top of page

Sakip Cami: Jo 28000, por 28.110 dëshmorë të LANÇ ka Shqipëria


5 Maj, dita e dëshmorëve të LANÇ

Jo 28000 por 28.110 dëshmorë të LANÇ ka Shqipëria

Çdo 5 maj,  ne festojmë ditën e dëshmorëve të Luftës Antifashiste  Nacional Çlirimtare të Shqipërisë. Është bërë kjo një traditë , një ritual, një detyrim për të vënë një kurorë me lule në varrezat e dëshmorëve dhe pranë varrit të njeriut tonë të dashur dëshmor. Ata dhanë jetën në lulen e rinisë, ndërsa ne të paktën t’i nderojmë, të vendosim një tufë lule në varrin e tyre të pavdekshëm, tek lapidari, tek  momumenti  i ushtarit  të panjohur, tek monumenti Nënë Shqipëri. Kjo ditë është shënuar në kujtim të rënies së  heroit  Qemal Stafa  më 5 maj të vitit 1942.

Në nëntor të vitit të kaluar kremtuan 75 vjetorin e çlirimit të vendit, pas katër ditësh e gjithë bota kremton 75 vjetorin e fitores mbi fashizmin. Shqipëria, në saj të gjakut dhe të luftës së këtyre djemve vajzave që dhanë jetën gjatë Luftës së II Botërore kundër nazistëve dhe fashistëve, renditet sot në krahun e fitimtarëve, në krahun e anglo –amerikanëve. Por fatkeqësisht nuk kanë mbaruar përbaltjet ndaj dëshmorëve të LANÇ, në kundërshtim edhe me kodin e shqiptarit për të vdekurit dhe për të rënët. Dëmtohen lapidarët, dëmtohen varrezat, hidhet baltë mbi dëshmorët. Akoma vazhdon debati nëse janë 28000 dëshmorë apo më pak.  Para pak kohësh familja e dëshmorit Riza Titini nga Dibra zbuloi në Gjermani , me ndihmën e emigrantëve që jetojnë atje, eshtrat  e dëshmorit të rënë 75 vjet më parë në Kampin e Mat’hauzanit. 75 vjet pa varr ky dëshmor. Po sa ka të tillë ?

Përgjigje të plotë për numrin e dëshmorëve  të LANÇ  ka dhënë Dalan Buxheli me studimin e tij nga arkivat shqiptare dhe ato të huaja. Dëshmorë të shpallur nga Pushteti vendor në rrethe e bashki dhe nga Ministria e Mbrojtjes  sipas dokumenteve ligjore  janë  9470. Shtetas  antifashistë shqiptarë të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët janë 6436. Të asgjësuar në 23 kampet gjermane (pa varre) për të cilët paguan shpërblim shteti gjerman janë 11.200. Të asgjësuar në kampet në Greqi (pa varre) janë 50. Të asgjësuar në kampet në Itali (pa varre) janë 70. Të asgjësuar në kampin e Mathauzenit (pa varre) janë 351. Të asgjësuar në kampin e Aushvicit në Poloni (pa varre) janë  32. Të asgjësuar në kampin e Prishtinës (pa varre) janë 168. Të asgjësuar në kampin e Zemunit në Jugosllavi (pa varre) janë  162. Të asgjësuar në kampin e Bitolës në Maqedoni (pa varre) janë 144. Të asgjësuar në kampin e Strugës në Maqedoni (pa varre) janë  27.

Numri i përgjithshëm i të rënëve direkt në luftë dhe i të vdekurve në kampet e shfarosjes  të nazizmit  është   28.110.

Është koha për reflektim dhe për të nderuar dëshmorët e atdheut, për të nderuar njëri tjetrin.

Sakip  Cami

21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page