top of page

Sakip Cami: Poezia e Beshir Calës, poezia e një shpirti të trazuar

  • 10 hours ago
  • 2 min read

 

Kur miku im Halil Rama më tregoi se po redaktonte e po përgatiste për botim një vëllim me poezi të Beshir Calës, lënë në dorëshkrim, duke e njohur nga afër si koleg ushtarak, ish drejtorin e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në vitet 90, autor i librit “Ceremoniali ushtarak” etj kisha bindjen se poezia e tij, ndonëse e panjohur deri më tani, do të ishte një poezi e vërtetë mjeshtërore dhe shpirtërore. Dhe nuk u zhgënjeva. Poezia e Beshir Calës është poezia e një shpirti të trazuar, herë herë të tronditur, që shpreh shqetësimet e njeriut qytetar shqiptar, atdhetar deri në palcë. Ndonëse librin e tij e titullon në mënyrë sinjifikative “Guri i shkulur”, ai është një gur i rëndë i pashkulshëm në trojet e veta, në Dardhën heroike të Dibrës dhe kudo në Shqipëri ku ka punuar e jetuar. Vendlindja e tij, Lugjaj, ku eci këmbëzbathur kur ishte fëmijë dhe ku u rrit me historinë reale të të parëve të tij, bashkëluftëtarë të Elez Isuf Ndreut në luftën kundër serbve për nandë vjet me rradhë, zë një vend të konsiderueshën në poezitë e këtij libri. Jo vetëm historia, por edhe bukuritë magjepse të natyrës, të Korabit e të Drinit, të Setës e të kreshtave për rreth, magjia e kangëve e të valleve të Dardhës ku kanë dalë njerëz të shquar të artit si Muharrem Xhediku, Hazis Ndreu, Lirie Rasha, Skënder Cala, Xhelal Çerpja, Qerim Sula, Caje Poleshi, Sherif Dervishi e shumë të tjerë që tundën skenat e festivaleve folklorike kombëtare e deri ato ndërkombëtare janë të gdhendura artistikisht në këtë libër.

Një artist i tillë ishte edhe Beshiri, i cili gjatë drejtimit të shtëpisë së kulturës së ushtrisë e ktheu këtë institucion në vendin e promovimit të kulturës e të trashëgimisë kombëtare. Poezia e Beshir Calës të emocionon, të vë në mendime, të bën të reflektosh, të nxit në luftën për drejtësi. Sigurisht ka lënë gjurmë të pashlyeshme ndarja para kohe e djalit të tij në vitin e mbrapshtë 1997, ngjarje që e shkruan me dhimbje të madhe prindërore e njerëzore. Poezia e Beshir Calës ka rimë dhe ritëm, ka figura artistike që nuk i kemi parë më parë. Një vend të veçantë në libër zënë poezitë e shkurtëra me katër vargje, karakteristikë e poetëve me thellësi mendimi dhe forcë shprehëse maksimsle, ku brenda katër vargjeve lexuesi gjen të shprehur ide dhe subjektin e një romani. Poezi si “Unë dhe qyqja”, “ Gjaku i dashuruar i burrit”, “Pritja”, “Shpulla”, “ Rinia ime”, “Fati”, “Aromë gruaje”, “Shpirti i nxirë”, e shumë të tjera të mbeten në mendje për mesazhet që përcjellin dhe gjetjet poetike. Në doni të njihni një njeri duhet t’i lexoni shpirtin dhe shpirtin e shpreh poezia e vërtetë sikurse është poezia e Beshir Calës.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page