top of page

Rreth librit të ri të Antika Hoxhës...


Të shkulësh historinë e vëllait nga zemra si dhuratë për lexuesin

(Rreth librit të ri të Antika Hoxhës, për Bilal Xhaferrin)


Fatmir Terziu


“Historinë e tij e kam të shkruar në jetën time“, thotë Antika Hoxha, motra e vogël e Bilal Xhaferrit, poetit dhe prozatorit të talentuar që u përndoq nga regjimi komunist. Kështu shprehet ajo, në librin e saj më të ri, me mbresa, përjetime e meditime, të titulluar „Hëna dëshmitare“ (2023). Dhe si motra për vëllain, ajo ndjen përditë e më shumë rëndesën e viteve mbi supet e saj, ndërsa shprehet se „toka është e shenjtë, ai preh nën dheun e tij njerëzit e mi, e do të jetë shtëpia ime e përjetshme“ për këtë mjaft arsye të tjera Antika i shtjellon mes dy pyetjeve sublime, që e nis librin e ri të saj duke kërkuar: „E si mund ta lë të shkojë në heshtje e shkuara apo e tashmja e tij?! Si mund ta lë pa i dhënë zë ëndrrës për të ardhmen e tij?!“ (po aty)

Mes këtyre pyetjeve dhe strukturës narrative të librit, tridhjetë e pesë kapitujt dhe një tjetër më vete nën titullin „Përralla Çame“ kërkojnë të na japin thelbin e përjetësisë me tërë atë që vetë autorja, motra e tij, si pjesë e gjakut dhe vazhdimësisë së penës na shprehet „Ato duar nuk jan ëmësuar të mbajnë penën, por shpirti i saj i mbushur me dufe, me kujtimet e fisit të shquar nga rridhte, derdhi në këtë libër faqe të ndjera të mallit për vëllanë, meditime, përjetime rënqethëse, që do të nderonin çdo shkrimtar të sprovuar“ (ibid). Ky libër me një volum faqesh që kalojnë njëqind e tetëdhjetë faqet natyrshëm është një shtrirje kohore me vetë hënën dëshmitare, gonxhen që mbiu në themelet e shtëpisë, çamja nga Çamëria, kurrë mos bëni hakmarrje, kujtimi i motrës së madhe, Jete Hoxhës, poezi, lufta 20 vjeçare në vatrën e Bilal Xhaferrit, e deri tek më kujtohet gjysh Feriku.


Në fakt në këtë libër dukshëm ndjekim dhe lexojmë se narrativi nuk është thjesht historia e një jete, apo e një familjeje të shtresës patriotike atdhetare të copëtuar nga ideologjitë e dhunshme të kohërave, por një strukturë narrativi që prek, trajton dhe shkon përtej kesaj kornize, duke marë shkas atë që dihet dhe sillet për shkrimtarin Bilal Xhaferri. Në këtë këndvështrim duket se pena e Antikës në këtë libër prek dhe pikëtakon një histori tjetër të ndodhur gjeografikisht më larg dhe që ka të bëjë ngjashëm me një shkrimtar, dramaturg dhe kritik çek, i cili ishte Karel Čapek (9 janar 1890 - 25 dhjetor 1938), që bëri fushatë në favor të shprehjes së lirë dhe kundërshtoi fuqimisht ngritjen e komunizmit në Evropë. Por ndryshe nga fati i Xhaferrit, edhe pse u nominua për çmimin Nobel në Letërsi shtatë herë, Čapek nuk e mori kurrë atë. Megjithatë, disa çmime përkujtojnë emrin e tij, si çmimi Karel Čapek, i dhënë çdo vit nga Klubi PEN çek për veprën letrare që kontribuon në përforcimin ose ruajtjen e vlerave demokratike dhe humaniste në shoqëri, sukurse në mjaft raste ndjehet nga disa shoqata dhe organizme letrare të jepet dhe çmim me emrin e shkrimtarit Bilal Xhaferri. Inaugurimi i Shtëpisë Muze „Bilal Xhaferri“ në vitin 2014 ndoshta është një farë lehtësim përshpirtjeje në këtë pikë, pasi ndihma e disa intelektualëve si ajo e historianit Halil Shabani, Poetit Agim Mato „Mjeshtër i Madh“ dhe piktorit dhe skicashkruesit të talentuar, Edmond Llaçi kanë bërë një punë të mbarë me të cilën sikurse shprehet Antika Hoxha, „pas 50 vitesh durim me sistemin komunist, m'u deshën dhe 20 vite durim ndaj luftës së gjitonëve, që rriskun ta ktheja tek të zotët“ (faqja 62).

Por duke shkruar në thelbin e këtij narrativi me një lexim të ndjeshëm ndjejmë se „Hëna dëshmitare“ është tërheqës. Ai rrëmben të gjithë magnetizmin dhe kërshërinë diskursive që ka magjepsur dëshmitarë të panumërt, pa lënë pas dore errësirën tragjike të shumë prej zgjedhjeve të jetës që mbeti mes motrave dhe rrymat e egra sociopolitike që i kanë mëdyshur dhe dedikuar në vuajtje ato, ku thelbin eshtrydh Antika me këtë libër. Gjatë gjithë viteve midis asaj që ka ndodhur dhe asaj që është prezantuar, skena politike e tërësisë diksursive në këtë përjetim narrativ duket se u bë gjithnjë e më ekstreme dhe e polarizuar. Kjo skenë hipnotizoi tërësinë e magazinuar dhe risolli pezmin e zemëruar pas një lufte të gjatë ndjenjash dhe vuajtjesh dhe që kjo e ka jehonën e saj jo aq të zbehtë moderne në këtë prurje narrative. Në anën tjetër edhe mjaft pjesë të tjera që narativi i sjell me poezi dhe kujtime të shumta, sikurse është 5 prilli 2019 që na sjell poezinë „Si zogu në fole“, apo „Bilbil gjuzari“ që na jepen në një formë tipike e të ndjeshme leximi të thukët.

Pasionet ndikuese të periudhës sillen në këtë libër përmes sharmit antik të edukimit të rrallë të autores në mënyrat që libri i saj mes kapitujve të tij zgjodhi të hiqte deri në kërshëri. „Pon e Pan, nuk e vranë, Tan e Pan, Tan e vranë“, „Përherë të parë shejtani zbriti në okë“; apo „Merre mishin e ik në djall“, ashtu sikurse dhe kapitulli njëzetë e gjashtë që i kushtohet Fadil Paçramit, janë një pjesë e kësaj forme kërshëruese narrative.

Libri është shkruar me pasion, natyrisht me një stulë të pararendur të motrës dedikuese për vëllain e saj talent në kushtet që i cituam më lart, por që në thelb ka një mesazh të qartë atë të zgjimit dhe mbajtjes gjallë të vlerës së tij deri në pavdekësi. Kjo markë unike e besimit është pjesë e asaj që i bën motrat e shkrimtarit, sidomos këtëmë të voglën e tij që shkruan, magjepsëse për disa të reja sot, edhe përkundër historisë së tyre politike dhe personale shpesh të dhimbshme. Ata kanë mesazhe paqeje dhe jo hakmarrjeje, kjo i bën më të lartësuara dhe madje dhe ky libër e sjell mendimin e tyre jo si një mjet për të ndaj njëri-tjetrit, e cila, sipas Antikës do ta bënte akoma më të tmerrshme, atë që vetë Bila Xhaferri kurë nuk e dëshironte.

45 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page