top of page

Rishkundja e “Diplomacive Memoriale” në Ballkanin Perëndimor



Rishkundja e “Diplomacive Memoriale” në Ballkanin Perëndimor


Rishkundja e memorjes në Ballkan është një detyrë e përhershme shtëpie, jo vetëm për shqiptarët, poltikanët, por edhe për të gjithë diplomatët dhe përfaqësuesit e medias. Kjo përbën anën themeltare të komunikimit, të krijimit të urave të reja të bashkëpunimit, gjithnjë duke zëvendësuar urrejtjen dhe mllefin, egon dhe brutalitetin. Kjo duhet, pasi po të kujtojmë nga kohët e fundit, gjithnjë duart e errëta veprojnë të prishin imazhet e krijuara në dobi të këtyre urave. Mosmarrëveshja e Preshevës e vitit 2013 nuk është e fundit, por ishte shumë më e keqja, me një numër në rritje të mosmarrëveshjeve në të gjithë rajonin, që tregonte se si memorjet e ndara dhe kontardiktore kujtonin të vdekurit e luftërave të viteve 1990. Më 14 Janar të vitit 2013 një përmendore për ushtarët e ushtrisë boshnjake të luftës në qytetin e ndarë të Mostarit u hodh në erë. Një pllakë kushtuar 13 janarit një atentatori pro-Bullgar në Shkup u raportua gjithashtu se u shkatërrua në atë që po bëhet një traditë sa herë që zëvendësohet.

Ndërkohë që ende ekzistojnë gjithashtu diskutime të hidhura rreth përmendoreve dhe çështjeve gjyqësore në lidhje me luftën e dytë botërore në këtë rajon, ajo që duhet mëshuar është domosdoshmëria e “Diplomacisë Memoriale”. Kjo vlen edhe për Preshëven e sotme, të cilën duket se heshtja e ka lënë në harresë, e ka mënjanuar edhe si arsye nga “Memorja Diplomatike”. Presheva, mbetet kështu një qytet i vogël, dërrmues etnik shqiptar në jug të Serbisë, afër kufirit me Kosovën i mbizotëruar nga shqiptarët, një heshtje sa qytetare, aq dhe poltike dhe diplomatike. Pas humbjes së vitit 1999 të serbëve në Kosovë nga NATO dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), një degëzim i saj, Ushtria rajon-çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovac (UÇPMB) filloi një mision në këtë pjesë të Jugut të Serbisë. Nga 90,000 njerëz që jetojnë në luginën e Preshevës rreth dy të tretat janë shqiptarë etnikë. Kryengritja e armatosur përfundoi në maj 2001. Mbështetësit perëndimorë të Kosovës sqaruan se nuk do të mbështesin asnjë ndryshim të kufijve, dhe qeveria e parë e Serbisë pas Millosheviçit ishte e prirur të shmangte një konflikt të ri. Një marrëveshje u arrit dhe anëtarët e UÇPMB u amnistuan.

Konflikti kushtoi jetën e 18 policëve serbë, gjashtë ushtarëve dhe dhjetëra civilëve. Në anën shqiptare, shifrat ndryshojnë, por memoriali i luftës UÇPMB-së i ngritur në nëntor 2013 shënon emrat e 27-të të vrarëve. Ndërsa shqiptarët i konsiderojnë ata si heronj, serbët i shohin ata si terroristë separatistë. Ka edhe përmendore të tjera të UÇPMB-së në luginën e Preshevës, por kjo veçohet sepse është ngritur para bashkisë. Më 11 Janar të atij viti, Këshilli lokal i mbizotëruar nga shqiptarët e Preshevës vendosi që monumenti të qëndrojë. Ivica Daçiç, kryeministri i asaj kohe i Serbisë, e ka quajtur memorialin një “provokim të hapur” dhe tha se ai duhet të prishet deri më 17 janar të atij viti ose ai do ta shkatërrojë atë. Udhëheqësit lokalë shqiptarë kishin bërë thirrje Shqipërisë zyrtare t’iu japë mbështetje diplomatike. Disa kërcënuan me një rebelim të ri nëse shkatërrohet monumenti.

Pra, 6 vjet më parë heqja e dhunshme e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, nga ana e xhandarmërisë serbe, nxiti reagime në gjithë opinionit shqiptar. I menjëhershëm ishte reagimi i Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. “Qeveria Shqiptare dënoi aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barbar të Millosheviçit”. Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës shprehu indinjatën e saj të thellë për veprimin e shëmtuar të heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës: “Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit”, thuhet në kumtesën për media.

Rrënimi i përmendoreve dhe ndalimi i shpalosjes së vlerave kulturore dhe i kujtesës historike të popujve, natyrisht është një dështimi “diplomacisë memoriale”, por është dhe një thirrje për zgjim dhe gjakftohtësi, në mënyrë që qytetarët e kësaj treve të mos bien pre e provokimeve, sado të dhimbshme qofshin ato. Ndaj monumentet, ngjarjet që lidhen me to, bustet, figurat, varret dhe dëshmitë e tjera, kurë nuk zgjidhen me rebelime, me forcë, me jo-arsyetime, por me forma didakte dhe të pjekura diplomatike. E gjitha është dhe mbetet një udhë e pjekur, që vjen nga forma didakte e “Diplomacive Memoriale”. Por si duhet dhe si funksionojnë këto diplomaci?

Diplomati Grejçevci një model i “Diplomacisë Memoriale”


Çdo memorje për të rikujtuar veprën si dhe lamtumirën e një figure të madhe është gjithmonë një emblemë angazhuese politike, dhe po aq edhe diplomatike. E gjitha funskionon si një valle. Vallja ndiqet dhe përcillet me emocion. Ajo gjithnjë është zbukuruar nga gjeste oportune të ndërtesës së ndërlikuar të urës që lidh të shkuarën me momentin e saj në shërbim të mesazhit dhe didaktikës, në shërbim të brezave që pasojnë. Kjo ndodh edhe në Kosovë. Ndodh sa herë që vjen në kujtesën e Kosovës, në kujtesën e ditëve të saj heroike, Heroi Adem Jashari. Ky shërbim përkujtimor për Adem Jasharin nuk ka asnjëherë përjashtim. Nga vizitorët dhe ata që kanë shkruar e shënuar në memorjen lidhur me të dhe gjithë familjen Jasharaj, vetë përkujtimi ka mbledhur “miqtë” dhe “armiqtë”, mëdyshësit dhe dëshmuesit e historisë heroike, dhe i ka bërë bashkë. Ndoshta gjesti më i dukshëm i arritjes, në përputhje me frymën e pajtimit ka ardhur dhe nga ata që e panë “politikisht” dhe e transmetojnë diplomatikisht nderimin e tij, si një procedurë e imazhit të “diplomacisë memoriale”.

Sipas imazhit të krijuar, “diplomacia përkujtimore” është një mënyrë e politikës simbolike të pushtetit të butë. Faqet e kujtesës dhe ngjarjet përkujtimore përdoren si një mjet për marrëdhëniet ndër-shtetërore dhe infra-shtetërore. Kjo përfshin ceremonitë publike të koreografuara me kujdes në vendet e zgjedhura të kujtesës në përvjetorët e ngjarjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto ngjarje, zakonisht në prag të situatave kombëtare dhe ndërkombëtare, ofrojnë një vend jo vetëm për diskutime joformale. Ato gjithashtu mundësojnë një markë të “politikës së mesazheve”, e cila i bën apel opinionit publik vendor dhe ndërkombëtar duke mobilizuar histori të përbashkëta.

Shtrëngimi i duarve në këtë territor, sa memorial aq dhe domethënës është një kapje e qëllimshme e momentit për të përparuar perspektivën e një shkrirjeje në marrëdhëniet midis politikës, pas mjaft debatesh dhe aludimesh. Dhe kjo tashmë është një risi e gjithë shqiptarëve, nga të gjitha trojet. Është jo thjesht poltike, apo diplomatike. Është mesazh dhe ndjenjë. Lutje dhe betim. Diplomati i Republikës së Kosovës, Lirim Greiçevci, tashmë me një format të gjerë e të vlerësuar mjaft në arenën diplomatike, u shfaq në një moment mjaft të domosdoshëm, mjaft efikas, pikërisht me djalin e tij, Benin përpara Kompleksit Memorial të Jasharëve në Prekazin e Historisë Kombëtare, jo thjesht si një vizitë e rastit, por si një memorje që lidh pikërisht atë që duhet dhe e dëshiron çdo shqiptar i mirë.


Ndaj, vetë Ambasadori Grejçevci shkruante në atë vizitë: “Në Prekazin heroik, tek Kompleksi Memorial i Jasharëve, së bashku me Benin, për t’ia shpjeguar se ku i ka rrënjët liria, të cilën e gëzojmë sot. Në këtë vend, në mesin e heronjve të kombit, Shaban, Adem, Hamzë Jashari, grave e vajzave, u vranë edhe dhjetë fëmijë. Lavdi e përjetshme!” sikurse e cituam dhe sikurse e ndjekim nga këto fjalë me peshë, mbi të gjitha, kjo vizitë e thjeshtë është një model i “diplomacisë përkujtimore”. Shtypi i ditës dhe madje edhe ai ndërkombëtar ishin të shpejtë për ta përdorur këtë. Vizita e një Ambasodori, ishte “një ditë D nën flamurin e diplomacisë", “një pelegrinazh diplomatik” dhe një ditë e “diplomacisë së heshtur” që transmeton nga vetja, nga familja, nga e thjeshta, nga profesionalizmi, atë që duhet dhe quhet plotësisht e merituar, e arritur.


Lidhja në mesazh dhe filmi dokumentar si mesazh i “Diplomacisë Memoriale”


Kanë kaluar mëse 20 vjet që nga dita kur një ekip i Televizionit “Dardan” vizitoi Kosovën e pasluftës dhe realizova film-dokumentarin “Në Kosovë Andej nga Kulla e Jasharajve”. Është viti 1999! Në oborrin para Kullës historike të Jasharajve një foto dhe një bisedë me Lulzimin, djalin e legjendarit Adem Jashari dhe me të vëllain Ademin, kujton jo vetëm emocione dhe mbresa por edhe një pikënisje për një traditë të re në kujtesën tonë historike. Fiksimi në kameran time të intervistës së parë me Lulin për televizionet shqiptare është dhe do të mbetet padyshim historike. Dokumentari më pas u përpunua dhe u rirealizua në kushte digitale, për të plotësuar një boshllëk, të cilin ndoshta shqiptarët në UK, do t’a ndjenin me etje në shfaqjen ekskluzive për ta.

Intervistat, komentet, narracioni, faktet dhe pamjet e asaj kohe në këtë dokumentar janë pikërisht ajo që ndoshta do t’i duhet më shumë se ç’do gjë tjetër kohës që po vjen, për t’a dokumentuar të shkuarën me syrin e pavarur, në vëzhgimin realist të kameras sime. Ndoshta e nesërmja do të jetë ndryshe nga e sotmja, ndoshta kujtesa do të thërasë me etje për këto fakte, për këta dokumenta, të cilat kohë më parë i duheshin Kombit, por “ne nuk ishim të kujdeshëm t’i përdornim e t’i rruanim si fakte kokëforta”.


Rrugëtimi tipik mes një itinerari të përlotur për më se një gjysëmshekulli dhe ende me plazma gjaku të pafshira nga ajo mortje e fëlliqur e historisë, shton kërshërinë në penën time të rradhis pak çaste dhe fakte që ende sot janë jetike dhe domethënëse. Faktet nisin me Isa Krekën, Fatbardh Dokon e Arben Dokon, bashkë me familjet e tyre, me vëllezërit Demir e Edi Pojani, me Kristo Memën e një grupi tjetër nga Tirana, të përndjekur nga sistemi komunist, por mesazhierë të qetë e të heshtur në tërësinë e kuptimit të memorjes, të “diplomacisë memoriale”, në një kohë që grupe të ndryshme hezitonin dhe ndiqnin rrëmujën që prodhon fatura dashakeqe e poltikave. Fakte që përziheshin me memorjet e z. Kreka, me dhimbjet e treguara nga palët udhëtuese, nga rrënojat e errëta të komunizmit dhe nga fiksimet e kameras në rrugën që ndante kufirin e vëllait me vëllain. Demir Pojani rrëfen se si errësira i ka pllakosur vuajtjet, dhe Kristo Mema e përcjell me heshtjen e burrit të shumëvuajtur, por krenar për Kosovën e Lirisë.

Natyrshëm, ajo që të rizgjon kujtesën në këtë anakromë disi të shushatur kohore, është kujtesa, është kujtesa në celuloid dhe shënimet gazetareske që ti ke në bllokun tënd. Së pari është thënia e Dr. Milazim Krasniqit, para Hotel Grandit në Prishtinë, teksa bisedonim për “fatet tona”, politikën dhe të ardhmen, jo me paragjykim apo parashikim. Ai do të thoshte: “Dëgjo Fatmir, pena dhe politika janë dy motra nga dy nëna, ku njëra është ende jetime, pa nënë e baba. Por kjo për më shumë, është edhe në mes të dy rrugëve. Zor se i gjendet derti asaj, në mesin tonë.” Dhe më tej, buzëqeshja dhe modestia e Neim Jerliut. Pritja para hotelit karakteristik dhe dy administratat e këtij hoteli, padyshim që duhen harruar. Me një kolegun tim nga Gjirokastra, korrespodent i Zërit të Amerikës, gjejmë të udhës të shohim se ç’po ndodhte aktualisht në zemrën e një Kryeqyteti, me pritjen dhe përcjelljen mediatike më të madhe të asaj kohe në botë.



Edhe dokumentari tjetër i realizuar në Londër, “Trokamat në jetën e një pene”, ka këtë pikësynim, paraqitjen nga këndi i syrit të pavarur. Filmi është rreth tridhjetë minuta dhe ka mjaft dokumente të pashfaqur më parë, sidomos nga Kosova e rrënuar dhe Kulla e Jasharajve.

Jashtë asaj që pason fakti i vizitës së Ambasadorit Grejçevci me djalin e tij të vogël, apo dhe me vizitat e tjera të cituara në dokumentarin tim, si dhe me ato shtrëngime duarsh e pluskime fotografish, ajo që është domethënëse është se e gjitha është mbi të gjitha gjërat e tjera. Ajo është një model i “diplomacisë memoriale”. Në imazhin e vizitave përpara Kompleksit Memorial të Jasharëve në Prekazin e Historisë Kombëtare, “diplomacia memoriale” është një mënyrë e politikës simbolike të pushtetit të butë. Vendet e kujtesës dhe ngjarjet përkujtimore përdoren si një mjet për marrëdhëniet politike dhe ato në këndin e edukimit dhe simbolikës së mesazhimit. Kjo përfshin ceremonitë e koreografuara me kujdes në vende të zgjedhura të kujtesës në përvjetorët e ngjarjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Këto ngjarje, zakonisht në prag të datave të caktuara, ofrojnë një vend jo vetëm për diskutime joformale, por dhe për një respekt ndaj figurave të gjalla intelektuale, që përkushtohen në nderim të simboleve që dhanë jetën për Lirinë. Ato gjithashtu mundësojnë një markë të “politikës së mesazhit”, e cila apelon si për opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar duke mobilizuar historitë e përbashkëta. Kjo është dhe një ftesë për të gjithë, pse jo për të rishkundur memorjen e “diplomacive memoriale”.

109 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page