top of page

Rrëfehet dëshmitari që e njohu armikun e Enver Hoxhës


Aleko Likaj

Si u ndodha në shtëpinë ku u fik jeta e Sadik Premtes

Nga Arkiva

ALEKO LIKAJ

30 Prill 2009

Rrëfehet dëshmitari që e njohu armikun e Enver Hoxhës në 18 vjetorin e ikjes së tij

E kishte adhuruar në rininë e hershme të tij, atje në fshatrat e "Lumit të Vlorës" në vitet 4O të, Sadik Premten, por pas 60 vjetesh, ka mundur t'i jetë pranë. Historia e çuditëshme e Dilaver Premtit nga Vranishti i Vlorës, që ka bërë 20 vite burg e pastaj është "kallur " në kalvarin e pafund të internimeve, ka patur si zanafillë, pikërisht faktin, se ai ka qenë idhtar i Sadikut. Ndonëse me mbiemër të njëjtë, ai pranon se nuk e ka njohur personalisht në atë periudhë. Ideologu dhe njeriu që i kishte marrë mëndjen, jetonte rreth 30 kilometër larg tij, në fshatin Gjormë. Me një familje që ka qenë nën influencen e "Ballit Kombëtar", Dilaveri ka parapëlqyer Sadikun, që ishte kundër komunistëve Hysni Kapo e Mehmet Shehu, të cilët, "mbillnin në krahinë vëllavrasjen e më tej".

Nxënës në shkollën tregetare të qytetit bregdetar, ai kishte mësuar se në fshatin ku i duhej të kalonte për të shkuar në shtëpine e tij, në Vranishtin e largët, ishte një prej drejtuesve më të lartë të partisë që nxiste "kryengritjen e armatosur", për të përzënë okupatorin. Atëherë, në të gjithë krahinën, "vetëm për Sadikun që mbante pseudonimin "xhepi", flitej". Një i afërmi i tij i a kishte identifikuar. Fshati Gjorm sipas Dilaverit, ishte bërë një postabllok që nuk kalohej lehtë. "Gjithë djemuria e atij fshati por edhe fshatrave pranë, ishin mbledhur rreth liderit të tyre". Kur ishte nxënës kishte mësuar edhe opozitën që i bënin tashmë ish figurat e gueriljeve të qytetit " Xhepit ". Kishte mësuar se "paguhej shtrejtë " koka e tij në ato momente, jo vetem në qarkun e Vlorës. Por nuk e kishte parë ndonjëherë përballë. " E pse jo, e kam ëndëruar ".

Pak kohe më vonë kishte mësuar se i organizuan një atentat tek " Ura e Zonjës", atje ku ndahen sinoret e dy fshatrave pranë, Gjorm e Lepenicë. Pastaj, rastësia e ka vënë përballë me Sadik Premten, në ditët e nxehta të Nëntorit në qytetin e veriut , Shkodër, ndërsa po pergatitej për të brakisur vendin. Kanë qenë disa çaste që nuk i kalojnë as te 12O minutat. 16 vjeçar së bashku me disa bashkëfshatarë të zonës midis tyre edhe tre kushurinj të Sadikut vendosi të largohej në rrugët e Europës. Mbase mund të mundësonte edhe shkollimin pasi kishte qenë nxënës i mirë në shkollën tregëtare. Ky ka qenë edhe për shumë vite pengu i një djaloshi që ëndëronte për një të ardhme tjetër, por që nuk e realizoi dot.

Pas tre vjetësh provoi arratisjen sërrish pasi ishte larguar nga burgu në Llakatund por E.A M - istët greke e dorëzuan në kufi kur ndodhej në portat e Filatit, së bashku me dy shokë të tjerë. Vera e vitit 90 të ka qenë momenti që i ndryshoi rrjedhën e jetës së vet, duke bërë të realizohej kësisoj edhe ëndëra e vjetër djaloshare për të takuar njeriun, për të cilin sistemi komunist kishte shfryre maksimalisht mbi të gjithë stuhitë e mallkimet që janë lëshuar ndonjëherë për njeriun, që edhe pse brenda llojit, mendoi e projektoi një të ardhme ndryshe, pa diktaturë.

I befasuar nga karakteri i tij, por edhe nga mënçuria e analiza që u bënte ngjarjeve të ditës i besoi jetën si një fëmijë pikërisht në Paris. Fjalëpak e një lider tashmë në Partinë Komuniste franceze, tregojnë së Shqipëria në atë kohë e partia e tij humbi shansin për të patur një politikan luajal e largpamës, që me siguri do ta çonte atë në rrjedha të tjera më të mira. "Mbase po të triumfonin idetë e Sadik Premtes nuk do te ishim në Europë këta që jemi sot". Në fund të fundit ky është mendimi i tij. "Tre antetate ka patur Sadiku në Paris e që të tre kanë dështuar falë zgjuarsisë e instikteve vetëmbrojtëse, por edhe dashurisë që kishin për të të njohurit e tij franceze", tregon Dilaver Premti. "Enver Hoxha ka paguar për kokën e tij, mbase edhe flori nga ato që na mori në " thotë Dilaver Premti. Pastaj, së bashku me të vëllanë Zijain, që kishte mbritur edhe ai në Paris pak ditë përpara tij, kanë qenë njerëzit me të afërt për Sadik Premten në kryeqytetin francez, Paris.

Kështu ka ardhur edhe ajo ditë e ngrohtë Prilli ku pranvera sapo kishte çelur sythet e para të saj. Një telefonatë nga Zijai dhe aiëeshtë gjendur para portës së Sadikut. Nuk harron çastin e fundit kur e ka parë të shtrirë njeriun që e kishte adhuruar për 50 vjet me rradhë të shtrirë poshtë divanit, pa jetë. Pastaj homazhet e shumta të personaliteteve të politikës së majtë franceze miq të këtij vendi, e shqiptarë të mbledhur tok pa dallim ideje e feje, të cilët kanë bërë edhe shumë foto tek varri i tij.


: Si jeni njohur me Sadik Premten?. Ndërkohë që ju keni një mbiemer të përbashkët, e duket se jeni të një gjaku.


D.Premti: Jo-o-o. Nuk jemi të një gjaku. Vetë jam nga Vranishti e Sadiku ka qenë nga fshati Gjormë. Por ajo që dua të të them me sinqeritet është se e kam adhuruar që në rininë time të hershme. Kur kam qenë edhe unë nxënës në shkollën tregetare të Vlorës. Jemi nga një krahinë, " Lumi i Vlorës" dhe për të shkuar në fshatin tim, duhet që të kalosh mespërmes Gjormit ku ka lindur Sadiku. Eshtë e vërtetë se unë në fillim të viteve 4O-të kam qenë në periudhën e adoleshencës siç i thoni ju sot. Njohja me Sadikun ka nisur nëpërmjet bisedave që dëgjoja në vatrat tona familjare, komshijtë edhe tek miqtë e familjes sime, të cilët edhe pse anonin nga " Balli i Kombit " flisni me respekt për karakterin e virtytet e tij. Në fillim ishte hapur fjala në krahinë që një njeri me pseudonimin "xhepi" ishte nga figurat kryesore te lëvizjes antifashiste që kishte nisur në atë periudhë në Shqipëri. Vlerësimet për Sadikun bëheshin pa e ditur se "Xhepi" ishte vetë ai. Në të gjithë krahinën njihej si një njeri që i peshonte fjala, ndonëse edhe ai nuk pati ndonjë moshë kushedi se ç'farë. Kishte një inteligjence natyrore për t'u patur zili. I shkolluar ishte. Djali i premtajve ishte bërë pikë referimi në atë kohë në zonën tonë. I dashur dhe i pritshëm thonin edhe ata që e njihnin nga afër. Pas asaj që u quajt "Lufta kundër fraksionit" në Vlorë, e që nuk kaloi pa lenë gjurmë të thella në të gjithë Vlorën e krahinat e saj, u kuptua se Sadiku ishte njeriu kyç i asaj lëvizje, por që ishte vënë në shënjestër. E thirrën në Tragjas " për t'u sqaruar " por që u lajmërua në kohën e duhur, dhe së bashku me një grusht djemsh jo vetëm të Gjormit, që i njihnin që të gjithë si trima u kthyen duke e lënë të parin e komunistëve me gisht në gojë. Pra u dështoi plani për ta vrarë. Më pas nisi lufta brenda llojit të tyre. " Çeta Plakë " një nga çetat e para antifashiste në të gjithë vendin, e që komandohej nga " Vangjua" pseudonimi i Neki Ymerit, djalë strateg, trim që si bënte syri " tërr", u bë epiqendra e goditjes. Ky kamandant kishte qëlluar që të ishte edhe kunati i Sadik Premtes, pra i kishte marrë motrën për grua, futet në kurth nga Mehmet Shehu. Di që është bërë një përpjekje në një fshat të Mallakastrës ku e mbanin të arrestuar dhe është vrarë si " aksidentalisht" Xhemil Cakërri dhe ky kuadër i kësaj çete, " Vangjua" i shpëtoi litarit që ishte ngritur për të. Pastaj me sa duket Nekiu shkoi në fshatin e tij dhe e ndau mëndjen duke qëndruar në krah të kunatit.


: Më falni, të gjitha këto histori ju i keni jetuar si bashkohës apo?...


D.Premti: Siç të thashë, kam qenë në shkollën tregëtarë atë kohë. Me gjithë konspiracionin e madh të kohës tek ne, edhe pse frynin errëra të ndryshme, shumë gjëra merreshin vesh. Të kuptohemi. Ka qenë vështirë që të merrje vesh se filani e bëri atë aksion, apo filanin e vrau iksi ta zemë. Ngjarjet mbesin si ngjarje. Ashtu siç kanë qenë. Për shembull. Kur kaloje në Gjormë në atë kohë i cili kosiderohej si " Moska e dytë " ishte e pamundur që të mos "kontrolloheshe" nga djemtë e atij fshati. Pas luftës kundër fraksionit ndryshoi gjithëçkah. Ne ambjente të ndryshme doli fjala që Sadik Premtia ishte vënë në shënjestër nga drejtuesit e lartë të partisë së tij, të cilët kishin ardhur nga Tirana. Ai nuk piqej me në fshat me Hysniun e Mehmetin, të cilët vinin vazhdimisht aty. Këtë ma thonin njerëzit e afërt të mij që kam patur në atë fshat, e që ishin pranë Sadikut. Tani na del, që në këtë fshat fill pas deshtimit të Tragjasit, na paska ardhur aty si klandestin vetë Hysni Kapua, i cili me sa duket, donte që të bënte "diferencimin" e djemurisë së Gjormit nga Sadiku. Mbase kërkonte edhe ndonjë dorë që mund të qëllonte mbi të, duke shfrytezuar ndonjë grindje të vjetër familjare, por me sa duket dështoi shumë shpejt në misionin e tij. Siç kemi marrë vesh tani vonë nga deshmitarë okularë, pas tre diteve i fshehur e në "besë" të një familje në një nga lagjet perëndimore të këtij fshati, është larguar i maskuar si grua. Kishte veshur një palë tumane, e në kokë një dorë shkarpa, ashtu siç bëjnë gratë tona në ato anë. I shoqëruar nga një grua e familjes që e mbajti në besë, del mbi lagjen " Ndregjon" në "Vris", e pastaj ka marrë malin në një buzë mbrëmje. Për këtë e pagoi Gjormi. Pas luftes dhe ardhjes në fuqi të Enverit, Hysniut e Mehmetit, ky fshat i Sadik Premtes u cilësua si fshati i tradhëtarëve të partisë. Mbaj mend që sigurimi në atë kohë arrestoi edhe pesë djem të këtij fshati, kryesisht çobanë dhish, nën akuzën se "kishin organizuar një antetat për shokun Hysni", i cili pritej që të kalonte aty mes për mes për në Tërbaç, fshati i tij. Pas një vit e ca hetimesh dështuan në sajë edhe të njerëzve të mirë, që nuk morën përsipër ti njollosnin në hetime të pafajshmit, por që edhe këta e pësuan më vonë. Policia u detyrua që të ekzekutojë operativin e zonës që i " mori në qafë " gjormiotët. Kjo ka ndodhur aty nga fundi i viteve 50 të

: Përmëndët më sipër se familja juaj ishte me Ballin. Kjo organizatë a ishte ndesh me Sadikun e njerëzit e tij në Gjormë e gjetkë, që përfaqësonin atë kohë një rymë tjetër, komuniste

D. Premti: Eshtë e vërtetë që "Balli Kombëtar" në atë kohë ka qenë një forcë potente. Edhe brenda në fshatin Gjormë ku jetonte Sadik Premtia ne kemi patur strukturat tona. Duhet që të kuptoni se krejt "Lumi i Vlorës" ka qenë në një harmoni të plotë dhe nuk ka patur raste të vëllavrasjes. Sadiku ishte kundër kësaj vëllavrasje edhe pse ishte i asaj që ne i thonim ryma e "kuqe". Këtu mendoj unë se është dallimi esencial midis tij dhe atyre që inspironin për diktaturën. Unë kam njohur në fshatin e tij një ballist që ishte njëkohësisht edhe një nga poetet më të mirë të Ballit, i cili si për ironi e kishte shtëpinë fare pranë të asaj të Sadikut,, e që vargjet e tij unë i kujtoj edhe sot. Ai ka rojtur deri para pak vitesh, sigurisht me damkën e ballistit

: A munde që të takohesh ndonjëherë në atë kohë me Sadikun?


D.Premti : Pas asaj që quhet " lufta kundër fraksionit të xhepit ", komunistet u hakmorën për kthimin nga rruga të Sadikut. U organizua një pritë në mes të rrugës që lidh dy fshatra Lepenicë dhe Gjormë, në vendin e quajtur " Ura e Zonjës". Koka e tij kërkohej në "tepsi". Sadik Premtia që ishte tërhequr tashmë nga shokët e tij më të ngushtë të luftës në qarkun e Vlorës, është ndodhur një dite si mysafir në Lepenicë, tek të afërmit e tij së bashku me një grusht djemsh nga fshati i Gjormit. Qëllohet nga një skuadër e komanduar, e që kishte vënë pritën. Vriten Neki Ymeri e Xhafer Dalani të cilët ishin në krye të grupit duke ecur të shkujdesur. Nuk e mendonin se puna do të shkonte deri aty. Dihet që Sadiku dhe të tjerët shpëtuan duke u futur në përrua, e pastaj dolën në Shushicë. Pas kësaj ngjarje ishte tepër veshtirë që të gjëndej adresa e tij. Unë nuk kam patur informacion ku është ndodhur. Nga fillimi i nëntorit të vitit 44-të takohem me disa të afërm të Sadikut pasi unë isha në Gjormë tek njerëzit e mij ato ditë, së bashku shkojmë për në Shkodër. Qëllimi im ishte që të delja në Europë. Isha fare i ri dhe dëshëroja që edhe të shkollohesha atje ashtu siç kishin bërë shume djem shqiptarë. Rastësisht takojme edhe Sadikun atje. Të më besoni që jam lumturuar. E kam shtrënguar me dorën time prej çunakut idealist. Kemi ndejtur për momentin vetëm rreth dy orë e pastaj u ndamë për tu takuar përsëri, por që nuk ndodhi më kështu. Kjo edhe për fajin tim në një çast. Me Sadikun iku edhe Hasani e Fetiu dy kushirinj të tij të cilët i gjetëm atje. Se si mbriti në Francë dhe se ç'rrugë mori, këtë nuk e di. Unë u ktheva pastaj duke rrugëtuar nëpër Shqiperi. Gjeta edhe një punë si llogaritar, por pak muaj më vonë më hoqën dhe u ktheva në fshat, ku më arrestuan. Filloi kalvari i vuajtjeve nëpër burgje. Njeë herë u arratisëm aty nga fundi i viteve 40-të nga burgu i Llakatundit së bashku me disa shokë. Një treshe shkuam e dolëm rrugë e pa rrugë në Greqi, në një fshat afër Filatit. Ishte dimër i egër, e forcat e policisë ishin që të gjithë në këmbë. Në një shtëpi Greke na kapën forcat e E.A.M it që na dorëzuan në postën kufitare. Kaq u desh që të viheshim në shënjestrën që nuk na u nda për gjysëm shekulli. Kam bërë pak me shumë se njëzet vjet burg e pastaj kam qenë i internuar deri në ditën që shpërthyen ambasadat.

: Pas kësaj u larguat nga Shqipëria?

D.Premti: Po. Dhe për këtë i a di për faleminderit edhe Sadikut, i cili, e pse ta fsheh , më ka tërhequr si me magnet. Zgjodha pra Francën. Eshte një odise pastaj gjetja e mënyrës për tu larguar nga ai vend, të cilin, edhe pse ishte vendi im ku më kishte " rrënur koka ", ma mohuan. Kur jam ndodhur mbi Bari, qytet fare pranë Vlorës sime përballë Adriatikut në aeroplan, kam qarë si fëmijë. Edhe me ligje, si plakat tona zakonisht në gjëma të mëdha. Jam pjekur edhe me të vdekurit e mij në varreza përpara se të vë këmbën në Rinas. Na ishte mohuar gjithëçkah. Në Sharl De Gol mbrita që atë ditë. Me vete kisha adresën e Mehmet Kushit që ka qenë i burgosur me mua, e që ishte njeri i afërt me Sadikun. Nga Shqipëria nuk e mirrja dot. I kërkova adresën e Sadikut dhe ai ma dha. Në telefonin e shtëpisë më del një zë i njohur. Ishte Zijai, vëllai më i vogël i Sadik Premtes, shoku e miku im i vuajtjeve dhe i halleve, që kishte vetëm tre ditë që kishte mbritur në Paris së bashku me Luan Kokën. Më morën e drejt në shtëpinë e idhullit tim të rinisë së hershme. Ai për momentin nuk ndodhej aty. Kemi festuar atë natë dhe jam dehur si rrallë ndonjëherë në jetën time. Ishte mbase një mënyrë për të nxjerrë dufin që ishte kyçur për 50 vjet brenda vetes sime e që më la pa shtëpi e katandi, larg të afërmëve të mij. Kjo sepse unë mendoja ndryshe nga ata që ishin në pushtet.

: Realizuat ënderën kësisoj, a u ndatë me Sadikun pas kësaj?

:Jo. Duhet të kuptoni një gjë. Eshtë viti 90 të, dhe unë pas mbritjes sipas gjithë rregullave kërkova azil politik, të cilin qeveria Franceze ma akordoi shpejt. Jetoja e banoja në një rezidencë reffugjatesh së bashku më shumë të tjerë. Në atë kohë në Paris e në Francë egzistonte nje komunitet i gjerë shqiptarësh. Kishte nga të ardhurit e pas luftës por edhe nga ambasadat. Jeta ime kufizohej në takimet e përditëshme me Zijanë, që u bë për mua një vella i vërtetë, por edhe me Sadikun. Ky ishte atë kohë pensionist. Kishte punuar si llogaritar në një nga firmat e mëdha tregëtare " Fnak " . Shkollën për atë e kishte bërë.Vinte më ne në fund jave e dilnim në periferi edhe të Parisit ndonjëherë. Nuk jemi ndarë pas kësaj pasi unë konsiderohesha si njeri i afërt me atë.

: Cila ka qenë jeta dhe veprimtaria e Sadik Premtes në kryeqytetin francez, në kohën që e keni takuar ju?.

D.Premti: Rregullisht si një nënpunës në një shoqëri si ajo franceze, ai është marrë duke i qëndruar besnik bindjeve të veta të rinisë së hershme edhe me politike. Di që ka qenë i inkuadruar në një nga partitë e majta këtu në Francë. Kam parë në dhomën e tij disa foto me shokët e midis të tjerëve edhe me Georg. Marshenë një prej drejtuesve më me emër në lëvizjen e atyre viteve. Ai bënte jetë të rregullt partie. Dhe kjo dihej nga të gjithë komuniteti shqiptar në Paris. Historia e tre atentateve që kishte organizuar sigurimi i atëhershëm shqiptar me këmbënguljen e vetë Enver Hoxhës, për ta eleminuar fizikisht, e kishte bërë që të ishte shumë i kujdesshëm me bashkëkombasit e vet. Ai nuk donte që të pësonte fatin e Trockit të cilin Stalini e vrau pabesisht. Me mua dhe Zijanë, shpesh bisedonte kryesisht për njerëzit tanë të afërt që kishim lënë atje në Shqipëri. Asnjëherë nuk kam dëgjuar që të fliste e të përgojonte ish shokët e tij, me të cilët i kishte lidhur fillimisht lufta. Një ditë e pyeta me shaka. Sadik, tani që fitoi demokracia a do të kthehemi në Shqipëri ?. Vuri buzën në gaz. Tundi kokën e më tha; Kam edhe ca obligime të tjera. Pastaj mosha dhe sëmundjet nuk më lënë që të lëviz". Kishin filluar proceset e para demokratike në vendin tonë, edhe pse të pa kristalizuar mirë. Kur u rrëzua busti i Enverit një prej gazetarëve të këtij vendi i mori një intervistë të gjatë. Më duket në një studio televizive apo në një gazetë që për momentin nuk më kujtohet mirë, pasi unë nuk ndiqia as televizor e as gazetë, për shkak se nuk e njihja gjuhën franceze. Sadikun nuk guxova që ta pyes. Një shqiptar emigrant si unë, më tregoi që ai "kishte folur fjalë të mënçme dhe i kishte bërë një analizë gjithë asaj që ndodhi për një gjysëm shekulli në Shqipëri"

: Tani të vijmë tek momenti fundit i jetës ëe tij. Si e morët vesh ngjarjen?

D.Premti : Prill ishte. Pranverë. Mua më telefonoi Zijai. Ky kishte qenë tek një miku i tij aty afër. Së bashku menjëherë jemi ndodhur përpara portës së shtëpise së Sadikut. Zijai ishte tëpër i alarmuar sikur të kishte parandjerë gjithëçkah. Ai i kishte telefonuar Sadikut një çast më parë nga shtëpia e mikut të tij dhe nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Dëgjohej vetëm zhurma e televizorit që ishte ndezur. Me sa dukej i vëllai po fikej ngadalë aty. Në fakt Sadiku ishte i sëmurë. Probleme zemre. Edhe mosha bënte të sajën. Zija e kishte bërë si rregull që i telefononte dy a tre herë në ditë për ta kontrolluar. Pastaj së bashku me policinë që lajmëroi Zijai, hapëm forcërisht derën e mbyllur nga brenda. Mbaj mend që e kemi gjetur Sadik Premten pa jetë, të shtrirë poshtë në tapet. Kësisoj jam bërë dëshmitar i atij çasti që e ndau nga kjo jetë njeriun që i bëri opozitë Enver Hoxhës, që nga krijimi i partisë komuniste Shqipëtare, e deri në momentet e fundit të qeverisjes së tij. Biblioteka e Sadikut si dhe dorëshkrimet e tij i kaluan të vëllait, të cili i ka edhe sot nëpërmjet një testamenti që kishte hartuar përpara se të vdesë, aty në Paris. Natyrisht ato nuk janë ekspozuar. Zijai ka folur në shtypin Shqiptar, madje edhe ka debatuar. Unë di që ai disponon dekumenta autentike të asaj kohe e cila realisht është e fallsifikuar sipas interesave të atyre që rrëmbyen pushtetin. Për mua Sadik Premtia u luftua nga Enveri, sepse tek Sadiku që në mbledhjen e parë të krerëve komuniste, dalloi njeriun që do ti sillte shumë andralla, si pretendentin kryesor për ti marë pushtetin. Në atë mbledhje faktikisht ishte hapur drita jeshile për kundërshtarin e Hoxhës pas propozimit për rrëzimin e drejtuesve të grupeve. Kështu që Sadik Premtia është personi i parë që u vu në shënjestrën e Enver Hoxhës për eleminim, që edhe pse nuk u realizua, falë intuitës së këtij të fundit, mbeti për më shumë se 45 vjet e hapur deri në fund. Të tjerët kanë patur fatin e keq që të ishin viktima në kohë e situata të ndryshme që kaloi vendi.

: Ju keni qenë në ceremoninë e fundit mortore?

D. Premte: Sigurisht. Së bashku me Zijanë organizuam gjithëçkah. Më ka bërë përshtypje fakti që, Sadiku gëzonte respektin e funksionarëve të lartë të Partisë Komuniste Franceze, deri tek Zhorzh Marsheja. Këtë e verifikova pikërisht atë ditë të ceremonisë së përmotshme që u organizua për ish Komunistin Shqiptar. Ashtu siç thashë edhe më lartë në atë ceremoni që mblodhi rreth 200 francezë, u mbajtën edhe fjalimet e lamtumirës, pikërisht nga këta persona të cilët çmuan e vlerësuan figurën e Sadik Premtes me relativa, që çdo person a komunist shqiptar do ti kishte zili. Ai i mbylli sytë si një militant i idealit të tij.

Koha do të bej shumë diferencime për ato që janë thënë e shkruar nga Enver Hoxha kundër figurës së tij. Eshtë mirë që të dëgjohet me kujdes edhe fjala e atij që është anatemuar për nje gjysëm shekulli në Shqipërinë që e deshi aq shumë Sadik Premtia e i u përkushtua si një bir i denjë i saj. E vërteta zhduket por nuk humbet asnjëherë. Kjo vlen.

Intervistoi #Aleko #Likaj Bordo France

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page