top of page

Sa bukur është të jetosh...


Sa bukur është të jetosh... Një shpërthim sa poetik aq edhe filozofik![1]

Arqile Gjata

Si pjesë e një grumbulli pemësh nga vatra ime krijuese, prirem me shumë kënaqësi të lëkundem në mjediset e poezive, me pëshpëritje shpirti të gjej mendimin... e brenda tij të zbuloj se “SA BUKUR ËSHTË TË JETOSH”.

Autori i vëllimit poetik “Përshpirtje”, poeti, përkthyesi, gjuhëtari dhe kritiku Dr. RAMI SAAR nga Izraeli, vjen së fundmi me një buqetë magjiplotë poetike.

Zanafilla e këtij shkrimi nis në një ditë pranvere... pikërisht kur në mjediset tona letrare, mbërrin një djalë i gjatë, me sy të pjekur dhe që askush nuk e njihte...

Dhe ishte Rami Saari, ai që më lumturoi kur e lexova!

***

“Në udhëtim gjithnjë ka bukuri”! Kjo bukuri poetike mbërriti para do kohe, kur miku i R. Saarit, publicisti tashmë i njohur Ilir Mborja na e dhuroi librin e tij me poezi, të titulluar “Përshpirtje”, botuar nga Shtëpia Botuese prestigjoze “ONUFRI”,Tiranë 2017, shqipëruar prej greqishtes nga përkthyesit Bardhul Toda!

Është e vështirë të lexosh “Psherëtimën” e poezisë së këtij autori, t’i japësh frymë, ta ndjesh aureolën e ngjyrave poetike e me to të pikturosh qenësinë, të zbulosh të vërtetat, të ndash realen nga fantazia, të përfshihesh apo të bashkëbisedosh me të për t’u ndjerë pjesë e ekzistencës dhe mos-ekzistencës. Ky vëllim poetik veç vlerave poetike, sjell me poezinë kulturë dhe mirësjellje gjuhësore, gjë që i rrit vlerat poezisë dhe flet me gjuhën e një kulture e tradite ndryshe. Mbart në vetvete të tilla shprehi dhe nënkuptime që lidhen drejtpërsëdrejti apo tërthorazi me kulturën e popullit, të cilit poeti i përket.

”Kultura e gjuhës është kujdesi për të zhvilluar në gjuhën letrare ato veti, që janë të domosdoshme për funksionimin e saj të veçantë”,[2] shprehet i nderuari Vangjush Ziko.

Sot, në këtë kumtesë, po e nis bashkëbisedimin poetik nga larg...

Gjatë këtij kumtimi, më duhet të përzgjedh ato qasje, parime dhe forma poetike që poeti Saari më ka befasuar me këtë vëllim poetik. Në këtë vëllim poetik del i qartë identiteti i tij social, kulturor e gjuhësor. Çdo fjalë, çdo varg, çdo poezi, ka forcën shprehëse dhe “Unin” e tij krijues, ku modernia dhe njëfarë “hermetizmi”, e veshin poezinë, me një vel transparent poetik, sa të bukur aq edhe tërheqës për sytë e lexuesit duke të joshur me lojën e fjalës e duke nxjerr në pah atë aftësi krijuese të poetit e cila e rendit atë në krijimtarinë e poezisë izraelite.

I përmotshëm[3]

“Mbi fytyrë, të freskëta/lulëzojnë barishtet./Në krahun e djathtë,/çelin lulëkuqet./gjurin e majtë,/ma çukisin pulat./Të gjithë miqtë e mi thonë:/Sa bukur është të jetosh”.

Vërtetë kemi një vepër arti poetik. Poeti ngrihet mbi sublimen, imazhet janë sa të prekshme, aq dhe me mendime shtresore, triumfon e bukura... poeti ynë është optimist, e do jetën, di të qeshë e të luaj me natyrën...në pak rreshta përmbledh “fytyrën”, “krahun”, “gjurin” dhe i ndërthur me elemente të natyrës si “barishtet”, “lulëkuqet”... me të cilat skalit poezinë dhe bënë të dashurohesh me peizazhin e përfytyruar, pavarësisht metaforës se fuqishme, jetës dhe vdekjes. Madje edhe me shpezë si “pulat”, dëshiron të tregojë se ato janë miqësore, prodhimtare, të qeta, etj., etj., duke përcjellë mesazhe të mira, mesazhe që njerëzit me të tilla shpezë jetojnë dhe kanë përfitime. Aq më tepër jeta është e bukur me miq shumë... Shprehja kuptimplote “Sa bukur është të jetosh” vjen si një sintezë e lidhjes së ngushtë e natyrës me njeriun, me jetën dhe vdekjen, me ekzistencën dhe mosekzistencën, me tokën dhe bimët, me botën materialiste e shpirtërore, ku ai di ta vlerësojë atë çfarë ajo i servir.

Gjykimet, meditimet, shpirti poetik shkrihen midis tyre falë formës dhe nivelit estetik të shprehjes dhe mendimit brenda vargut. Shpesh poeti është pragmatist. Ai parashikon mirë dhe ka një fantazi gjithë finesë, sjell faktin se jeta, vdekja, natyra, njerëzit janë në udhëtim të pandarë... dhe kësisoj e shohim tejet filozofik, ku të lë përshtypjen se e di mirë gjithçka që ndodh, e di magjinë e fjalës dhe shkruan thjesht për të qenë i thellë, sjell imazhe për të marr mesazhe, derdh ndër vargje atë kulturë gjuhësore që poezia të vij e gjallë...di të ndezë shpresë dhe të jetë njëkohësisht real e mjaftë fantazist.

Do të veçoja poezi si:

“Pëshpirtje”, “Portrete”, “Pa Titull”, “Dinasti”, “Los Declarados”, ”Dimitri”,”Tani Po Japin Fruta””Më Duhet Të Iki”,”I Përmotshëm”,”I Burgosuri”,”Dhoma Të Sëmura”, “Fjalët E Fqinjes Sime”etj. të cilat ruajnë “vertikalitetin”(si tërsi vlerash estetike) dhe leksiku është i qëmtuar me qytetarizëm poetik dhe jo më kot po e quaj kështu, për nga vlerat moderne të të menduarit e të shkruarit.

Poezitë e R.Saari janë të mirëorganizuara, nuk mungon kujdesi mbi disa element të veçantë si guximi, çiltërsia e mendimeve, poeti është i hapur, forca e përfytyrimeve, të shkruarit poezi për të është shpirti i tij i madh, mendimi filozofik i nënkuptimeve për të arritur tek domethënia, metaforat e forta gjithë jetë...komunikimi i arritur me lexuesin e tij.

Po të vesh re me kujdes, vargu i Saarit vjen si një “kreshendo”... në fillim i qetë, “Mbi fytyrë, të freskëta/lulëzojnë barishtet”; vazhdon me një paralelizëm natyror në ngritje(nga barishtet tek lulëkuqet) “Në krahun e djathtë,/çelin lulëkuqet”; rritet mendimi kur e ndërthur me “Të gjithë miqtë”, madje rritet akoma kur vetë poeti bashkëbisedon me ta “Të gjithë miqtë e mi thonë” dhe shpërthen me vargun sa kuptimplotë aq edhe rënqethës.

“Sa bukur është të jetosh”...ka muzë, ka vrull e shpërthim, ka mendim, metaforë, fantazi, filozofi, shprese e dritë, gjithë botën ka!

Një foto Me autorin e librit poetik “PËRSHPIRTJE” RAMI SAAR!Me poeten Klarita Selmani, Pedagogu, poligloti dhe poeti Rami Saar,Poeti Grek Kristo Tumanidhis dhe A.Gjata

“Imazhi Poetik” dhe “Jehona Filozofike”

Poeti Rami Saari përdor më së miri imazhet poetike si reflektime të gëzimeve, apo hidhërimeve, si ndjesi që funksionojnë brenda qenies së poetit. Ato natyrshëm, në tërësinë e tyre, i japin poetit jetë e shpresë. Ai i përjeton dhe me to krijon fabulën, thur dramën, ngre peshë shpirtin e lexuesit dhe hipotezat apo ambiguitetet i bën iluzione të vërteta e të dashura. Shpesh krijimet e Saarit janë aq të ndiera sa që krijojnë përshtypjen se ai qëndron i përlotur brenda metaforës së tij. Kuptimi filozofik ndërthuret me metaforën dhe fraza e përdorur ka dimensionin e një përfytyrimi të brendshëm sa tragjik edhe komik. Kur thotë: “Qiparisat po rrjepin retë “ , ka aq shumë për të diskutuar e analizuar, sa që ngarkesa emocionale të vë para dilemash të tilla dhe vlerash filozofike, gjuhësore për nga trajtesa që i bën leksikut sipas unit të tij të veçantë, me karakteristika dhe një kulturë të shprehuri unik në artin e fjalës. Vete qiparisat kanë madhështinë e krenarinë e një peme kryelartë. Por njëkohësisht janë domethënie e tragjikes si pjesë e shpirtrave që prehen në tokën e të shumtëve. Te thuash “rrjepin retë”, një njësi frazeologjike kjo, shume e goditur ku filozofia e saj aludon për një lidhje hyjnore mes tokës e qiellit, dhe pikërisht atij ”me re”, ndihet vala shpërthyese e problematikave ku ambiguitetet e përdorura sjellin nënkuptime të cilat trajtohen poetikisht në disa forma dhe këndvështrime, jo si fenomene, por si trajtime monumentale, si art me elemente të tragjikes që spikasin në poezinë e këtij poeti.

Në botën krijuese të këtyre poezive, këto vlera filo-tragjike, marrin ngarkesat të forta emocionale dhe dhimbjet, nostalgjitë, kujtimet, përjetimet, ndodhitë jetësore... etj., bëhen pjesë e retorikës për t’i dhënë poezisë dinjitet dhe vlerë gjuhësore e filozofike.

Këto lloj prurjesh poetike të këtij vëllimi gjenden të shpeshtuara: “në malet e nostalgjisë/dhe struken në folen jugore të trupit/...në një jetë ku hija jote e dobët/shfaqet në sytë e hapur të natës.[4]

“Qiparisat po rrjepin retë në dritaret e sallonit që njohe,/dhe darkave errësirën sjell, e përmbytjen e vjeshtës së droguar.”[5]

.“Po unë të takoj sërish pafundësisht,/i dashuruar dhe i copëtuar/larg nga vetja,/në atdheun tim natë”[6]

Një tjetër vlerë e këtij vëllimi poetik përbënë raporti i ndërsjelltë i elementeve, se si gjykimet dhe mendimet lidhen midis tyre, me atë që nënkuptojmë(si lexues)! Poeti e ka dëshirën ti marri në krah drejt një “zogu që ndali veç për një të vetëm çast,/ iku kaq shpejt sapo i hodha sytë.”[7]

F.Garsia Lorka zbulon magjinë e gjuhës poetike... Dhe studiuesi M,J. Paljakov shprehet “Gjuha nuk është vetëm forma, por dhe përmbajtja e gjuhës poetike.”

“Gishtrinj të bukura prodhohen në Indi, por ç’rëndësi ka?/Në udhëtim gjithnjë ka bukuri.”[8]

-Gjithë vëllimi poetik, ka si mbulesë, si veshje që i rri mirë poezisë së Rami-ut, fenomenin e ngjyrimeve. Gjithçka në poezinë e tij, shoqërohet më së miri nga një kulturë gjuhësore për t’u patur zili...

-Frazeologjizmat e ëmbëltojnë dhe e thellojnë semantikën e fjalëve e të shprehjeve në këtë vëllim poetik të Rami-ut.

-Por, do të shtojë se nuk mungon as ritmi. Borgesi shprehet: “ nuk mund të ketë vargje pa muzikë, një vargu nuk mund t’i mungoj ritmi.”

-Në librin poetik që po trajtojmë, ritmi dhe muzikaliteti i vargut vjen natyrshëm dhe trazohet me frazën…, ështëlexuesi ai që e prek.

“Mbi të çarat e shiut/gjendet gjithënjë i njëjti maçok i zi dhe i lagur/mbathur katër palë pantofla të bardha/në kërkim të zogjve të paqenë,/apo të një copëze të palagur qielli.”[9]

“Duhet të iki, më thua,/dhe veshur ke pallton e zezë të natës./Pemët në oborrë janë mbushur tër shi dhe vjeshtë,/të paktën këto duken nga drita e zezë e verandës.![10]

“Në pritje të kësaj feste të madhe/qengji ende kujton se do bëhet kurban./Viktima pret Perëndinë, ndërsa shiu pret me tokën,/të takohet.”[11]

“Trashgimtari i Sim-it do të endej gjithandej/nëpër botë,/pa emër, banor veçse i trupit të tij.”[12]

“Rreth tyre vetëm perëndia e gjelbër, dhe heshtja/Zëra të papritur përshkojnë nga një herë heshtjen:/jam një ari i burgosur në kaliben e pyllit,/ ku grumbulli i pemëve më akuzon!/Kështu tha heshtja e thellë dhe dera u mbyll.”[13]

Është fat, bukuri të lexosh vargje me kaq ngjyrime, sa që,”mosha jonë tjetërsohet me dashurinë”. “Ashtu si stërgjyshërit tanë,/.më rrënjë të përgjakura,/me thonj të mbërthyer mbi mishin e botës,/përshkojmë lumenjtë të tmerrshëm,/ në udhëtimin drejt brigjeve të Palestinës.”[14]

- “Të lozësh me kuadratet artistike të vargut...”[15] Mesa duket, ky model estetik, kërkon dhe njohës shumë të mirë të poezisë botërore dhe me siguri Profesori dhe poligloti Rami Saari e ka këtë dhunti...

Dhoma të sëmura

“Aty brenda,larg prej qiellit dhe pranë me tokën,

Largogohesh nga toka dhe qiellit i afrohesh,

duke prekur lakuriqësinë e tjetrit dhe të vetes”[16]

Dhe vërtetë, këto “kuadrate”(jo gjeometrike),por një lojë poetike mes vargjeve, ku filozofia dhe shumëkuptimia ndërrojnë role, por aspak kuptimin. Këto lloj prurjesh poetike janë të prirura ta vënë lexuesin në meditime...

Nga poezia emblemë e librit, “Përshpirtje” dhe në tërësi, është një lojë artistike me vargun, me figuracione të shumta. Ja disa vargje:

“Qiparisat po rrjepin retë në dritaren e sallonit që njohe,

dhe darkave errësirën sjell, përmbytjen e vjeshtës së

dërguar.

Ngadalë, përballë nesh, ecin miqtë e zgjuar të qetësisë,

dhe ti me ne je, qoft dhe pas një muaji,

në vendin e largët dhe ndryshe nga i yni,”[17]

Jo vetëm si poet e studiues i fjalës por edhe si lexues duke u lëkundur në mjediset e poezive të R.Saari unë ndjej një plotësi përfytyrimesh e bëhem pjesë e kësaj jete që pikturojnë “miqtë e zgjuar të qetësisë” dhe njëkohësisht marr e përcjell mesazhe ku zbuloj pa dyshim thellësinë filozofike...si pandehma e kompozime që identifikojnë vlerat estetike të autorit..

Në këto rreth 60 poezi është shprehur qartë, me shkathtësi krijuese dhe kap gjithë spektrin e ngjyrave me domethëniet kuptimore të tyre.

NGA ARQILE V GJATA Athinë,Gusht 2017

[1] Botuar në Revistën Letrare “ILLZ”, Numri,7, Tiranë, 2017. [2] Vangjush Ziko, “Mbi gjuhën poetike e perspekivën e saj”, 2016 [3] Poezi, fq 21. [4] Kthim, f. 19 [5] F. 19. [6] F. 20. [7] F. 17. [8] F. 14. [9] Poetesha”, f. 65. [10] “Më duhet të iki”, f. 55. [11] [12] Dinasti”, f. 41. [13] Dhimitri”,f,47. [14] Vepra po aty. [15]Vepra po aty. [16] Përshpirtje”, f.15. [17] F. 19

46 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page