top of page

Sakip  Cami: Beteja e Çanakkalasë, (Galipolit), Ataturku dhe luftëtarët shqiptarë


 

Nga Sakip  Cami

 

Beteja e Galipolit/Canakkalasë është një fushatë ushtarake që u zhvillua në gadishullin turk të Galipolit gjatë Luftës së Parë Botërore midis 25 prillit 1915 dhe 9 janarit 1916. Vendi i betejës ishte një gadishull shumë i rëndësishëm brenda Perandorisë së atëhershme Osmane dhe siguronte kontrollin mbi rrugën detare për në Perandorinë Ruse, aleate e Anglisë dhe Francës në Luftën e Parë Botërore . Me synimin për ta vënë nën kontrollin e tyre, aleatët rusë, forcat e bashkuara Perandoria Britanike dhe Franca nisën një operacion amfib në gadishull me synimin për të avancuar dhe më pas për të kapur kryeqytetin, Stambollin.

 Sulmi detar u zmbraps dhe pas tetë muaj luftimesh dhe viktimash të mëdha nga të dyja anët, forcat pushtuese u tërhoqën në Egjipt.

Përpjekja ishte e pasuksesshme dhe rreth 131,000 ushtarë u vranë dhe 262,000 u plagosën në të gjithë betejën.

Fushata ishte e vetmja fitore e madhe osmane në luftë. Në Turqi, beteja konsiderohet një moment vendimtar në historinë e kombit, si një ngjarje në mbrojtjen përfundimtare të asaj që kishte mbetur nga perandoria e madhe në një kohë kur ajo ishte e ekspozuar ndaj sulmeve të shumta aleate. Fitorja në Galipol i hapi rrugën luftës së Turqisë për pavarësi, thyerjen përfundimtare të aspiratave territoriale të vendeve fqinje dhe shpalljen e Republikës së Turqisë, tetë vjet më vonë, me Mustafa Kemalin si president.

Në burimet turke kjo betejë quhet Çanakkale Savaşları (Beteja e Çanakkalës, drejt qytetit Cakanakkale në jug, ana aziatike e Dardaneleve), ndërsa në burimet amerikane quhet Fushata e Dardaneleve . Në Francë , Australi dhe Zelandën e Re , beteja quhet thjesht Gallipoli.

Luftëtarët shqiptarë u rreshtuan peërkrah Turqisë, Austro-Hungariseë dhe Gjermaniseë sipas interesit tê tyre sepse një humbje e Turqisë rrezikonte copëtimin e saj dhe gjithashtu copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Historiani turk Ebubekir Sefouglu shpreh çudinë se “ishte Shqipëria që u çlirua nga Turqia në vitin 1912 dhe nga ana tjetër ishin po ata shqiptarë që shkuan në vitin 1915 në Turqi për të luftuar në betejën e Çanakkalasë”.

Në fakt, shqiptarët nuk shkuan të shpëtojnë Turqinë symbyllurazi, pasi ata ndodheshin tashmë në Turqi,  “falë” deportimeve serbo-malazeze që nga viti 1878 dhe që u intensifikuan në vitet 1912-1913.

Akoma edhe sot nuk ka dalë në dritë asnjë dokument, i cili vërteton që të jenë nisur trupa të rregullta nga Shqipëria për të luftuar për Turqinë!

Në varrezat e shqiptarëve shkruhet vetëm emri i vendit të origjinës së tyre, por jo emri i tyre.

Bashkëkohësi i Mustafa Qemal Ataturkut, Ismet Toto,  në librin e tij “Ataturk” shkruan se kur plasi Lufta e parë Botërore, Turqia u gjend në anë të Gjermanisë. Ndikimi gjerman në Turqi ishte deri na atë pikë sa ushtria Turke organizohej nga ushtarakët gjermanë. Mustafa Qemali në atë kohë ishte atashe ushtarak në Sofie, por u thirr nga Gjenerali Gjerman Liman Von Sander për të drejtuar këtë operacion të vështirë. Mustafa Qemalit ju besua Divizioni në pjesën Jugore të Galipolit, e cila zotëron hyrjen në ngushticën e Dardaneleve. Për këtë emërim nuk ishte dakord kryekomandanti turk Gjeneral Enver Pashai, i cili nuk e donte Mustafain, por nuk kishte se cfarë t’i bënte Gjenralit Gjerman. [1]

Skena luftarake e Hellespontit (shiko hartën), një vend i caktuar prej natyre për të bërë goditje të përgjakëshme popujt e të dy kontinenteve, është një nga ata më tronditëse që pati Lufta e parë Botërore.

Divizioni i Mustafa Qemalit është i vendosur në “Maidos”, një vend në JP të Galipolit, pak më lart dhe karshi Canakkalasë. Ushtria turke e ndarë në 3 divizione drejtohet nga gjenerali gjerman Liman von Sanders.

Më 25 prill 1915 anglezët zbarkuan me trupat e tyre detare dhe tokësore. Trupat turke kishin marrë urdhër që të mos kundërvepronin menjëherë, por pykëzimi anglez në Conuk Bair e detyroi Mustafa Qemalin që të kundërpërgjigjej. Kështu ndodhi përplasja e të dy ushtrive, por pa mundur asnjëra që të avanconte. Lufta vazhdoi gjatë dhe cdo ditë ja shtonte autoritetin ushtarak Mustafa Qemalit dhe besimin ushtrisë turke. Gjenerali Gjerman kishte besim të plotë te Mustafa Qemali. Ai e kishte etiketuar atë “udhëheqës”. Në gusht 1915 anglezët po përgatitin një mësymje përfundimtare për të pushtuar Galipolin dhe për të kapur Stambollin. Turqit ua kuptojnë planin luftarak. Në aspektin e terrenit më të rëndësishme janë dy maja në dy fshatra të vogla që quhen Anafarta. Kush kap këto maja, ka kapur suksesin, ka fituar betejën dhe gjithë luftën e Canakkalasë.Vazhdojnë mësymjet e të dy ushtrive për disa ditë me rradhë, që shoqërohen me humbje të mëdha në njerëz dhe në teknikë. Artileria angleze dhe ajo australiane vazhdon të godasë fort pozicionet turke. Është e pamundur që të dalësh nga pozicionet, nga instikamët dhe të sulmosh.

-Nuk do të dilni nga llogoret, nuk do të sulmoni pa u thënë unë, u thotë ushtarëve Mustafa Qemali dhe vetë shkon përpara  me  zvarritje e fshehtësi dhe kur vlerëson momentin e arsyeshëm, ngre krahun lart dhe thërret:”Përpara!” Në atë cast del e gjitha ushtria turke nga istikamet dhe e mbulon fushën e luftimit. Anglezët nuk mund të bëjnë gjë tjetër vecse të tërhiqen. Kështu u mbyll kjo betejë e gjatë dhe e përgjakëshme me fitoren e Turqisë dhe me lavdinë e një heroi që ishte Mustafa Qemali, i cili tetë vjet më vonë do të bëhej President i Republikës së Turqisë. Populli i vuri nofkën “shpëtimtari”. 

Kjo ishte një nga betejat më të medha në luftën e parë botërore. Nga njëra anë luftonin ushtritë Angleze dhe Franceze dhe në anën tjetër luftonte ushtria Turke me ndihmë nga Austro-Hungaria dhe Gjermania. Ushtria turke numeronte rreth 250.000 vete ndersa kampi tjeter rreth 450.000. Në fund të betejës, Turqia fitoi. Rreth 280,000 ushtarë vdiqën për shkak të kesaj lufte. Divizioni i 19 i Armatës së Turqisë në Betejën e Çanakales komanduar nga Ataturku sipas dëshmive të studjuesve dhe historianëve përbëhej kryesisht nga shqiptarët , të cilët lanë në fushën e luftës 25000 luftëtarë.


[1] Ismet Toto, Gazi Kemal Ataturk, Toena, 1998, faqe 35

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page