RINGJALLJA IME E VERTETE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 14, 2020
- 2 min read

RINGJALLJA IME E VERTETE
Vrapova nëpër tokën e djegur të kujtimeve
Deri sa arrita tek rrugica e fëmijërisë
E aty u ula të shlodhesha.
Mora një fjalë të ëmbël
Nga përkëdhelitë e shumta të nënës
Dhe e fsheha nën një gjurmë të mbetur ende
Nga sandalja ime e ronitur.
Befas fjala mbiu
E u bë bar
Me gjethe të grisura
Si rrypat e dikurshëm të sandaleve të mija
Unë fillova ta shijojë si i dehur
Atë pamje mahnitëse
Që nuk ishte aq e lehtë ta besoje.
Pastaj mendova
Se përtej asaj rruge
Asgjë tjetër nuk mund të ketë.
Këputa një gjethe nga filizi i mbirë
E thirra nën zë:
Kjo është ringjallja ime e vërtetë!
KURTH PERENDIE
Mos ma thuaj, unë e di
Ti mban në dorë një trëndafil të kuq
Dhe mundohesh ta ndezësh si qiri.
Pastaj pëshpërit me mundim një lutje
Që shpesh të ngatërrohet nëpër fjalë
E kurrë se thua deri në mbarim.
Mos ma thuaj, unë e di
Edhe trëndafilin, edhe qiririn, edhe lutjen
Të gjitha i harron
Sapo të shfaqet ai…
Pastaj të pushton
Një trillë marrëzie.
Mos ma thuaj, unë e di
Edhe trëndafili i kuq
Edhe qiriri,
Edhe lutja
Jan thjeshtë,
Kurth perëndie.
IKIM NE DY UDHE
Edhe pak e do të shlodhemi diku
Në një kodër me bar të vesuar.
Mos ki frikë
Këtej nuk kalojnë as kaçakët as bishat,
As dimri s’kalon këtej, as vera e nxehtë
As gjarpëri që është betuar për të pirë vezën e pëllumbit
Në dorën tënde.
Vetëm milingonat
Vijnë e ikin si në shtëpinë e tyre.
E ke parë ndonjëherë shtëpinë e milingonave?
Aty lind djelli i përjetshëm dhe aty perëndon
Ky është sekreti që e mëson vetëm atëherë
Kur bashkohen dy udhët e bëhen një.
Mos ki frikë
Nga dora jote do lindi sërish ai pëllumb
Veshur me retë e bardha të pikëllimit
E do të fluturoj përjetësisht
Kthyer në një kujtim të paharruar.
Edhe pak e do të shlodhemi diku
Në një kodër me bar të vesuar…
Comments