë; si mall i heshtur i njeriut që jeton larg. Këtë sintagmë e gjejm të shprehur në poezitë: “Falenderim!”, (fq.82-83); “Përshëndetje”, (fq.84-85); “Ish S.M.T. e Sarandës”, (fq.91); “Sinagoga e Sarandës”, (fq.94), dhe “Raki, në rrugën e vjetër”, (fq.109-110). Andaj rikthimi i poetit në fëmijëri, në lagje, në gjuhë, në nënat mes dy botëve, janë rikthime të dhimbshme dhe të bukura njëkohësisht. Vargu nuk është pesimist, ai beson se demonët mund të mposhten, se fëmijëve duhet t’u lihet një atdhe i denjë. “Edhe nëse bie shi/ retë mbajnë peng vetveten mbi Himarë/ dhe një tufë pulëbardhash/ si një ogur i mbarë/ mbeten mysafirë në sytë e mi/ ndërsa shkruaj vargjet e bardha/ për këtë poezi. ”, (poezia, “Retë mbi himarë”, faqe 44). Bukuria joniane në këtë vëllim nuk është kartolinë turistike, por përvojë e përjetuar, e medituar, e kthyer në kujtesë poetike. Shiut të Llogarasë, gurit të Muzinës, rrugëve të Sarandës, poeti u heq shtresat e kohës për të gjetur thelbin. Ai lexon “atë që hesht.. dhe brenda mozaikut lexon ndoshta atë që hesht/ nëse do t’i bëja pyetjet më të rëndësishme/ do të më tregonte guri i dalë në dritë/ trupi i të cilit flet/ kur arkeologu e godëet me çekiç”, prandaj mozaikun e kthen në varg. Në anën tjetër poezia “Bistrica”, (fq. 58-59), për shumë kë e bënë të njohur një lum me “Ujë të Bekuar”, jo në “Bistricën” e Kosovës por në Jug të Shqipërisë.
Çfarë është bija e një Perëndie?
Dy gjinj,
një bark me të ardhmen e pastër brenda.
Në këto rrugë me dredha
ku tërhiqet e përhumbet vetvetja
si skaji i një fustani,
asgjë më shumë se kalvari i një lumi
vetëm disa kujtime mbi udhë lashtësie,
në këtë rresht të kësaj poezie.
Poezia, “BISTRICA”, faqe 58-59.
Duke konkluduar
Duke konkluduar dua të them se, “Dashuri Jugu” mbetet një dedikim i qartë dhe i përjetuar për Jugun, për njerëzit e tij, për kulturën, për polifoninë, për jetën e thjeshtë dhe dinjitetin njerëzor, e shprehur qartë edhe në poezinë “Baticë dashurie në Sarandë”, (f.64). Me një fjalë “Dashuri Jugu”, është një libër që të mbush me dritë dhe ngrohtësi, një libër që dëshmon se poezia, kur buron nga dashuria, mbetet forma më e pastër e njerëzores. Në thellësi të poezive pulson edhe një ndjenjë e fortë atdhetare, e përzier me mallin e njeriut që jeton larg. Nuk është patetike, por e përjetuar; nuk është thirrje, por meditim. Poeti beson ende te thyerja e ciklit të keq, te përgjegjësia ndaj brezave që rriten këtu, në këtë tokë. Vëllimi me poezi “Dashuri Jugu” mbetet një dedikim shembëllyes për Jugun, është një libër që të mbush me dashuri, të mbush me dritë, me ngrohtësi, me besim se poezia ende mund të jetë akt dashurie!...
Shefqet DIBRANI
Janar 2026.









Comments