top of page

Sa lart jeni ngritur...


Sa lart jeni ngritur. Sa lart është shkruar emri juaj i Madh!

Nga Fatmir Terziu


Emri juaj?! Emri… Tashmë është bërë vetëm një grumbull kockash, dhe si eshtra të rënda më varet e shkalavitet nën buzë. Se… e shkuara është ajo që na vari këtë emër në buzë të qeta, të sinqerta, të urta, dashamirëse për të të lakuar e latuar. E shkuara kur na u duke, ishte dhe mbeti një (th)jalë. E shkuara kur kishe arsyen të na thërrisje për të tashmen, që të ndihej emri juaj i pafjalë… Eh, emri juaj.

Unë gjithmonë e mbaja emrin tuaj nën gjuhën time. Në atë vend të vogël, të plaqtë, të lëngëzuar nën gjuhën time. E mbaja dhe i mbaja penge buzët. Dhe nuk mendoja se isha gati të liroja buzët e mia. Nuk isha gati të lejoja të dilni dhe të mërmërisni përgjithmonë, e përgjithmonë. E ndjeja dhe e dija. E dija sepse ky, para ky është një mendim i frikshëm. Mendim i trishtshëm. Po, po mjaft i ngjizshëm. Madje me emra të tillë mund të qepet përkohësisht një botë. Se me emra të tillë jargavitës ne shkatërruam një epokë. Ne shkurtuam mijëra jetëra. Ne shkuam pas qindra vite larg të Tjerëve. Me emra që lakuam dhe u sakatuam.

Do të isha më i ri duke zgjatur krahun tim, ose duke u verbuar nga servilizmi yt, ose duke u ngashëruar në mes të 'miletit' (Popullit të madh) për xhepin tënd të majmë, sepse kjo është thjesht (meta)fizike, që do të thotë asgjë, kam një krah tjetër dhe i kam kujtimet e mia dhe ndoshta mund të notoj mjaftueshëm të arrij në një lloj ishulli ku nuk ka ekran të Madh e të vogël për të na parë. Ndoshta shiriti i ngushtë i kësaj toke do të lejojë që natyra të marrë kontrollin dhe të na tërheqë në krahët e saj të buta, jashtë baltës së madhe kuturu të ngritur nga jargat e servilizmit tënd.

Dhe emri yt do të pështillet. Do të pështillet si mbytësi më i madh i jargërimit. Dhe jeta do të vazhdojë, do të na kërkojë, do të na dashurojë me emra që meritojnë të jenë të tillë. E aty do të jetë dhe Ajo. Ajo jeta ime e mirë. Vetëm Ajo do të më dashurojë… dhe ajo do të më puthë, do të më tregojë rrjedhat e saj me shkëlqim. Aty do të ndjejë edhe kockat „e vdekura“ të peshkut të grumbulluar në sallatëra pjatash të jargavitura …

Emri yt do të jetë shtrojë në dysheme.

Ai, pra emri yt do të jetojë atje përgjithmonë dhe do të zvarritet nga pesha e urrejtjes. Do ta lë atë në një grumbull të grumbulluar në dysheme që të notoj nëpër ajër të marr frymë thellë plotë ujë baltërimi…

E pra nëse do të ishte llucë dhe jeta do të ishte baltërim, do të ishim të gjithë në atë dyshemenë tënde, dhe nuk do të kishte rëndësi nëse ju kemi vlerësuar, ndihmuar që të ngriheni në këtë pikë kaq të lartë, ku nuk arritët dot të shihni as veten tuaj… Apo kjo vërtetë na mediton, vetëm nëse nuk keni ekzistuar dhe ende nuk ekziston?

Ju mbetët në llucë, se mbetët kocka nën gjuhë. Jargët e juaja tashmë janë vetëm bojëra. Vetëm bojëra të fryra nga lojëra që ende nuk i keni kuptuar. Më duket se tashmë jeni në hall? Sa lart jeni ngritur… Sa lart është shkruar emri juaj i Madh!

15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page