top of page

ROVENA VATA MIKELI: DIMENSIONET ETNOKULTURORE...

  • 3 hours ago
  • 4 min read

Nga: PROF. ASOC. DR. ROVENA VATA MIKELI

 

DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELL FATESH” TȄ SHKRIMTARIT LLESH NDOJ

 

         Mirdita përbën një nga njësitë më të konsoliduara etnokulturore në veri të Shqipërisë, e njohur si pjesë e Shqipërisë së Epërme, ku ndërthuren në mënyrë organike faktorët natyrorë, historikë dhe kulturorë. Relievi i saj malor dhe organizimi tradicional i qëndrueshëm kanë krijuar një strukturë të veçantë shoqërore dhe kulturore, e cila ka garantuar ruajtjen dhe transmetimin ndërbreznor të identitetit kolektiv. Në këtë kuptim, Mirdita nuk përfaqëson vetëm një hapësirë gjeografike, por një sistem kompleks kuptimor me rëndësi të veçantë për studimet albanologjike. Nga perspektiva semantike, vetë emërtimi “Mirdita” mbart një dimension simbolik të veçantë, pasi lidhet me një formë përshëndetje të përhapur në komunikimin njerëzor. Ky aspekt e tejkalon funksionin e thjeshtë toponimik dhe i jep emërtimit një rezonancë universale, duke e shndërruar në një shenjë identitare me kuptim të zgjeruar kulturor.

          Në planin gjeokulturor, elementë të tillë si Mali i Munellës funksionojnë si pika referimi jo vetëm fizike, por edhe simbolike. Roli i tyre në ndërgjegjen kolektive e tejkalon dimensionin hapësinor, duke u shndërruar në qendra rreth të cilave ndërtohen narrativa mitike dhe struktura kuptimore, që organizojnë përvojën e përditshme të komunitetit. Një komponent themelor i identitetit të kësaj krahine është sistemi i normave zakonore, i cili mbështetet mbi një kodifikim të pashkruar të sjelljes shoqërore. Brenda këtij sistemi, fjala përfaqëson një instrument themelor komunikimi dhe njëkohësisht një bartëse të kuptimeve simbolike. Doket, zakonet dhe besimet kanë krijuar një univers normativ të qëndrueshëm, ku individi dhe komuniteti ndërveprojnë në mënyrë të strukturuar. Ligjërimi folklorik, etnologjik dhe gjuhësor funksionon si një mekanizëm i vazhdueshëm riprodhimi kulturor, duke siguruar vijimësinë e traditës në kohë. Forma të tilla, si: lutjet, urimet, mallkimet dhe shprehjet frazeologjike, përbëjnë forma të institucionalizuara të komunikimit kulturor. Ato nuk janë thjesht mjete shprehje, por mekanizma për transmetimin e vlerave, normave dhe strukturave mendore ndër breza, duke kontribuar drejtpërdrejt në ndërtimin e identitetit kolektiv.     

Kjo pasuri etnokulturore gjen një pasqyrim të plotë në romanin “Shtjellë fatesh” të autorit Llesh Ndoj, i cili rindërton një realitet social dhe kulturor të Mirditës, përmes rrëfimit. Romani “Shtjellim fatesh” ndërthur dimensionin historik, mitik dhe individual, duke krijuar një strukturë rrëfimore jo - lineare që pasqyron kompleksitetin e marrëdhënieve shoqërore dhe varësinë e individit nga sistemi normativ tradicional.

        Një nga aspektet më të rëndësishme të romanit është përdorimi sistematik i toponimeve lokale. Emërtimet e hapësirave natyrore dhe vendbanimeve nuk kanë funksion thjesht simbolik, por përbëjnë elemente thelbësore të strukturës narrative dhe semiotike. Ato dëshmojnë vazhdimësinë historike të popullsisë, rrisin autenticitetin e rrëfimit dhe funksionojnë si bartëse të kujtesës kolektive, duke krijuar një lidhje organike midis hapësirës dhe zhvillimit të ngjarjeve. Një dimension tjetër i rëndësishëm është pasqyrimi i jetesës tradicionale bjeshkë - vrri, e lidhur me praktikën e transhumancës. Kjo formë organizimi ekonomik dhe shoqëror ka ndikuar në forcimin e lidhjeve komunitare dhe në transmetimin e normave morale, duke krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme midis njeriut dhe natyrës.

        Në strukturën e romanit një rol të veçantë zënë elementet folklorike, veçanërisht këngët dhe vajtimet. Këto forma nuk funksionojnë si elemente dekorative, por si komponentë të rëndësishëm narrativë, të cilët ruajnë dhe transmetojnë kujtesën historike dhe emocionale të komunitetit. Ato përforcojnë identitetin etnokulturor dhe krijojnë një dimension simbolik, që lidh të kaluarën me të tashmen. Romani “Shtjellë fatesh” paraqet gjithashtu një gamë të gjerë praktikash dhe normash tradicionale, që rregullojnë jetën familjare dhe shoqërore. Roli i njerkës në strukturën familjare, rregullat e trashëgimisë, marrëdhëniet ndërfisnore dhe institucionet sociale tradicionale pasqyrojnë një sistem të konsoliduar normativ, i lidhur ngushtë me të drejtën zakonore dhe dokesore. Këto elemente evidentojnë rëndësinë e nderit, përgjegjësisë morale dhe organizimit kolektiv në jetën e komunitetit.

    

     Një dimension i veçantë i veprës është trajtimi kritik i periudhës së realizmit socialist, duke përdorur ironinë dhe satirën. Përmes humorit dhe relativizimit të diskursit ideologjik, autori evidenton kontradiktat e sistemit dhe ruan një qëndrim kritik, duke treguar rezistencën e identitetit kulturor ndaj imponimeve ideologjike. Në pjesët përmbyllëse të romanit trajtohet përplasja midis traditës dhe modernitetit. Proceset e urbanizimit, migrimit dhe zhvillimit teknologjik, sjellin transformime të dukshme në strukturat shoqërore dhe kulturore, duke ndikuar në dobësimin e disa praktikave tradicionale dhe në ndryshimin e marrëdhënieve ndër njerëzore. Megjithatë, kujtesa kolektive dhe normat morale vazhdojnë të funksionojnë si mekanizma mbrojtës të identitetit. Nga një perspektivë shumë disiplinore, romani përfaqëson një vepër me vlera të shumta. Ai funksionon njëkohësisht si tekst letrar, dokument etnologjik, burim folklorik dhe dëshmi e së drejtës zakonore.

         Në planin gjuhësor, vepra ruan dhe dokumenton pasurinë e dialektit mirditor, duke e shndërruar në një arkiv të rëndësishëm të trashëgimisë gjuhësore. Nga pikëpamja letrare, romani karakterizohet nga ndërthurja e elementeve historike, mitologjike, folklorike dhe satirike, duke krijuar një univers narrativ kompleks, ku historia individuale dhe ajo kolektive bashkëjetojnë në harmoni me njëra - tjetrën. Struktura e ndërthurur e rrëfimit dhe përdorimi i gjuhës figurative i japin veprës një dimension estetik dhe interpretues të thelluar.

        Si përfundim mund të themi se romani “Shtjellë fatesh”, mund të konceptohet si një “tekst - univers”, në të cilin ndërthuren gjuha, historia, folklori, e drejta dhe arti. Përmes kësaj ndërthurje, romani arrin të dokumentojë dhe të interpretojë identitetin kulturor të Mirditës, duke krijuar një urë të qëndrueshme midis së kaluarës dhe së tashmes.

        Në këtë kuptim, vepra përfaqëson jo vetëm një arritje letrare, por edhe një burim të rëndësishëm për studime ndërdisiplinore, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe aftësinë e kulturës shqiptare për t’u përshtatur pa humbur thelbin e saj.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page