Robert Martiko: NË PAK VARGJE POETIKE, NJË FILOZOFI E TËRË MENDIMI MBI KOHËN, MENDIMIN DHE HYJNOREN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 17, 2025
- 2 min read

“Kur dielli lind dhe hëna rri e pret”, e poeteshës Mimoza Leskaj
Poezia “Kur dielli lind dhe hëna rri e pret” është një lutje e qetë, por thellësisht reflektuese, që përmes thjeshtësisë së saj arrin të prekë shtresat më të ndjeshme të përjetimit njerëzor. Ajo fillon me një imazh natyror ku dielli dhe hëna bashkëjetojnë për një çast, një simbolikë që shpërfaq ritmet ciklike të jetës, dualitetin dritë-hije, veprim-pritje. Është pikërisht në këtë përballje të heshtur që njeriu, duke dalë nga bota e grupit, ndalon për të kuptuar vlerën e jetës, jo si koncept i ndërlikuar filozofik, por si ndjesi e pastër që lind nga vëzhgimi dhe nga pranimi i thjeshtësisë së universit.
Kur poetesha thotë “kupton sa vlerë ka fjala jetë”, nuk bëhet fjalë për një pohim abstrakt, por një përvojë të drejtpërdrejtë, e lidhur me çastin e përulësisë përballë natyrës. Në këtë përulësi, shfaqet mirënjohja, jo për gjëra të mëdha, por për vetë elementët bazë të ekzistencës: tokën, qiellin, diellin, hënën. Ky falënderim i drejtohet Zotit me një qartësi që nuk kërkon shpjegim, sepse vetë akti i falënderimit bëhet mënyrë jetese. Është një gjest që sjell qetësi, që e kthen njeriun nga kërkesa drejt pranimit, nga padurimi drejt vëmendjes ndaj asaj që është dhënë.
Lutja për të ruajtur shpirtin dhe dritën e syve nuk është një kërkesë për mbijetesë fizike, por për ruajtjen, mbijetesën e thelbit njerëzor, aftësinë për të ndier, për të parë me dritë, për të jetuar me ndërgjegje të gjallë. Shpirti përfaqëson thellësinë e njeriut, ndërsa drita e syve është simbol i vetëdijes, i dashurisë për jetën, i aftësisë për të njohur të bukurën. Kjo është një filozofi që kërkon jo zotërim të botës, por ruajtje të brendësisë së vet, të asaj që është më e çmuar në qenien tonë.
Vargu i fundit sjell një përfundim të heshtur dhe të lartë: dëshira për t’iu afruar të shenjtës “siç dinë të vijnë yjet”. Yjet nuk nguten, nuk zhurmojnë, ato ndriçojnë udhën e errët me një përulësi hyjnore. Është një metaforë për mënyrën sesi njeriu i ndërgjegjshëm i afrohet jetës së përtejme ose vetë Zotit, jo me pretendim, por me dritë, me durim, me heshtje dhe pastërti.
Kjo poezi, nuk kërkon ndryshim me forcë që nuk lind veç qenie të munduara, as nuk përpiqet të shpjegojë gjithçka. Poetesha thjesht lutet, falënderon, dhe pret me qetësi në një marrëdhënie të thellë me kohën, natyrën dhe hyjnoren. Kjo e bën poezinë të shndërrohet në një reflektim filozofik mbi ekzistencën, ku jeta kuptohet përmes ndalesës, përmes pranimit dhe përmes dëshirës për të mbetur i ndriçuar, edhe kur gjithçka tjetër është në pritje.
Kur dielli lind dhe hëna rri e pret,
kupton sa vlerë, ka fjala jetë!
“Zot të qofsha falë për çfarë na ke dhënë
Tokë, qiell, diell dhe hënë.
Ma ruaj shpirtin dhe dritën e syve
Të të vij pranë siç dinë të vijnë yjet”









Comments