
MIRËNJOHJE DHE RRESPEKT BANORËVE TË RROGOZHINËS!
Rrogozhina, shtrihet në koordinatat 41°4′34″N - 19°40′0″E. Sipërfaja që përfshin Bashkia e Rrogozhinës është 223, 50 km² dhe një popullsi prej 22.148 banorë, sipas rregjistrimit të vitit 2011. Ajo ndodhet përafërsisht në mes të Republikës së Shqipërië, ku ndahet Jugu me Veriun. Rrogozhina është qytet dhe komunë që ndodhet në qarkun e Tiranës, qëndra ndodhet në rajonin e ultësirave perëndimore të Shqipërisë. Historikisht njihet si qendër e banuar që nga shekulli II pas Krishtit. Zhvillim të ndjeshëm ka patur në kohën e shfrytëzimit të rrugës Egnatia, në periudhat romake, të kryqëzatave evropiane drejt Lindjes në kohët e qytetërimit Bizantin. Në ato periudha qyteza ka qenë një nyje lidhëse për vendin me rrugët nga Jugu në Lindje dhe në veri të Shqipërisë.
Në periudhën e Mesjetës, jeta në Rrogozhinë u bë shumë e vështirë; u ul ndjeshëm niveli i jetesës së banorëve rreth zonës. Rrogozhina në mesjetë quhej “Rrogozëza” mbasi në fushat buzë lumit Shkumbin, rritej me shumicë papiri (lloj kallami i butë), zhuka dhe kallamat, me ‘to prodhoheshin rrogozat për shtresa, bëheshin shporta dhe kanistra.
Rrogozhina flet shumë për të gjitha periudhat historike, me kontributet e saj. Sidomos në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku partizanët zhvilluan disa aksione kryesisht ata të Grupit të Pezës, nën influencën e të cilëve u ngrit Këshilli Nacionalçlirimtar.
Gjatë Luftës, gjermanët shkatërruan urën e Shkumbinit që lidhte Rrogozhinën me jugun e Shqipërisë. Në vitin 1945 u ndërtua një urë tjetër një kalimshe (e ngushtë) dhe në vitin 1968, njëherësh me ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Vlorë, u ndërtua edhe ura e re, në vendin e urës që shkatërruan gjermanët. Rizgjimi i jetës në Rrogozhinë dhe rrethinat vartëse të saj, u bë gjatë periudhën së pas L2B,
Pozicioni gjeografik, vendndodhja ndërmjet fushave pjellore të Cerrikut, luginat e Papërit, Bishqemit, fushat e Peqinit, të Myzeqesë dhe të Kavajës, kanë favorizuar zhvillimin ekonomik, industrial, tregtar, etj. të qytezës. Në Rrogozhinë u ndërtua industria e përpunimit të produkteve bujqësore që grumbulloheshin nga fshatrat, qytetet dhe rrethinat. Kishte fabrikat më në zë të Shqipërisë, si: NISH Vaj-Sapuni, ku prodhohej vaji i ullirit dhe sapuni. Lënda e parë sigurohej nga grumbullimi i prodhimit të ullirit në lokalitetet e Rrogozhinës, Peqinit, Kavajës, Lushnjës dhe Beratit. Mbas çlirimit prodhohej edhe vaji nga bima e lulediellit; u krijua linja e përpunim-konservimit të ushqimeve, midis të cilave edhe një fabrikë makaronash. Kishte fabrikën e Litarit, ku përpunohej kërpi që prodhohej litari i linit. Me rëndësi ishte edhe Uzina e zhveshjes së pambukut, e cila përpunonte pothuajse gjithë prodhimin e pambukut në vend. Krahas tyre ishte edhe punishtja e përpunimit të bimëve mjekësore dhe etero-vajore, ajo përmendej për rakinë e dëllinjës (juniperos), e cila përdorej si pije por kishte edhe vlera kurative.

Zhvillim dhe gjallëri të madhe mori sidomos me ndërrtimin e hekurudhës Durrës-Peqin në vitin 1947. Hekurudha e shndërroi në një qendër të rëndësishme, me një stacion hekurudhor më të rëndësishm në vend, më pas me zgjatjen e vijave të hekurta, ajo u shndërrua në një nyje hekurudhore që lidhte qytetet më të mëdhenj të vendit, që nga Shkodra, Tirana, Durrësi, Elbasani, Pogradeci, Lushnja, Fieri, Ballshi dhe Vlora. Rrogozhina u kthye në një stacion të rëndësishëm, fakt që krijoi shtim të lëvizjeve të njerëzve dhe si rrjedhojë lindi nevojën e më shumë objekteve tregtare dhe social-kulturore në qytet. Infrastruktura të tilla, krijuan kushte shumë të mira jetese, si efekt i shtimit të punësimit, u sigurua edhe rritje në zhvillimin ekonomik e kuluturor.
Rrogozhina kishte pallat kulture, spital, shtëpi lindjeje, grupe artistike, në vitet 1956 u krijua skuadra e futbollit fillimisht me emrin "Vullneti", sot "Egnatia", si dhe një rrjet shërbimi komunal dhe tregtar që plotësonte nevojat e mbi 10 mijë banorëve. Në vitin 1945 u hap shkolla e parë fillore, në vitin 1949 shkolla (shtatëvjeçare) unike “Qamil Gjuzi”; në vitin 1958 u ndërrtua godina e re e Gjimnazit “Haxhi Qehaj”.
Bashkia e Rrogozhinës, në saje të reformës territoriale për qeverisjet lokale të vitit 2015, ka përfshirë dhe është bashkuar me ish komunat Gosë, Kryevidh, Lekaj, Rrogozhinë dhe Sinaballaj, duke u bërë një njësi komunale. Selia e komunës është qyteti Rrogozhinë. Me riorganizimin e ri, kjo njësi komunale përbëhet nga këto fshatra: Ballaj, Domën, Fliballije, Gërmenj, Gosë e Madhe, Gosë e Vogël, Hamenraj, Harizaj, Hasdushk, Kalush, Kazie, Kërçukaj, Koçaj-Sheshaj, Kodrasej, Kryevidh, Lekaj, Levanaj, Luz i Madh, Memollaj, Methasanaj, Mlik, Mushnikë, Okshtun, Patk-Milot, Rrostej, Rreth-Greth, Sinaballaj, Spanesh, Spille, Stërbeg, Sharrdushk, Shkozet, Thartor, Vilë-Ballaj, Zambish, Zashtik, Zhabjak (Gjithësejt 37)
Sot në Rrogozhinë nuk ka fabrika industriale si më parë, ato u shkatërruan gjatë viteve nëntëdhjetë. Qyteti sot nuk e ka gjallërinë e dikurshme. Toka, megjithëse është pjellore por është e pamjaftueshme për banorët. I vetmi objekt dhe institucion shtetëror i ndërtuar pas vitit nëntëdhjetë është burgu i Rrogozhinës. Ndërtimi i tij ngjalli fillimisht shpresë për punësim, por ato u shuan shpejt, kur u panë të punësoheshin militantë partie që vinin nga Tirana, Durrësi, Lushnja dhe Elbasani. Sot burgu është në Rrogozhinë, por atje nuk ka të punësuar nga kjo njësi komune, apo nga ky qytet. Shumë familje të Rrogozhinës, jetojnë me të ardhura nga emigracioni. Veç të tjerash Rrogozhinën e izoloi edhe ndërrimi i drejtimit të autostradës, e cila devijohet tek “Bishti i Zhurit”. Shumë objekte tregtare, dyqane, lokale falimentuan. Qyteti ka pësuar rënie të theksuar në nivelin ekonomik.
Aktualisht në Rrogozhinë gjallëri dhe lëvizje të shumta sjell vetëm dita e shtunë, që është dita e pazarit që zhvillohet një herë në javë. Pazari i Rrogozhinës, sidomos i gjësë së gjallë, nis nga qendra e qytetit dhe zgjatet deri tek ura e Shkumbinit. Ky pazar është nga më të mëdhenjtë në vend, mbasi Rrogozhina ka një pozicion shumë të favorshëm gjeografik. Në pazarin e Rrogozhinës vijnë fermerë që sjellin për të shitur gjënë e gjallë, produkte bujqësore dhe blegtorale nga disa fshatra si ato të fushës dhe kodrës së Kavajës, nga Peza, Peqini, Kodra dhe Fusha e Lushnjes etj.
Në periudha të ndryshme, për shkak të pozicionit gjeografik, mundësive dhe lehtësive të terrenit, në Rrogozhinë kanë ardhur komunitete të ndryshme si: demokratët grekë gjatë Luftës Civile Greke të vitit 1945; komuniteti çam, i ardhur gjatë vitit 1944 e 1945 e më pas, si pasojë e gjenocidit grek gjatë Luftës së Dytë Botërore; vllehë të ardhur shekuj më parë; gollobordas; lebër gjatë kohës së socializmit; myzeqarë; kuksianë të ardhur në fillim të vitit 1950 si tregtarë; harixhinj; romë; të ardhur gjatë periudhave të ndryshme, si dhe dyndje banorësh të zbritur nga fshatrat e zonës, sidomos mbas vitit 1991. Të gjithë të ardhurit janë vendosur poshtë hekurudhës, ndërsa vendasit deri para vitit 1990 banonin krysisht sipër hekurudhës.
Komuniteti më i madh dhe më në zë në Rrogozhinë, kanë qenë dhe janë çamët, të vendosur tek “Bishti i Zhurit”, “Dy Çezmat” dhe në lindjen e qytetit kur shkon për Peqin. Në Rrogozhinë është një lagje me emrin “Miqësia”, e cila e ka justifikuar vërtet emrin. Vendasit, me natyrë të butë e të qytetëruar, kalojnë në një harmoni të admirueshme me çamët dhe me të gjithë komunitetet e tjerë. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, kulturës vendase ju shtua edhe kultura e komunitetit çam me vallet dhe këngët e tij, siç ishte edhe kënga e famshme polifonike e Çelo Mezanit, këngë e vlerësuar si një simfoni botërore.
Në krye të Bashkisë së Rrogozhinës, zgjedhësit besuan duke zgjedhur edhe z. Beqir Xheladin Nuredinin, lindur në këtë qytezë, nga prindër me origjinë nga Çamëria, prindër të nderuar dhe respektuar si në Çamëri dhe këtu.
Familje autoktone, me emër, të nderuar, me reputacion, të urtë dhe dashamirës nuk i kanë munguar Rrogozhinës. Një vend nderi të merituar dhe të trashëguar mbajnë familjet e fisit të Dedallarëve, Gjuzët, Gjumçët, fisi Meka, Toska, Thartori etj. Konsiderata dhe "emër të mirë" kanë lënë edhe mjaft familje nga të ardhurit, mes të cilëve përmenden Estref Mehmeti; Faslli Myrto; Beho Dahri; Xhelal Doda; vllezërit Bakalli; Naim Çela; Selami Prronjari( ish drejtor i NISH Vaj sapunit), Stefan Xhavo (përgjegjës i shtëpisë së kulturës); familja e Vasil dhe Koço Lalës (ish pronarë të fabrikës së vaj-sapunit). Fabrika e vaj-sapunit ishte shtetëzuar, etj.
Në Rrogozhinë, bashkë me vëllanë, Enverin, kam kryer shkollën unike (1950-1953). Vite, më pas nesh, kanë kryer shkollën 8 vjeçare dhe gjimnazin motra dhe vëllai i vogël Ademi. Kam punuar në NISH Vaj-Sapunin Rrogozhinë nga shtatori i vitit 1956 deri në gusht 1960.
Në Rrogozhinë filluan ndryshimet rrënjësore të trungut tim familjar (familja e ardhur nga Gumenica e Çamërisë). Gjatë qendrimit në këtë qytezë, filloi shuarja e prindërve; vllezërit, motrat dhe unë krijuam familjet tona si dhe atje na kanë lindur fëmijët e parë.
Janë pikërisht këto ngjarje madhore familjare, të cilat na e bëjnë Rrogozhinën, qytezën më të rëndësishme mbas Gumenicës, vendit të lindjes. Qyteza e Rrogozhinës mbetet si një "Panteon" i prindërve të mi.
Shënim(1): Për disa të dhëna historike është shfrytëzuar edhe arkivi i wikipedias.
Fahri Dahri
Itali, më 22/03/2021.-
Comments