top of page

RIZGJIMI PRANVEROR

  • Mar 13, 2023
  • 1 min read

Vullnet Mato

RIZGJIMI PRANVEROR Ngazëlloj duke soditur rizgjimin e natyrës, në këto çaste mëngjesore kaq solemne, kur toka e përgjumur, fillon lan fytyrën, në dushin e madh e çudibërës të rrezeve. Fshesa e rrezeve, si amvisë e kujdesshme fillon të fshijë nga dheu hijet përrallore, zbulon ngadalë konturet e së djeshmes, me mozaikë baltërash, nën blozën dimërore. Pllajat e pyllëzuara vështrojnë majëmalet, dhe nisin të stolisen para pasqyrës së qiellit. Kumbullat sykaltra përshkëndisin petalet, për të pritur vizitën madhështore të diellit. Zogjtë e tulatur, nëpër degët blerore, shkundin gjumin nga puplat, me cicërima, qengjat e fjetur staneve, nëpër bregore, përshëndesin agimin me të parat blegërima. Gonxhet mes gjetheve, rihapin gjinjtë dhe zënë të shkundin kristalet e vesës, grunjërat e mëndafshta, drejtojnë kallinjtë e luhaten në valëzimin e ndritshëm të dehjes. Gjithë konturet e së djeshmes dimërore, tashmë shfaqen madhërisht në ripërtëritje, me zbardhëllimin e së sotmen pranverore, mbushur plot e përplot me qumësht drite...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page