top of page

ROJTARI I NDERIT




Prej kohësh më ka munduar ideja e lumturimit të një djaloshi, tashmë i mbuluar nga dëbora e thinjave. Doemos që s’kam pritur mbritjen e Papës në lartësitë e Kurveleshit për të zhvilluar aktet ceremoniale referuar Biblës. Kjo s’ndodh për njerëzit e thjeshtë, sepse të zgjedhurit vendosen në ballinën e trapezit, të tjerët-jo! Tjetër gjë kam në mendje, pikërisht heshtjen me të cilën e kanë veshur këtë njeri, si me një stinë të acartë dimërore, indiferencën, shpërfilljen e asaj ngjarje që s’mund të mbetet në harresë. Ai ka një emër të përveçëm, i përket një familjeje, një fisi, një fshati, një krahine, dhe mundi të krijonte një kohë përtej asaj që vazhdon të jetojë. Është Astrit Shehu nga Nivica. E detyruan të bëhej gjëmimtar i një tragjizmi që s’duhej të ndodhte. Ishin ditët përvëluese të verës. Ora që mat ritmin e kohës ndali disa çaste. Përballë njëri-tjetrit ishin dy njerëz, njëri nga Kuçi dhe tjetri nga Nivica, ai që meritonte ndëshkimin dhe ai që s’lejonte t’i njollosej nderi. I pari djalë i ri, rreth 25 vjeçar, tjetri 10 apo 12 vite më i madh. Të dy barinj me tufat e tyre. Fjala e kishte humbur fuqinë në përmbushje të traditës shekullore. Diferencën e moshës e shkurtoi tehu i ndritshëm i thikës, ajo nënshkroi vdekjen e mëkatarit, fundin e tij të tmerrshëm. Rrjedha e gjakut mbeti në tokën e bleruar të Luadhit. Njeriu është i dënuar për të qënë i lirë, por ai çast ua rrëmbeu lirinë të dyve. Njërin e futën në arkivol dhe e çuan në vendlindje, tjetrin e prangosën dhe përfundoi në qelitë e ftohta të burgut. Ishte vdekje për të dy; njëri nën pirgun e dheut mes vdekëtarëve, ndërsa tjetri vetmitar, i braktisur mes të gjallëve. Mendoni një çast sikur njeriu të ishte i pavdekshëm, atëherë s’do kishte drama, ngjarje të dhimshme, histori që mbeten në kujtesën tonë. Pavdekshmëria do ishte ndëshkimi më i madh për njeriun. Pikërisht atje, para disa muajsh syri më pa një derdhje betoni në formën e lapidarit. Ishte sa një bojë njeriu e lyer me gërqele. Ishte ngritur në kujtim të viktimës. Emëri dhe fotografia ishin vendosur në krye. U befasova. Sa mirë do ishte pa emër, pa fotografi, mjaftonte data, muaji dhe viti. Do ishte një kujtesë për të dy, viktimën dhe vrasësin. Edhe në dalje të Memaliajt kam parë ndanë udhe një qivur me emër të cuditshëm; “Varri i hajdutit”. Po si ndodhi me niviciotin e revoltuar, cila brengë e dalldisi gjakun e tij deri në lartësi të Këndrevicës? Ngjethëse ishte ngjarja. Ishte detyrimi i vëllait për motrën, moral dhe shpirtëror, sikurse ndodhi me Konstandinin që shaloi kalin e vdekjes për të mbritur te Doruntina. Shpirtin ja griste dhimbja, trupi s’i gjente rehat. Ishte terratisur gjumi dhe ndjente t’i afitej mali, t’i shembej mbi krye. Brofte nga shtrati dhe hidhte sytë përreth. Ndjehej i unshëm, por jo i pafuqishëm, dhe zgjaste dorën për të matur hijen e tij. Vetmia me ato trajtat e cuditshme allasoj, e kishte kredhur në një botë ëndërrimesh. Provonte të ngjitej lart dhe zbriste përsëri në fundin e honeve të thella e të frikshme. Shtrydhte mendimet dhe nga larg i bëhej se dëgjonte një këngë vajtuese. Në një gjendje të tillë mori vendimin e frikshëm, shkoi në përballje me të keqen. Një akt pati tragjedia, vetëm një. E dini ç’më tha një bashkëfshatar i tij që ishte ndodhur në sallën e gjyqit? -Në sytë e Astritit pashë vendlindjen, njoha Nivicën dhe historinë e saj. E ndërsa mbyll këto rreshta, ndër mënd më vijnë vargjet e një këngë të hershme popullore kushtuar një trimi nga Bolena e Labërisë; “Vallë e kujt ishte kjo pemë/ Vallë ç’mëmë e kish pjellë…” Astriti është djali i Sami Shehut dhe Fluturës, bijë nga Bylyshajt. Gjykimi popullor nxitoi të shpallë me bujë kodin e lashtë të traditës shekullore; nderi është kurora më e ndritshme në ballin e njeriut. Nëse mëkatarit duhet ti merret haka shtatë herë, rojtarit të nderit - shtatdhjetë e shtatë here, siç thuhej dikur për Kainin dhe Lamekun. Dhe historia mbyllet këtu.


Tiranë, Tetor 2023.

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page