top of page

Risitë e librit monografik...


Refleksion studimor-vlerësues: Risitë e librit monografik “Në gjurmët e fisit Dyrmyshi”, të autorit Idris Dermyshi

 

Nga Hasan M. Shahinaj

 

Në vargun e njohur dhe të pasur të krijuesve të talentuar gramshakë spikat dukshëm e denjësisht, në krye të produktit trashëgimor letraro-publicistik e memorialo-historik, monografia e realizuar bukur nga z. Idris Dermyshi. Një libër aktual e perspektiv,me mjaft lëndë të faktuar e origjinale, hartuar në trajtën më të mundshme mjeshtërore nga autori ynë me përvojë dhe me një stil  të parapëlqyer, nga shkrimtari Idris Dermyshi.Qysh në krye të herës,unë, studiuesi i letërsisë dhe publicist me përvojë gjysmëshekullore (H.SH. ), pohoj se: kjo monografi me 280 faqe dhe tetë kapitujt në lidhje organike subjektore, dëshmon si një shembull i mirëfilltë se si duhen shkruar libra të kësaj tematike, sa interesante e delikate, aq dhe tridimesionale të domosdoshme, duke qenë autori i tyre qind për qind bio, origjinal e i paanshëm, larg autolëvdatave e elozheve bajate apo tam-tameve gramafonike-butaforike, në të cilat bien në kurth të fjalës së pagjetur e të motivit të pabesueshëm e të palexueshëm, kalemxhinj të shumtë të paformuar e të papërvojë, të cilët pretendojnë shumëçka (përmes titujve bombastikë dhe kopertinave ngjyrosëse), por që bien sakaq përtokë me anë të stilit të tyre të stisur e të shitur belulian bajato-landraq !


Pa u zgjatur, ja disa nga risitë e librit monografik në fjalë :

Së pari, autori i talentuar Idris Dermyshi arrin të realizojë mjeshërisht jo vetëm gjenealogjinë e saktë burimoro-historike të breznive të familjes fisnore të madhe dhe me gjak të pastër atdhedashurie të pafund të Demyshajve të Gramshit etnik, por mbi të gjitha të motivojë saktësisht prirjet e theksuara bujqësore,blegtoriale,zanatçore e kryesisht trimërore të kryefamiljarëve të fisit të gjerë Dermyshi, të cilët, porsi ai gurmulliri i etnogjenezës së tyre , qëndruan stoikë e qëndrestarë, bluajtën miellin jetësor ngaherë me këmbët në tokë në trojet e tyre etnike të zonës së Vërçës e Sulovës gramshake mbi dyshekullore, kockë e fortë e Atdheut tonë, duke u përballur e sfidur pushtuesit turq qysh në taksimet tanzimato-feudale të pashoqe e deri tek pushtuesit radhazi të Luftës së Parë Botërore grabitqare serbë, bullgarë e austrohungarezë, të nofkuar nga populli si skinj, nemce, e sojë e sorollop. Pa harruar qëndresën famoze anti fashisto-naziste të Luftës së Dytë botërore, kur kjo familje numeroze, ndonëse e grupuar në dy kampet ndërluftuese partizanë – ballistë, diti të ndihmojë me strehim e ushqim, madje edhe me bij dëshmorë në Ushtrinë Nacionalçlirimtare, duke strehuar e shpëtuar për ditë të tëra vetë Shtabin e Përgjithshëm të asaj ushtrie ( gjë që është pohuar me gojë e me shkrim dokumentar nga ai pushtet i luftës e i pasluftës), porse më pas, çuditërisht e qëllimisht, ka shkelur bukën e dhënë bujarisht dhe ka nisur famëkeqin kurs të zi të persekucionit e të përndjekjes së bijëve e bijave dermyshave.

Së dyti , autori Idris Dermyshi po aq mjeshtërisht, madje me një logjikë të hekurt e bindëse , na rrëfen me episode të shumta  e shembuj konkretë emrash, ish-kuadrosh puthadorë e lakej të regjimit të terrorit të kuq, të cilët gjithnjë i vinin shkopinj thane nën rrota farefisit të fismë Dermyshi aq e aq të shkolluar, që ka nxjerrë kuadro të larta të shkolluara me aftësi shembullore në Stamboll , Austri,  SHBA e gjetkë, të cilët i kanë shërbyer bujarisht e falas tërë Gramshit e më gjerë. Megjithatë, gjykimi i shëndoshë popullor dhe i kuadrove të sensit të vërtetë demokratiko-qytetërues, vuri pikat e duhura mbi i dhe seliti në qendër të qytetit të rinovuar të Gramshit figurën emblematike , qëndrestare e atdhedashëse të të Madhit strumbullar Dermyshas, të epitetuar simbolikisht Kameraj, pra Kamber Osman Dermyshin, kryefamiljarin famoz e trim të rrallë me 12 fëmijët e tij po aq dinjitozë me atë lapidarin memoralistik që sfidoi kohërat duke kontribuar posaçërisht për Pavarësinë e Shqipërisë si bashkëluftëtar i pushkës dhe i mendjes me Aqif Pashë Elbasanin famoz dhe Lef Nosin e kohës, së toku me plejadën e tyre. Përshkrimet e autorit Idris me shembuj e fakte interesante na rrëfejnë shkoqur tërë autopsinë shkrimore e të gjatë ndër dekada, derisa u lartësua ai memoraial që dëshmon e u flet brezave se : koha e maskarenjve dhe shpifarakëve ka marrë fund, para pushkës së pathyer e tejet qëndrestare të Kamerajve e të shumë brezave që lindi, rriti , edukoi, shkolloi,formoi e trimëroi burrërisht ky lis i moçëm etnik e rrënjëthellë i Gramshit historik, i cili ka ecur paralel , madje edhe në rivalitet progresist me tërë figurat emblematike e historiografike elbasanase, në çdo stad epokal e këndvështrim.

    Së treti, përpos dhjetëra e dhjetëra episodeve, datave kyçe , kronikave , përballjeve nga më përçudnueset të farefisit Dermyshi me çdo regjim antipopullor e antikomëtar që ka shkelur trojet amtare gramshake, autori na zbulon , detajon, definon me logjikë shkrimore , paanshmëri e skrupolozitet të rreptë shkencor, veçse pikërisht skenat mbiujore të ajzbergut të stërmadh vëllimor që trajton kjo monografi vërtetësisht e bukur, solide, tërheqëse e njëherësh, që të mbush me krenari legjitime për çdo përballje e fitore të Dermyshajve mbi regjimet skllavëruese që pasonin njeri-tjetrin brenda harkut kohor mbi dyshekullor, ku shtrihen,shihen e zbërthehen ngjarjet deri në detaje me aftësi e zotësi nga autori ynë Idris. Për shembull, është frymëzim i gjallë e i vërtetë ndër breza siç kanë qenë , janë e do të jenë pesë figurat qendrore të fisit të fismë Dermyshi, kryesuar nga Kameraj e mbështetur nga Refati, Qazimi, Ismaili, Rizai, Hyseni etj. , të cilët përbëjnë ajkën e parë  gishtore të përbashkuar mish e gjak e thua të një dore tejet të hekurt , të devotshme patriotike, duke u pasuar nga një plejdë e tërë fajkonjsh sypatrembur bijsh e bijash, nipërish e mbesash plotësisht të admiruara nga stoicizmi i papërkulur asnjë fije floku;përkundrazi, fituar mbi çdo dallgë fortunale jetësore të regjimeve antipopullore e të perënduara tashmë.Thënë shkurt e prerë: jo vetëm janë qëndrestarë në vijën e parë atdhetare dermyshët si farefis në çdo situatë, por edhe prijës e përhapës të arsimit bazë shqip në ato kohëra të errëta e të kyçura, që mallkonin e dënonin ekstremisht shkronjat shqipe. Kjo përleshje sillte pa dyshim fitore të njëpasnjëshme, se dermyshët kanë qenë të mirëarsimuar vetë  me ngulm të paparë qysh në atë Manastirin e zemrës të shqiptarizmit të kohës, por edhe nëpër universitetet prestigjoze duke u diplomuar si mjekë, inxhinierë, jurist, farmacistë, ekonomistë, agronomë, ushtarakë etj. etj.Çdo detaj i pasqyruar në libër mbështetet i motivuar prej burimesh dokumentare arkivore qysh nga AQSH-ja e Tiranës, muzealja e rrethit dhe nga plot dëshmitarë të saktë të gjallë të ngjarjeve  si të luftërave, ashtu edhe të aksioneve të rindërtimit e të demokratizimit qytetërues të vendit.Gjithashtu, ka ndihmuar edhe folklori i pasur gramshak, shpirti i hapur liridashës e veçmas syri vlerësues i popullit të thjeshtë që ka njohur dhe, mbi të gjitha, ka provuar një jetë të tërë kontributet e fisit të pamposhtur Dermyshi në çdo dallgë lufte, pune, ekonomie, bujqësie e blektorie, ndërtimtare apo pa harruar kurrsesi të asaj luftës së tmerrshme murtajore klasore , e cila ngaherë do t’i gërvishte Dermyshët kokëfortë , të pabindshëm; por ama gjithnjë të drejtë e mbi të gjitha luftëtarë të paepur ballas për çdo betejë,  situatë, konflikt, problem për të sjellë paqen mirëkuptuese , bashkëjetesën fetare e krahinore , të moralshmen, të ndershmen, dinjitozen për t’u quajtur njerëz…

Së katërti, libri i bukur moografik “ Në gjurmët e fisit Dyrmyshi” plotësisht dokumentohet e pasqyrohet detajshëm edhe nga kapitulli i hollësishëm “Pema e blertë e farefisit të gjerë Dermyshi”, ku çdo brez farefisnor , çdo familje numeroze me nga 8-10-12 fëmijë aq të bukur , solidë e të shëndetshëm, ilustrohet me fotot e shumta bardhezi, gjë që përveç kënaqësisë shkrimore, vizuale , dokumentare , përbën njëherazi risinë e radhës e modelin për çdo autor të kësaj temaatiko-gjenealogjike sikurse libri në fjalë, ngase e bën çdo pjesëtar familjaro-farefisnor personazh të vërtetë libror duke dhënë edhe kornizën profesionale , shkallën e arsimimit e të kualifikimit , hobitë jetësore , prirjet , pasionet, kontributet qytetare brenda e jashtë vendit. Dhe kryesorja: ky fis e lis i fismë tejet i madh e i gjerë , ka ende sot rrënjët e gur-mullirit stoik sërishmi në Gramsh e periferi, ku jetojnë me shpirt durimi e bujari të pashoqe, të devotshëm e progresistë demokratë, mevirtyte të vyera e të trashëguara në breza.

Së pesti, arkitektura kështjelloro- shkrimore e këtij libri monografik ndërtohet me një sintaksë gjuhësore të përzgjedhur , me tekst narrativ e fjalor të pasur shqip,duke mënjanuar dukshëm fjalën e huaj – armë të panevojshme.Përkundrazi, hasim fjalor të pastër të tabanit popullor e studimor, gërshetuar e veshur tekstologjia lëndore me figuracion të kusyer letrar,mjaft i përzgjedhur e i seleksionuar plot kolorit e harmoni ,që e bën librin tërheqës në lexim e sipër, të logjikshëm në mendime , frymëzues me përshkrimet tipike dhe, do thosha plot kënaqësi, model imitimi për ata autorë që duan të provojnë veten në këtë sens shkrimor tematik të tipit monografi dhe njëherësh libër memoralistiko-dokumentar me fakte e arshiva , me mbresa e kujtime ,me pasazhe letrare e deduksione që të befasojnë nga faqja në faqe, aq të dendura me material të gjallë faktik,gjuhësoro-letrar e publicistik mjaft të parapëlqyer në stil , argument, persiatje e ligjërimin e duhur shkrimor. Ndaj autori i talentuar Idris Dermyshi meriton vëmendje,  përgëzime e urime për këtë libër të realizuar në formën më të mirë të mundshme , gjë që njëherazi është premisë për refleksione të tjera shkrimore nga dora e aftë e autorit mjeshtër Idris Xhezar Dermyshit, të cilin me zemër të hapur e përgëzoj me urimin : Vijimësi të penës suaj të kaltër, qytetëruese e mobilizuese plot suksese të merituara!Metafora e përdorur me aq marifet dhe siç duhet e ku duhet, porsi kurthi bazë i fjalës poetiko-publicistike në të tri llojet e saja folje,emër e mbiemër shoqëron stilin e gjetur të diskursit letrar gati të të gjithë librit në fjalë.Kjo pa dyshim e shton nurin elegant të librit , krahas zbatimit tejet korrekt të normës letrare të shqipes standarde; po ashtu zbatohet  drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe, duke mos lejuar pothuajse asnjë shmangie , gjë që flet qartazi për  aftësitë teoriko-praktike e zbatuese prej autorit Idris me profesionin e mësuesit të sprovuar të gjuhës shqipe e të letërsisë , ku ka shërbyer si mësimdhënës dhe drejtues shkolle me aftësi të njohura të përveçme.Kurse figurat e tjera si trope bazë si p.sh alegoria, ironia e sarkazma gjejnë pasqyrim adekuat në portretizimin e personazheve negativë dhe të armiqëve të zinj të brendshëm e të jashtëm, të cilëve u shkon për shtat ky kostum tallës , sfidues, tipizues. Pa dyshim, edhe kjo është jo vetëm domosdoshmëri shkrimore  , madje dhe risi tjetër  , e cila modelon dhe e dallon autorin tonë nga shumëkush kalemxhi që përdor kuturu fjalë vulgare ,tematikë të shpëlarë  e të stërnjohur, pa nerv letrar e publicistik, mbarsur deri në ekstrem me moszbatim të duhur të drejtshkrimit të domosdoshëm të shqipes sonë, kaq të pasur e shprehëse.

Së fundmi, në mbyllje të kësaj analize konçize, me plot sinqeritet, ndershmëri e përzemërsi burrërore, që më karakterizon, pohoj se: ai/ajo që nuk e di çfarë domethënë stërmundim i rëndë e sfilitës, le ta provojë të shkruajë një libër monografiko-shkencor e dokumentar, sikurse " Në gjurmët e fisit Dyrmyshi” të z. I. Dermyshi, i cili me saktësi matematikore ka derdhur djersën disa vjeçare si lumi Devoll( që e ndan Gramshin në dy krahina etnografike ), për ta realizuar kaq suksesshëm dhe denjësisht këtë vepër të vështirë , të merituar për çdo etazher e  bibliotekë të nivelit dijedhënës , qytetërues  e demokrato-progresist i së sotmes dhe i së nesërmes së kombit tonë, i cili është në fazën konkluduese të rivlerësimit objektiv e shkrimor të vlerave të vërteta në antipod me antivlerat kopjative , plagjare , bajate e vegjetuese të belulianëve që derdhin paranë e padjersës nëpër shtëpi botuese private për zhgaravinat elozhisto-vulgare të tyre të llojit kotkoti apo donkishoteske… Të shkon fort për shtat thënia e artë popullore : “Për dy gisht ballë jeton njeriu.”Kësisoj , jetojnë po aq ndershmërisht sot e gjithë ditën mbi 500 frymorët dermyshas , shpërndarë nëpër 100 familjet e tyre bujare , atdhetare, qytetëruese;të cilat i përshëndes me dorë në zemër: dalshi , si gjithmonë , faqebardhë!

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page