top of page

Ruzhdi Gole: GISHTRINJ DYLLI

May 29
6 min read

                   (prozë)

 

Tani ka më pak të vërteta ...

Të vërtetat po mbyten shpejt...

*

Mbrëmë na gënjeu kopili, o Alq?

Alqi, përkrah meje, ngriti supet. Shtrëngoi rripat e çantës sportive. Hymë në oborrin e kishës ortodokse afër portit.

-Cili kopil?

-Kopili i qirinjve. I afroi qirinjtë gjithë buzagaz në mbrëmjen përkujtimore. Po u paguan shtrenjtë.

Ata nuk ishin të gjithë qirinj aromatikë. Ca prej tyre m'u dukën qirinj të thjeshtë. Të lirë fare.

-Për kaq mërzitesh ti.?

U afruam tek bredhi dhe pisha afër e afër. Alqi e hoqi çantën sportive nga shpina. Nxorri që andej një kuti me gëlqere dhe një furçë. I la përtokë.Nisi të ledhatoj bredhin me gishtat e tij. Hapi krahët. Sa hapi krahët gishtat e tij prekën lëvoren e pishës.

O Alq - ngrita zërin në thirrore unë. - Po sa i pangopur qënka njeriu.  Pronari i shkroi të gjitha tek pagesa. Mbrëmja përkujtimore zbukuruar e gjitha me qirinj aromatikë. Gjoja...

-Edhe qirinjtë gënjejnë ndonjëherë.

-Gënjejnë qirinjtë? Si e qysh ?

-Digjen shpejt, përgjumen, u këputet fitili dhe nuk ndizen më.

-Kur janë qirinj të lirë po. Ata i gjen gjithkund. Ed9he në varreza.

-Çfarë nuk sheh në varreza : qirinj të shumëllojshëm, të lirë e të shtrenjtë, Mbi një varrezë një karafil, në një

varrezë tjetër plot buqeta.

Alqi hoqi kapakun e kutisë, hodhi pak ujë mbi brumin e gëlqeres, e trazoi me një shkop te shkurtër. Futi furçën, e ngjeu mirë, e fërkoi tek buzët e kutisë dhe nisi të lyej bredhin. Ndërkohë e zgjati paksa krahun nga trungu i pishës. Donte t'i lyente të dy trungjet njëherësh. Pse njëherësh

-Alqi, e ndjejnë aromën e qirinjve të përmalluarit tanë?

-Ndoshta. Ne, të gjallët sikur po i ndjejmë pak e më pak aromat e tyre.

- Të dielën isha tek prindërit. Gjithandej buqeta artificiale, të ftohta, të ngrira. Me ngjyra të stepura, me kërcinj të thatë. Sikur the që gënjejnë edhe qirinjtë? Këtu, në kishë, në  shtëpinë e Zotit. Edhe këtu ndonjëherë të gënjejnë qirinjtë.? - përsëdyta fjalët e mia

-Kisha nuk është selia e zotit, është shtëpia e priftërinjve, me sa di unë. Gjitha kishat nuk janë njësoj. Kambanat e tyre nuk tingëllojnë njësoj. Dhe

priftërinjve njësoj nuk luten.

-Unë u besoj qirinjve kishtarë, lutjeve, Alqi, ndonëse nuk jam i krishterë.

-Si sot çdo fillim muaji sjell vaj në kishë për shpirtërat e prindërve. Ndez qirinj. Por përpara se të hyj brenda në kishë bëj kryqin tek porta e oborrit të saj. Afrohem tek pisha dhe bredhi.

Sa qenkan rritur, hedhur degët përpjetë.

-I kam mbjellë fidanë. Bredhin para 17 vjetësh,pishën tre vite më  pas. Siç e sheh janë afër - afër mpleksur.

-Njeriu vrap, vrap vrapthi...gjersa...Jeta e vdekja mpleksen. Si prindërit e mi.

-Ata na shohin.

-Prehen të qetë. Janë dashur shumë. Ndoshta u ka mbetur ende pak dhemshuri për t'u ledhatuar. Pak, fare pak.

-Unë, o Alqi, dëgjoj plot rrëfime. Rrëfejnë se të ikurit janë mes nesh kujtime. Kaq po, është e besueshme, por jo se shpirtërat e tyre dalin natën nga bota e

përtejme dhe ec e ec nga vorrezat e currilave na afrohen çdo mbrëmje e  hyjnë në shtëpitë tona. Në shtëpitë tona hyjnë insekte, ndonjë zvarranik, tym e të bërtitura mesnate.

Trashëguar qëmoti- qesha unë.

-Hyjnë edhe bletë. Shpejt ato dalin përsëri në kopsht.

-Vikan e rrijnë me ne t'ikurit. O ç'fantazi bote. T'i besojmë një bote tjetër? Bota është si qirinjtë. Aty ndizet, aty ndrit, perëndon.

-Bota s'fiket, Red. Pak nga pak fikemi ne. Ndonjëherë rron bredhi më shumë se njeriu. Rron pisha, miku im. Ja si kjo pishë e ky bredh, këtu, në oborrin e kishës. Mbjell për shpirt të prindërve.

-Degët paskam plot bletë.

-Bletët jane të bekuara.

-Unë, më shumë, i besoj bekimit të pemëve, të bletëve prej Zotit sesa bekimit të tij për njeriun.

-Njësoj, njësoj bekon Zoti, gjithçka. Mbajë mend, Red. Nëse beson. Besohet përhera, përgjithnjë.

Nisën të bien kambanat. Mua, m'u duk sikur ato herë jehonin në rrëzë të veshit tim dhe herë sikur trembnin xhinde përreth. Xhinde njeriu jo nga vetja e tyre. Pas disa tingujve të fuqishëm kambanat ingëllonin më pak të zëshme duke ikur tej nga porti e tek shëtitorja "Taulantia.".

Të dyja kishat, si ajo ortodokse dhe katolike, nuk nguteshin të pushonin e as nuk e nxisnin veten e tyre t'ia kalonin njera-tjetrës me kambana. I urdhëronte Zoti të silleshin kaq paqtë, buzagaz, të mirëkuptoheshin kësaj bote të rrëmujshme e të cënuar keqas para të njëjtit kryq ?

Njerëz hyjnë e dalin nga të dyja kishat, besimtarë të përjetshëm e të çastit, të reja reja e të veja, pleq e plaka me hijen e tyre bastun. Fatmirësisht edhe vajza e djem por edhe ...por edhe ... vëllavrasës, Pse hyjnë ata në kishë, kujt i luten, kush ua lan e shplan mëkatin, kush ua fal?

Në kishë hyjnë edhe bletë, nuk thumbojnë askënd, hyjnë edhe zogj, cicërojnë lehtas, e nuk plasin asnjë glasë. Dëgjojnë, veç dëgjojnë. Kush i solli bletët dhe trumcakët në kishë ? Zoti, njeriu Zot, flladi i erës, vallëzimi i ndonjë dallge? Njerëzit edhe dashurohen në kishë. Ndoshta edhe urrehen...

-Shiko kush po vjen, shiko...- m'u drejtua mua Alqi duke larë e shkundur furçën e gëlqeres tek çezma e oborrit. Gëlqerja tek trungu i pishës dhe i bredhit

zbardhëlloi shpejt, sa hap e mbyll sytë.

-Pronari i hotelit. Mos i kemi mbet' gjë borxh, o Alq ?

-Oooo, këtu qenkeni ju ?-shprehu habinë e tij i sapoardhuri.

Alqi dhe unë tundëm kokat.

-Gjithçka duhet bërë për të jetuar, gjithçka... Pse vij në kishë unë? Zotit nuk  besoj. I besoj fare pak. Fare pak u besoj  edhe priftërinjve. I besoj vetëm qirinjve. Ndonjëherë edhe kryqit.

Si, u beson qirinjve ?- e pyeti i çuditur Alqi. - Qirinjtë ndizen, ndriçojnë shpirtërat, digjen.

-Digjen për t'u ndezur prapë - shpejtoi fjalën e tij pronari i hotelit.

S'e besoj -biu gjegja unë. - Kambana rron kgjatë. Edhe kryqi rron. Jo qirinjtë.

-Rrojnë edhe qirinjtë, rrojnë sëdyti - këmbënguli pronari i hotelit.

Ai, në dorën e majtë mbante një tas të

madh alumini me një lugë të bakërtë. Bëri me ngut kryqin. dhe hyri brenda në  sallën e tejmbushur me tinguj nga muzika kishtare e Vagnerit.

-Si thua Alqi, të varfërit besojnë më shumë a të kamurit?

-Varfëria ka lutjet e saj. Lutet për shëndet, për çati e

strehëz, për punë, për këpucë.

-Për këpucë?

-Fjala vjen ... Ne të dy s'kemi mballoma   por varfëria e ca të tjerëve mbathet keq. 

.-Po i kamuri përse lutet, o Alqi ? - e pyeta unë dhe ngrita supet. Njihja një të kamur që lutej gjys' prej vërteti e gjys' prej gënjeshtre. Secili prej nesh, ndoshta jo secili, njeh një të kamur që jeton tek e vërteta e të pasuruarit dhe pangopshmëria e gënjeshtrës se jeton i varfër.

-S'vumë pasuri as unël, as ti, o lum miku-

më tha Alqi me të qeshur. Alqi, përhera po ai, përhera gatuar me brumin e vet. Asnjë cent nga djersa e tjetrit.

-Dikush lyp, dikush lypet.- iu gjegja unë. Ne s'jemi nga ata.

Nga salla e kishës doli pronari i hotelit duke mbajtur me të dyja duart tasin prej

alumini me lugën e bakërtë mbushur plot me...

Akoma këtu ju? - na pyeti të dyve. - Hytë e dolët nga kisha? Ndezët qirinj? U falët? S'ju pashë.

Ja tani do hyjmë brenda. -ia ktheva unë.

Po ti a ndeze qirinj? A u fale ?- e pyeti Alqi.

-Ja ashtu si gjys' gjysm'. Mblodha parafinën e qirinjve tek vaska e madhe. Ca e ngrirë e ca të përvëlon nga nxehtesia. Më duhet. Blej dhe fije ose edhe atë ia lyp dikujt dhe bëj qirinj të rinj.

Qirinj të rinj ? - e pyeta unë gjithë habi.

Po, qirinj të rinj. Të gjithë të drejtë.  Pastaj mbush plot qirinj mbrëmjen e dasmorëve ose ndonjë mbrëmje

përkujtimore...Si mbrëmë në përkujtimoren e prindërve tuaj.

-Ti gënjen, gënjen! - ia plasi Alqi. - Këta nuk janë qirinj të rinj, por qirinj të zinj.

-Dhjam nga pleshti.- shfryva unë.

-Oooo, ju të ndershmit. Ku ka më të vërteta ?. -

shfryu njeriu i qirinjtë. - Unë përziej parafinë e dyll blete, i spërkas me aroma. Nuk kushtojnë kushedi se ç'ë, por unë ua shes shtrenjtë, sa më shtrenjtë dasmorëve, çifteve të reja, vet priftërinjve. Se edhe kisha për shandanet e  saj qirinjtë e mi blen. I blen me të lekët tuaja.

Fiton dhjam nga pleshti - shfryva unë - Sa i varfër qënke ?

-O ju të ndershmit, o ju ... Tani ka më pak të vërteta. Të vërtetat po treten si qirinjtë.- na qesëndisi njeriu i dylltë duke ecur ngadalë para syve tanë.

Kalimthi pashë shpatullat e tij, kurrizin, prapanicat. Sa s"i pështyva. Njëra shpatull, gjysma e kurrizit dhe këmba e djathtë e tij m'u u bë si një masë e ngurtë parafine. Gjysma tjetër sikur nxirrte nga vetja avuj të nxehtë, që dalngadalë do ftoheshin edhe ato duke ia ngrirë gjithë trupin. Trupin a Turpin ?.

Vesi s'ka të bëj me besimin a mosbesimin, s'ka të bëj me fenë a fetë. Vesi ka të bëj me njeriun. Me njeriun që hyn e del nga kisha, me njeriun që i përgjërohet kryqit e kambanës. Po aq me njeriun që hyn në xhami, falet me kokën unjur e të ndenjurat përpjetë. Me njeriun që mund të ngjitet e ngjitet gjer lart në minare. Me lejen e hoxhës, pa lejen e tij. Me lejen e Zotit.

Ne jetojmë kalimthi e sillemi bindshëm a jetojmë bindshëm e sillemi kalimthi? Jo aq kalimthi...

Fare pa pritur, pa pritur fare njeriu sikur kërceu përtej oborrit. Sikur e rrëmbeu dikush, humbi. Unë pulita sytë, sytë e habisë sime. Alqi aty u ngrys, aty u gajas. Kush e rrëmbeu, kush, pronarin e mbrëmjeve festive, e mbrëmjeve të dhemshura njerëzore?

Mos e shkriu Dielli njeriun e qirinjtë?

Unë, nuk jam i krishterë, por kam hyrë e hyj në kishë e në kisha shpesh. Lutem edhe si i krishterë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page