top of page

Ruzhdi Jata: Ky është një libër që duhet kërkuar

  • Feb 8
  • 3 min read

“Argumentum Baculinum” (Argument Shkopi) Vëllim me tregime nga Fatmir Terziu


Nga Ruzhdi Jata

 

Ky është një libër që duhet kërkuar, nëse dëshiron të lexosh tregime të mira; jo të presësh që autori ta dhurojë. Pikërisht për këtë arsye falënderoj dhe uroj z. Fatmir Terziu, si edhe Botimet „URA“, që vitin e kaluar kanë bërë zgjedhjen e duhur duke e sjellë këtë vëllim para lexuesit.

Po, për kë është ky libër? Përgjigjja vjen vetëm duke e lexuar. Në thelb, ai flet për marrëdhëniet shoqërore të njerëzve të thjeshtë, të ndershëm e të respektuar: për profesorin e historisë së letërsisë, për mjekun veterinar, për doktorin human, për qytetarin e zakonshëm. Është një libër për të gjithë. Çdo lexues gjen aty veten: atë që kërkon, atë që i mungon, atë që i duhet në jetë. Por, njëkohësisht, gjen edhe figurën e nëpunësit të paaftë, mediokër e të korruptuar, si të regjimit të djeshëm, ashtu edhe të atij të sotëm. Prandaj ky libër është për të gjithë dhe duhet lexuar nga të gjithë, sepse mbart vlera të padiskutueshme.

Vëllimi hapet me një cikël tregimesh mbi filozofinë e shkopit  “Argumentum Baculinum”, që mban edhe titullin e librit. Populli ynë thotë se shkopi ka dalë nga xheneti. Një simbolikë e gjetur, e bukur dhe thellësisht ironike. Pse? Sepse shkopi është i fortë, por edhe vuan në duart e atij që e mban. Mendja e lexuesit shkon natyrshëm edhe te shkopi i policit, i cili, në rrethana të caktuara, rreh njerëzit për të “mbrojtur shtetin”, ndërkohë që shteti ekziston për të mbrojtur qytetarët e vet.

Satira të tilla shpalosen edhe në tregimet për zinxhirët, gurët, sytë e tjetrit e shumë të tjera. Lexuesi hyn në dialog me veten, sepse autori e fton natyrshëm në komunikim. Terziu i hap udhë mendimit filozofik pa sforco, përmes pasazheve eseistike dhe refleksive, duke e bërë leximin një proces të gjallë e mendimor.

Dimensioni i gjerë letrar i këtij vëllimi dhe tematika e tij e larmishme i japin lexuesit jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe kulturë artistike e njohuri historike. Ato ndihmojnë për të rishikuar të kaluarën me mendjen e së ardhmes, për të shmangur tensionet e brendshme mes individit dhe shoqërisë, dhe për të nxjerrë përfundime sa më të sakta mbi identitetin dhe lirinë individuale.

Koha në tregimet e këtij libri ka hapësirë të gjerë: ngjarjet shtrihen në dy regjime diametralisht të kundërta. Historitë janë jetësore, tregimet janë shkruar me kulturë dhe me njohuri të thella letraro-artistike. Tregimi modern, që zë pjesën më të madhe të këtij vëllimi prej rreth 300 faqesh, është lëvruar me kujdes të veçantë. Ky lloj tregimi po pëlqehet gjithnjë e më shumë nga lexuesi, sepse është më i përshtatshëm për mendimin filozofik, informacionin dhe argumentimin. Ideja dhe mesazhi përcillen më qartë, shpesh në pak faqe. Natyrisht, ky zhanër nuk është i lehtë për t’u shkruar krahasuar me tregimin tradicional; kërkon mjeshtëri dhe njohuri të thella.

Ky stil dhe kjo formë tregimi nuk mbështeten vetëm te forca e imagjinatës së autorit, por edhe te gjuha poetike, ideja e qartë artistike dhe ekspertiza letrare. Kjo e bën tekstin të këndshëm për lexuesin, edhe kur është i pashpjegueshëm në dukje, por gjithmonë të mban në kërshëri deri në fund.

Natyrshëm lind pyetja: kush është Fatmir Terziu? Pa përmendur numrin e madh të librave që ka shkruar e botuar dhe pa renditur çmimet e fituara, mund të them me bindje se Prof. Dr. Fatmir Terziu është shkrimtari shqiptaro-britanik që po ecën me hapa të sigurt drejt majave letrare dhe tashmë ka zënë vendin e tij të merituar në letërsinë bashkëkohore shqipe. Si shef ekzekutiv i botimit të revistës “Albanian Post” (Print) dhe “Fjala e Lirë” (online), dua të theksoj se në këto botime gjejnë hapësirën e tyre njerëzit e punës dhe të biznesit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, shoqatat shqiptare, shkrimtarë e poetë, si edhe autorë e botues të suksesshëm nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Kërkoj ndjesë, por dua të ndaj edhe një bisedë private me Terziun, zhvilluar pak ditë më parë. Folëm për cilësinë e botimeve dhe konkurrencën në realitetin e sotëm të tregut të librit. “Rruga e librit drejt lexuesit është e vështirë,” tha ai, “sidomos kur kupton punën e madhe që duhet të bëjë shkrimtari për të botuar libra me cilësi sa më të lartë.” Pikërisht për këtë arsye, më tregoi se prej disa vitesh po punon për një roman të ri. “Dua ta nxjerr shumë të mirë, ose të mos e botoj fare. Nëse libri i ri nuk është më i mirë se ai para tij, më mirë mos e boto, sepse humbet lexuesin tënd.” Kjo, sipas tij, është një këshillë që vlen për këdo. Shkrimtari duhet të jetë gjithnjë në kërkim, me merak për saktësi dhe cilësi të lartë artistike. Por e sotmja dhe e nesërmja shpesh ia prishin planet. Megjithatë, letërsia e vërtetë mbetet.

1 Comment


Guest
Feb 9

Autori i këtij artikulli shfaqet si një lexues i vëmendshëm dhe interpretues i ndjeshëm i veprës që analizon, duke ruajtur një ekuilibër të qartë mes vlerësimit kritik dhe respektit ndaj zërit autorial të librit. Qasja e tij nuk synon thjesht përmbledhjen e përmbajtjes, por thellimin në shtresat kuptimore të tekstit, duke evidentuar elementet stilistike dhe tematike që i japin veprës peshë dhe qëndrueshmëri. Me një gjuhë të matur dhe argumentim të qartë, artikulli krijon hapësirë dialogu mes librit, autorit të tij dhe lexuesit.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page