top of page

SARANDA TË DEH


NË BRIGJET JONIANE, KU SARANDA TË DEH ME BUKURI, KËNGË MALLI E DASHURI !...

Reportazh

- Syrit të kaltër të Jonit, poetët e shkrimtarët i kushtojnë fjalë udhe, këngëtarët përjetojnë këngën e detit, piktorët vizatojnë një bukuri mahnitëse si në ëndërr, turistët marrin në shpirtë mrekullinë befasuese!....

Si një feniks, Saranda të avitet gjithmonë e mahnitur, çel si rreze në zhurmën e kalimtarëve, të shfaqet e lirë plot me trëndafila të kuq e të bardhë në kopshtin e lulëzuar si përrallë !....

Me flakë ndjenjash plot ritëm, gaz e dritë SARANDA është gjithmonë një fanar përmes shpirtit dhe përmes natës, si një “far nëpër dete” !...


………………………………………NGA SPASSE THANASI

Kush ka shkelur për herë të parë në këtë kënd jugor, që i ngjan shumë një “diamanti të çmuar”, nuk ka se si të mos “tronditet” nga imazhi vezullues i qytetit buzë brigjeve të Jonit. Si qytet i rrëshqitshëm buzë ujrave, Saranda “noton” e vallzon në dritën vezulluese të frymëzimit poetik. Vojsava Nelo në poemën e saj “Saranda,kënga ime e detit” e ka vështruar atë si “farë e bekuar e bukurisë” në shpirtë, dhe “muzë poetike” me këngë pambarim. Për këtë mrekulli deti, ajo kujton nga fëmijëria se “ kur shkela për herë të parë në Sarandë mu duk se hyja në një përrallë. E nisa të eci ngadalë, ngadalë si në përrallë, e duke ecur e duke u magjepsur !....”

Pëllumb Gorica, shoqeruar me rrezatimin e diellit me reflekse të shndritshme, është bërë mik me detin në çdo stinë. Dhe e thotë mahnitshëm përjetimin e shpirtit të tij : “këtu jemi me ngjyrën e diellit të detit nën ritmin e valëve”. Mihal Gjergji, ndryshe nga të tjerët, ka një ndjesi drithëruese dhe shkel mbi dhimbjen e tij në shëtitoren “Hasan Tahsimi” dhe thotë i trishtuar kundrejt betonizimit : -“qyteti me bukuri që vret”. Por shija e qytetit mbizotëron mbi cdo projeksion mbi natyrën. Deti, dielli e dashuria e natyrës janë bërë sentence e gëzimeve të jetës…Dielli me rrezet e tij ka “larë” gjithmonë detin, brigjet dhe ishujt përreth e rrotull Jonit me një rrezatim të bukur !....


Saranda është sot qyteti i mbi 500 mijë banorëve dhe dallohet nga bashkëjetesa harmonike e komuniteteve të ndryshme krahinore, kulturore e fetare. Popullsia përbëhet nga labë, camë, bregdetas e minoriteti etnik grek. Institucionet e besimit që gjenden krahë njera tjetrës janë kisha, xhami e teqe. Si qytet bregdetar me mbi 300 ditë me diell, Saranda po fiton tiparet e një qyteti kozmopolitan dhe vitet e fundit janë blerë shumë apartamente banimi nga qindra shtetas të huaj kryesisht norvegjez, gjermanë, francezë e danezë. Janë disa festa të qytetit që kremtohen me hare e gëzim nga banorët si : Festa e celjes së Sezonit te Verës ( java e parë e Majit); Festa e Midhjes ( muaji Qershor); 9 Tetori, dita e clirimit të qytetit; 5 Dhjetori,dita e ngritjes se flamurit të pavarësisë etj. Për herë të parë Stefan Cipa si kryetar bashkie e bëri Sarandën me një festë karakteristike të munguar, sic është festa e Midhjes. U rikthye në Sarandë Galeria e munguar e Artit e cila ka të regjistruar mbi 10 mijë vizitorë në 3 vite jetë artistike. Është ndaluar kaosi në ndërtim dhe ka nisur rigjenerimi urban i gjithë Zonës. Saranda ka 119 monumente arkeologjike, kulturore e natyrore të kategorisë së parë dhe Galerinë e vetë të Artit e artistëve të saj dhe një rrjetë të plotësuar me muzeumin etnografik, muzeumin e traditës e arkeologjisë etj. Pjesa e dekorit të qytetit – portë , është plotësuar me superspirancën 200-vjecare e nxjerrë nga ujërat e Gjirit të Sarandës dhe e ekspozuar në shëtitore…

PEIZAZHI I NGJYRAVE TË NDEZURA ME LULEN E SARANDËS …

Gjiri i Bukenvilleve, me veshtrim perball Korfuzit te ndritshëm, krijon një “kënd natyror” interesant për pushuesit e shumtë dhe turistët e huaj. Një “pamje interesante arkitekturore” e ndertesave, nje “rrezatim ndricues” i ngjyrave te peizazhit, një “vështrim kaltërsie” i paanë në brigjet e Jonit në të gjitha hapësirat. Ky emërtim fantastik i këtij Resorti Turistik mjaftë të vizituar nga turistët e huaj, te con mendjen menjëherë tek lulja tradicionale e Sarandës, lulja e ndezur dritë “ lulja e bukenvilleve” dhe fantazia poetike e castit te josh me zgjedhjen e duhur për pushime.


Akomodimi i këngëtares Carla Bruni në Gjirin e Bukenvilleve, në shijen e detit të kaltër dhe lules se ndezur të Sarandës, është një “cast” magjik që tregon vlerat e larta turistike që përcjell Shqipëria për turistët e huaj nga të gjitha vendet. Ajo pëlqeu mjedisin e Bukenvilleve dhe shpërtheu në hare nga ngjyrat e këtij peizazhi turistik mjaftë komod e mbresëlënës në Sarandë. Mikëpritjes shqiptare ajo i dha mirënjohjen e thjeshtë njerëzore dhe bukurinë e këngës së shpirtit.

Gjiri i Bukenvilleve në Sarandë është destinacioni më i freskët turistik, vendi më ideal i paqes në shpirtë dhe i këngës së detit në zemër !...Cdo këngëtar sjell këtu fjalë udhe dhe merr mirësi në shpirtë nga syri i katër i detit, si një oaz ku yjet treten ne Jon…Edhe Carla Bruni e ndjeu bukur këtë “prekje shqiptare” në shpirtë nga “oazi” i kaltër me këngë pambarim…


Me zërin sensual e fjalët poetike,Carla Bruni (gruaja e sh-Presidentit francez Sarkozi) me 21Qershor 2019, një ditë simbolike e “Festës së Muzikës”, dha ne Butrint koncertin e saj te pare në Shqipëri me albumin më të ri “Prekje franceze”.Është shpirti i një gruaje që përcjell paqe e dashuri !...

Ishte një prezantim dinjitoz i këngëtares së famshme me 11 këngë nga albumi i saj prestigjoz dhe i dha gjallëri atmosferës turistike në Jug të Shqipërisë, në “Kryeqytetin e Turizmit” sic është Saranda me muzgjet e kaltërta dhe Butrinti i lashtë me Teatrin e vjetër, një nga objektet arkeologjike më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore e asaj botërore.

Atmosfera në Parkun kombëtar të Butrintit shkëlqeu nga imazhi i ndritshëm i buzëqeshjes së këngëtares Carla Bruni në “Festën e Muzikës” që i dha publikut shqiptar një mesazh paqeje e gëzimi, një qasje tjetër njerëzore ndaj punës, jetës dhe bukurisë së natyrës që ka Shqipëria jonë e bukur.

NE QYTETIN E LASHTE TE BUTRINTIT…

Në një udhëtim fantastik përmes KSAMILIT, me një peizazh me kodra,kanale , liqene dhe Det të kaltër, arrita në BUTRINT… Në Portën e Hyrjes për në Kodrën – Kala ndjeva si vetëtimë vargjet e hershme të Virgjilit gdhendur në gur :

-Duke ecur shoh një Trojë të vogël

Një Pergan të ngjashëm atij të madhit

Dhe një përrua të thatë të quajtur “Ksanth”

Dhe aty në prag puth portën KEA…

Trojanët bashkë me mua kënaqen

Në një qytet –vëlla, kurse vetë mbreti

Po i priste aty në portikët e gjerë

Në mes të oborrit ku na kishin shtruar

Ca gjellë me enë floriri po i baltonin

Bokat me verë dhe në dorë mbanin kupat !...


Në një fletëpalosje lexova historikun e shkurtër të Qytetit të lashtë të Butrintit. Monumentet arkeologjike të Parkut Kombëtar të Butrintit, që sot janë si një stoli në natyrë, janë zbuluar nga Misioni Arkeologjik Italian, i cili punoi gati 10 vjet në Butrint ( 1928 – 1939 ).

Formimi i qytetit të lashtë u bë nga mërgimtarët që braktisën Trojën. Eshtë një mitologji e tërë klasike, që poeti latin Vigjili e përshkroi në poemën epike ENEIDA, gjatë vizitës së tij në Butrint kur kaloi për në Itali.Ai rrëfen ENEUN dhe ka vargje të gjalla që të emocionojnë, sikur ke qënë vetë aty !....


I gjithe vendbanimi i lashtë është rrethuar me mure mbrojtëse dhe i gjithë qyteti antik ngjan si një qendër kulti. Faltorja kushtuar Asklepit (perendisë së mjekësisë) u ndertua në shpatin jugor të kodrës së Akropolit. Në ndenjëset e Teatrit janë gdhendur mbishkrime të shek. te 4-te p.kr. dhe tregon për dhurimet e besimtarëve për faltoren.Ne hyrje të Butrintit, në derdhjen e Kanalit të Vivarit, rreth vitit 1807 Ali Pashe Tepelena ndërtoi kalanë e tij në formë trekëndeshi. Eshte një sfond i bukur fortifikues që është kthyer në një vendbanim të vogël peshkatarësh…

Bashkëprania ideale e monumenteve historike,natyrës dhe peizazhit e bënë BUTRINTIN unikal në llojin e vetë antik. Për këtë vecori ,Qyteti Antik I BUTRINTIT, me 1992 u shpall“Pasuri e Trashëgimise Botërore në mbrojtje nga UNESCO,brenda Parkut Kombëtar të Butrintit me siperfaqe prej 9,424 Ha dhe prej vitit 2003 gëzon Statusin “ZonëLigatinore” me rëndësi ndërkombëtare – Zonë “RAMSAR”….


NIMFA E QYTETËRIMEVE TË VJETRA !...

Eci mbushur me diell në BUTRINT

Në dheun e vjetër plot statuja

Që mbartin mbishkrime antike

Mbi gërmadha qytetërimesh të lashta…


Zjarri i kaltërtë jonian

Në gjirin e vogël me kalanë e Lëkurësit

Zgjon Amforat në oborrin e Muzeut

Trokëllimat e kuajve nga muzgjet me hënë !...


Butrinti me sinopse historike

Zgjon optikën e kujtesës

Shpalos statujat e famshme

Tingëllimën e vargjeve të hershme të Virgjilit

Gdhendur në gur tamam si Troja !...



Parku Kombëtar në qytetin antik te Butrintit…

82 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page