Sakip Cami: I studiuar nën këtë prizëm si na paraqitet Skënderbeu?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 5 min read

Mendime të Heroit të Popullit Qemal Stafa për studimin e figurës madhore të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu[1]
Nga Sakip Cami
Ndërmjet krijimtarisë që na la Heroi i Popullit Qemal Stafa është edhe studimi mbi figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me titull: “Portreti i Skënderbeut”, shkruar në maj të vitit 1939. Ndonse shkruar para 86 vjetëve, ky studim tingëllon aktual edhe sot.
Njerëzit e mëdhej si pjellë e kushteve shoqërore – ekonomike dhe historike, shkruan Qemal Stafa në studimin e tij, janë të lindun në një rreth të caktuar. Ata, të lindur në kushtet historike – shoqërore të kohës që jetuan, kanë qenë shprehja ma mishëruese e aspiratave të rrethit shoqnor në të cilin kanë lindur dhe kanë ushtruar një forcë mbi zhvilimin e ngjarjeve. Prandaj njerëzit e mëdhenj...duhen studiuar si gjithë fenomenet e tjera historike, politike e shoqërore, domethënë duke studiuar rrethin ku kanë lindur, atmosferën që ka mbështjellë trajtimin e karakterit të tyre, vendin ku kanë zhvilluar të gjithë aktivitetin për të cilin ata cilësohen si të mëdhej.
I studiuar nën këtë prizëm si na paraqitet Skënderbeu?
Si njeri i zakonshëm?!
Dikush do të mendojë se portreti i këtij burri do të pësojë një rënie, nëse e ulin në shkallën e njerëzve të zakonshëm. Kjo nuk qëndron. Rëndësinë e një njeriu, vlerën e një personi historik nuk e përbën fakti se ata nuk u ngjajnë njerëzve të tjerë, por pikërisht në këtë qëndron pika e zjarrtë e naltësimit të tyre. Ata qenë njerëz që patën gëzime e idhnime , fatkeqësi dhe lumtuni, si të gjithë të vdekëshmit. Përndryshe, në vend që t’ua shtonte vlerën, do t’i bante qesharakë si zotat e mitologjisë greke.
Të gjithë jetëshkruesit janë të një mendimi mbi cilësinë kryesore të Skënderbeut : ishte një prijës ushtrie i zoti. Legjenda pastaj na e zbukuron dhe ma tepër kur thotë se kishte le me shenjë. ...Edukata që mori në oborrin e Sulltanit, luftat e vazhdueshme që bani kundër turqve, na provojnë këtë mejtim, shkruan Qemali në studimin e tij, i pari që na vjen si gjini e tillë.
Zotësia strategjike e Skënderbeut përbahej nga tri cilësi kryesore:
· njohja e thellë e ushtrisë dhe e mjeteve luftarake otomane,
· njohja e tokës dhe e psikologjisë së luftëtarit shqiptar
· zotësia e organizmit
Skënderbeu e njihte mirë ushtrinë osmane sepse që në fëmijni kishte marrë pjesë në ushtrimet luftarake të ushtarëve, që në atë kohë i shtinin tmerrin botës europiane.Perandoria e madhe Osmane edukon nji princ të madh, që më vonë do të bëhet armë kundër saj. Me shpresë se do të mundte me e shfrytëzuar në dobi të vet, përgatiti një vegël kundra vetvehtes...Skënderbeu tue njoft vlerën e ushtarëve osmanllij, organizmin e kuadrove të ushtrisë perandorake dhe gjendjen e përpiktë të armatimit të tyre, mundi me i drejtue mësymjet e tij në mënyrë që mungesën e luftëtarëve të tij e zëvendësonte me përqëndrimin e fuqisë në drejtim të pikës më të dobët të armikut, gja që e njihte ma së miri. Këtu dalin në pah edhe njohuritë e Qemalit në fushën e organzimit ushtarak.
Skënderbeu si bir i popullit të tij
Skënderbeu ishte një princ i lindur në malet e Shqipnisë. Kjo nuk kishte një kuptim të zbrazët për të; kjo do të thotë njohjen e vendit pëllambë për pëllambë. E me të vërtetë Skënderbeu, bir i ndershëm i maleve të kësaj Shqipnie të vorfën, e njihte vendin e vet, sepse Skënderbeu nuk ishte mbyllë në pallate maharaxhahash, po kishte jetue në mes të popullit, në mes të fshatarëve të mirë e punëtorë të kësaj Shqipnie të dashun...Kështu toka shqiptare nuk ishte për të vetëm një fushë për me zgjanue pasunitë, por ishte toka ku kishte lindë, ku kishin jetue dhe ku kishin vdekë të parët e tij. E donte këtë tokë, e dashunonte me gjithë zemër, me zjarrin dashunues të një djaloshi tetëmbëdhjetë vjecar. Para se me durue dhunimin e varreve të të parëve të vet, para se me pranue përuljen, ai pranonte me ba fli qetësinë e tij vetjake, atë të popullit të tij. Mbas një princi të tillë që ka jetue dhe ka vuajt me popullin e vet, kush nuk shkon me vdekë !?
Përse populli, kjo masë e cuditëshme, e zonja për mrekullitë dhe baballëket ma të mëdha, vetëm në nji vend është i pagabueshëm: ai i njeh ata që e gënjejnë, i gjykon dhe i dënon. Don me gjithë nshpirt dhe vdes për ata që punojnë pa dallavere, në të mirën e tij. Këtu po të bësh një paralelizëm me kohën e sotme, me politikanët e sotëm, me qeveritarët e sotëm që luftojnë për pushtet jo për të qeverisur mirë në favor të popullit, por për të bërë para e pasuri në dëm të popullit.
Zotësia e organizmit dhe zgjedhja e komandantëve vartës.
Asht e pamohueshme se potenciali luftarak i një pakice të organizuar, do me thanë e inkuadrueme në rregull e disiplinume dhe e bindun, asht shumë ma e naltë se nji turmë e madhe dhe e shkatrrueme. Skënderbeu e kishte kuptue këtë të vërtetë: prandaj ai zgjidhte kuadrot jo tue u nisë nga parimi i stërgjyshnisë, por tue vërejtë trimërinë, ushtrimin dhe zotësinë e drejtimit. Sepse Skënderbeu i zgjidhte oficerët vetë dhe nuk donte që të ishin të vlefshëm vetëm për me ba paradë. Përsëri këtu kemi një përfundim të saktë për mirëqeverisjen dhe zgjedhjen e vartësve nga udhëheqësi, jo në saj bindjeve partiake, as me trashëgimi brezash, por me meritokraci, që për hir të së vërtetës është vetëm term formal.
Skënderbeu si diplomat ?!
Nji anë, gjer më sot e pagjurmume mirë nga jetëshkruesit e Skënderbeut asht zotësia diplomatike e tij. Jemi mësue me e kufizue admirimin tonë vetëm te Skënderbeu luftëtar, të gjitha cilësitë e tjera kanë qenë të mbizotnueme nga kjo cilësi kryesore. Por Skënderbeu si diplomat paraqet një interes shumë të madh. Përvec disa sqarimeve mbi zotësinë dhe inteligjencan e vet, Skënderbeu na jep hollësi të mjaftueshme edhe për kuptimin e pozitës politike të Shqipnisë së asaj kohe. Dhe me të vërtetë, kohët e fundit studiues të apasionuar, edhe me paratë e veta kanë gjurmuar në arkivat e vatikanit, Vendedikut dhe Napolit dhe kanë zbuluar qindra dokumente e eletërkëmbime me liderit e shteteve të asaj kohe.
Më shumë kemi pa anët kryesore të Skënderbeut, të Skënderbeut historik, të kapedanit trim që na pëlqen ta parafytyrojmë me trup të madh, shpatulla katrore e me mjekër të gjatë.
Po Skënderbeu njeri?
Skënderbeu fëmijë, djalosh, dashunues, baba fëmijësh ? Këtë e lanë në heshtje jetëshkruesit egoistë të zatetun kryesisht nga dëshira të na paraqesin luftëtarin. Janë për t’u studiue castet e idhnimit, të dëshpërimit, fatkeqësive.
Një njeri që të gjithë jetën e kalon në luftë të përgjakshme, a nuk andërroi ndonjiherë me u gjet pranë të vetve e me shijue , në nji natë dimni, ledhatimet e Gjonit të tij të vogël, ngrohtësinë e vatrës familjare, ngushllimin e fjalëve të ambla ? Apo ky njeri, i rreshun ndër lufta, nuk pati ndonji cast dobësie kur pa bashkëpunëtorët e tij ma të mirë që e tradhtuan, shokët e tij ma trima që ranë në luftë ? Kush i ka studiue lotët e heshtun që ka derdhë Skënderbeu trim, larg fushës së betejës, kur mendonte fatkeqsitë e vendit të tij ? Pse Skënderbeu cdo ditë mendonte me zemër për të ardhmen e vendit të tij ? Po të zbulojshin ndonjë epistolat të tijin do të na vlente për me njoftë anën njerzore të heroit tonë. E do ta donim ma shumë Skënderbeun nga zotësitë e tij, nga trimëria e rrallë, nga bujaria e zemrës.
Dhe në fund të studimit, Qemal Stafa jep përfundimin se nga roli historik që ka luajtë mbi fatin e Kombit tonë, Skënderbeu ka mbetë dhe asht nji simbol: simboli i mundimeve të Kombit tonë, simboli i aspiratave të nji populli martir, që vuajti gjatë shekujve.
[1] Është ruajtur gegnishtja, njëlloj sikurse e ka shkruar Qemal Stafa
Comments