Sakip Cami: Fejton
- Jun 6
- 2 min read

Në një promovim libri
Fejton
Nga Sakip Cami
A ju ka qëlluar të ndodheni në një promovim libri ?
Mua po, bile shpesh.
Ulem në fund të sallës dhe dëgjoj.
Për këtë kam shkuar, për të dëgjuar dhe për të përfituar nga më të diturit.
Në rradhën e parë të sallës janë politikanët, deputetët, bashkiakët.
Në rradhën e dytë janë familjarët e autorit që ka shkruar librin e tij të parë kushtuar një familjari të tij, fisit apo fshatit të tij që janë pa asnjë mëdyshje më të permendurit në Shqipëri. Në rradhën e tretë janë të ftuarit më pak të rëndësishëm dhe në rradhën e katërt familjarët dhe pjestarët e tjerë të fisit që janë të mërzitur së tepërmi për rradhitjen në rradhën e katërt. Në fund të sallës ndonjë gazetar, shkrimtar që mendon sikurse unë se mund të përfitojë nga promovimi. I pari e merr fjalën deputeti, i cili si pa diplomë që është flet për autorin si anëtar i devotshëm partie sepse librin nuk e ka lexuar, se ai nuk ka lexuar asnjë libër në jetën e tij. I dyti e merr fjalën kryebashkiaku, i cili kërkon ndjesë se nuk e ka shpallur akoma qytetar nderi. Në fund e kërkon fjalën një poet prej së vërteti, i cili dëshiron të japë mendimin e tij. Drejtuesi i promovimit i drejtohet sallës: “pjesëmarrës të nderuar, është një poet atje në fund të sallës që shkruan vjersha, a jeni dakord t’ja japim fjalën, të flasë vetën një minutë se koha ka mbaruar. Më pas librat shpërndahen falas dhe fillon koktej. Koktej është dasëm e vertetë me uiski, red bull, verë, birrë, copa sallami e djathi, fruta e ëmbëlsira.
Disa hanë si të babëzitur. Për këtë kanë ardhur. Vetëm për pak minuta zbrazet gjithçka.
Rreth tavolinës së boshatisur dikush që i ka rënë uiski në kokë bën vërejtje duke ngritur zërin se nuk pati raki BMV (të bërë vetë).
Pastaj njerëzit shpërndahen dhe disa prej tyre hedhin në koshat e plehrave librat e dhuruar. Sakip. Cami ◦








Comments